Reforma në Shëndetësi, një e drejtë e mohuar apo e vonuar!?

Nga Prof. Asoc. Edvin PRIFTI, Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, QSUT, botuar në Shqiptarja.com, 15 prill 2014

Tashmë jemi mësuar me përdorimin pa asnjë kriter të fjalës REFORMË , duke e bërë shpesh-herë edhe qesharake përdorimin e saj. Pikërisht ky tranzicion i gjatë i përbërë nga reforma dhe kundër reforma, bllokime të proceseve të caktuar dhe progresit, interesash lokale mediokre, “ideatore” ballkanas me potpuri orientale, e kanë kthyer fjalën e madhe “reformë” në një sinonim të talljes dhe përqeshjes. Jo gjithmonë ata që drejtojnë institucionë të caktuara kanë dëshirën dhe aspiratën e këtyre ndryshimeve thelbësore që i japin kuptimin fjalës “reformë”.

Kushdo që i drejtohet të tjerëve, premton reformën si fillimin dhe mbarimin e idesë, pa kuptuar se reforma dhe reformimi lindin mbi diçka, dhe cojnë më përpara një proces evolutiv. Dhe sigurisht, reforma në sistemin shëndetësor që është edhe sektori më i prekshëm dhe më problematik, do të rriste koeficientin e vështirësisë në ideimin dhe implementimin e saj, dhe duhet të ishtr e drejtuar në interes të të gjithë komponentëve përbërës të saj duke marrë trajtat e një “luteranizmi shkencor” ku besimi tek ky sistem (sola fide) të ndërthurej me reformën e ideuar dhe të shkruar (sola scriptura). Kjo edhe për faktin që një reformë mund të kryhet vetëm nga reformatorë dhe reformatorët janë individët të cilët parashtrojnë idetë dhe teoritë, të cilat demonstrohen hapur për të marrë konfirmim sa më të gjerë.

Nuk mund të jenë kurrësesi reformatorë individë të cilët shkencën dhe titujt shkencorë i konsiderojnë mjet këmbimi në natyrë, individë të cilët denigrojnë meritat, falsifikojnë shkencën, kryejnë plagjiatura, drejtojnë në mënyrën më egoiste dhe anakronike apo që kanë marrë titujt pa as më të voglin impenjim shkencor, duke u kthyer në “diverticulum” të panevojshëm të jetës akademike të një vendi.

Sistemi shëndetësor shqiptar, me shumë pak ndryshime në këto dy dekadat e fundit, ka mbetur ishulli i vetëm bolshevik në detin kapitalist që tashmë është Shqipëria, pavarësisht fillesave të një sektori privat. Është për të ardhur keq, që në këto dy dekada reformimi dhe modernizimi i këtij sistemi ka shërbyer thjesht për diskurse politike por aspak për të programuar ndryshimin e tij dhe përafrimin e mënyrës së organizimit të sistemit shëndetësor me vendet europiane. Çdo sistem shëndetësor mbështetet në disa kolona.

1.Kolona e  parë është sistemi i financimit i shëndetësisë. Financimi i sistemit shëndetësor duhet kuptuar si një investim që kryhet për të rritur cilësinë e jetesës si dhe një investim në burimet njerëzore të vendit, duke sjellë si produkt një shoqëri më aktive dhe më prodhuese.

Pas disa tentativash për ta kaluar sistemin tonë të financimit të shëndetësisë, pranë një modeli europian të tipit Bismarck, sistem ky tipik për Europën kontinentale, përsëri nuk u arrit të aplikohej dhe sistemi aktual është një sistem Semashko i përzjerë, sistem ky i cili u aplikua në Rusi pas revolucionit të tetorit. Qeveria aktuale është duke introduktuar disa koncepte të reja të sistemit të financimit anglosakson, sistem ky i aplikuar në Britaninë e Madhe dhe në vende të tjera të Commonwhealth, megjithatë ky është një proces i cili do të kërkonte një studim të mirëfilltë të gjendjes aktuale, burimeve të mundshme financiare si dhe të aplikimit të sistemit të DRG (diagnostic relatëd groups), sistem ky i cili pa dyshim që mund të aplikohet në momentin kur është aprovuar modeli i ICD (international classification of diseases – gjë e cila as nuk është menduar në vendin tonë).

Pa dyshim që jemi vendi që shpenzon më pak për shëndetësinë në të gjithë Evropën dhe jo vetëm. Për vitin 2013 ishin parashikuar jo më shumë se 2.7% dhe për vitin 2014 do të jetë 2.77% e GDP (produkti i brendshëm bruto) për sistemin shëndetësor e ngjashme kjo me vende si Etiopia (2.7% e GDP etiopianë për shëndetësinë) apo përafërsisht 9% e buxhetit total ndërkohë që vende si Botswana për vitin 2014 parashikuan 15.7% të buxhetit total për shëndetësinë ose vende si Zambia e cila alokon 11.8% të buxhetit total për sistëmin shëndetësor. Sigurisht, Shqipëria është akoma larg vendeve të tilla afrikanë për të mos përmendur vendet e Komunitetit Europian të cilët caktojnë për sistemin shëndetësor jo më pak se 10% e GDP së tyre si psh Hollanda e cila financon sistemin shëndetësor me 12% të GDP së saj dhe mendohet që në vitin e ardhshëm kjo faturë të shkojë edhe në 15% të GDP. Vendet e rajonit sikurse Serbia kishte vënë në dispozicion të sistemit kombëtar shëndetësor për vitin 2013, 5.3% të GDP së saj, afërsisht dyfishin e financimit të sistemit tonë shëndetësor.

Sigurisht pamjaftueshmëria e fondeve për sistemin shëndetësor sjell pamjaftueshmërinë e burimeve matëriale dhe njerëzore për pacientët, shpërndarjen e keqe të këtyre burimeve, korrupsionin e lidhur me shpërndarjen, teknologji të ulur etj. Kur pamjaftueshmërisë së fondeve i shtohet edhe menaxhimi dhe planifikimi i keq, mos fokusimi në misionin dhe objektivat e institucionëve të veçanta të sistemit shëndetësor, atëherë problematikat e këtij sistemi bëhen më të ashpra dhe më të mprehta.

2. Kolona e dytë e sistemit shëndetësor janë burimet njerëzore, mjekët, infermieret si dhe profesionët e tjera duke filluar nga menaxheret spitalore, ekonomistët, psikologët, inxhinierët biomedikale etj. Këta profesionistë kanë nëvojë të shkollohen, të edukohen profesionalisht si dhe të paguhen në mënyrë adeguate nga sistemi, në mënyrë që produkti që ata japin të jetë sa më pozitiv. Sistemi i edukimit të tyre ka marrë goditje të rënda në këto dy dekadat e fundit, për shkak të keq funksionimit të të vetmit Fakultët Mjekësie, mos financimeve në të, vjetërimit të skajshëm të kurrikulave ekzistuese dhe mos reformatimit të tyre sipas modeleve të shkollave europiane, si dhe për t’i vënë kapakun krijimin e Universitetit Mjeksor në janar 2013.

Në raportin vjetor të Shoqatës Europiane të Universiteteve (Definëe Interim Report), në dhjetor 2013, Thomas Estermann do të shprehej që universitetet e përqëndruara apo gjithëpërfshirëse, apo krijimi i “shoqërive universitare” duhet të jetë procesi europian i cili siguron mirëfinancimin dhe cilësinë e sistemit të lartë arsimor. Çuditërisht e kundërta ndodh në një vend si Shqiperia, aspirante për të marrë statusin e vendit kanditat në Komunitetin Europian.
Universiteti mjeksor në ideimin e tij është një shkollë teknike profesionale e tipit sovjetik.

Eksperienca e universiteteve mjekësore është një eksperiencë e Evropës Lindore dhe Azisë (kryesisht Irani). Kjo shikohet edhe në shtrirjen e këtyre universiteteve në vende si Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Polonia, Rumania, Moldavia etj. Por edhe Rusia, mesa duket ka filluar një proces më integral të sistemit të saj arsimor. Në keto tre vitet e fundit, reforma arsimore në Rusi ka çuar në krijimin e 9 universiteteve federale, dhe vetëm dy ditë pas aneksimit të Krimesë, u vendos krijimi i universitetit të dhjetë federal në Krime, i cili do të përmblidhte në vetvete një sërë universitetesh lokale duke krijuar një mega strukturë universitare e cila do të tentoje unifikimin e mendimit jo vetëm shkencor, filozofik dhe politik, por edhe të asaj kulture filo ruse, aq e nevojshme në nje territor të tillë. Është evident tashmë bunkerizimi i edukimit dhe karrierës profesionale të çdo mjeku universitar.

Kjo për arsyen e thjeshtë, pasi si Fakulteti i Mjekësisë, këshilli i profesorëve, senati dhe rektorati do të përbehet nga po të njëjtët individë. Ka humbur neutraliteti i senatit të universitetit në vlerësimin e karrierave dhe ecurisë shkencore. Kjo strukturë nuk ka barazpeshën e kontrollit dhe neutralitetit të gjykimit, gjë e cila prodhon një servilizëm të hapur dhe mungesë profesionalizmi. Mungon neutraliteti i senatit të një universiteti gjithëpërfshirës disiplinash.

Universiteti Mjeksor i Tiranës është në vendin 22010 në world web-ranking për vitin 2013 nga 22046 universitete në rang botëror. Afërsisht 99% e universiteteve afrikane janë në stad më të avancuar, përfshirë Sierra Leonw apo Burkina Faso, vendet më të varfra të globit. Nga 1325 universitete afrikane vetëm 17 universitete afrikane klasifikohen më poshtë Universitetit Mjeksor të Tiranës, për të mos e krahasuar me kontinentet e tjera. Ndërkohë që Universiteti i Tiranës, qëndron në vendin e 8669 në rankimin botëror.

