Të shpëtojmë arsimin publik

Nga Selami Xhepa, botuar në Panorama Online, 24 prill 2014

Një nga të shumtat problematika shqetësuese të tranzicionit tonë dhe që kohët e fundit po bëhet lajmi kryesor që merr publiku, janë sfidat e sistemit tonë arsimor në të gjitha nivelet e veta. Frika, jo pa baza, është se ndërsa shoqëria jonë ia arriti të luftonte me sukses analfabetizmin në shekullin e kaluar, në këtë shekull po mbërthehemi në një “kurth të injorancës” që po prodhon sistemi ynë i edukimit. Thirrja për të shpëtuar sistemin nëpërmjet reformimit të tij është dëshpëruese. Shumë kolegë e profesionistë të fushave të ndryshme kanë shkruar gjerësisht për këtë temë, prandaj dhe unë mbase nuk po shtoj ndonjë gjë të re, por do doja të rreshtohesha ndër ata që e ngrenë zërin për këtë kanosje serioze të sistemit tonë arsimor. Qasja ime ndaj kësaj reforme është nevoja e dakordësimit më së pari me parimet, shtyllat mbi të cilat ajo ndërtohet dhe ku ankorohen politikat publike të ardhshme. Tri parimet që në gjykimin tim janë udhërrëfyes të reformës do të ishin:

1.    Konkurrencë dhe pluralizëm aktorësh në sistemin e ofrimit të shërbimit të edukimit. Shkollimi nga entet private prej kohësh është përballur me një përbaltje të pamerituar ndërsa entet publike kanë gazuar një “reputacion” pozitiv të pamerituar. Eksperienca e fituar nga historia e shkuar e kombeve të tjera që mund të na shërbejnë si model, na tregon se përmirësimi i nivelit të arsimit arrihet kur tregu i ofruesve është pluralist dhe ku marrin pjesë aktorë të shumtë. Në këtë kuptim, lejimi i arsimit privat në Shqipëri ishte hapi i parë i rëndësishëm për të prodhuar konkurrencë në këtë shërbim. Nëse hapja e sistemit nuk do të ishte shoqëruar me masivizimin dhe “përmbytjen” e shkollave të larta duke shtuar kuotat pa asnjë kriter dhe tej çdo mundësie reale që përballonte sistemi, liberalizimi i sistemit arsimor do të kishte ndikuar në mënyrë substanciale në përmirësimin e cilësisë së shkollës. Por të presësh përmirësim të arsimit, pa e hapur garën e konkurrencës, do të ishte njëlloj siç thoshte Lenini, “të vdesësh duke pritur.”

2.    Standarde të përshtatshme për sistemin, dhe jo për ofruesit e shërbimit. Sa herë është folur për standardet e arsimit, veçanërisht atij të lartë, i referohemi vetëm universiteteve private, ndërkohë që për gati 95% të fëmijëve dhe studentëve që ndjekin sistemin e shkollimit publik, standardet kanë shkuar në shumë parametra drejt përkeqësimit. Nga ana tjetër, kriteret për shkollat private kanë qenë të natyrës formale ose janë ndjekur në mënyrë jorigoroze. Madje janë toleruar raste flagrante me rrezikun e dëmtimit të të gjithë sistemit. Megjithatë, i gjithë sistemi privat i shkollimit ofron, përgjithësisht, një infrastrukturë më të përmirësuar se sektori publik. Ndërsa sistemi i shkollës publike, veçanërisht i universiteteve, ka shkuar drejt degradimit të tij duke rritur barrën e sistemit përtej mundësive reale të tij. Pa e ekzagjeruar, mund të thuhet se universitetet publike u ngjajnë ish mapove të dikurshme të komunizmit, ku hynin e dilnin një lumë njerëzish, por pa mundur të blije ndonjë gjë me vlerë. Shpëtimi i sistemit duhet të vijë nga vendosja dhe respektimi i standardeve që ata duhet të ofrojnë. Dhe kur flitet për standardet, mendoj se duhet të reflektojmë me objektivitet. Vendosja e tyre nuk është një çështje dëshire, por mundësish që disponon sot shoqëria jonë. Të ndërtojmë një sistem sipas modelit të shkollës angleze kush nuk do ta dëshironte, por konteksti ynë i burimeve që disponojmë, i kontekstit kulturor dhe të trashëgimisë, na vendosin barriera të pakalueshme. Dhe kur flasim për burimet, nuk janë paratë mungesa më kritike se sa ajo e burimeve njerëzore, e trupës akademike dhe pedagogjike, një shqetësim shumë serioz i universiteteve tona. Fatkeqësisht, edhe sistemi i kualifikimit shkencor dhe i gradave duhet rishikuar në mënyrë serioze në mënyrë që të nxitet gara e përhershme në sistem dhe, nga ana tjetër, të mos krijohen privilegje për grupe “shkencëtarësh”, të cilët “i lodhim duke iu krijuar monopol mbi poste drejtuese dhe i shkëpusim nga hobi i tyre, kërkimi shkencor”. Do të ishte më shumë e dobishme nëse vendosim standarde realiste, të shoqëruar me një periudhë tranzitore të arritjes së standardeve më të larta brenda një periudhe 5-10-vjeçare. Kjo do të ishte realiste për shkollën publike, e meqë po flasim për standarde të barabarta, edhe për shkollën private. Fazimi dhe shtrirja në kohë e përmirësimit të standardeve është një praktikë që ndeshet në çdo industri, dhe nuk ka ndonjë arsye të veçantë që arsimi të jetë përjashtim nga rregulli.

3.    Më shumë autonomi në burimet financiare dhe lirinë akademike. Autonomia financiare është parë shpeshherë shumë ngushtë – si një mundësi e disa drejtuesve universitetesh për të shpërndarë më shumë para nga thesi i parave të taksapaguesve, dhe jo të fituara për ndonjë meritë të veçantë, dhe mundësisht pa iu nënshtruar një mbikëqyrjeje publike. Edhe kur diskutohet për reformën financiare të arsimit, i gjithë debati dhe vëmendja fokusohet se si të shmangim aksesin e ofruesve privatë në burimet financiare që shoqëria kontribuon nëpërmjet taksave për “të ndërtuar mendjen e shëndoshë” të kombit. Liria akademike kërkon një ndryshim në perceptimin e rolit të ministrisë, si institucion që vendos standardet dhe kontrollon zbatimin e tyre, dhe jo në një institucion që kërkon të mbajë nën tutelë industrinë. Ka mjaft rregulla që kanë mbetur nga trashëgimia e hershme dhe që me sa duket iu shkon përshtat burokratëve publik. Pushtetin mbi aspektet akademike e kërkimore le ta kenë katedrat e departamentet, këshillat akademikë e senatet e universiteteve.

Le të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: a gjendet në historinë e njerëzimit, edhe një shembull i vetëm ku një industri e cila ka këto cilësi: a) nuk ndeshet me asnjë konkurrent; (b) nuk i nënshtrohet asnjë standardi dhe certifikimi; (c) ka akses të garantuar në paratë e buxhetit, e për rrjedhojë, nuk falimenton kurrë – të jetë përmirësuar e modernizuar, të jetë bërë inovatore dhe revolucionare? Në dijeninë time, jo.

Prandaj mesazhi është i thjeshtë: nëse duam të shpëtojmë arsimin publik, këtë duhet ta bëjmë duke e zbuluar shëndetin e tij përballë konkurrencës së hapur. Qytetarët e kuptojnë mirë se financimi i arsimit me paratë e tyre nuk nënkupton një pagë të garantuar për mësues e pedagogë, duke eliminuar një incentivë kryesore të motivimit të tyre, por si një nevojë për të aftësuar fëmijët tanë me dijen që kërkon koha, kudo që këto dije mund të fitohen më mirë. Shërbimi i arsimit është një e mirë publike në kuptimin e produktit që ai ofron, dhe jo në kuptimin e aktorëve që e ofrojnë atë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi