2010-2013, Investimet e Huaja kalojnë dërgesat e emigrantëve
Sipas Open Data Albania, 14 prill 2014
Gjatë periudhës 2010-2013 vlera e Investimeve të Huaja Direkte është më e lartë se vlera e dërgesave të emigrantëve apo siç njihen ndryshe, remitancat. Open Data Albania ka përditësuar të dhënat e Remitancave dhe Investimeve të Huaja Direkte (IHD) për periudhën 2010-2013. Gjatë kësaj periudhe vlera e Investimeve të Huaja Direkte është më e lartë se vlera e Remitancave. Në vitin 2010 shënohet edhe diferenca më e lartë mes vlerës së remitancave si dërgesa të emigrantëve dhe vlerës së investimeve të huaja direkte. Sipas studimit në fund të vitit 2013, investimet e huaja direkte shënuan vlerën maksimale të 10 viteve të fundit, duke arritur në 923 milionë euro. Rritja shënon një kthesë pozitive për IHD pas rënies së vazhdueshme në vitet e fundit. Nga ana tjetër, dërgesat e emigrantëve, remitancat kanë zbritur me shpejtësi. Gjatë 2013-ës, remitancat u ulën në 500 milionë euro, duke shënuar vlerën më të ulët të 10-viteve të fundit. Kjo konfirmon rënien e kontributit të dërgesave të emigrantëve në ekonominë vendase, në kushtet kur kriza ekonomike në Europë, ka ulur ndjeshëm të ardhurat e tyre. Nga të dhënat rezulton se remitancat kanë shënuar vazhdimisht rënie, ndërkohë që investimet e huaja direkte kanë patur një performancë më pozitive. Gjatë vitit 2013 diferenca ndërmjet remitancave dhe IHD është ndjeshëm në kahun e investimeve të huaja, duke konfirmuar kështu uljen e peshës së emigrantëve dhe kontributit të tyre në ekonominë vendase. Gjithsesi tendenca për të pasur investime të huaja dhe treg më të mirë punësimi në vend, është ende tepër e brishtë dhe jo e qëndrueshme, në një kohë kur rritja e tyre ka ardhur si pasojë e privatizimeve dhe jo investimeve direkte nga kompani të huaja në vend. Open Data Albania ka përditësuar gjithashtu edhe të dhënat mbi raportin se si qëndron vlera e Remitancave tek Investimet e Huaja Direkte. Të dy këta indikatorë janë flukse hyrëse të bilancit të pagesave dhe janë dy tregues të rëndësishëm për rritjen e ekonomive kombëtare. Në një hark më të gjatë kohor prej dhjetë vitesh 2002-2012, raporti i këtyre dy vlerave paraqitet tepër interesant. Në 2002- 2006, investimet e huaja direkte qëndronin në vlerë inferiore kundrejt dërgesave nga emigrantët. Në këtë katërvjeçar emigrantët sillnin në atdhe 3 – 4.5 herë më shumë euro seç sillnin investitorët e huaj direkt. Viti 2006 – 2013 është vit me rritje progresive të vlerave të investimeve të huaja direkte. Ky hark kohor shënon një moment pozitiv për ekonominë vendase. Duke bërë këtë lloj analize krahasuese, se si pozicionohen remitancat kundrejt IHD-ve hulumtohet me kujdes roli i secilit tregues dhe i të dyve sëbashku në ekonominë e brendshme. Kjo përqindje ka ardhur duke u ulur çka vërteton edhe njëherë faktin që nëse në periudhën e parë të dhjetëvjeçarit remitancat ndihmonin ekonominë të zhvillohej duke qenë se zinin një pjesë shumë të rëndësishme të PBB, në pjesën e dytë kjo situatë ndryshon në favor të IHD-ve.
Si kanë qenë dërgesat e emigrantëve në vitin që lamë pas?
Në gjysmën e parë të vitit që lamë pas emigrantët kanë nisur 227 milionë kundrejt 338,1 milionë eurove të dërguara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Me këto shifra dërgesat e emigrantëve përbëjnë vetëm 7% të PBB të Shqipërisë. Kjo sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë që tregojnë se tashmë ekonomia shqiptare mund të ketë gjithnjë e më pak mbështetjen e këtij faktori që mund të vazhdojë të pësojë rënie. Sipas një vrojtimi të BSh-së, në vitin 2009, në Shqipëri përfitojnë dërgesa të rregullta nga jashtë rreth 160 mijë familje dhe 26% e tyre, nëse nuk do t’i kenë këto të ardhura, bien nën nivelin e varfërisë. Rënia e dërgesave të emigrantëve lidhet drejtpërdrejt me kushtet në vendet ku ata jetojnë. Dhe thellimi i krizës e rritja e papunësisë në Itali e Greqi nuk kanë bërë tjetër veçse i kanë përkeqësuar kushtet e jetesës së emigrantëve e për rrjedhojë aftësinë e tyre për kursim e për dërgesa parash në vendlindje. Por një faktor tjetër i rënies së dërgesave është ngulitja e emigrantëve në vendet ku kanë shkuar, dhe ku kanë ngritur familje apo kanë tërhequr ndërkohë familjarët e tyre.