Arsim dhe pabarazi – rishikuar
Nga Valbona Nathanaili, botuar në Mapo Online, 22 prill 2014
Në këta njëzet vitet e fundit, në përpjekje për të instaluar demokracinë, por jo për faj të saj, zona të ndryshme të vendit kanë mbetur jashtë hartës së zhvillimit dhe janë varfëruar, kryesisht, për shkak të mungesës së investimeve ekonomike, por edhe për mungesë vizioni e projektesh për zhvillime afatgjata. Nga pikëpamja sociale, zhvillime të tilla jo të njëtrajtshme janë jo vetëm të pajustifikueshme, por edhe të papranueshme. Për më tepër, vihet re një tendencë e përgjithshme për ta vlerësuar varfërinë në terma të ngushtë, vetëm në mungesën e të ardhurave. Për Amartya Sen (Çmimi Nobel në ekonomi, 1998) ekziston rreziku që motivi final i politikave antivarfëri të jetë vetëm reduktimi i të ardhurave të pakta.
Është e domosdoshme që trajtimit të pabarazisë në investime ekonomike t’i bashkëngjitet edhe trajtimi i pabarazisë në investime sociale. Në këtë proces, do ndalem në një problematikë që do e vlerësoja emergjente: shkollimi në zona të varfra. Në këtë kuptim, zona të varfra janë quajtur ato zona që gjenden larg një rruge, kombëtare ose jo e tillë, dhe të ardhurat e banorëve për frymë janë poshtë mesatares së vendit. Në perspektivën e politikëbërjes, arsimi duhet të shpërndahet në mënyrë të tillë që të maksimizojë perspektivën për mirëqenie të përgjithshme edhe për ata, perspektiva e të cilëve është varfëria, sepse një arsim i mirë ndikon jo vetëm drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës, por rrit aftësitë e një personi për të fituar më shumë të ardhura dhe për t’u shkëputur nga varfëria. Arsimi shqiptar në këto zona nuk e përmbush një mision të tillë. Shkalla e mundësive që ofron sistemi ynë arsimor nuk është në përpjesëtim të drejtë me shkallën e disavantazheve. Përkundrazi. Në zonat e varfra, edhe shkollat janë të tilla, sipas formulës: më shumë disavantazhe, pak ose aspak mundësi.
Duke iu referuar përsëri Sen, sa më përfshirës të jetë arsimi dhe, veçanërisht, arsimi bazë, aq më shumë gjasa ka që të mund të kapërcejmë mjerimin. Një shkollim i mirë i zhvillon më tej aftësitë e fëmijëve dhe dobëson efektin që ka mungesa e të ardhurave në zhvillimin e tyre.
Konvertimi i mungesës së të ardhurave
Sipas Shoqatës së Projektuesve Amerikanë (APA, 2010, UFO Press, f. 165), ndërtimi i një shkolle duhet të ketë synim kryesor sigurimin e një vendi të favorshëm për një proces normal të mësuari të fëmijëve e të rinjve. Vendndodhja e një shkolle duhet të shmangë ose minimizojë përdorimin e mjeteve të transportit, ose humbjen e kohës për lëvizjet vajtje-ardhje. Aspekte të tjera që duhen vlerësuar në zgjedhjen e pozicionit të shkollës është mundësia që i jepet (asaj, shkollës) për të hyrë në marrëdhënie bashkëpunimi me bibliotekën lokale, teatrot, qendrat e artit ose qendra argëtimi për fëmijët; afërsia me qendrat e shërbimit shëndetësor, muzetë, policinë etj. Në zonat e varfra – sipas emërtimit të mësipërm, kushte të tilla as nuk mendohet se mund të plotësohen!
Por duke i arsimuar në shkolla jocilësore, ne u privojmë fëmijëve të drejtën për të zhvilluar aftësitë reale të tyre, që sipas arsyetimeve të mësipërme e nxisin varfërinë të bëhet edhe më e theksuar, pasi jo vetëm nuk mund të konkurrojnë në tregun e punës, por edhe funksionimet e tyre si qytetarë të përgjegjshëm të një vendi demokratik vështirë se mund të jenë në tregues normalë. Këta fëmijë, edhe kur të jenë të rritur do vazhdojnë të jenë të varfër. Dhe me shumë gjasa, me mungesa sa i takon qytetarisë aktive! Në këtë kontekst, detyra jonë kryesore është gjetja e një zgjidhjeje politike të ndjeshme ndaj pabarazive dhe që ofron barazi, si dhe vendosja e objektivave dhe synimeve sociale që mundësojnë arritjet e saj. Këtu barazi përkthehet në arsim cilësor edhe për fëmijët e këtyre zonave.
Alternativa nr. 1
Sigurisht që të kesh shkollë në çdo fshat dhe në çdo komunitet sado të vogël, përfshirë edhe në atë më të “humburin”, në kuptimin që është në majë të malit, ose matanë lumit dhe mungon ura, është baras me zhvillim, por për një vend të varfër sikundër jemi ne, përbën luks, në mos pamundësi, sepse përveç investimeve në infrastrukturë, kërkon edhe mësues, pra kapital njerëzor. Ne i kemi me pakicë të dyja! Jemi të varfër dhe lëvizja e lirë ka bërë që të gjithë që kanë një diplomë të shkollës së lartë, të drejtohen për punë në qytetet kryesore. Nëse në kohën e diktaturës ekzistonin mekanizma, në pjesën dërrmuese shtrënguese, që hapnin shkolla në majë të malit dhe e çonin edhe mësuesin më të mirë për të punuar në të, duke siguruar arsim cilësor në të gjithë cepat e Shqipërisë, sot këta mekanizma ne kemi 20 vjet që i kemi nxjerrë jashtë loje, por mbajmë po të njëjtën skemë: shkolla edhe në zonat më të humbura, ndonëse e dimë se ‘as sa për të kaluar radhën nuk janë’!
Një zgjidhje mjaft e mirë është mbyllja e shkollave në disa prej këtyre zonave dhe mundësia e shkollimit të fëmijëve në shkolla pranë qyteteve/qendrave kryesore, nëpërmjet dhënies së bursave nga shteti (që shkojnë shumë më pak se paratë që duhen për mirëmbajtjen e shkollave dhe rrogat e mësuesve), ose gjetjen e mundësive për shkollim pranë shkollave private, në formën e një zëri që mund të futet në kushtet e licencimit të tyre (për shembull, për çdo 50 nxënës të regjistruar, të jepet një bursë sociale etj.). Një objektiv mund të jetë: identifikimi i të gjitha shkollave me infrastrukturë të papërshtatshme, me mësues jo në përputhje me kushtet e vendit të punës dhe me numër të vogël nxënësish që ndodhen në këto zona. Dhe, një synim mund të jetë: sistemimi i fëmijëve të këtyre shkollave, kryesisht të ciklit të mesëm, të ulët dhe/ose të mesëm të lartë, sipas zgjidhjes së propozuar, brenda një afati trevjeçar.
Për më tepër, ndërtesat ekzistuese mund t’i marrë pushteti vendor në administrim për t’ua dhënë në përdorim familjeve në nevojë. Sigurisht që një veprim i tillë publik, ndonëse synon reduktimin e pabarazisë në emër të një shkollimi më cilësor, kërkon vullnet e përpjekje për t’u realizuar. Për më tepër, duke qenë se arsimohen në zona të tjera, në vëmendje duhet të jenë problemet e integrimit të nxënësve me distancën dhe me nxënësit e tjerë, pasi u mungon familja dhe të afërmit.
Argumenti kryesor në favor të shkollimit të fëmijëve në shkolla pranë qendrave mbetet gjithmonë ai sa më sipër: sigurimi i një shkollimi cilësor, por është me vlerë të listohen edhe disa të tjerë:
- është një mundësi shumë e mirë për të reduktuar, në minimum, braktisjen; duke u shkolluar në mjedise jo të përshtatshme, si dhe në prani të një stafi jo të kualifikuar, gjasat janë që, motivimi për të ndjekur një shkollë të tillë, bie ndjeshëm – fenomeni i braktisjes së shkollës po e gërryen shoqërinë tonë.
- reduktohet në minimum presioni i familjes për të lënë shkollën dhe për t’u marrë me punët e shumta që ka familja në fushë ose me blegtorinë.
- modelet që u servirim janë shumë më sfidues.
- zhvillojmë aftësitë reale të tyre dhe i aftësojmë për të konkurruar në tregun e punës.
- kursime në fonde; një pjesë e mirë e fondeve të kursyera mund të përdoren për rritjen e pagave të mësuesve e kualifikimin e tyre, ose për një rishpërndarje më të drejtë të fondeve ekzistuese në drejtim të shpenzimeve kapitale.
- rrisim numrin mesatar të viteve të shkollimit edhe për banorët e këtyre zonave, që më shumë se për statistikë, e kthejnë investimin mbrapsht: ndikimi i tyre në jetën ekonomike e sociale të zonës do jetë vetëm pozitiv.
Alternativa nr. 2
Në fakt, mbyllja e një shkolle mund të jetë, në përgjithësi, në kundërshtim me parimet e zhvillimit
- sa i takon zhvillimit ekonomik, pasi direkt ose indirekt zvogëlon të ardhurat – “biznesi” i shkollës është nga më të sigurtit, më të besueshmit dhe më frytdhënësit
- sa i takon jetës kulturore të zonës
- dhe me të miat, konkretisht.
Alternativë tjetër, identifikuar këtu me numër 2, mund të jetë që mungesa e investimeve nga ana e shtetit dhe e të ardhurave të varfra të banorëve, të kompensohen me iniciativa private, në gjendje të sigurojnë të ardhurat e duhura për mbajtjen e shkollës sipas të gjitha standardeve që liston Ministria. Por, në përgjithësi, në Shqipëri, mungon kultura e dhurimit të fondeve, ose e sponsorizimit nga ish-banorë të zonës, nga firma ose kompani të pasura etj. edhe kur bëhet fjalë për një shkollë. Për më tepër, varfëria e kapitalit njerëzor nuk mundëson vizionimin e zhvillimit të zonës, një lloj qasjeje për të administruar sa më mirë të gjitha projektet, planet e strategjitë afatgjata, si dhe për t’i ndërgjegjësuar të gjithë lidhur me ndryshimet e pritshme sociale dhe për përfshirje komunitare. Me pak fjalë, vizionimi është një mënyrë që vetë komuniteti të marrë në dorë fatet e veta, për shembull, çfarë do bëhet me zonën pas pesë ose dhjetë vjetësh, ku jemi dhe ku do shkojmë. Në mungesë sa më sipër, rrugët janë dy: ose ta lëmë situatën si është, ose të bëjmë apel për shoqërinë civile, universitetet e institucione të ndryshme me përgjegjshmëri publike, private e shtetërore, për të menaxhuar e tejkaluar emergjencën, për të dhënë ndihmesë me vizione e projekte, për të thithur fonde, për shndërrimin edhe të këtyre shkollave në funksione reale pranë këtyre zonave. Nga ana tjetër, e rëndësishme është të theksohet mungesa e dëshirës së vetë institucioneve shtetërore për të qenë pjesë e zgjidhjes. Provoni të kërkoni informacion nga drejtuesit e zyrave arsimore të këtyre zonave, ose t’u kërkoni të jenë partnerë për vizionim! Të përcjellin me fjalë e justifikime boshe, jo vetëm në emër të apatisë e mungesës së aftësisë për të gjetur zgjidhjen më të mirë, por edhe të mungesës së transparencës e ruajtjes së gjendjes së batakut në të cilin pluskojnë.
Alternativa nr. 3
Fakultetet tona të edukimit që gjenden në të katër anët e vendit, nxjerrin me qindra mësues çdo vit, një pjesë e mirë e të cilëve, në pamundësi për të gjetur një vend pune aty ku duan, u drejtohen lokaleve për të shërbyer si kamerierë dhe, në rastin më të mirë, kompanive call center. Të punojnë në shkolla në zona të varfra nuk është ajo që kanë ëndërruar. Por, me pak shtysë, mendoj se mund të lënë prapa çdo hezitim e të pranojnë. Mësuesve të rinj e të talentuar mund t’u propozohet të punojnë në zona të tilla me disa kushte lehtësuese: një pagë më të mirë, pesë vjet kontratë për të punuar në zona të tilla dhe, në përfundim, një kontratë të re pesëvjeçare për të punuar në qytetet ku kanë dëshirë.
Që të mos vazhdojmë të bëjmë sehir pamjet e shkollave të frikshme dhe të mos dëgjojmë histori me mësues që nuk dinë të zgjidhin ushtrime nga aritmetika e klasës së katërt, duhet të punojmë për skema arsimore, nga të cilat përfitojnë edhe ata me më shumë disavantazhe.