Lobimi si shpresë për një demokraci funksionale

Nga Besart Kadia, botuar në Mapo Online, 23 prill 2014

Para dy ditësh Kryeministri i vendit, i rrethuar nga sipërmarrës të industrisë fason, bëri me dije publikisht se ishte befasuar nga sugjerimet e drejtpërdrejta dhe efikase që përfaqësues të biznesit fason kishin ofruar përsa i përket paketës së re të masave lehtësuese për këtë industri. Këto vlerësime ishin në kurriz të punonjësve të ministrive të linjës, të cilët nuk mundën të prodhojnë në kohë një alternativë më të mirë se ajo e shoqatave fason. Këta të fundit i propozuan 46 pika qeverisë, prej të cilave vetëm disa u panë të arsyeshme nga qeveria për t’u pranuar. Për rëndësinë e paketës së re dhe të ardhmes së industrisë fason kërkohet një shkrim më vete, por së pari duhet theksuar rëndësia dhe vlera e lobimit në një shoqëri si një shpresë dhe vlerë e procesit të demokratizimit të vendit. Së pari, zgjedhjet parlamentare mundësojnë normalisht procesin e transferimit të pushtetit politik në Shqipëri. Por gjatë qeverisjes individët zakonisht janë më pak të përfaqësuar e zëri i tyre vjen vetëm nga përfaqësimi dhe organizimi në parti politike. Ndërkohë që sipërmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre kanë leva të tjera më të shpeshta për të influencuar politikëbërësit në vend për të ndryshuar legjislacionin që mundet t’u vijë në ndihmë atyre, siç ishte dhe rasti i fundit i industrisë fason. Lobimi i tyre vjen në forma të ndryshme, por vlerësimi për tregun dhe sipërmarrjen private po artikulohet publikisht dhe nga Kryeministri Rama, i cili gjithashtu po vlerëson se vendet e punës i hap tregu, dhe shteti vetëm lehtëson këtë proces, (shih zyrat e reja të punës). Ndërkohë që Kryeministri u shpreh se ky është një kapitull i ri për industrinë fason, duhet shtruar pyetja: përse shoqëria, media apo aktorë të tjerë të shoqërisë civile nuk kundërshtuan faktin se këto masa u ndërmorën falë lobimit dhe studimeve efikase e kritike të ofruara nga ekspertë të industrisë fason? A do të mund ta pranonte kaq lehtësisht shoqëria jonë faktin se Kryeministri do të implementonte ndryshim të legjislacionit në varësi të pretendimeve të shoqatave të tjera të biznesit në vend? Çfarë e bën këtë industri më të favorizuar se spitalet, mediat apo universitetet private? A është legjitime dhe për to për të ofruar një alternativë të re të funksionimit të tregut në vend dhe për të dhënë një alternativë për rolin e shtetit në këtë proces? Lobimi është një proces i zakonshëm dhe i shëndetshëm për shoqëritë demokratike. Në Amerikë, gjatë reformës së sistemit financiar bankat u takuan me mbikëqyrësit federalë 14 herë më shumë sesa përfaqësues të grupeve të konsumatorëve. Ndërkohë, në Britani gjatë tri viteve të shkuara kompanitë prodhuese të pijeve janë takuar 130 herë me qeverinë mbi një plan të kësaj të fundit për të ndryshuar çmimet e alkoolit në treg, ku si përfundim qeveria u tërhoq. Intensiteti i lobimit ka përfitime për ato kompani që lobojnë. Në Amerikë, për shembull, prej 100 kompanive kryesore në vend, ato që lobonin kishin taksa efektive 17% , ndërkohë që firmat që nuk lobonin paguanin efektivisht 26%. Dihet që edhe shembujt dhe të dhënat mbi lobimin vijnë nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Këto dy shtete e kanë më të pranuar këtë praktikë të përfaqësimit, krahasuar me shumë shtete të tjera. Por ajo ndodh në të njëjtin intensitet dhe rëndësi në çdo shoqëri që ka interesa për të mbrojtur. Kështu, në Bruksel ka sot të regjistruar 30 mijë lobistë profesionistë që përfaqësojnë shtete dhe industri të ndryshme europiane. Ndaj ajo që pamë me biznesin fason nuk ishte detyrimisht përfitimi ekonomik i paketës së re, sesa pranimi nga ana e qeverisë se lobimi dhe organizimi profesional do të mund të kenë rezultat në të ardhmen dhe se ndoshta pjesa tjetër e shoqërisë do të reagojë pozitivisht kur grupet e interesit do influencojnë në ndryshimin e ligjeve. Por, a lejon kjo me të vërtetë të arrijmë në përfundimin se politikanët nuk do sillen më si të zotë dhe zot të problemeve therëse të ekonomisë sonë? Kjo mbetet për t’u vërtetuar, sidomos kur sjellim në vëmendje sesi sillet shteti me ato industri që varen direkt prej saj; siç janë prodhuesit e energjisë elektrike.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi