Presidenti Nishani: “Mbi përgjegjësitë”
Koment mediatik i Presidentit Nishani, 10 prill 2014
Thellohet konflikti mes Presidentit dhe mazhorancës qeverisëse në lidhje me reformat në vend, ku përplasja kryesore po vihet re te sistemi i drejtësisë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nëpërmjet një komenti personal, i titulluar “Mbi përgjegjësitë”, shpreh rezerva për mënyrën se si po bashkëvepron ekzekutivi shqiptar me sistemin e drejtësisë. Në artikullin e bërë publik në mediat vizive, ku perifrazohen elementet që e bëjnë një shtet demokratik dhe diktatorial, Nishani jep alarmin: “Qeveria të ndalë urgjentisht shantazhimin e gjyqtarëve nga ministri i Brendshëm”. Komenti i cili ka në thelb analizimin e kërkesave të qeverisë ndaj Presidentit dhe masave që duhet të marrë për sistemin gjyqësor, e cilëson mënyrën sesi po vepron qeveria me përcaktime të forta nga regjimet komuniste, si “stahanovizmin sovjetik”, “Daci Bao-t maoceduniane”, “Fletërrufetë enveriste”. “Qeveria të ndalë urgjentisht sulmet politike ndaj Presidentit të Republikës, roli kryesor i të cilit në këtë mes nuk është t’u përgjigjet letrave të hapura kundër ‘gjyqtarëve të lidhur me krimin’, që të kujtojnë stahanovizmin sovjetik, Daci Bao-t maoceduniane, fletërrufetë enveriste, por ai i garantit për të mos lejuar interferimin e drejtësisë me pushtetet e tjera dhe mbrojtjen nga rreziku i kapjes së saj nga grupet e interesit”, theksohet fort në koment. Aty shtohet se: “Pretendimi për ta identifikuar Presidentin e Republikës me Drejtësinë në përgjithësi, është një sulm politik, një ‘naivitet’ malinj i pashoq”. Nishani e konsideron krejt të pavend angazhimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në çështjet e drejtësisë duke deklaruar se së paku kjo detyrë i përket ministrit të Drejtësisë. “Për verifikimin e shkeljeve procedurale në gjykata, qeveria të mos aktivizojë ministrin e Brendshëm, por atë të cilit i përket kjo detyrë, ministrin e Drejtësisë. Ministri i Brendshëm nuk mund të ‘gjykojë’ një vendim gjykate. Aq më pak kur rastet në fjalë janë ende në gjykim. Është i pari rast në historinë e Shqipërisë postdiktatoriale që një ministër i Brendshëm ‘gjykon’ një vendim gjykate, dhe nuk e le ta bëjë këtë një gjykatë më e lartë. Respektimi i drejtësisë dhe përpjekjet për ta përmirësuar drejtësinë, të cilat ministri i bën lëmsh, janë dy gjëra të ndryshme që kurrsesi nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën. Pretendimi për ta përmirësuar drejtësinë, duke mos e respektuar, është një gabim shumë i madh, tejet i dëmshëm, tepër i rrezikshëm, që nuk i lejohet absolutisht askujt, e jo më një ministri”, – vijon Nishani argumentin e tij. Presidenti i Republikës nuk nguron madje të sulmojë në mënyrë personale ministrin e Brendshëm, Tahiri, duke i konsideruar sjelljet e tij banale dhe lëvizjet manipulative. Madje ai e akuzon Tahirin për mënyrën se si policia po lufton krimin e organizuar në vend ku justifikimin e gjen te sulmet ndaj Presidentit. “Ministri i Brendshëm, në mënyrë të përsëritur, ka tentuar të transferojë përgjegjësitë nga vetja te Presidenti i Republikës. Ajo që më së shumti bie në sy në këtë rast është diçka joserioze, e padenjë, banale: Ministri, në pamundësi të frenojë institucionalisht dhe individualisht fluksin e krimeve që po ndodhin, përmes transferimit të përgjegjësisë te Presidenti, rreh të pakësojë fluksin e kritikave që po i bëhen. Policia e Shtetit të përmbushë detyrat e saj duke bërë sa mundet në parandalimin e krimeve, mes të tjerash, si në rastin në fjalë, duke mbajtur në mbikëqyrje personat ende në gjykim”, theksoi kreu i shtetit. Në pjesën e fundit të komentit të tij, Nishani thekson se ai është i vetëdijshëm që drejtësia shqiptare ka nevojë të reformohet, por se kjo duhet bërë brenda ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar. Drejtësia ndreqet duke e respektuar Drejtësinë. “Drejtësia ndreqet duke marrë secili përgjegjësitë që i përkasin, pra duke vepruar institucionalisht. Duke denoncuar në Prokurori gjithçka që vlerësohet e padrejtë, e dënueshme, kriminale, etj. Të bëjmë çmos ta “drejtojmë” Drejtësinë. Duke mbajtur dhe duke zbatuar secili përgjegjësitë e veta. Qytetari i pari. Me respektimin e ligjit, seriozitetin, punën, votën e vet. Pastaj politikani, ligjbërësi, prokurori, gjykatësi, polici etj.”, e mbyll komentin e tij, Presidenti i Republikës.