Amnistia fiskale, një histori që duhet të marrë fund

Nga Zef Preçi, botuar në Shqip, 15 prill 2014

Komisioni i Ekonomisë i Kuvendit miratoi më në fund projektligjin e deklaruar një muaj më parë, sipas të cilit amnistohen mbi 4 mijë gjoba tatimore të vendosura ndaj bizneseve në periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013, d.m.th gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013 dhe trancizionit të pushtetit në duart e mazhorancës së majtë. Në themel të relacionit përkatës dhe argumentimit të projektligjit nga qeveria, qëndronte përcaktimi i këtyre gjobave “en block” si “abuzive dhe të motivuara politikisht”. Për rrjedhojë pritet që nga taksat e shqiptarëve të falen rreth 3.3 miliardë lekë, d.m.th kjo është shuma e parave që do të ishte paguar nga subjektet private, të cilat janë ndëshkuar nga administrata tatimore për mospagim taksash (evazion) dhe deformim të konkurrencës në treg.

Nga një shqyrtim i përgjithshëm i kësaj situate nga pikëpamja e bazueshmërisë ligjore, arsyetimit dhe mbi të gjitha të konsekuencave apo të pritshmërive që krijon, mendoj se mund të tërhiqen edhe disa konkluzione, të cilat mendoj se mund t’u vijnë në ndihmë ligjvënësve në momentin e shqyrtimit të projektligjit në fjalë në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Nisur nga përvoja (përgjithësisht problematike) e marrëdhënieve të krahut financiar të qeverisë (administratës tatimore e doganore) me komunitetin e biznesit dhe implikimeve të fushatave zgjedhore si ajo e vitit që shkoi, vendosja e gjobave nga ana administratës fiskale është një proces “rutinë” dhe më shumë se me fushatën elektorale të radhës lidhet me raportin ndërmjet sipërmarrjes dhe qeverisë. Çdo vit, mijëra biznese gjobiten nga administrata tatimore, kryesisht për shkaqe të përligjura (për mosraportim në afatin e përcaktuar nga ligji, fshehje detyrimesh për tatim-taksat, për sigurimet shoqërore, doganat, etj.), por edhe subjektive (p.sh. në periudhat parazgjedhore – kryesisht për grumbullimin e fondeve të paligjshme për fushatat elektorale, por edhe për “nxitimin” e një numri tatimorësh për të “bërë ndonjë lek”, mbasi “ndihen të kërcënuar nga ndryshimet politike që sjellin zgjedhjet, etj.). Në këtë grupim të dytë përfshihet edhe presioni politik për grumbullim fondesh në favor të një formacioni apo grupimi politik ashtu edhe “ndëshkimi” për plane “kundërshtare”, duke përdorur fuqinë e pushtetit fiskal. Gjej rastin të vë në dukje se përvoja e tranzicionit shqiptar ka treguar se bizneset përgjithësisht dhe jozyrtarisht “kontribuojnë” në fushatat elektorale (askush nuk dëshiron t’i përmendet emri) njëkohësisht – edhe majtas edhe djathtas… Gjithashtu është një fakt i njohur se evazioni fiskal i “prodhuar” nën influenca politike nuk ka përkatësi të mirëfilltë partiake, por ndikon negativisht mbi jetën e qytetarëve duke pakësuar të ardhurat e buxhetit të shtetit, duke ushqyer korrupsionin politik, etj. Nuk e teproj të them se këtu duhet kërkuar edhe shndërrimi në disa raste i administratës fiskale në “fidanishte politikanësh” apo “kërcimi” nga njëri grupim politik në tjetrin në emër, jo aq në emër të mbrojtjes së parimeve të shpallura demokratike, por mbi të gjitha për llogari të ruajtjes dhe shtimit të kapitaleve të akumuluara në rrugë të ligjshme dhe të paligjshme njëkohësisht.

Nisur nga argumentimi zyrtar i projektligjit të saposhqyrtuar në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit, mendoj se ky dokument reflekton një motivim thjesht politik (ka qenë ndër premtimet e fushatës elektorale të z. Rama, i rikonfirmuar në takim të mëvonshëm me përfaqësues të komunitetit të biznesit). Por, njerëzit e biznesit dhe ekonomistët e dinë mirë se gjoba rrjedh nga detyrimi tatimor (llogaritet mbi të), d.m.th nëse njëra është e paligjshme dhe e motivuar politikisht (siç pranohet për gjobat në fjalë), atëherë sipërmarrjeve të penalizuara në këtë mënyrë, ju lind e drejta të kërkojnë edhe faljen e detyrimit d.m.th. shuma e falur nga taksat e qytetarëve shqiptarë prej 3.3 miliardë lekësh rrezikon të rritet 1.5-2 herë, duke rrezikuar kështu seriozisht financat publike dhe në kushtet e taksave të rritura përmes zbatimit të tatimit progresiv, duke filluar nga janari i këtij viti. Kjo edhe për faktin se periudha që bëhet fjalë është në mes të vitit fiskal, gjë që nuk mund të mos ndikojë negativisht në të ardhurat tatimore në tërësi.

Nga informacionet e publikuara në media rreth diskutimit në Komisionin e Ekonomisë, ende askush nuk mund të japë ndonjë hollësi në ç’masë subjektet e biznesit që janë gjobitur (mbi 4 mijë të tilla) a kanë proceduar sipas ligjit d.m.th. sa prej tyre kanë apeluar në instancat përkatëse “ndëshkimin politik” siç është deklaruar në fushatën e zgjedhjeve të 2013-s, sa prej tyre kanë paraqitur ankim gjyqësor, etj., dhe cili ka qenë qëndrimi i këtyre institucioneve. Kjo do t’i jepte mundësinë Kuvendit dhe publikut për të verifikuar dhe për të gjykuar gjithashtu edhe mbi performancën e tyre, presionin korruptiv ndaj biznesit të supozuar në këtë rast, klientelizmin, etj., dhe ndoshta në këtë proces analize, mund të ishin konstatuar edhe format e shfaqjes së presionit politik të hapur apo të fshehtë mbi biznesin. Por ndjekja e kësaj rruge, e parashikuar në legjislacionin tatimor në fuqi, kërkon detyrimisht trajtimin rast pas rasti të “ndëshkimeve elektorale” të pretenduar, ashtu siç edhe mendohet se mund të kenë ndeshur nga administrata tatimore e mëparshme.

Duke e parë amnistinë fiskale të çfarëdo lloji duke përfshirë edhe këtë që diskutoi sot Komisioni i Ekonomisë i Kuvendit si një “armë që duhet çuar në muze” apo si një trashëgimi e tranzicionit për të cilën asnjë qeveri nuk duhet të ndihet krenare, mendoj se interesat e vendit shërbehen më shumë nëse për këtë çështje qeveria, komuniteti i biznesit dhe palë të tjera të interesuara ndërmarrin një analizë të plotë të ndikimit të faljeve mbi jetën ekonomike të bizneseve, mbi konkurrencën dhe mbi ekonominë kombëtare në tërësi.

Personalisht jam kundër faljeve të tjera të reja pas amnistive fiskale të dështuara të PS dhe PD, (e para me detyrimet e sigurimeve shoqërore një dekadë më parë dhe e dyta përpara tre-katër viteve me detyrimet tatimore të papaguara nga subjektet private). Çdo ndërhyrje tjetër e ngjashme në legjislacionin tatimor, qoftë edhe pjesore në pamje të parë si kjo që po diskutojmë, mendoj se ndikon negativisht jo vetëm në performancën fiskale të vitit fiskal ushtrimor, por mbi të gjitha, mban gjallë psikologjinë e dëmshme të faljes në të ardhmen të taksave për subjektet që nuk përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit, duke demotivuar njëkohësisht pjesën tjetër të biznesit dhe qytetarët shqiptarë që janë në shumicë e që i përmbushin këto detyrime rregullisht dhe sipas ligjit.

Në interes të transparencës publike lidhur me projektligjin në fjalë, mendoj se është edhe qartësimi i rrethit të sipërmarrësve që përfitojnë 3.3 miliardë lekë që do t’i pakësohen buxhetit të shtetit për vitin 2014 nga miratimi i pritshëm i tij nga Kuvendi në ditët që vijnë.

Në një këndvështrim më të gjerë, mendoj se duhet të marrë fund periudha e revanshit apo e krijimit të avantazheve të njërit lob të biznesit ndaj tjetrit që kanë prodhuar periodikisht zgjedhjet politike në Shqipëri, se sipërmarrjet duhen edukuar të respektojnë ligjet, pavarësisht se cili grupim politik është në pushtet, dhe jo të krijohen mekanizma të tillë që dashur padashur nxitin ndarjen politike të bizneseve dhe krijojnë terren për shkeljen e konkurrencës apo më keq, për përdorimin politik edhe nga vetë biznesi të fushatave elektorale edhe në të ardhmen…

Ne këtë aspekt, çmoj se interesat e vendit do të ishin shërbyer më mirë nëse qeveria dhe Kuvendi do të fokusohen në rishikimin, plotësimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor përmes nismave ligjore që përmirësojnë klimën e biznesit dhe nxisin rritjen e konsumit prodhues dhe nga qytetarët, që zgjerojnë punësimin dhe kreditimin e ekonomisë reale, që krijojnë një klimë të besimit reciprok midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit.

Jetojmë në një kohë kur zbehja deri në zhdukje e dallimeve midis biznesit dhe politikës, përfshirja përherë e më e gjerë e sipërmarrësve në jetën politike të vendit, “pompimi” në rritje i parave të dyshimta dhe transparente në masmedia dhe në formacionet politike të vendit kërcënon arritjet themelore demokratike të vendit dhe qeveria ka barrën dhe përgjegjësinë publike të evitojë politikat fiskale populiste dhe të kontribuojë, përmes reformave të premtuara, në forcimin e konkurrueshmërisë dhe të barazisë së bizneseve përballë ligjit dhe jo e kundërta.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi