Përse gënjehen njerëzit nga politika (II)

Nga Prof. Ylli Pango, botuar në Mapo Online, 19 prill 2014

Bindja në jetën e përditshme. Një faktor tjetër që ndikon për së shumti në faktin që njerëzit gënjehen nga politika, është edhe bindja si koncept i psikologjisë sociale. Bindja i shoqëron njerëzit në jetën e përditshme në çdo hap e në çdo raport social. Që nga relacionet a marrëdhëniet me ata që duan të na shesin mallin, ata që duan të na bëjnë të shohim këtë a atë film, ata që na mësojnë a mbushin mendjen e deri tek politikanët. Kështu veç prirjeve të brendshme që i analizuam më sipër, njerëzit ndikohen dhe nga këto burime të jashtme të panumërta që influencojnë në krijimin e një lloj bindshmërie të qenies njerëzore si qenie sociale në tërësi, duke e bërë bindjen kësisoj të jetë një komponent organik i jetës sonë. Teknikat e bindjes i studion gjithashtu psikologjia sociale dhe duke filluar nga vitet e hershme të shekullit 20 janë ndërtuar teori të tëra mbi bindjen. Qëllimi i bindjes është ta bëjë objektivin (njeriun që do bindim) të brendësojë dhe të adaptojë argumentin bindës, të krijojë një qëndrim a bindje të re e ta adaptojë këtë qëndrim të ri si pjesë e sistemit të tij bazë të besimeve.

Ja disa teknika të bindjes. Përdorimi i shpërblimeve, ndëshkimeve, të cilat dihet krijojnë a në disa raste sforcojnë, bindje të cilat në radhë të parë i shërbejnë politikës, qoftë edhe si të tilla (të sforcuara). Ekspertiza pozitive e negative, nëpërmjet të cilave politikani shpreh aftësitë e kompetencat e veta, shpalos njohuritë, krijon besimin që ato që thotë janë të vërteta, flet e shpjegon me tonin e bindjen, sigurinë e njeriut që njeh gjithçka mirë (në disa raste kjo natyrisht edhe qëndron), çdo gjë që thotë është flori i kulluar etj. Apeli moral (që në mjaft raste nuk i përgjigjet atij që politikani duhet a mund t’i bëjë vetes) e që shpesh mbetet predikim moral i rremë kryesisht i tipit dajak për atë që gabon e tolerancë për veten në një rast të tillë, etj. Politikanët i përdorin këto metoda shpesh sidomos për stafet më të afërta, por edhe për njerëzit që duan t’i bindin e t’i kenë në shërbim në rast nevoje.

Krijimi a stimulimi i nevojave. Një metodë bindjeje përfshin krijimin e stimulimin e nevojave sidomos të atyre që janë jetike për njeriun (por edhe nevojave të luksit) ose ringjalljen a nxitjen e nevojave tashmë ekzistuese, por të paplotësuara. Ky tip bindjeje mbështetet në nevoja fondamentale të njerëzve si ato për strehë, dashuri, vetëvlerësim, vetaktualizim, por dhe në nevoja ekstra të cilat në jetët njerëzore rriten në mënyrë progresive, në varësi të faktit sa janë të plotësuara nevojat bazale. Politikani që premton plotësimin e këtyre nevojave, e që herë-herë edhe i plotëson ato edhe në mënyrë minimale, siguron dhe bindjen e njerëzve. Njerëzit e nevojave minimale të paplotësuara, në vendet si i yni, arrijnë të futen në brazdën e gënjeshtrës edhe me një sasi të vogël të hollash, me ndonjë plotësim nevoje materiale minimale apo edhe me të tjera qesharake a poshtëruese për këdo tjetër në vendet a demokracitë më të zhvilluara. Në këso rastesh gënjeshtra pi ujë më lehtë e njeriu tenton të besojë a të mbështesë gënjeshtrën më me lehtësi.

Apelimi i nevojave sociale. Një metodë bindjeje efektive është ajo që mbështetet te nevoja e njeriut, sado i thjeshtë, për t’u bërë popullor, prestigjioz ose i ngjashëm me të tjerët e suksesshëm, artistët e mëdhenj, politikanët me emër, etj. Reklamat tregtare në tv janë shembulli më tipik i kësaj, me ndikimin e tyre tek njerëzit e nxitjen që ata të blejnë e përdorin ato mallra që përdorin vetëm personat e njohur, të suksesshmit, VIP-at. Në rastin e politikanit, njeriu mëson të bindet a të besojë në gënjeshtrën e politikanit edhe nga sugjestionimi prej figurës së tij të amplifikuar nga media, por edhe nga dëshira për t’i ngjarë atij.

Sipas disa statistikave një njeri mesatar sheh 1500 deri 2000 orë programe televizive në vit e kjo tregon se çfarë burim i madh e i fuqishëm bindjeje është televizioni, media në përgjithësi. Për shqiptarët kjo mesatare shikueshmërie, për vetë mungesën e mjeteve të tjera rekreative a të kalimit të kohës, e ndikimi i saj, janë akoma më të larta. Kjo siç e thamë edhe për faktin se burimet e tjera të informacionit a të ngritjes së nivelit të kulturës së përgjithshme, mungojnë, nuk përdoren a përdoren rrallë.

Përdorimi i fjalëve a fjalorit të ngarkuar, sugjestiv, i imazheve të gjalla sugjestive, ka gjithashtu ndikimin e vet në sugjestionimin dhe besueshmërinë më të madhe të njerëzve në gënjeshtrën politike. Njeriu i thjeshtë sidomos, bie më lehtë pre e kësaj luzme fjalësh të bukura të mashtrimit elektoral dhe nuk ka mundësi as të kuptojë e jo më të verifikojë vërtetësinë e gënjeshtrës politike. Edhe këto, të gjitha lidhen me bindjen sociale, ndikimin social, i cili nga ana e tij lidhet me politikanin, liderin, tiparet e tyre dhe superioritetin mbi inteligjencën, vullnetin, kulturën e mjaft njerëzve të thjeshtë. Përdorimi i këtyre mjeteve ekstra ka gjithashtu efekte të mëdha dhe politikanët, ashtu si reklamuesit e mallrave, e dinë mirë këtë. Që të dyja palët, duan në një aspekt, të shesin (fjalë) për të fituar, pushtet, para, privilegj. Pushteti i fjalëve pozitive, nxitëse dhe sugjestionimi a përpunimi mes tyre i psikologjisë njerëzore është i paimagjinueshëm dhe paralelizmi shkon deri në konvergjencë të plotë. Vëreni fjalët që përdoren në mjaft biznese, në tregti, kudo ku ka fitim, ku kërkohet të shitet diçka, dhe merrni përgjigjen se cila është pse-ja që mjaft reklamues përdorin fraza të tipit “E re dhe e përmirësuar”, “Origjinale” “E gjitha natyrale”. Hidhuni në politikë dhe ngjashmëria është më e madhe se ajo mes dy bizneseve në sensin e reklamimit: “Koha për ndryshim”, “Rilindje”, “E reja rrëzon të vjetrën”.

Dhe këto janë vetëm një pjesë e teknikave apo e reklamave të bindjes. Në jetën e përditshme mund të gjejmë mjaft të tjera, madje me një peshë specifike të jashtëzakonshme. Ndiqni me vëmendje një program në media dhe do të vini re se vetëm në gjysmë ore transmetim televiziv përmbahen një volum i pabesueshëm për nga madhësia, teknikash bindjeje, sugjestionimi, mes tyre mjaft mashtrimi, dhe të gjitha në një kohë kaq të shkurtër. Ndiqni me vëmendje a analizoni më vonë të incizuar a të shkruar një fjalim elektoral, një fjalim gjatë një takimi të një qeveritari a politikani me popullin, një vizitë e një logo të tij atje mes atyre që viziton, e do të gjeni po atë densitet teknikash bindjeje, sugjestionimesh, mashtrimesh.

Një arsye tjetër përse njerëzit gënjehen do të ishte edhe sepse të gjithë gënjejnë në politikë por edhe kudo në fusha të tjera, e gënjeshtra mbulon gënjeshtrën duke bërë të harrohet paraardhësja. Kësisoj njerëzit pranojnë se kjo është bota, këta janë njerëzit e bashkë me të këta janë politikanët. Në një plan më të gjerë, edhe për njerëzit e thjeshtë, shpesh në nënvetëdije, zgjidhja politike, drejtimi i vendit nga politika e politikanët, janë të vetmet lojëra e rregulla loje të zbuluara deri më sot dhe pa to do të kishte kaos e anarki. Pa to nuk do të kishte asnjë zgjidhje të halleve e problemeve, sado dobët të zgjidhen këto, deri më sot. Ka mjaft fakte që e ilustrojnë a e përforcojnë këtë edhe tek ne. Njerëzit shqiptarë dilnin në rrugë në ditët e fundit të anarkisë së 1997 dhe kërkonin gati me lutje që politikanët të vinin në krye të vendit, të shkonin në zyra, të merrnin shtetin në dorë, t’u jepnin përsëri sadopak qetësi e siguri. Anarkia e krimi kishte kohë që bllokuar çdo gjë dhe njerëzit mbylleshin në shtëpia që në orën 1 të drekës. Kësisoj jeta ishte bërë kaq e padurueshme dhe e rrezikshme saqë cilido politikan që do t’i kthente disi në normalitetin sado jo të përshtatshëm të dikurshëm, do të ishte më i mirë se anarkia që po i mbyste. Në trazirat e Los Angeles të viteve ‘90 të shekullit të shkuar, njerëzit e thjeshtë amerikanë pritën me padurim e kërkonin gjithashtu me insistim kthimin e shtetit e marrjen në dorë të situatës në dorë nga politika, pasi rrëmuja e kaosi po ju zinin frymën. Kishin mjaftuar disa ditë, ashtu si dhe në New Orleans pas cunamit Katrina, vite më vonë, që anarkia ta merrte situatën në dorë e njerëzit të kuptonin se edhe në vendin më demokratik të botës, e me shtetin më të fuqishëm, se pa rend e pa politikën që e vinte në vend atë, nuk kishte jetë normale, funksionim normal a së paku jetë sipas forcës së zakonit e mbarëvajtjes së deriatëhershme të gjërave.

A është vallë e habitshme pas këtyre të kuptojmë, apo a mbetet ende pa përgjigje a një çudi pyetja: “Përse gënjehen njerëzit nga politikanët, përse sugjestionohen ata? Dhe përse politikanët vazhdojnë të gënjejnë me sukses e pa pasoja?”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi