Shqipëria, qasjet për ngushtimin e dallimeve midis rajoneve
Nga Arben Bakllamaja dhe Oltjana Zoto, botuar ne Mapo, 13 shkurt 2018
Rajonet zhvillohen në mënyrë të pabarabartë në vende të ndryshme në botë, për arsye të stadeve të ndryshme të zhvillimit, mungese të burimeve natyrore, strategji dhe vizione të mira ose jo të mira nga politikëbërësit, trashëgimitë historike e kulturore e të tjera. Rritja e dallimeve sjell me vete kosto të lartë ekonomike, sociale e politike për qeverinë në afatgjatë. Analiza e dallimeve midis qarqeve në Shqipëri të çon në nivelin e bashkive ku dallimet janë të theksuara. Kjo sugjeron që politika për ngushtimin e dallimeve të qarqeve duhet të fokusohet te niveli i dytë i qeverisjes vendore. Për rrjedhojë, programet e projektet për zhvillimin e qyteteve dhe zonave rurale sjellin për pasojë zbutjen e dallimeve midis qarqeve. Politika e Zhvillimit Rajonal e hartuar nga Bashkimi Europian është një qasje që synon zgjidhjen e një numri çështjesh në pabarazitë e krijuara midis rajoneve jo vetëm nëpërmjet politikave sektoriale. Kjo qasje synon të përmirësojë shpërndarjen e burimeve brenda vendit, me fokus te rajonet më të pazhvilluara.
Zhvillimi i pabarabartë, arsyet
Pyetje që shtrohen janë: Pse zhvillimi i qyteteve është i domosdoshëm për zhvillimin e rajoneve dhe zbutjen e pabarazive brenda qarkut dhe midis qarqeve? Pse zhvillimi urban-rural kërkon zbatimin e politikës së zhvillimit të integruar të shërbimeve të infrastrukturës, të punësimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve? Politikat e zhvillimit rajonal të qeverisë duhet të adresojnë një numër çështjesh të zhvillimit rajonal që nuk zgjidhen me politika të izoluara nga politikat sektoriale dhe që ndihmojnë në shpërndarjen më të drejtë të burimeve brenda vendit dhe në veçanti për të rigjallëruar zonat që janë në një “stanjacion ekonomik”. Ndryshimet në strukturën e ekonomisë në Shqipëri në këto dy dekadat e fundit, zhvillimi i sektorit të shërbimeve dhe komunikacionit në kushtet e hapjes së tregut i vunë qytetet tona përballë një konkurrence të re për të cilat ato ishin të papërgatitur. Kjo konkurrencë kërkonte një zhvillim urban të rregulluar me një vizion të qartë dhe qasje të politikave të zhvillimit në bazë të avantazheve konkurruese dhe burimeve natyrore e njerëzore. Zhvillimet e infrastrukturës dhe të aktiviteteve ekonomike lokale në kushtet e reja të ekonomisë së tregut të hapur si dhe të shërbimeve në territorin ku bizneset janë vendosur sollën me vete edhe dimensionin e territorit për zhvillimin urban të qyteteve të koordinuar me zhvillimin territorial në nivel qarku.
Rrugët e zhvillimit
Një nga debatet e rëndësishme në literaturë ndërkombëtare për zhvillimin urban e trajton këtë si drejtim i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, dhe në këtë kuadër vendos në qendër rolin e qyteteve si “economic engine” për të nxitur zhvillimin e tërë vendit. Në kuadrin e globalizimit qytetet janë parë si konkurrues me njëri-tjetrin në tregun ndërkombëtar, që theksohet edhe në disa nga strategjitë e zhvillimit të qyteteve në Shqipëri (Strategjia e Zhvillimit Rajonal të Lezhës, Kukësit dhe Shkodrës). Për rrjedhojë avantazhet krahasuese duhet të ruhen dhe zhvillohen për të ruajtur konkurrencën në tregun ndërkombëtar, gjë që nuk vihet re të paraqitet në disa nga strategjitë e vëzhguara të zhvillimit të qyteteve tona (Strategjia e Zhvillimit Ekonomik të qyteteve Shkodër dhe Lezhë.) Një çështje tjetër që shikohet me preokupim është edhe roli i politikës që të parandalojë ose të zbutë disbalancat më të këqija në urbanizim. Në strategjinë e Bankës Botërore për zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve në kuadrin e urbanizimit të shpejtë të botës, qytetet me zhvillim të qëndrueshëm duhet të plotësojnë premisat për zhvillimin dhe cilësinë e jetës së banorëve të tyre —në veçanti duke ofruar mundësi për mobilitet për të varfrit — dhe ndërkaq ato duhet të kontribuojnë në progresin e vendit. Zhvillimi i zonave urbane është e lidhur ngushtë me ekonominë rurale nëpërmjet këmbimeve të mallrave, punës, shërbimeve, kapitalit, transaksionet sociale, informacion dhe teknologji nga të cilat përfitojnë të dyja palët. Një treg i punës i integruar mirë sjell rritje midis qarqeve dhe zonave urbane, krijon vende pune, alternativë për familjet rurale në zonat rurale si edhe urbane. Por migracioni rural-urban nuk është burimi dominant i rritjes urbane. Transformimet strukturale në rritje dhe densifikimi i vendbanimeve periferike, në përgjigje të oportuniteteve të tregjeve të brendshme dhe të jashtme po i sjellin “urban” dhe “rural” në marrëdhënie më të afërta si nga pikëpamja hapësinore ashtu edhe e marrëdhënieve ekonomike.
Situata në rajonet shqiptare
Qarqet në Shqipëri kanë qenë nën ndikimin e rritjes së shpejtë të urbanizimit të qyteteve kryesore siç janë Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Korça etj., si edhe në zhvillimin e shpejtë të këtyre qyteteve. Qytetet kryesore në Shqipëri janë rritur me shpejtësi si rezultat i ndikimeve të mëdha të zhvillimeve rajonale në Ballkan dhe më gjerë, në veçanti këtu dallojmë: (a) investimet direkte të huaja, (b) migracioni, dhe (c) remitancat, dhe (d) hapja e ekonomisë, liberalizimi i tregtisë.
Rritja e popullatës në qendrat e mëdha urbane ka ardhur si rezultat i lëvizjes së madhe migratore dhe të shpejtë nga zonat rurale në qytete brenda një qarku dhe midis qarqeve. Kjo lëvizje ka qenë një faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe të shërbimeve të qyteteve në rritje të shpejtë.
Kjo zhvendosje e madhe e popullsisë rurale-urbane u shoqërua edhe me një rritje të varfërisë në qytetet dhe qarqet që u ndikuan më shumë nga këto rritje. Ky fenomen rriti me shpejtësi koston e shërbimeve të infrastrukturës dhe atë sociale në kushtet kur burimet e financimit ishin të kufizuara në pjesën më të madhe të qarqeve. Qarqet kanë burime të kufizuara të veta dhe janë në vartësi të madhe nga burimet e buxhetit qendror dhe të huaja. Ekonomia urbane ndryshoi me shpejtësi si rezultat i shpërndarjes në mënyrë të pabarabartë të kapitaleve të bizneseve private nga qytetet e qarqet e vogla në ato të mëdha, nga qytetet malore në ato bregdetare me potenciale të mëdha të zhvillimit të turizmit. Një fenomen negativ i këtij zhvillimi është zhvillimi krejt i pabarabartë midis qyteteve që reflektohet edhe në zhvillimin e pabarabartë midis qarqeve. Tirana dhe qarku i saj janë më të zhvilluara, dhe më tej vijnë qytetet e mëdha dhe bregdetare, si: Durrësi, Vlora, Shkodra, Saranda, që dallohen nga një zhvillim i shpejtë ekonomik. Struktura e zhvillimit të ekonomisë në këto qytete është e ndryshme. Ndërtimi, manifaktura dhe turizmi dhe shërbimet janë sektorët që dominuan rritjen ekonomike e sociale të tyre. Sfidat e mëdha të këtyre qendrave të mëdha urbane sot dhe në të ardhmen në konkurrencën me vendet në rajon janë rritja e eficiencës së investimeve dhe aktiviteteve ekonomike, rritja e investimeve direkte të huaja dhe fuqizimi i bazës ekonomike në nivel qarku. Në strategjitë e zhvillimit rajonal të vëzhguara mungojnë: Lidhja midis vizionit ku do të shkojnë në të ardhmen, si do të shkojnë dhe cila është kosto e arritjes së objektivave të vizionit të së ardhmes së tyre. Politikat e rritjes së konkurrencës dhe të rritjes së burimeve të brendshme të financimit të nevojave të rritjes së ekonomisë dhe shërbimeve nëpërmjet rritjes së eficiencës.
Ndërhyrjet e mundshme
Banka Botërore advokon paradigmën e zhvillimit të integruar që të çon drejt qasjes “multisektor” në çështjet urbane. Në qendër të zhvillimit të qarqeve janë zonat e mëdha urbane ku në qendër vendosen qytetet. Sfidat kryesore që hasin te nivelet e qeverisjes se qarkut dhe të bashkive përfshijnë: (i) rivendosjen e një ekuilibri më të mirë midis zhvillimit privat dhe publik dhe midis interesave publikë dhe privatë; (ii) krijimin dhe zbatimin e një forme të zbatueshme të planifikimit strategjik të zhvillimit urban që i shërben ekonomisë urbane e lidhur me zhvillimin rural; (iii) rritja e kapaciteteve qeverisëse në nivel qarku dhe te bashkitë, rritja e menaxhimit efektiv të qyteteve të tyre, dhe me burime financimi të qëndrueshme. Zhvillimi i partneritetit publik-privat është një perspektivë për rritjen e burimeve të financimit dhe eficiencën për zhvillim. Kjo nënkupton zhvillimin e infrastrukturës, si edhe nxitjet me politikat tatimore dhe rregullatore që sektori privat të lehtësohet e nxitet për investime afatgjata dhe të qëndrueshme.
Qarku duhet të rritë bazën e të ardhurave, bashkitë duhet të kenë një rritje të qëndrueshme në të ardhurat, një menaxhim të mirë të shpenzimeve përdorimin e tyre, si edhe në shpërndarjen e tyre sipas prioriteteve të zhvillimit, të krijojë kushtet e kërkuara për huamarrje.