Të gjithë kopjojnë BSH
Sipas Top Channel, 22 Prill 2014
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka çuar në Kuvend një projektligj ku i kërkon Parlamentit t’i japë pavarësi të plotë financiare, sipas modelit të Bankës së Shqipërisë.
Në draftin që thotë se e ka hartuar sipas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mes të tjerash AMF kërkon të ketë kompetenca të plota në shpenzimin e fondeve, si dhe të heqë klauzolën e marrjes së financimit nga buxheti i shtetit.
Kjo do të thotë mes të tjerash që AMF të ketë të drejtën për të përcaktuar vetë pagat dhe shpërblimet e punonjësve, pa qenë e detyruar t’i bindet hierarkisë kombëtare të pagave. Sipas AMF, kjo do të rrisë pavarësinë e këtij institucioni dhe do të bëjë të mundur punësimin e ekspertëve të kualifikuar. Por Mbikëqyrja nuk është rregullatori i vetëm i tregut financiar që kërkon pavarësi buxhetore. Në Kuvend ka mbërritur edhe një tjetër kërkesë, nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Edhe ky institucion kërkon të njëjtën kompetencë, të ketë të drejtën për të shpenzuar pa ju bindur hirearkisë ligjore të pagave.
Ekspertët thonë se pavarësia e rregullatorëve është jetike për të mbrojtur sistemin. Por pyetja është se sa larg duhet të shkojë ajo? Sepse sot Shqipëria e ka një preçedent si ky dhe rezultati ka hapur debate të forta publike. Është rasti i Bankës së Shqipërisë, ku pavarësia dhe liria e plotë për të shpenzuar ka prodhuar rritje të fortë shpenzimesh për paga dhe dieta. Një fenomen ky i denoncuar në publik nga vetë përfaqësuesit e Kuvendit. Por jo vetëm kaq, edhe financime qindra milionë lekësh për zëra të tjerë luksi, si ai i krijimit të ekipeve sportive brenda institucionit që shpenzojnë më shumë edhe se sa përfaqësuesja e kombëtares.