Partitë politike nuk drejtohen sot nga platformat dhe idetë
Nga Artur Ajazi, botuar në Telegraf, 15 prill 2014
Historia e dy dekadave të fundit e demokratizimit të shoqërisë në Shqipëri është plot me ngjarje që shënojnë pjesë nga historitë e partive politike në këtë vend. Nga dy, sa ishin në fillim të viteve ‘90 tani janë 72, me gjasë se numri i tyre të rritet. Shqiptarëve u shtohet një parti çdo vit, edhe pse e dinë se, qëndrueshmëria e koncepteve politike matet me jetëgjatësinë e tyre. Sapo nis dobësimi i një partie, hop lindin dy të reja, duke vazhduar jetësimi i politikës dhe “lindjen” e liderëve të rinj, që dalin mbi gërmadhat e partisë nënë. Tek shqiptarët, duket se është krijuar bindja se, nuk u mungojnë koncepte të qarta politike, por u mungojnë liderë të rinj politik. Procesi anakronik i shtimit të numrit të partive, e ka dobësuar potencën politike, dhe shpjegon inferioritetin e tyre. Turrja pas koncepteve politike që ua imponon situata politike, tregon për mungesë të platformave të qarta dhe afatgjata. Kjo shpjegon edhe faktin se, partitë asnjëherë nuk e kuptojnë se janë në arenë për të konkurruar me ide, të cilat shpesh ato vetë nuk dinë t’i përdorin. Shihet qartë se, themelimi i partive të reja, nuk është rrjedhojë e kërkimit të koncepteve më efikase politike dhe veprimit më produktiv, por është e nxitur nga bindja se, paraardhësit e tyre politikë, ishin të lodhur dhe duhej të zëvendësoheshin me të rinj. Politika shqiptare prej 2 dekadash vuan nga bajraktarizmi, gjë e cila ka sjellë edhe dëshpërimin e popullit. Dëshpërimi është i paevitueshëm, pasi partitë e reja nuk e mbështesin ardhmërinë e shqiptarëve me oferta konkrete politike, por bëjnë politikë vetëm për interesat e tyre, apo më qartë të prijësit të tyre. Partitë e reja në Shqipëri, janë cilësuar si “pjellë e vetëpëlqimit, inatit dhe e xhelozisë”, pasi ato mendojnë se, koncepti dhe programi politik, mund të jetë vetëm emri i liderit të tyre. Pas themelimit të PD- së dhe PS-së, shqiptarët filluan të besonin se do të kenë dy parti, e djathta dhe e majta, por shpejt ata panë se, krahas tyre, nisën të formohen të tjera parti. Shqiptarët gjithnjë e më shumë po binden se, partitë politike dallojnë nga njëra-tjetra në gjëra shumë të vogla. Shqiptarët që mendojnë se, procesi i ndarjes së faktorit politik ka përfunduar, gabohen. Por shumica e tyre e dinë se, partitë politike drejtohen sot, jo nga platformat dhe idetë, por nga interesat e bajraktarëve të tyre. Liderët e rinj politikë nuk janë të interesuar të sforcojnë partitë ekzistuese, por vrapojnë të themelojnë partitë e tyre të reja, që shpesh në zhargonin e ditës quhen edhe “partiçka”. Liderët e rinj duan të realizojnë atë që kanë realizuar “të vjetrit”, pra të jenë “sulltanë ” në partinë e tyre, dhe këtë e shfaqin qysh muajin e parë. Pluripartizmi në Shqipëri është bastardizuar në ato përmasa sa çdo qytet e komunë mund të ketë sot ose në të ardhmen partinë e vet, pra, këtu nuk mund të flitet për demokraci, por për “bajraktarokraci”. Zhvillimi i “bajraktarokracisë” në politikën shqiptare është fryt i mungesës së ndërgjegjes qytetare të shumicës së popullit, i cili ende beson se, “lideri partisë është prijësi, është komandanti, është …Zoti tyre”. Kjo nuk bën aspak përjashtim nga mentaliteti i turmës që e shoqëroi këtë vend për 45 vjet dhe që po e shoqëron akoma edhe sot e kësaj dite, tek shikon realitetin gjymtues dhe paradoksal, dhe zhvillimin e vonuar të partive politike, të cilat duket se vetëm të tilla quhen, pasi demokratike nuk mund të jenë përderisa shfaqen të shterpëzuara në ide, platforma dhe ardhmërinë e tyre.