Me të vërtetë jemi kaq prapa në kohë?
Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 15 prill 2014
Zhan Zhak Rusoi (Jean-Jacques Rousseau) është një nga mendjet më progresive të shekullit të 18-të. Filozofia e tij ndikoi fuqishëm si Revolucionin Francez, ashtu dhe zhvillimin e gjithanshëm të mendimit modern politik, sociologjik e edukativ. Disa nga idetë e tij politike ndeshen te një nga veprat madhore të tij “Kontrata Sociale”, të botuar për të parën herë më 1762. Aty ai analizon edhe shëndetin e trupës politike…
Ç’bëhet me shëndetin e trupës politike?
Në traktatin e tij “Kontrata Sociale”, Ruso, midis të tjerash, ka nënvizuar: “…mënyra me të cilën trajtohen çështjet e përgjithshme mund të japë një tregues mjaft të sigurt për gjendjen aktuale të zakoneve dhe të shëndetit të trupës politike. Sa më shumë që të mbretërojë marrëveshja nëpër asambletë, domethënë sa më shumë mendimet t’i afrohen unanimitetit, aq më shumë vullneti i përgjithshëm është mbizotërues. Por debatet e zgjatura, përçarjet, rrëmuja, paralajmërojnë mbizotërimin e interesave të veçanta dhe të tatëpjetën e shtetit”…
Një sintezë kjo e thellë, por dhe një çudi e madhe, sepse, afro 252 vjet më vonë, pikërisht një përplasje e tillë, theksuar qartë nga Ruso në vitin 1762, po ngjet në Kuvendin e Shqipërisë, në asamblenë shqiptare të ditëve tona. Në fakt, në Shqipërinë e tranzicionit, “shëndetin e mirë” të trupës politike e kemi ndeshur vetëm në momente të veçanta, përgjithësisht kohëshkurta. Pak a shumë, një sjellje politike e shëndetshme u shfaq relativisht fuqishëm gjatë krizës kosovare. Edhe anëtarësimi në NATO, me ndonjë “xhelozi” e shmangie të pranueshme, mund të konsiderohet si i tillë. Po kështu, pavarësisht lojërave e ndikimeve jo patjetër pozitive, ankesave të sotme e pengesave të djeshme, edhe integrimi në BE pritet të jetë një mishërim i shëndetit të trupës politike, një pasqyrim i vullnetit të përgjithshëm, një mbizotërim i tij.
Por, në shumicën e rasteve ajo që ndodh në trupën politike shqiptare nuk është e shëndetshme. Madje, këtë e pasqyron më miri se kudo, çfarëdo e cilido, Kuvendi i Shqipërisë i kohëve të fundit. Aq sa qytetari normal shqiptar, jo militanti partizan e fanatik, edhe pa e ditur apo lexuar, pa e studiuar apo ndjekur mendimin filozofik të Rusoit, e ndien dhe e kupton më së miri se debatet pa bukë në Parlamentin shqiptar; përplasjet, rrëmuja e zgjatur dhe e skajshme politike; akuzat dhe fyerjet e ndërsjella, gjuha ekstreme e rrugës etj., janë shenja të qarta të shpërfytyrimit politik-njerëzor, një pasqyrim i mbizotërimit të egos për pushtet, i interesave të veçanta materiale, grupore, partiake e individuale, një demaskim publik i mashtrimeve propagandistike, premtimeve e veprimeve institucionale, një paralajmërim për tatëpjetën, për rënien e rolit, peshës, cilësisë dhe autoritetit të shtetit. Pikërisht një teatër i tillë publik, kjo tragjikomedi në sytë e këtij qytetari po e ul më tej fuqinë dhe autoritetin e shtetit, të institucioneve politike ekzekutive, legjislative e gjyqësore, përfshirë dhe vetë respektin publik ndaj shtetarëve kryesorë. Bile, ky i fundit, nga disa sondazhe pjesore ndodhet sot në nivele minimale. As media në shërbim të qartë të politikës nuk e “shpëton” dot këtë thyerje të madhe publike. Sa për dijeni, kjo nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por dhe në shumicën e vendeve të botës. Veçse, përmasa e saj është shumë më e theksuar, shumë më asfiksuese në kushtet shqiptare!…
Kur vullneti i përgjithshëm bëhet memec?!
Në mjaft vende, qeveritë dhe ministrat e tyre akuzohen për shkelje e abuzime financiare, për mitmarrje, për nepotizëm e punësime favorizuese partiake e familjare. Pjesë thelbësore e tyre mbetet korrupsioni politik, që më tej gjen kapërthimin e vet në labirintet e korrupsionit administrativ, deri duke sfiduar vlerësimin apo vendimmarrjen juridike. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh në kushtet shqiptare.
E thënë ndryshe, në jo pak raste, interesi personal vendoset në mënyrë abuzive mbi interesin e përgjithshëm. Dhe, më e keqja është se te ne gjithçka justifikohet, propagandohet apo pretendohet si rilindje apo ringjallje, si një domosdoshmëri e bërë apo që po bëhet në emër të së mirës publike, shërbimit e sakrificës, në interes të qytetarit të thjeshtë, progresit ekonomik e social të vendit. Pikërisht kur më shpesh ka ndodhur e ndodh e kundërta. Madje e shoqëruar ajo me mbulesa publike e lustra mediatike, me mashtrime e gënjeshtra në vazhdimësi, në premtime shtesë pa bazimin e duhur financiar. Një “teknologji e tillë suksesi”, më saktë pompimit të gënjeshtërt nuk mund të sjellë rezultatet e premtuara, për më tepër nuk të ushqen, pra dhe nuk jeton dot për një kohë të gjatë. Shenja të tilla po ndeshen edhe sot. Sidomos në kushte të vështira ekonomike-sociale fillon shumë shpejt rënia e mbështetjes, mosbesimi qytetar, reagimi, mospërfillja. Goditet, kështu, dhe autoriteti i shtetit, i vetë institucioneve të tij.
Në kushte të tilla, në ndihmë duhet të vinte media tradicionale e sociale. Në fakt, paralelisht me këtë rënie autoriteti shtetëror në syrin dhe mendjen e qytetarit, shqetësim tjetër serioz po bëhet deformimi i medias tradicionale, skajimi i orientimit, humbja e neutralitetit dhe e pavarësisë, vënia e saj në shërbim të politikës (kryesisht të qeverisë), përfshirë dhe pozicionimin e vagët apo me më pak peshë të vetë analizës. Një shpresë mbetet media sociale që brenda një kohe të shkurtër tronditi politikën, sidomos atë në pozitë. Një aspekt tjetër i dukshëm është zbehja e zërit të parlamentarizmit, pavarësisht krahut politik, trysnisë së përfaqësuesit të popullit ndaj vendimmarrjes së pa konsultuar, arrogancës së saj.
A mund të vazhdohet kështu? A mund të jetohet vetëm me ndërtim “fasadash”? A mund të heshtet kur flitet e flitet pa fund, me këmbë e duar, por pa i ndryshuar në thelb gjërat, sidomos ato me përmbajtje materiale?! A mund gënjehet “rehat fare” ndërkohë kur nepotizmi e servilizmi në emërime po bëhet gjithnjë e më evident? A mund të pranohet që të jetë pa ndikim zëri i qytetarit, që të bëhet akoma më i vagët opinioni publik, që të spekulohet me vetë interesat e përgjithshme? A mund të heshtet kur tentohet që të mbyllen gojët kundërshtuese?! A nuk duhet reaguar për çdo tentativë akumulim pushteti? Pa dyshim! Sepse, siç na kujton Rusoi: “…kur edhe interesi më i ulët stoliset pa pikë turpi me emrin e shenjtë të së mirës publike, atëherë vullneti i përgjithshëm bëhet memec”. Prandaj, nëse për këtë gjë mbyll sytë politika, sidomos ajo qeverisëse, atë nuk duhet ta lejojë qytetari i thjeshtë shqiptar. Në fund të fundit, çdo goditje ndaj së mirës publike, çdo kundërvënies ndaj vullnetit të përgjithshëm në funksion të egos së pushtetit shpesh apo vonë bie në supet e brishta të këtij qytetari!…