Ministria e Financave: Shlyhet TVSH e parimbursuar, paguhen 85 mln USD
Ministria e Financave, 15 prill 2014
Zerohet fatura e TVSH-se së prapambetur. Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur për News24 se është bërë likuidimi i të gjithë TVSH-së së parimbursuar në vite deri më 31 dhjetor 2013.
Sipas burimeve të mësipërme, në muajin mars të këtij viti, sapo qeveria shqiptare miratoi strategjinë e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe individëve, Ministria e Financave publikoi listën me subjektet dhe faturat për likuidim.
Deri më tani, ky dikaster ka zhbllokuar rreth 160 milionë dollarë detyrime të prapambetura në sektorët e investimeve publike, rimbursimit të TVSH dhe atij energjetik. Në lidhje me rimbursimin e TVSH, Ministria ka shpallur listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, me vlerë rreth 85 milionë dollarë.
“Pra, nëse për likuidimin e borxhit ndaj firmave private tek investimet publike Ministria është duke procesuar për vitet 2010-2011, te rimbursimi i TVSH ka avancuar duke mbyllur kështu 2013-n” shpjegojnë burimet e mësipërme.
Nëse llogariten edhe detyrimet e paguara në Dhjetor, në total fatura e borxheve të vjetra të shlyera deri më tani arrin rreth 200 milionë dollarë. Për vitin 2014, është parashikuar në buxhet të shlyhen rreth 350 milionë dollarë fatura të prapambetura dhe nga ecuria e deritanishme rezulton se është paguar gati më shumë se gjysma.