Sigurisht që reforma në edukimin mjekësor duhet të jetë totale dhe aplikimi i saj duhet bërë sipas parimeve europianiste dhe të konventave që vendi ynë ka nënshkruar sikurse Karta e Bolonjës, Konventa e Lisbonës dhe ajo e Sorbonës. Autonomia universitare që eshtë prekur në mënyrë evidente në modelin e aplikuar tek Universiteti Mjekësor i Tiranës, si dhe në amendimet që kërkohen të bëhen në ligjin e arsimit të lartë prekin ndjeshëm këtë autonomi dhe eliminojnë plotësisht konkurrencën profesionale duke ia lënë vendin emërimeve të personalizuara, formave më të rënda të nepotizmit dhe paaftësise. Mungesa e zgjedhjeve të ndershme brenda kësaj strukture universitare, dhe kjo përqasje ka sjellë interferencë politike të menjehërshme duke e kthyer këtë univeristet në një plaçkë luftë me format e një njësie administrative. Autonomia universitare është një e drejtë e vendosur që në shekullin e XIII, që me krijimin e Universitetit të Bolonjës, dhe kjo është sanksionuar në Konventën e Bolonjës si një e drejtë e pamohueshme dhe e painterpretueshme universitare.

3. Kolona e tretë është teknologjia dhe infrastruktura. Sigurisht që kjo është evidente në sytë e të gjithëve. Investimet në infrastrukturë janë minimale, mjafton të përmendim që qytetit të Tiranës pavarësisht katërfishimit të popullatës nuk i është shtuar asnjë spital i ri. Duhet që financimet të përqëndrohen në zonat me urbane dhe metropolitane të vendit në mënyrë që të rritet efikasiteti i financimit, duke reduktuar financime të cilat kryhen për shkak të motiveve elektorale në komunat më të thella të vendit, duke sjellë një feed– bakc negativ. Gjithashtu teknologjia lë shumë për të dëshiruar dhe sigurisht që kjo sjell edhe mos trajnimin e mjekëve klinicistë me metodikat më të reja diagnostikuese dhe terapeutike.

4. Një raport i drejtë midis mjekësisë private dhe publike do të pershkallezonte konkurrencën dhe do të nxiste cilesinë e shërbimit duke sjellë në mënyrë të paevitueshme një përmirësim të cilësisë drejtuar pacientit. Sistemi privat duhet parë i konglomeruar me atë publik duke i kthyer operatorët private në segmente të sistemit shëndetësor kombëtar. Duhet në mënyrë urgjente të fillojë të aplikohet konvencionimi dhe akreditimi i strukturave private.
5. Menaxhimi i sistemit shëndetësor është një nga problematikat e tjera më të mprehta me të cilat vendi ynë perballet. Reformat në sistemin shëndetësor janë të bazuara në premisat se një transformim kulturor i organizimit spitalor sigurohet së bashku me ndryshimet strukturore dhe proceduriale për të ofruar përmirësime të dëshiruara në cilësi dhe performancë.

Ndryshimi i kulturës organizative spitalore është një element kyç i sistemit shëndetësor dhe sot sistemet shëndetësore kudo në botë janë duke u fokusuar në ripërtëritjen kulturore si një levë e mundshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Shumë shqiptarë të cilët janë diplomuar apo kanë kryer edhe studime pasuniversitare mbi menaxhimin spitalor nuk janë pjesë përbërëse e strukturës menaxhuese të sistemit duke sjellë boshllëk të madh si dhe nje administrim jo të mirë të burimeve që aktualisht disponohen.

6. Reformatimi i strukturave të licensimit, organizmave profesionale dhe konvalidimit të titujve duke u dhënë mundësinë çdo mjeku shqiptar apo i huaj, i cili është shkolluar brenda apo jashtë vendit në shkolla të njohura në sistemi une, të ushtrojë profesionin e tij në mënyrë të kontrolluar si dhe në funksion të aplikimit të „guidelines“ apo protokolleve ndërkombëtare.
7. Sistemi i sigurimit profesional të mjekëve dhe infermiereve, i cili do të kishte për bazë mbulimin e shpenzimeve në rast të gabimeve mjeksore të kryera, apo në rast të dëmit në punë, sikurse është kontaminimi personelit mjeksor gjatë ushtrimit të detyrës nga sëmundje sikurse HIV, Hepatiti C etj.

Në konkluzion, sistemi shëndetësor në Shqipëri ka nevojë për një reformim, reformatim dhe modifikim të plotë, duke kopjuar thjesht modelet europiane, pa bërë shpikjet tona ballkanase të cilat per fat të keq ngadalësuan në sa e sa raste evolucionin e popullit dhe vendit tonë. E drejta për t’u kuruar është një e drejtë universale e cila duhet t’ju ofrohet të gjithë shqiptarëve pavarësisht pozicionit të tyre klasor apo financiar, ashtu sikurse e drejta që mjeket dhe profesionistët e tjerë të jenë dhe të ndjehen të vleresuar dhe të mire trajtuar. Ky ekuilibër eshtë i domosdoshem per ecurinë pozitive të sistemit si dhe për kthimin e besimit të popullatës tek sistemi shëndetësor kombëtar. Për këtë rregullatori i vetëm dhe më i ndershmi eshtë nje sistem shëndetësor i modelit europian, i ideuar mbi bazat e solidaritetit, konkurrencës dhe cilësisë së lartë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi