Reforma në arsimin e lartë, jo vetëm në modelin financiar

Prof.Dr. Ing.Andonaq Londo, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, botuar në Balkanweb, 15 prill 2014

Me fillimin e këtij viti, shtypi dhe televizioni i kushtuan dhe po i kushtojnë një vëmendje të vazhdueshme nevojës për reforma në arsimin universitar. Në fakt, është vënë re se janë dy momente kur publiku dhe media tregojnë interes në këtë drejtim: në prag të vitit të ri akademik dhe publiku është i interesuar, pasi ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve, si edhe kur fillon punë një qeveri e re dhe kjo është e kuptueshme. Në tërësinë e tyre opinionet, komentet apo shkrimet mediatike e trajtojnë teorikisht problemin, me terma akademikë, pa u thelluar në problemet reale të arsimit universitar, të cilat duhet theksuar se nuk mund kurrsesi të zgjidhen me fushata. Ato janë probleme kardinale të shoqërisë, për të sotmen dhe aq më tepër, për të ardhmen e saj. Vihet re se një pjesë e tyre i trajtojnë problemet nga pozita nihiliste, duke mohuar çdo gjë të mirë që është arritur këto 60 vite jetë të arsimit të lartë universitar në Shqipëri. Por nuk mund të mohohen dy arritjet më të mëdha në këtë sistem. Së pari, liria akademike e të shprehurit dhe liria e mobilitetit të profesoratit shqiptar dhe së dyti, zgjedhjet demokratike dhe të lira të institucioneve drejtuese të universiteteve. Kush ka punuar në universitete para viteve ‘90 i kupton më së miri dhe i vlerëson këto arritje. Nisur nga përvoja e gjatë si lektor dhe drejtues në një institucion të Universitetit Politeknik po parashtroj disa mendime për këtë reformë në sistemin e arsimit të larte në vendin tonë. 1. Reformat efektive në arsimin e lartë kërkojnë konsensus politik

Është tepër evidente që ndërhyrjet e propozuara në kuadrin e reformës në sistemin e arsimit të lartë universitar duhet të garantojnë arritjen e një konsensusi politik sa më të gjerë të mundshëm. Do të ishte e papranueshme dhe jo ekonomike që, sa herë vjen në drejtim një qeveri e re të realizojë ndërhyrjet e veta nën termin “reformë”, pa u përpjekur për sigurimin e mekanizmave politikë, demokratikë dhe socialë që realizojnë përmasën optimale të konsensusit parlamentar, i cili garanton qëndrueshmërinë e nevojshme për arritjen e efektivitetit të programuar të reformës, në kohë dhe cilësi. Përvoja e deritanishme ka treguar se çdo ndërhyrje ka një kosto ekonomike të lartë, që rëndon në kurriz të taksapaguesve shqiptarë dhe se këto ndërhyrje në arsimin e lartë, sado të programuara mirë qofshin, i japin efektet pas një periudhe jo më pak se 15 deri 20-vjeçare, kohë gjatë së cilës mund të jenë ndërruar disa qeveri.

