Arsimi, koha për reforma të qëndrueshme

Nga Henri Çili, botuar në Mapo Online, 21 prill 2014

Si përherë përgjatë dekadave të fundit, që kur ka filluar të bëhet klasifikimi ndërkombëtar i universiteteve Times Higher Education Ranking, klasifikimi më prestigjioz botëror i universiteteve, del në pah një e vërtetë e qëndrueshme. Universitetet e hapësirës ose traditës anglo-saksone, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe ose të Commonwealth-it, të cilat ndërtohen pak a shumë mbi të njëjtin parim funksionimi, përbëjnë lion’s share në vendet e para të renditjes. Në listën e 100 universiteteve më të mira, rreth 90% e tyre i përkasin universiteteve të këtij lloji, pavarësisht nëse në emërtim kanë termin publik apo jo; pra që i përkasin universiteteve të qeverisura sipas modelit anglo-sakson të ndërtimit të arsimit të lartë.

Po cili është modeli anglo-sakson i arsimit të lartë?

Me dy fjalë, modeli anglo-sakson i arsimit të lartë është ky: pavarësi legale e institucioneve të arsimit të lartë, rol rregullator dhe i paanshëm i shtetit, si dhe një parim tjetër, ndoshta më kryesori dhe më i rëndësishmi që i bëri këto universitete kaq të rëndësishme, kaq “më të mira”, sigurisht krahas anglishtes, dhe i bën të ruajnë lidershipin në përgatitjen e specialistëve në kërkimin shkencor në çmimin NOBEL. Sistemi universitar anglo-sakson funksionon si industri, pra është në treg, por fitimet i riinveston përsëri në të njëjtin treg. Për ta thënë ndryshe, imagjinoni një ndërmarrje e cila funksionon me parimet e ekonomisë së tregut, pra me parimet e rentabilitetit, por fitimin që nxjerr në fund të vitit nuk ua shpërndan aksionerëve dhe nuk ia jep shtetit, por e shndërron në donacion për vitin tjetër.

Duke studiuar dhe duke parë sisteme të ndryshme universitare gjatë debatit për reformën e edukimit në Shqipëri, kjo më ka rezultuar e vërteta më e thjeshtë, shpjegimi më i thjeshtë dhe më bindës, për PSE-në e suksesit të edukimit anglo-sakson dhe sistemit anglo-sakson, si dhe dështimin e plotë të çdolloj sistemi tjetër, sistemit etatist apo sistemit privat në kuptimin e organizimit të shoqërive tregtare me fitim. Kjo e vërtetë e thjeshtë jo vetëm është një fakt i konsoliduar, por është kuptuar më së miri edhe nga elita shqiptare. Kaloi faza e studimeve në Itali, studimeve në Francë apo Gjermani dhe të gjithë ata që e kanë një mundësi, duan t’i shkollojnë fëmijët në shkollat angleze, amerikane apo të traditës anglo-saksone në përgjithësi. Me intuitë, publiku shqiptar ashtu si ai botëror, pasi kjo është një tendencë botërore, ka shkuar tek kjo e vërtetë. Një sistem edukimi që vlen është një sistem i ngritur mbi këto parime. Por cila është PSE-ja, cila është enigma e kësaj ose baza filozofike e këtij parimi?

Baza filozofike e këtij parimi mbështetet kryesisht mbi etikën protestante të punës dhe, në qoftë se do të kujtonim veprën e famshme të Max Weber “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” ngjason me atë sesi etika protestante themeloi kapitalizmin e avancuar. Në lidhje me edukimin, etika protestante themeloi pikërisht këtë parim, edukimi duhet të funksionojë si industri, por duhet të jetë non profit, pa qëllim fitimin, ose bamirës në shpërndarjen e rezultatit. Konkurrenca, funksionimi, menaxhimi janë të gjitha si të një ndërmarrjeje private, veçse fitimi i përket përsëri sektorit. Pra, ai është dhe mbetet pronë e sektorit. Kjo është arsyeja se përse universitetet angleze funksionojnë më mirë, megjithë defektet relative që kanë. Ato japin më shumë bursa se çdokush tjetër, kanë buxhetet më të mëdha, kanë rezultatet më të larta se kushdo tjetër dhe diplomat e këtyre universiteteve janë më të preferuarat në tregun e punës mbarëbotëror.

Pse dominojnë dhe pse të gjitha rrymat filozofike, të mendimit, kundërteoritë që gjenden kudo, se gjeneraliteti njerëzor nuk njeh kufij dhe kufizim financiar, ndërtohen kryesisht si kontestim apo si pohim, zhvillim dhe reagim i kësaj tradite? Në qendër të gjithë kësaj, përveç të tjerave, me siguri gjendet një sistem universitar i fuqishëm që tashmë vazhdon prej shekujsh dhe që jep këtë rezultat, evidencat e të cilit nuk kanë tashmë asnjë diskutim.

Një element tjetër në lidhje me këtë sistem është fakti që ai mbështetet mbi një prakticitet dhe mbi një bazë shumë të fortë logjike dhe metodologji, çka i jep studentit mekanizmin e aftësive të transferueshme, cilido qoftë vendi, cilido qoftë konteksti, ndërmarrja, firma apo institucioni. Është pak a shumë si përsëritja e gjeneralitetit politik anglez, i cili ishte i vetmi kolonizim që u mboll dhe u transportua si i tillë edhe në hapësirën jo angleze, edhe për kombe e etni jo angleze. Shihni vendet e kolonizimit anglez në Afrikë, shihni Australinë, Zelandën e Re, e shumë e shumë shtete të vogëlza të mbretërisë së saj dhe mbi të gjitha shihni Indinë, demokracinë më të madhe të botës, edhe pse i përket një etnie tjetër.

Në të njëjtën mënyrë, edukimi anglez i ndihmuar nga ky sistem i fuqishëm ka mundur të jetë i tillë, pra i avantazhuar edhe për shkak të kësaj mënyre organizimi, sepse siç e thamë mbështetet mbi pavarësinë e plotë nga shteti, pavarësinë legale, mbi parimet e ekonomisë së tregut në vetëqeverisje dhe në mbajtjen brenda sektorit të fitimit, rezultatit ekonomik të krijuar.

Në Shqipëri jemi në kulmin e një debati mbi edukimin e lartë. Kryeministri Rama, drejtuesi i të majtës shqiptare, i një force ose i një vëllimi politik që ka qenë shpeshherë regresiv për historinë e Shqipërisë, mesa duket ka bërë një zgjedhje tjetër. I majtë po, por të paktën Laburist, duke qenë më i ngjashëm me formatin Laburist anglez. Ky frymëzim duket se e ka çuar kryeministrin Rama të shkojë drejt këtij lloj socializmi, të socializmit anglez të Rrugës së Tretë. Pikëtakimet e kryeministrit aktual me këtë socializëm, ala Blair, janë më të hershme sesa momenti kur ai kontraktoi ish-kryeministrin anglez si këshilltar të qeverisë së vet. Janë që prej vitit 2009 kur programi i tij ishte “përtej të majtës dhe të djathtës”, janë që në momentin që ai u ndikua nga formulat e komunikimit të Obamës, apo mori si këshilltar për komunikimin spin doctor-in e famshëm, Alaister Campbell, që nga kontratat me anglezët e Crown Agents,për doganat shqiptare, e deri tek adoptimi, çka sigurisht nuk është ideja më e mirë e tij, e idesë së sistemit shëndetësor anglez, sistem falas, pa siguracione, që financohet nga taksimi i përgjithshëm.

Ideja më e fundit e Edi Ramës, që ka përqafuar në parim, për të cilën është ngritur një komision i cili vazhdon punën, është transformimi i sistemit universitar drejt modelit anglo-sakson, modelit non profit, ku universitetet shtetërore qeveria i çon drejt një modeli të tretë dhe universitetet private ftohen, edhe pse nuk detyrohen, të gjitha të shkojnë drejt modelit non profit, duke liberalizuar sistemin, duke vendosur një marrëdhënie të re të universitetit me shtetin dhe përgatitjen e specialistëve të lartë të kërkimit shkencor në raport me shoqërinë. Dhe për këtë, Rama vendosi në krye të komisionit për reformën e sistemit të arsimit të lartë një shqiptar dhe anglez njëkohësisht, pedagogun e mirënjohur Arjan Gjonça, një mik i vjetër i tij dhe konsulent për shumë prej ideve, përfshirë edhe atë të shëndetësisë.

A mund të krijohet një ishull anglez në Europën Kontinentale, aq më tepër në Ballkan, aq më tepër në pjesën më të prapambetur të Ballkanit perëndimor? Kjo është çështja.

Këtë çështje duhet ta zgjidhë guximi reformues i Edi Ramës, duke krijuar një pararojë për të gjithë rajonin, dhe jo thjesht për veten. Dhe ja ku kemi provat që mund ta ndihmojnë. Padyshim universitetet më të mira në Europën Qendrore dhe Juglindore, janë universiteti i njohur si i SOROS-it, Central European University në Pragë dhe në Budapest, Universiteti Amerikan i Bullgarisë, pra të këtij modeli. Po ashtu, Holanda është bërë pothuajse integralisht një kopjuese, apo një pasqyrë e sistemit anglez të edukimit. Po kështu vendet baltike, Lituania, Estonia dhe Letonia kanë kopjuar dukshëm esencën e këtij modeli në mënyrën e financimit në raport me shtetin dhe universitetet. A do ta bëjë Edi Rama këtë? Risku, guximi, por dhe përfitimi, hapi reformues i rëndësishëm i takon pikërisht atij. Berisha dhe qeverisja Berisha e konceptuan, e premtuan, por nuk e realizuan dot, duke mos guxuar dot ta çojnë më tej. Ministrat e Arsimit, Pollo dhe Tafaj ngritën komisione të pjesshme apo të plota për të shkuar drejt atij modeli, por nuk e patën asnjëherë guximin politik dhe kontekstin për ta çuar më tej këtë reformë. Edi Rama ka shansin t’i japë sistemit universitar një zgjidhje të plotë dhe mbi të gjitha të qëndrueshme. Ideja e modelit anglo-sakson është jo vetëm progresive për nga konteksti rajonal, por është ndoshta e vetmja zgjidhje ku pak më vonë ose pak më herët po shkojnë pjesërisht ose plotësisht të gjitha vendet europiane. Është zgjidhja që tundon dhe pjesë të tjera të botës së re. Të presim.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi