Privat apo shtetëror? Më mirë publik

Nga Erjon Uka, botuar në Mapo Online, 24 prill 2014

Në kuadrin e hartimit të reformës së arsimit të lartë, gjithnjë e më shumë shoqëria priret të jetë më e ndjeshme ndaj këtij problemi. Studentët e sotëm janë ata të cilët kanë provuar e kanë qenë pjesë integrale në shumë ndryshime të sistemit tonë arsimor, duke filluar që me kalimin nga sistemi i arsimit bazë 8-vjeçar në atë 9-vjeçar, ndryshime të kurrikulave, të formave të vlerësimit, ndryshime të njëpasnjëshme në Maturën shtetërore dhe së fundmi, vala e ndryshimeve po bëhet gati t’i prekë edhe në auditorët e universiteteve.

Ajo eksperiencë që kam mbi supe si nxënës e student, më bën të besoj se suksesi i një reforme varet në mënyrë të padiskutueshme nga konsultimet që bëhen me ‘bazën’ dhe marrja në konsideratë e problemeve dhe propozimeve që vijnë nga grupet e interesit, pra nga studentë, pedagogë, dekanë, rektorë etj. Çdo ndryshim tjetër që vjen si pasojë e direktivave politike jo profesionale, i ka themelet e dobëta e priret që herët a vonë të rrëzohet, ashtu siç rëndom ka ndodhur këto vite. Për fat të keq, janë gjithmonë studentët dhe më pas në afat të gjatë e gjithë shoqëria që vuan pasojat e këtyre “risive”, që ashtu siç vijnë edhe ikin, duke lënë pas ndoshta edhe më shumë kaos se para implementimit.

Universitetet sot në Shqipëri ndahen në dy kategori: shtetërore dhe private. Për të parat flitet pak, sikur ka një lloj frike të nxjerrësh problematikat e sektorit që mbulon rreth 90% të tregut, ndërsa për të dytat, ka një diskutim shumë të gjerë dhe shihen, në formë paragjykuese, si delja e zezë e arsimit të lartë shqiptar. Universitetet shtetërore që mbahen në këmbë nga paratë e taksapaguesve, kanë një varësi të madhe nga shteti. Çdo politikë që ndiqet sot në këto universitete vjen sipas kërkesave të Ministrisë së Arsimit, duke iu dhënë bordeve drejtuese të universiteteve një autonomi të vogël, kryesisht në çështje të dorës së dytë. Çdo vit e më shumë universiteti shtetëror përballet me problematika të reja, të cilat mesa duket shteti nuk është në gjendje t’i zgjidhë. Që nga elementët bazikë të infrastrukturës, si pastërtia, kabinetet, gjendja e mjerueshme e auditorëve, ku në jo pak raste duhet të ulen dy studentë në një karrige, e deri te cilësia e kurrikulave dhe teksteve, që për hir të së vërtetës më shumë e largojnë studentin nga problematikat aktuale sesa i japin atij çelësin për të qenë një profesionist në fushën ku po përgatitet.

Megjithëse shteti i kontrollon këto universitete, përsëri nuk kemi një rregullim të kuotave të studimit, duke bërë që të vazhdojmë të kemi mbipopullim të disa degëve dhe braktisje të shumë degëve të tjera, të cilat ndoshta aktualisht nuk kanë një treg të gjerë pune, por shumë shpejt shoqëria do të vuajë mungesën e profesionistëve në këta sektorë. Për të mos folur më pas për kërkimet/punët shkencore, revistat, qeveritë funksionale studentore apo zyrat e këshillimit të karrierës, të cilat duken më shumë si luks sesa domosdoshmëri. Nëse do ta ilustrojmë me një shembull, sot ekziston një ligj për detyrimin që kanë universitetet që të kenë qeveri studentore të zgjedhur me votë nga studentët. Ajo që ndodh është se, ose ekzistojnë qeveri studentore formale të zgjedhura jo nga studentët, ose nuk ka fare qeveri studentore. Është një shembull shumë i thjeshtë që tregon se si shteti është i paaftë të zbatojë ligjet e tij në institucione që i financon, drejton dhe kontrollon.

Nga ana tjetër kemi universitetet private, të cilat janë krijuar shumë më vonë se ato shtetërore, por po tregojnë se arrijnë të jenë më shumë funksionale në përgatitjen e kontingjenteve të reja. Natyrisht që ka edhe institucione private të edukimit të cilat kanë abuzuar, por gjithsesi përgjegjësia kryesore iu bie instancave shtetërore, të cilat paguhen nga paratë e taksapaguesve për të ushtruar kontrolle dhe akreditime të bazuara në meritokraci, por ndërkohë kanë lejuar krijimin e një klime të tillë abuzimi. Sot në Shqipëri universitete si UET, UNYT, Epoka, Polis etj, mund të quhen fare mirë asete të arsimit shqiptar, pasi operojnë me seriozitet prej disa vitesh, duke shkolluar një numër të madh studentësh, prej të cilëve një pjesë e mirë janë ekselentë.

Infrastruktura në këto universitete është shumë herë më e mirë se ajo në universitetet shtetërore, duke ofruar kabinete, auditorë me standarde bashkëkohore, zbatimin e të rejave teknologjike në procesin mësimor, salla interneti e biblioteka me fonde të mëdha librash. Universiteti privat ka një autonomi shumë herë më të madhe, duke bërë që të jetë më i hapur drejt ofrimit të programeve të diferencuara dhe të përqafojë në një kohë më të shkurtër metodikat perëndimore. Marrëdhënia pedagog-student konceptohet gjithmonë në stadet e bashkëpunimit, ku studenti në shumë raste punon me pedagogët për projekte e kërkime shkencore. Punësimi i pedagogëve bëhet mbi baza të meritokracisë dhe shmangen rastet e punësimit mbi baza të lidhjeve partiake apo ryshfeteve. Një fakt shumë i rëndësishëm është se në këto universitete private është zhdukur korrupsioni për notën, ashtu si shumë herë janë shfaqur raste ‘me zë e figurë’ në fakultetet shtetërore. Gjithashtu, studenti që del nga këto universitete nuk është vetëm i përgatitur në rrafshin teorik, por edhe në atë praktik sepse gjatë viteve të shkollës i ofrohen shumë mundësi intershipi, takime me drejtues të bordit të punës, praktika në biznese, apo konsultime me zyrën e karrierës që e ka në dispozicion në çdo orë të ditës brenda universitetit.

Por atëherë, cila është e meta e sistemit privat? Ajo që nga të gjithë shenjohet me gisht si një problem, është se universitetet private janë fitimprurëse, duke shkaktuar bindjen se ato funksionojnë si biznese që rendin pas sasisë dhe jo pas cilësisë. Atëherë, një propozim i drejtë për të hequr këtë “damkë” do të ishte që këto universitete, por edhe ato shtetërore, të ktheheshin në publike, sipas nocionit që ky term ka në sistemin anglosakson, dhe të jenë institucione non-profit. Aktualisht, mbi 90% e universiteteve më të mira të botës (ndër të cilat Harvard apo Oxford që janë shumë të njohura nga shqiptarët) funksionojnë si universitete publike, ku studenti paguan për studimet e tij, por menaxhimi i parave kryhet nga një bord drejtues, i cili në fund të vitit të gjithë sasinë e mbetur të parave e riinveston në universitet. Këto universitete nuk janë të një pronari, por janë të të gjithë shoqërisë, të pedagogëve dhe të studentëve, dhe trajtohen si shërbime publike. Në këtë mënyrë i hapet rrugë financimit të arsimit të lartë si nga buxheti i shtetit dhe nga vetë studenti, por edhe nga pushteti lokal, biznese, projekte zhvillimi etj. Ky model, i pranuar nga të gjithë si më eficenti, rrit në mënyrë të ndjeshme mundësitë e universiteteve për të financuar punë kërkimore-shkencore, për të investuar në infrastrukturë, për të subvencionuar shpenzimet që studentë të ekselencës kanë për intershipet jashtë shtetit dhe në mënyrë direkte rrit pavarësinë e tyre. Apriori, menaxhimi privat i institucioneve është shumë herë më i mirë se ai shtetëror, ndërsa fakti na tregon qartë se sa më pak ndikim të ketë shteti në arsim, aq më në nivele të larta e kemi këtë shërbim.

Në këto 23 vjet, shteti ka mbajtur peng institucionet e edukimit, pasi edukim nuk është vetëm arsimi. Sektorë të tjerë si sporti (përveç futbollit që në një farë mënyre ka arritur të gjejë rrugën e privatizimit) dhe kultura që kanë ngelur nën tutelën e shtetit, sot janë në një kolaps të thellë, pasi as nuk u hapet rrugë drejt privatizimeve por as nuk u sigurohen fonde të mjaftueshme. Prandaj zgjidhja më e mirë që shteti mund të bënte, do të ishte që t’i hapte rrugë kthimit të universiteteve në institucione të shërbimit publik, dhe vetë të luante rolin e rregullatorit dhe kontrolluesit, por jo të vendimmarrësit ashtu si ka bërë deri më sot. Shqipëria e mbetur prapa nuk ka më kohë për eksperimente të tjera. Nëse edhe shtete të tjera të Evropës po përpiqen të braktisin sistemet e tyre arsimore dhe të shkojnë drejt sistemit anglosakson, nuk ka arsye që ne mos të hedhim hapat e parë në këtë rrugë që me këtë reformë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi