Reforma e qeverisjes vendore, jo vetëm territoriale
Nga Arben Malaj, botuar në Panorama Online, 20 prill 2014
Në ndihmë të debateve për reformën territoriale në raport me problematikën dhe sfidat e mirëqeverisjes vendore, kjo reformë duhet të jetë më e plotë duke përfshirë në mënyrë plotësuese pesë elemente konkrete:
1. Riorganizimi i bashkive dhe komunave – pra në parim jo thjesht zvogëlimi i numrit të tyre, por rritja e cilësisë së shërbimeve të ofruara nga pushteti vendor (50% e komunave nuk bëjnë asnjë investim në komunitet), ulje të kostove të funksionimit të tyre (100 komuna shpenzojnë mbi 80% të buxhetit për pagat e administratës), përmirësim rrënjësor i administratës publike (70% e punonjësve në 80 komuna janë pa arsim të lartë), rritja e aftësisë së tyre për të programuar dhe për të vënë në zbatim projekte zhvillimi nga burime të vetat (50% e komunave mbledhin 0-2% të buxhetit nga taksat vendore), të buxhetit të shtetit dhe nga fondet në rritje të Bashkimit Europian. 2. Rritja e autonomisë financiare – që duhet të mbështetet më mirë nga burimet e drejtpërdrejta të komunave e bashkive, të cilat vitet e fundit janë përgjysmuar dhe aktualisht janë në nivelin minimal duke përbërë rreth 0.7% të Produktit të Brendshëm Bruto. Ky nuk është një koncept fondesh, por një koncept i parimeve demokratike të raporteve midis pushtetit vendor dhe atij qendror.
3. Rritja e transparencës në nivel lokal përsa u përket financave publike. Përgjegjshmëria në rritjen e transparencës publike është një nga elementet e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, që mbetet pjesë e pashmangshme edhe në debatet me institucionet ndërkombëtare. Mirëqeverisja në financat publike në nivelin lokal krijon një impakt pozitiv dhe transparenca fiskale është një mundësi konkrete për të rritur përgjegjësinë e menaxhimit të financave publike. Nga një kërkim i Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen në faqet zyrtare të internetit të bashkive dhe komunave, deri në fund të vitit 2013 rezulton se nga 65 bashki dhe 309 komuna, 8 bashki (ose 12.3% e numrit total të bashkive) dhe një komunë (ose 0.3% e numrit total të komunave) kanë informacion online me bazë vjetore dhe vetëm të tri viteve të fundit mbi financat publike. Bashkitë dhe komunat nuk ofrojnë informacion të përditësuar me bazë mujore mbi financat publike. Në vendin tonë ka mjaft debate publike për mosnjohjen e gjendjes reale të treguesve fiskalë, për deformimin e tyre, për moskonsultimin me grupet e interesit dhe të gjitha së bashku janë pjesë e rekomandimeve përmirësuese të menaxhimit të financave publike si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror.
4. Kufizimi i numrit të mandateve të njëpasnjëshme të të njëjtit person si kryetar komune e bashkie. Ky model kufizimi po aplikohet me sukses sot në disa vende. Mandatet e tejzgjatura kanë prodhuar pushtet abuziv, nepotizëm dhe korrupsion. Nëse mungon konsensusi, çdo parti politike që do të demokratizojë qeverisjen e vendit mund ta ndërmarrë këtë reformë si pjesë të vizionit të saj, duke e aplikuar në procesin e përzgjedhjes të kandidaturave për zgjedhjet vendore 2015.
5. Ndryshimi i sistemit elektoral të vendit, duke kaluar nga ai në nivel qarku në atë me nivel kombëtar. Kjo heq një nga pengesat kryesore të mungesës së konsensusit për reformën territoriale, pasi ka mungesë besimi për keqpërdorim të ndarjes së re të komunave e bashkive në funksion të zgjedhjeve parlamentare 2017. Në sistemin kombëtar, çdo votë në çdo qark të vendit ka të njëjtën fuqi. Kjo e eliminon këtë risk dhe mund ta lehtësojë konsensusin. Një reformë që deri tani ka në thelb thjesht reduktimin e numrit të komunave e bashkive, një reformë që nuk rrit burimet e drejtpërdrejta për to, që nuk kufizon rrisqet e rritura të pushteteve të përqendruara dhe të tejzgjatura dhe që nuk e redukton deficitin demokratik të dëmtuar nga sistemi aktual elektoral – në nivel qarku dhe me lista të mbyllura – është një reformë e cunguar. Ndoshta disa skeptikë apo të rehatuar me status quo-në mund të kundërargumentojnë se partitë kryesore po tregojnë se e kanë të vështirë të bëjnë kompromis thjesht për ndarjen elektorale dhe çdo element shtesë në këtë reformë e bën më të vështirë kompromisin. Në këtë rast, arsyetimi mund të jetë i cunguar sepse një reformë integrale mund të prodhojë më shumë efekte pozitive për qeverisjen vendore dhe demokratizmin e vendit. Ndaj çdo justifikim është një dëshmi shtesë e paaftësisë të politikës për t’iu përgjigjur sfidave konkrete të vendit.