2. Universitetet private – një realitet i ri

Shumëllojshmëria e institucioneve të arsimit të lartë, si ato që mbahen financiarisht pothuajse nga taksapaguesit, ashtu edhe ato që mbahen nga financimet private, tashmë duhen pranuar si realitet. Universitetet private janë një risi në këtë sistem dhe, si të tillë, shteti ka përgjegjësitë e tij në zhvillimin e tyre në funksion të qëllimit kryesor të arsimit të lartë. Kjo përgjegjësi qëndron para së gjithash në kontrollin e tyre dhe më tej, në akreditimin e tyre. Do të ishte e pavend që të gjitha debatet dhe komentet e deritanishme për arsimin e lartë të përqendrohen thuajse vetëm drejt mënyrës së financimit të tyre dhe jo drejt rolit kryesor që këto institucione kanë. Duket sikur kjo bëhet me qëllim për të larguar vëmendjen nga problemet e cilësisë. Nga vëzhgimet rezulton se taksapaguesit shqiptarë kanë paguar deri tani jo vetëm për universitetet shtetërore, por edhe për universitetet private. Më konkretisht: thuajse 80% e stafeve akademike të universiteteve private vijnë nga shtetërori ose janë me kohë të plotë në institucione të tjera shtetërore, qoftë ose jo të arsimit të lartë. Asnjërit prej tyre gjatë kohës që japin mësim në universitetet private nuk u ndërpritet rroga nga institucioni shtetëror përkatës. Dhe kjo ndoshta është deri diku e pranueshme, pasi universitetet private duhen ndihmuar në hapat e parë. Pra, për kohën që lektorët e punësuar në institucione shtetërore nuk janë në zyrë apo në katedër dhe janë duke dhënë mësim në universitetet private, atyre u vazhdon edhe pagesa në shtet. Ky është një bashkëfinancim i taksapaguesve shqiptarë për universitetet private. Një llogari e thjeshtë. Sikur vetëm 250 pedagogë të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit të Tiranës së bashku, të aktivizohen me 150 orë mësimore në vit secili në universitetet private, këto bëjnë rreth 37500 orë mësimore, të cilat paguhen me afërsi 1000 lekë për orë dhe që në terma financiarë kthehen në 215.000 Euro në vit ose rreth 1.000.000 euro në 5 vjet. Llogaria është mjaft e kufizuar, vetëm për këto dy universitete dhe për 250 pedagogë. Një shembull tjetër, financimi i taksapaguesve shqiptarë për universitetet private: çdo kërkesë për të fituar tituj akademikë që vjen nga universitetet private shqyrtohet pa asnjë tarifë nga stafet e profesorëve të universiteteve shtetërore, të cilët harxhojnë kohë dhe paguhen për këtë kohë nga taksapaguesit. Ka plot të tillë dhe nuk do desha t’i rendit këtu. Pra, si përfundim, mund të konsiderohet që universitetet shtetërore i kanë parë dhe i kanë pranuar universitetet private si realitete të reja dhe taksapaguesit shqiptarë i kanë financuar ato. Do t’u rekomandoja universiteteve private të mos bëjnë “viktimën”. Një tjetër problem i shtruar për zgjidhje është kthimi i universiteteve private në OJF. Duhet thënë se fillimisht pronarët e tyre i kanë hapur këto institucione si biznese që tregu i pranonte. Prandaj, nëse do të hidhet ndonjë hap për këtë transformim, i cili në fakt për mendimin tim është mjaft i vështirë për t’u kontrolluar, shteti me mekanizmat e tij duhet t’u rrijë si “çekan mbi kokë” në plotësimin e kushteve themelore të ekzistencës së një universiteti në kuptimin e vërtetë të fjalës, në përmbajtjen tërësore të produktit që ato nxjerrin dhe cilësinë e tij.

3. Përgjegjshmëri në përcaktimin dhe zbatimin e kritereve të licencimit dhe akreditimit

Autoritetet përgjegjëse për dhënien e licencave për hapjen e universiteteve private duhet të kenë parasysh që jo çdo universitet ka të drejtë të hapë degë apo kurse studimi pa fund dhe pa kriter. Po kështu, edhe për universitet publike. Më gjeni një universitet, shtetëror ose privat, me përjashtim të Universitetit Politeknik dhe atij Bujqësor që nuk ka hapur programe studimi në jurisprudence; punë sociale; ekonomik; infermieri; mësuesi, etj. A thua se përgatitja e këtyre të fundit qenka e lehtë ? ¨shtë e domosdoshme që universitetet të marrin drejtime zhvillimi të përshtatshme me drejtimet dhe nevojat e ekonomisë dhe sidomos të rajonit ku veprojnë. Tradita e një universiteti krijohet për vite, për dekada të tëra… për të mos thënë me shekuj. Dhënia e të drejtës çdo subjekti që kërkon të hapë programe studimi universitare nuk është një e drejtë që fitohet automatikisht, mjafton të deklarosh një shumë parash dhe ndonjë kat pallati si strehë ku të futin kokën disa studentë dhe pedagogë. Në këtë drejtim shteti ndërhyn fort.

4. Pamjaftueshmëria e buxhetit të shtetit për arsimin e lartë

Duke folur në janar 2011 në Kongresin Amerikan për taksat, presidenti Obama në mënyrë të perifrazuar tha: “Ulja e deficitit buxhetor nëpërmjet zvogëlimit të investimeve në edukim dhe inovacion është njëlloj sikur të vendosësh që, për të ulur peshën e avionit, të zvogëlosh numrin e motorëve të tij. Kjo mund t’ju bëjë ju të ndjeni sikur po fluturoni më lart, por shumë shpejt do të ndjeni impaktin e këtij zvogëlimi”. Buxheti i shtetit për arsimin e lartë është rreth 60 milionë euro në vit. Që ky buxhet është i pamjaftueshëm, mjafton të përmendet fakti se vetëm për Universitetin Politeknik të Tiranës, vlera e tij është rreth 10 milionë, ku rreth 70 për qind e tij shkon vetëm për paga. Për kërkimin shkencor është një vlerë buxhetore që nuk ia vlen të përmendet. Në vitet që vinë kjo vlerë mund të rritet, por përsëri do të ishte një buxhet i pamjaftueshëm që nuk del për universitetet shtetërore, le të mendosh, ashtu siç flitet, për të kontribuar me këtë buxhet edhe në universitetet private, më tepër se ç’është kontribuar në zërat që u përmendën më lart. Ndërkohë, mendoj se nuk mund të rritet ky buxhet nga rritja e tarifës së shkollimit dhe kjo të përballohet nga kreditë bankare. A mund të thotë dikush se sa do të rritet tarifa e shkollimit inxhinerik për të nxjerrë arsimin universitar nga kjo gjendje? Sa do të jetë risku që mund të pranojnë bankat për këto kredi? Kush e merr përsipër këtë risk dhe si? Këto të ardhura që do të krijohen nga tarifat e rritura të shkollimit do të shkojnë për universitetet apo do të mbushin buxhetin e shtetit? Do të duhej një mendje dhe laps i mprehtë inxhinieri dhe financieri për të dhënë përgjigje të sakta për pyetjet e mësipërme, sepse nuk mund të abuzohet me dëshirën e shqiptarëve për shkollimin e fëmijëve të tyre. Psh. në U.P.T për sistemin bachelor, tarifa e shkollimit është rreth 130 euro në vit dhe për master rreth 500 euro në vit. Për krahasim, tarifa e shkollimit në Universitetin Teknik të Darmstadt-it në Gjermani është vetëm 450 euro në vit për të mos përmendur landë të tjera në Gjermani, ku kjo tarifë është më e ulët. Pra, normalisht për 5 vite studimi një student i Inxhinierisë tek ne paguan 1.390 euro dhe një student në U.T të Darmstadt-it, Gjermani paguan 2.250 Euro. Por a janë në këto raporte të ardhurat familjare në Shqipëri dhe në Gjermani? Ndërsa, përsa i përket mënyrës dhe lirshmërisë që kanë universitetet shtetërore për menaxhimin e këtyre fondeve dhe problemet e shumta që duhet të përballohen, janë trajtuar vite me radhë dhe nuk mbetet gjë tjetër për të shtuar, mjafton t’i referohesh një shkrimi të paradokohshëm të kolegut Artan Fuga, ku dakordësia ime me argumentet e paraqitura në këtë shkrim është e plotë.

5. Rëndësia e komponentes strukturore të reformës në arsimin e lartë

Reforma në universitete nuk duhet të shihet vetëm se si do të financohen dhe menaxhohen paratë, si ato të buxhetit të shtetit, ashtu edhe nga të ardhurat. Një komponente e fuqishme e kësaj reforme është ajo strukturore. Duke shprehur publikisht mendimin tim për mosfunksionimin normal të sistemit 3+2 për shkollat inxhinierike në Shqipëri, është me rëndësi të sqaroj: sistemi me tri vite studim bachelor i aplikuar prej vitit 2005 nuk u shoqërua me akte ligjore për punësimin e inxhinierëve të rinj me shkollim 3-vjeçar. Të gjithë të diplomuarit në këtë nivel dolën të “zbuluar”. Nuk kishte dhe ka kritere për punësimin e tyre qoftë në administratën shtetërore, qoftë në sistemin privat. Në këto kushte ata u detyruan të ndjekin të gjithë nivelin e 2-të, duke fituar titullin “master” dhe duke deformuar në këtë mënyrë esencën e modelit europian të Bolonjës, sistemin piramidal të studimeve. Para disa kohesh, me të drejtë, kryeministri u shpreh se kemi me shumicë për çdo 100m2 të diplomuar me grada master. Ndoshta “faji” nuk është vetëm i atyre që përfundojnë këto studime. A mund të tregoje dikush se cilat janë kriteret e punësimit të të diplomuarve në nivelin bachelor, të paktën në administratën publike? Nuk ka asnjë kriter ku të përmendet niveli Bachelor, kërkohen vetëm me master dhe mundësisht me doktoratura. Atëherë çfarë të bëjnë studentët? O burra një master dhe aty ku çajnë edhe një doktoraturë.

Por çfarë duhet bërë që të dilet nga kjo situatë?

Si hap i parë do të duhet të kalohet në sistemin 4+1, të paktën për shkollimin inxhinierik. Shkollimi 4-vjeçar ka disa epërsi në krahasim me atë 3-vjeçar, sepse: i) është më i plotë dhe studenti ka më shumë kohë në dispozicion për përvetësim të dijeve. ii) Ka traditë në Shqipëri. Çdo punëmarrës, jo vetëm psikologjikisht, por me shumë të drejtë do të parapëlqejë një të sapodiplomuar 4-vjeçar në krahasim me një 3-vjeçar. iii) Pjesa më e madhe e studentëve me mbarimin e studimeve 4-vjeçare do të ndjehen të diplomuar plotësisht dhe nuk do të ushtrojnë trysni artificiale mbi vete dhe mbi institucionin universitar për studime të mëtejshme. iv) Studimet 1-vjeçare do të jenë tepër të specializuara për studentë elitarë dhe sigurisht, edhe me kuota të pakta, duke ulur ndjeshëm me tendencë eliminimin e inflacionit në dhënien e titujve “Master”.

