Shqipëria fle mbi miliarda

Nga Emin Barçi, botuar në Panorama Online, 21 prill 2014

Kryeministri Rama brenda pak ditëve takoi nga Emiri i Katarit te zv.Kryeministri i Turqisë. Këtë orientim orientalist disa njerëz pranë tij e justifikojnë me nevojën që ka vendi për  financime dhe investime. Sot janë 1,4 miliardë asete të bankave në Shqipëri duke fjetur gjumë në llogari. Gap mes depozitave dhe kredisë për ekonominë janë edhe 1,9 miliardë euro të tjera për të arritur standardet europiane. Pra, në total, ne kemi në dispozicion në banka 3,3 miliardë euro të disponueshme dhe të menaxhueshme brenda vendit, që mund t’i përdorim për rritjen e konsumit, të investimeve, të punësimit dhe mirëqenies. Bëhet fjalë për depozitat bankare të shqiptarëve, për kursimet e djersës dhe gjakut të 23 viteve punë dhe rropatje në vend dhe emigracion. Bankat menaxhimin e kanë privat dhe ndërkombëtar, ndërsa asetet i kanë në 88% kombëtare–shqiptare. Kusht për gjenerimin dhe orientimin drejt ekonomisë të 3,3 miliardë eurove është që Kryeministri dhe Parlamenti t’u vendosin objektiva të qartë Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Misioni duhet të jetë mirëmenaxhimi i aseteve kombëtare, para se të lypim paratë e të tjerëve për t’ua shtuar. Objektivi i parë duhet të jetë futja në ekonomi e 1.4 miliardë eurove depozita brenda 3 vjetëve. Objektivi i dytë dhe barazimi i depozitave me kredinë për ekonominë brenda 5 vjetëve.

Bankierët do reagojnë menjëherë për ta zhvlerësuar këtë mundësi të artë me vlerë 3,3 miliardë euro, duke kujtuar kreditë me probleme. Është e vërtetë se janë shumë të larta (rreth 25%). Po aq është e vërtetë se duhet zgjidhur ky problem për t’i hapur rrugën rikthimit të rritjes së kreditimit. Por e shkuara nuk mund dhe nuk duhet të ndëshkojë të ardhmen, përkundrazi, duke nxjerrë mësimet e duhura t’i shërbejë asaj. Nuk nxjerrim asnjë mësim duke ua hedhur gjithë fajin kredimarrësve apo shtetit që nuk paguan detyrimet.

Duhet reformuar në tërësi sistemi ynë ekonomik, që në gjendjen aktuale është pengesa kryesore për rritje. Në veçanti informaliteti i trashëguar dhe i ri po bëhet pengesa kryesore për kredidhënien dhe cilësinë e saj.

Kredia në ekonomi shkon për konsum dhe investime. Rritja e konsumit ka rëndësi të veçantë, sepse ai llogaritet në 8 miliardë euro në vit ose rreth 80% e GDP. Ka modele në vendet fqinje dhe ato të zhvilluara ekonomikisht se si bëhet nxitja e konsumit nëpërmjet kreditimit. Në Shqipëri edhe kredia konsumatore është informale. Dhe, për fat të keq, politikanët e quajnë atë turpin e Shqipërisë. Bëhet fjalë për “ushqimet me listë”. Në fakt, ato nuk janë asgjë tjetër, veçse kredi konsumatore informale, që i jep një dyqan që nuk ka fatura blerjeje e shitjeje, nuk ka bilanc dhe nuk paguan as 10% të detyrimeve fiskale. Formalizimi i këtyre praktikave do japë kontributin e vet në rritjen e kredisë konsumatore dhe, për pasojë, konsumit.

Investimet private janë kontribuuesi i dytë në GDP. Për bankat shqiptare kredia për subjektet private është e marrë nëse disponon hipotekë. Financimi i projekteve të investimeve është një gjë krejt e rrallë për bankat tona. Bilanci fiskal apo formalizimi i sipërmarrjes thuajse nuk vlen fare. Zor se gjen ndonjë praktikë që bankat t’i kenë kërkuar subjektit kredimarrës pasqyra financiare të audituara! Të krahasosh bilancet që subjektet dorëzojnë në banka me ato që dorëzojnë në tatime, duket se ke përpara Amerikën me Afrikën.

Kemi përpara dy sfida; atë të injektimit në ekonomi të 1.4 miliardë eurove që “flenë” në depozita dhe barazimin e depozitave me kredinë për ekonominë, që do e çonte vlerën e injektuar në 3-4 miliardë euro. Kemi menaxherë publikë dhe kemi modele pa fund të vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara se si kanë vepruar në raste të tilla. Kemi edhe mundësi për të marrë asistencën më të mirë ndërkombëtare me apo pa pagesë. Na duhet vetëm vullnet politik për të investuar pasuritë e fjetura kombëtare në dobi të rritjes dhe zhvillimit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi