Në kërkim të vendeve të reja të punës
Nga Bardhi Sejdarasi, botuar në Java, 16 prill 2014
Qeveria përballë një përpjekje për të realizuar një premtim; Sfida e punësimit dhe paketa ligjore e fasonistëve. Një matricë politikash të reja ekonomike dhe fiskale dhe kujdesi i qeverisë “Rama” për të mos u përballur me FMN dhe kërkesat e saj. Porosia e kryeministrit “paketën e re nuk e dua nga administrata publike, por nga vetë biznesi i fasonit” dhe draftet e gatshme që ofroi biznesi. Një proces që do të ketë një produkt të mirëpritur nga palët: rritjen e punësimit dhe lehtësi për sipërmarrjen!
…Ndërsa njëra nga forcat politike të maxhorancës aktuale qeverisëse vijonte të kontaktonte kategoritë e biznesit që punojnë nën një rregjim teknik që quhet “rregjimi i përpunimit aktiv”, ose thënë thjesht “fason” dhe iu premtonte atyre lehtësi në ushtrimin e veprimtarisë biznesore, kryeministri i vendit kishte ofruar një zgjidhje tjetër, më pragmatike: krijimin e një komisioni miks të posaçëm, në të cilin merrnin pjesë jo më pak se 25 përfaqësues të biznesve elitare në fushën e veshjeve dhe këpucëve. Një komision që nuk bënte zhurmë dhe as takime mediatike, por propozonte e propozonte drafte ligjore e nënligjore për të ndikuar në një performancë më të mirë të sektorit dhe sidomos… në realizimin e kushteve për rritjen e punësimit e hapjen e vendeve të reja të punës.
Partia tjetër në maxhorancën qeverisëse, edhe pse me një numër të konsiderueshëm deputetësh, nuk arriti as të orientonte dhe as të përgatiste ndonjë paketë masash lehtësuese që të mbështeste sektorin e fasonit, sikundër pretendonte. Ka qënë komisioni i posaçëm që përmenda, ai që, jo vetëm hartoi një matricë masash që ofronin politika lehtësuese, po “instaloi” brenda tij përfaqësuesit e tetë ministrive të qeverisë dhe agjencive ligjzbatuese të saj, që u bënë pjesë e zgjidhjes…
Çfarë kërkuan fasonistët?
Shumica e kërkesave ishin “të vjetra”, pra që iu ishin kërkuar qeverive të kaluara. Sektori i rregjimit të përpunimit aktiv ka një specifikë: të gjithë treguesit e performancës së tij varen nga kontraktori. Ky është, si rregull, një i huaj, i cili ofron punë për krahun e lirë të punës në Shqipëri në fushën e veshjeve dhe të këpucëve. Vlera e shtuar e produktit të gatshëm është vetëm vlera e krahut të punës. Kontraktori është ai që vendos çmimin për njësi dhe zakonisht ky çmim nuk negociiohet.
Ky është rasti klasik, ndërkohë që në vitet e fundit sektori ka identifikuar edhe aktorë të tjerë, më dinamikë, të cilët, kapitalin e akumuluar apo të diversifikuar nga shërbime të tjera, e kanë përdorur dhe e përdorin për të blerë vetë lëndën e parë, për të siguruar vetë tipologjinë e prodhimit dhe stilimit (modelimit) dhe për të dalë vetë në treg me një produkt “Made in Albania”.
Këto kanë qënë arsyet që shumica e kërkesave të këtij biznesi identifikoheshin si nevoja për të ulur kostot e punës, ato të administrimit dhe sidomos kostot e shpenzimeve të taksave dhe tarifave të punës, (rreth 85 % të shpenzimeve të përgjithshme) ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Qeveria e kaluar kishte premtuar realizimin e disa prej tyre, kishte ndërmarrë edhe nisma ligjore, por shumë pak prej tyre ishin realizuar në praktikë. Fjala vjen, qeveria kishte premtuar që për çdo të punësuar të ri në këtë sektor, merrte përsipër pagimin e detyrimeve të taksës së punës për një periudhë tre vjeçare, me kusht që punëmarrësi të kontraktohej për një periudhë 6 vjeçare. Kjo ishte në fakt shumë e bukur për të qënë e vërtetë dhe nuk u realizua asnjëherë, ndërsa qeveria e re e anuloi si vendim, duke e quajtur “VKM elektorale”.
Gjithsesi, në fund të ditës, qeveria e re gjykoi se duheshin marrë në konsideratë edhe këto kërkesa. Arsyeja ishte një dhe e vetme: Sektori kishte efektivisht mundësinë më të shpejtë, me pak kosto dhe me procedura më të lehtësuara të rriste numrin e të punësuarëve në progresion gjeometrik, madje, nëse do të merrej në konsideratë se qeveria kërkonte të realizonte premtimin e saj programor për të punësuar rreth 40 mijë punëtorë të rinj në sektorin e manifakturave, NUK KISHTE RRUGË më efektive.
Biznesi kërkoi që qeveria të vendoste “ngrirjen” e pagës minimale në shkallë vendi në nivelin 22.000 lekë për një periudhë të paktën katërvjeçare, me qëllim përballimin edhe të kostove që vinin nga rritja e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë dhe që lidheshin me pagën minimale. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV) i argumentoi qeverisë: “Ndërsa pagat mesatare te ne janë më të ulta se në vendet e rajonit, paga minimale është e lartë. Ne kemi një pagë minimale gati të barabartë me Bullgarinë dhe pak më të vogël se Rumania, ndërkohë që kemi PBB për frymë respektivisht 1.8 dhe 2.25 herë më të vogël se këto dy vende. Paga minimale dhe pagat në përgjithësi nuk janë rritur për shkak të burimeve të krijuara nga rritja e produktivitetit të punës dhe shtimi i pasurisë. Asnjë rritje page nuk është paraprirë nga një studim që ta përcaktojë atë. Këto politika kanë penguar hyrjen në treg të fuqisë punëtore të re në moshë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të punësuarit deri në moshën 30 vjeç zenë vetëm 11.6% të numrit të përgjithshëm të të siguruarve. Kujtojmë se në 2013-ën numri i të punësuarve në sektorin privat shënon 83% të totalit të të punësuarve- thanë fasonistët. Sipas tyre, rishikimi i politikave të pagave duhet të ndjekë njërin nga pesë skenarët e mëposhtëm: i) Heqja e pagës minimale kombëtare dhe zëvëndësimi i saj me pagën minimale sipas sektorëve, të negociuar midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. (Ky model zbatohet në Austri, Finlandë, Suedi, Danimarkë, Islandë, Norvegji, Zvicër); ii) Ngrirja për një periudhë katërvjeçare e aplikimit të pagës minimale, në sektorët, të cilët gjenerojnë vende pune. Ky është skenari që garanton rritjen e punësimit, mundëson hyrjen në treg të fuqisë punëtore të re në moshë, të pakualifikuar. Për industrinë tonë kjo masë shërben për rritjen e ndjeshme të të punësuarve. iii) Bllokimi i rritjes së pagës minimale. iv) Aplikimi i shkallëzuar i pagave minimale vetëm për grup-moshat e reja. v) Decentralizimi dhe diferencimi i pagës minimale sipas territorit dhe nivelit të varfërisë në kontekstet rajonale.
Qeveria mori në konsideratë propozimet, por duket se zgjidhja që do të ofrojë kënaq vetëm një pjesë të këtyre kërkesave: Qeveria është duke vendosur të indeksojë pagën minimale në shkallë vendi, jo si deri më sot (me vendim apriori të KM) por me inflacionin mesatar vjetor.
Biznesi kërkoi: Tatim fitimi (TF) për kompanitë e fasonit, duhet të jetë 0 %, për të stimuluar rritjen e prodhimit, gjetjen e kontratorëve të rinj e diversifikimin e tregjeve si dhe rritjen e numrit të të punësuarëve; Kosto e kësaj lehtësie është e pandjeshme në buxhetin e shtetit. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve argumentoi se “duhet të veçohej sektori i veshjeve dhe këpucëve nga i tërë sektori i rregjimit të përpunimit aktiv, kur bëhet fjalë për këtë lehtësi. Barra buxhetore pas këtij rregullimi është jo më shumë se 4 milionë EURO, ndërsa kosto administrative për ta mbledhur është mjaft më e lartë, sipas perceptimit të biznesit. Zerimi i TF ka efekte në imazhin e sektorit dhe në ofertën për investitorët e huaj, që kanë shprehur dëshirën për të investuar në sektorin e veshjeve dhe këpucëve. Kjo masë e sjell sektorin në një konkurrencë reale në rajon dhe më gjerë, (një praktikë e aplikuar më parë me efikasitet gjatë viteve 1995-2000). Ajo do të duhet të shoqërohet me akte që sigurojnë rritjen e punësimit nga ndërmarrjet që e përfitojnë këtë masë”. Ky ishte argument i sipërmarrësve.
Qeveria nuk e pranoi këtë propozim, me ndjesinë që kjo do të kishte ndikim në tërë sektorët e tjerë dhe krijonte një problem edhe lidhur me angazhimet e saj në raport me marrëveshjen e FMN. TF mbeti në nivelin 15 %, por kryeministri hodhi një hap më tej: ai deklaroi se do të kthehet mbrapsh 5 % e tatim fitimit të paguar më tepër nga ky sektor pas hyrjes në fuqi të paketës së re fiskale 2014, duke e “transferuar” këtë fond në fondin e nxitjes së punësimit. Ky fond u rrit në mënyrë të menjëhershme me rreth 400 për qind! Sot ministria që drejtohet nga Erion Veliaj e ka në portofolin e saj këtë shumë, vendimet për nxitjen e punësimit janë miratuar në qeveri dhe Këshilli i Ministrave ka marrë pjesërisht në konsideratë kërkesat e DHKPV për të ulur sidomos kostot administrative. Ato janë realitet, ndërkohë që “historia” e fondit në vite është vlerësuar si “abuziv” dhe “i korruptuar”! Le të shpresojmë se Veliaj do ta ndryshojë këtë perceptim!
Hapësirat për përfitim dhe ekonomia
Tashmë ka një paketë të gatshme politikash lehtësuese për sipërmarrjen e fasonit, por edhe për eksportuesit në tërësi. Janë miratuar dhe botuar në fletoren zyrtare vendimet për nxitjen e punësimit, vendimi për rimbursimin e plotë të tatimit mbi vlerën e shtuar (së bashku me udhëzimin përkatës) vendimi për dhënien me qera me 1 euro kontrata për investitorët në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve (pritet të dalë udhëzimi përkatës që përcakton kriterët për subjektet që konkurrojnë për këtë model privatizimi të objekteve në pronësi shtetërore), është duke u realizuar zgjidhja e një ngërçi shumëvjeçar: Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka përfunduar negociiatat për heqjen (me vendet ku dërgojmë apo marrim mallin) e taksës së trasportit për mjetet tona – afër 6,20 euro për ton në eksport dhe import. Një kosto jo e vogël, por edhe anakronike! Mbetet ende problemi i sigurimit të lejëve të lëvizjes së mjeteve në import-eksport jashtë territorit të Shqipërisë (DISVOLTA) dhe e tarifave të transportit që iu faturohen këtyre mjeteve, një problem i hershëm që nuk ka gjetur zgjidhje në dy dekadat e fundit. Shqetësuese bëhet gjendja me shtetin italian, i cili e aplikon këtë vetëm me Shqipërinë dhe me asnjë vend tjetër që ka shkëmbime tregtare.
Qeveria është duhe hartuar listën e re të kodeve doganore për makineritë e pajisjet për nevoja të inovacionit dhe përmirësimit teknologjik, me TVSH ZERO. Kjo kërkesë e biznesit u plotësua pjesërisht, ndërsa ishte kërkuar heqja e plotë e kësaj liste.
Angazhimet e qeverisë në fakt shkuan edhe më përpara se kërkesat e biznesit. Fjala vjen rimbursimi i TVSH (rreth 12 miliardë lekë ishte borxhi që qeveritë i kishin subjekteve në tërësi për këtë taksë) u zgjidh në mënyrën më të mirë të mundshme, duke realizuar kategorizimin e bizneseve dhe duke përcaktuar nëpërmjet analizës së riskut prioritarët. Sot (tashmë është marrë vendimi në KM) rimbursimi për kategorinë e eksportuesve të fasonit është realitet. Sipas informacioneve nga Ministria e Financave: “Në adresim të kërkesave të fasonistëve …, Ministria e Financave ka ndërmarrë iniciativën duke reflektuar për rimbursimin në një kohë të shkurtër të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), nëpërmjet sistemit të thesarit. Me propozim të Ministrisë së Financave, Këshillit i Ministrave miratoi VKM-në për kategoritë e eksportuesve, të cilët rimbursimin e TVSH, ose e marrin automatikisht, me paraqitjen e kërkesës, ose e marrin brenda 30 ditëve. Ky afat është sa gjysma e kohës që u jepet tatimpaguesve të tjerë, për të cilët koha e rimbursimit është 60 ditë”. Deri më sot nuk kishte një Vendim të Këshillit të Ministrave që të përcaktonte kategorinë e eksportuesve, për efekt të procedurës së rimbursimit të TVSH-së!
E nesërmja e Biznesit, por edhe e Qeverisë
Lobimi i bërë dhe advokimi i bizneseve të grupuara pranë Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, në fakt e ka një produkt. Kjo është paketa e lehtësive fiskale dhe ekonomike që do të miratohet në ditët në vijim në qeveri e Kuvend. Doemos që nuk mund të realizoheshin të gjitha propozimet e bëra dhe të gjitha kërkesat e parashtruara. Ajo që kryeministri porositi që “propozimet të jenë direkt të biznesit dhe jo të administratorëve publikë”, pati rezultat: draftet e parashtruara ishin realiste, jo të njëanshme, jo me përfitime klienteliste, por për ndikim në rritjen ekonomike nëpërmjet punësimit dhe rritjes së investimeve.
Sektori e eksporteve të fasonit ka tregues të mirë në këtë fillim viti, Ka një treg në rritje, ka kërkesa në rritje nga ana e investitorëve të huaj, ka nisma për të rritur importin e makinerive e pajisjeve të reja, madje dhe linjave të plota të prodhimit, ka transferim të investimeve nga shtete të tjera drejt Shqipërisë, ka kërkesa për të blerë vetë lëndët e para dhe për të prodhuar me cikël të plotë, ka fillur të ndjehet nevoja për fuqi punëtore të kualifikuar dhe profesionale, por lëvizja në këtë drejtim është ende e paplotë, edhe për shkak se ministria përkatëse nuk e ka kuptuar mirë se kjo është një zgjidhje që vjen vetëm nëpërmjet partneritetit publik-privat dhe identifikimit të partnerëve seriozë dhe elitarë të biznesit. Koha ikën, një mangësi e tillë dëmton.
Por sektori ka një tjetër performancë. Ka kompani të huaja që po kërkojnë të vijnë të investojnë në Shqipëri. Jo vetëm nga Italia. Ka një diversifikim të tregut të material porositësit; tani edhe Franca, edhe Gjermania, edhe Austria, edhe Izraeli po kërkojnë partnerë seriozë në Shqipëri. Duket se ka dritë në fund të tunelit, pas një periudhe krize. Por duhen realizuar në praktikë incentivat e premtuara dhe të miratuara. Më shumë të ardhura do të sigurohen, më shumë vende pune do të hapen, më shumë fitim do të sigurojnë kompanitë shqiptare, më tepër valutë do t’i vijë tregut, i cili ndjen “ngushtësinë” që po i ofron ulja drastike e të hyrave valutore nga emigracioni dhe nga investimet e huaja direkte që duan kohën e tyre.
Ka optimizëm, nuk është fals!