Është evidente dhe, më se e domosdoshme që në Ligjin e Arsimit të Lartë të bëhen ndryshime lidhur me emërtimet master. Realizimi i sistemit 4+1 bën automatikisht që cikli i dytë njëvjeçar të ketë vetëm një emërtim, master në fushën përkatëse. Duhet nënvizuar se ky sistem nuk prish strukturën e modelit europian të Bolonjës, përkundrazi e përmirëson atë në dy nivelet e para. Ndërkohë, ndryshime të tjera në aktet nënligjore duhet të shoqërojnë ndërhyrjet në Ligjin për Arsimin e Lartë, si p.sh. dhënia e rolit drejtues të departamenteve në studimet e doktoraturës; në ngarkesën e një pedagogu që mbulon formimin inxhinierik në një lëndë të caktuar të njihen si ngarkesë mësimore detyrat projektuese, projektet, udhëheqja e diplomave, të cilat deri më sot nuk njihen, thua se për kryerjen e tyre nuk shpenzohet kohë, kur ato janë mjaft të domosdoshme në formimin inxhinierik.

6. Dimensioni i kërkimit shkencor në universitete

Të gjithë ata që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë si pedagogë e kanë fare të qartë rëndësinë dhe vlerën e kërkimit shkencor në universitete. Po kaq e rëndësishme është vlera e tij në ritmet e zhvillimit ekonomik të një vendi. Po si është realisht kjo situatë tek ne? Me keqardhje mund të thuhet se rezultatet e një reforme në këtë fushë që u ndërmor në vitin 2006-2007 janë të padukshme. Dhe sot, pas 7 vitesh, jemi në kushtet kur flasim sërish për reformë në kërkimin shkencor. Përsëri kemi institucione të dubluara, të formuara thjesht nga grupe të ndryshme lobimi. Për shembull, vetëm për studimet energjetike mund të numërohen 2 ose 3 të tilla; për studimet gjeologjike po ashtu (e kam fjalën për ato institucione që paguhen nga taksapaguesit) etj. Po kështu fondet për kërkimin shkencor në universitetet publike nga viti 2011 e në vazhdim vijnë duke u tkurrur deri në zero. Me përjashtime të rralla në vitet 2009-2010 ka pasur disa financime modeste nga Qeveria shqiptare nëpërmjet AKTI-it, falë të cilave është ngritur edhe ndonjë laborator modest dhe është bërë e mundur edhe ndonjë doktoraturë.

Pra, si mund të flitet për kërkim shkencor sidomos në fushat inxhinierike pa mjete financiare. Sot dëgjohet që këto fonde universitetet duhet t’i gjejnë vetë, por nuk japin asnjë mënyrë për rrugët e gjetjes. Jemi në një pikë të “vdekur” dhe për nxjerrjen nga kjo gjendje duhet një bashkëpunim i pazëvendësueshëm universitetet-qeveri. Por kush duhet të ndërhyjë i pari, këtu është problemi. Eksperienca e disa universiteteve homologe tregon se fillimisht shteti ndërhyn për nxjerrjen nga kjo pikë e “vdekur” me anë të financimeve të tij ose/edhe të donacioneve nga institucione të huaja. Më pas, me daljen nga kjo situatë, gradualisht janë vetë universitetet që krijojnë mundësi të mëtejshme për të siguruar të ardhura për kërkimin shkencor. Shteti me mekanizmat e tij duhet të kontrollojë efektivitetin e financimeve që ka bërë. Kështu, para disa vitesh nëpërmjet një projekti pilot UNI-Lab të Bankës Botërore, u dhanë disa financime për ngritje laboratorësh didaktikë dhe mund të thuhet që ishte një ndihmë e madhe për universitetet. Në këto kushte krijimi i një fondi vjetor për shkencë e kërkim dhe aplikimi me projekte alternative do të ishte një fillim i pranueshëm për këtë reformë.

Gjithsesi, në kontekstin e mësipërm, Fakulteti Inxhinierisë Mekanike i ka mundësitë që me një ndërhyrje fillestare financiare, sidomos për fusha të tilla prioritare të zhvillimit ekonomik si energjia, transporti, mjedisi, shkenca e materialeve, teknologjitë e prodhimit etj. të ndihmojë për një hop cilësor të kërkimit shkencor në vend, duke kontribuar dukshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Kjo është sfida jonë e përbashkët, e vështire, por jo e pamundur.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi