A po bën Banka e Shqipërisë më të mirën për Shqipërinë?

Nga Evarist Stoja, bottnar në Dita, 21 shtator 2019

Motoja në Bankën e Anglisë nën Guvernatorin e kohës Norman ishte: Ta mbajmë Bankën jashtë shtypit dhe shtypin jashtë Bankës. Duket sikur kjo moto është adoptuar nga Banka e Shqipërisë. Po t’i hedhësh një sy shtypit kryesor të vendit nuk gjen asnjë artikull që ekzaminon në mënyre kritike deklaratat e Bankës së Shqipërisë dhe veprimeve e mosveprimeve të saj. Kjo është shqetësuese. Kur banka qendrore e një vendi është e pavarur, transparenca, llogaridhënia dhe ekzaminimi kritik i veprimtarisë së saj janë thelbësore. Përndryshe ky institucion esencial për prosperitetin e një vendi kthehet në një gjumash që s’i shërben kurrkujt, në vend që të luajë një rol energjik për stimulimin e ekonomisë së vendit.

Pyetja është e thjeshtë. Përse Banka e Shqipërisë nuk ndërhyn në treg për të mbrojtur monedhën e vet?

Arsyet për këtë ndërhyrje janë elementare: për një ekonomi në zhvillim si ajo e Shqipërisë, një monedhe e mbiçmuar është shumë e dëmshme. Kjo sepse frenon eksportet dhe nxit importet. Për ta shpjeguar me pak detaje, leku i fortë i bën produktet e huaja më të lira se ato vendase. Duke qenë se konsumatorët në Shqipëri, si në të gjitha ekonomitë në zhvillim, janë shumë të ndjeshëm ndaj çmimeve, ata do të blinin produktet më të lira, ato të huaja, dhe në këtë mënyrë do të nxisnin importet. Meqenëse produktet e vendit nuk do të shiteshin, prodhuesit do ta braktisnin atë aktivitet. Kjo do të sillte mbylljen e bizneseve vendase, punonjësit e të cilëve do të humbisnin punën e cila do të kishte me tej pasoja negative ne konsum dhe taksat e mbledhura të cilat nga ana e tyre do të përkeqësonin më tej financat publike. Qeveria do të kish akoma me pak mundësi për të mbështetur biznesin vendas i cili do të gjendej në një valë të dytë vështirësish. Rrethi vicioz do të vazhdonte më tej…

Me siguri lexuesit kanë shembujt e tyre kur një mall konsumi që duhej të ish shqiptar – dhe shembulli me flagrant këtu janë frutat e perimet – është në fakt i importuar, shpesh nga BE-ja. Për ta bërë të qarte paradoksin, këto fruta prodhohen në BE ku pagesa e fermerëve është më e lartë, transportohen dhe shiten dyqaneve të Shqipërisë më lirë se ato fruta qe prodhohen shpesh jo më larg se 100 metra larg po atyre dyqaneve. Para pak ditësh mediat publikuan një lajm ku dy fermerë nga Divjaka, thellësisht të zhgënjyer, kishin vendosur te braktisnin kultivimin e shalqirit sepse nuk shitej. Ata nuk rendën të fajësonin njeri dhe pyetjes se gazetares ‘pse nuk shiten?’ me dinjitet iu përgjigjen ‘ka 100 arsye’. Kjo sigurisht është e vërtetë. Por a mundet Banka e Shqipërisë të japë garanci që asnjë nga ato 100 arsye- e për më tepër jo nga kreu i listës – s’vjen si rrjedhim i lekut të mbiçmuar ndaj euros?

Sigurisht që nuk është detyrë e Bankës së Shqipërisë të sigurojë tregje për sipërmarrësit shqiptare. Por është detyrë e patjetërsueshme e BSh-së që të ruajë një kurs këmbimi të lekut me monedhën e partnerëve tregtarë kryesorë që është konkurrues dhe mbron e stimulon ekonominë vendase. Ky kurs optimal këmbimi nga njëra anë stimulon eksportet dhe frenon importet e panevojshme dhe nga ana tjetër ruan stabilitetin e çmimeve në vend. Puna për gjetjen, përditësimin dhe mbrojtjen e këtij kursi është një veprim bazik që duhet të ndërmerret nga banka qendrore, veçanërisht e një vendi në zhvillim. Është fakt që ndërmerret nga bankat qendrore të vendeve të mëdha si Kina e të vogla si Islanda, të pasura si Zvicra e me pak të pasura si Indonezia.

Në një konferencë për shtyp rreth kësaj çështje delikate por shume të rëndësishme e cila u pasqyrua edhe në media, Banka e Shqipërisë u mbrojt me argumentin se nuk mund të ndërhyje në mbrojtje të kursit të këmbimit të lekut sepse objektivi i inflacionit nuk është i kërcënuar. Më pas, fakti që shumë shqiptarë të cilët kanë emigruar jashtë, kthehen në Shqipëri në verë për pushime u soll në vëmendje për të argumentuar se valuta që sjellin, më së shumti euro, krijon mbiofertë të kësaj të fundit e cila shpie në mbiçmimin e lekut.

Me ç’duket konferenca mbaroi këtu dhe gazetarët nuk patën mundësi të bënin pyetje të tjera. Por i habitshëm, për të mos thëne alarmant është fakti që këto arsye u morën të mirëqena dhe nuk pati asnjë artikull që të përpiqej të zhbironte se sa qëndrojnë këto arsye në realitet.

Për ta paraqitur thjeshtë këtë çështje teknike komplekse, objektivi i inflacionit për Bankën e Shqipërisë është 3% me një tolerance ±1%. Domethënë, hapësira e pranueshme në të cilën inflacioni mund të luhatet është 2-4%. Për sa kohe inflacioni luhatet në këtë brez, objektivi quhet i arritur dhe Banka e Shqipërisë nuk ka nevojë për të ndërhyrë në mbrojtje të stabilitetit të çmimeve në treg. Por, aktualisht inflacioni është 1.4%. Ky s’quhet më kërcënim objektivi. Ky quhet objektiv i thyer dhe sjell një varg pasojash negative, tërësisht të panevojshme për Shqipërinë përfshirë ngadalësimin e ekonomisë dhe krijimin e barrierave në tregun e punës.

Argument i dytë, ai turistik, nënkupton një cikël sezonal – leku mbiçmohet në verë dhe kthehet në kursin e vet natyral gjate stinëve të tjera të vitit. Por grafiku më poshtë tregon qartazi se as ky argument nuk qëndron. Ka që nga fundi i vitit 2015 që leku ka përjetuar një forcim sistematik ndaj euros. Sot, një euro këmbehet përafërsisht me 120 lekë dhe nuk duket të ketë ndonjë shenjë që kjo tendencë do të ndalet, për të mos folur për përmbysje të tendencës, në fund të sezonit turistik.

Ndërkaq, nga 2009 deri në 2015, një euro këmbehej përafërsisht me 140 lek siç e bën të qartë edhe grafiku më poshtë.

Nuk mund të thuash nëse ky është kursi optimal i këmbimit të lekut me euron. Çfarë mund të thuash me siguri është se Banka e Shqipërisë duhet të japë një përgjigje shteruese të bazuar ne një analizë të thellë të situatës në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare si rrjedhim i mbiçmimit të lekut. Kjo është jetike jo vetëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë por edhe qe fundi i sezonit turistik të mos i gjeje ekspertët e Bankës së Shqipërisë me faqe të skuqura prej parashikimeve që s’kanë asnjë mundësi për tu realizuar.

*****

Autori është profesor i Financës, Universiteti i Bristolit dhe Këshilltar Akademik – Banka e Anglisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi