Për një reformë të drejtë territoriale

Nga Eqerem Yzeiri, Pedagog i Gjeografisë Politike dhe Gjeografisë Rajonale të Botës në Dep. e Gjeografisë të UT, botuar në Panorama Online, 10 prill 2014

Ka më se dy muaj që opinioni publik është bombarduar me njoftime mediatike, gati të përditshme, për reformën e ndarjes së re territoriale-administrative. Meqe-nëse në këtë debat kanë mbizotëruar tonet politike dhe pak ose aspak janë dëgjuar ekspertë si gjeografët, historianët, ekonomistët, etnologët, juristët etj., e ndiej për obligim që ta trajtoj këtë problem edhe nga këndvështrimi i Gjeografisë Politike.

Përvoja botërore e modeleve të Francës, Italisë, Nigerisë, tregojnë se reforma territoriale administrative kryhet për 3 motive: a) si pasojë e ndërrimeve dramatike të pushteteve apo regjimeve (rasti i Francës); b) për të ruajtur balancat e trashëgimisë historike midis krahinave të ndryshme përbërëse shtetformuese, (rasti i Italisë); c) për të forcuar kohezionin e shtetit dhe dobësuar kohezionin e etnive përbërëse të tij (rasti i Nigerisë). Këto modele natyrisht nuk përjashtojnë raste të rikonfigurimit të ndarjes administrative-territoriale në kushte të zhvillimeve normale ekonomiko-sociale. Rasti i Shqipërisë tregon se rindarjet territoriale-administrative janë realizuar nga forcat politike në pushtet “duke vrapuar” dhe pa u paraprirë nga studime specifike. Për pasojë, këto ndryshime në pjesën dërrmuese të tyre, janë frymëzuar nga përfitimet politike të momentit dhe jo nga nevojat reale që shtroheshin përpara shoqërisë. Kësisoj ato janë të shumta në numër duke e bërë vendin tonë unikal në këtë përvojë aspak pozitive, dhe reflektojnë elemente të arbitraritetit në vendimmarrjen politike duke iu larguar kritereve shkencore. Do të duhej shumë vend që të analizohej secila prej ndarjeve të mëparshme veçmas, por përvoja bën që të ekzistojë shqetësimi se edhe kjo e reja mund të “bitiset” si të tjerat.

* * *

Fillimisht mund të shohim shkurtimisht argumentet e dhëna deri tani për domosdoshmërinë e saj. Reforma territoriale-administrative, është shprehur dikush, është e imponuar nga borxhi i madh dhe, për pasojë, duhet krasitur ky sistem i tejfryrë i të punësuarve dhe të zgjedhurve vendorë, për ta bërë ndarjen territoriale-administrative dhe nivelin e njësive të qeverisjes vendore më funksional dhe më efikas. Dikush tjetër e kërkon reformën territoriale-administrative për shkak se shërbimet që ofrojnë institucionet vendore lënë shumë për të dëshiruar, ndërkohë që dikush tjetër e trajton domosdoshmërinë e kësaj sipërmarrje si plotësimin e një kushti apo kërkese të ndërkombëtarëve. Ndonjëri e sheh reformën si mundësinë e artë për të tejkaluar elementin absurd të realitetit të ndarjes së njësive vendore në “bashki e komuna”, gjë që çon në ndarjen e shtetasve të Shqipërisë në dy kategori, qytetarë dhe fshatarë, ndarje kjo damkosëse dhe nëpërkëmbëse, ndërsa ndonjë tjetër mendon se reforma duhet t’i kënaqë të gjithë, përfshirë dhe minoritetet etnike (“Mapo”, 10.3.2014). Ndonjë deputet ka zbuluar faktin se domosdoshmëria për të kryer këtë reformë vjen sepse “kemi dështuar me plot kuptimin e fjalës në një politikë të qartë në drejtimin e qarqeve” (gazeta “Shekulli”, 12 mars 2014), ndërsa ndonjë studiues, duke u pozicionuar në pozitat oportuniste e sheh sipërmarrjen e madhe të “bitisjes” së ricopëtimit territorial-administrativ të vendit si një eksperiment dhe propozon që “qeveria ta realizojë këtë ndarje për katër vite që vijnë në mënyrë që t’i jepet koha e mjaftueshme për konsolidimin e këtyre rajoneve”. Në argumentet e cituara më sipër, por edhe në shumë të tjera të kësaj kategorie që mund të radhitnim, konstaton më së paku amatorizëm. Ndërkohë, është pozitiv fakti se pedagogët e Departamentit të Gjeografisë të UT-së kanë një qasje më realiste, profesionale dhe shkencore për argumentimin e kryerjes së kësaj reforme. Kjo vjen ndoshta edhe për faktin se ata kanë si objekt të trajtesave tyre shkencore problemet e territorit dhe të hapësirës. Kështu, prof. Ziu thekson se “kjo ndarje administrative-territoriale duhet të lehtësojë çdo aspekt të menaxhimit dhe kontrollit të territorit, duke ofruar resurse të nevojshme për zhvillimin e çdo njësie”. Po ashtu, prof. Doka thekson se “organizimi i ri, që diskutohet, ka shansin të shmangë probleme të tilla (fjala është për trashëgiminë e hidhur të cikleve të pandërprera të ndryshimeve në këtë drejtim – shënimi im), duke u mbështetur vetëm në kritere të mirëfillta natyrore, humane, ekonomike dhe kulturore që bashkojnë apo ndajnë njësi të ndryshme, duke mbajtur mirë parasysh dallimet e mëdha që janë vërejtur dy dekadat e fundit në zhvillimet rajonale dhe lokale” (“Panorama”, 23 mars 2014).

* * *

Tani, le të shtjellojmë me sy kritik shkencor propozimet e riorganizimit territorial-administrativ të paraqitura deri tani. Propozimi i parë është ai i z. Bufi në emër të shoqatës ShtetiWeb. Ky variant niset nga premisa se kemi qeverisje vendore të fragmentarizuar, por jo të tejskajshme. Njësitë vendore administrojnë vetëm 7% të fondeve publike dhe 93% e shpenzimeve kryhen nga qeveria qendrore”. Premisa është thjesht ekonomike. Propozimi i tij për të kapërcyer këtë situatë është që vendi të rikonfigurohet administrativisht në 6 rajone: 1. Tirana, rajon më vete e me një status të veçantë; 2. Rajoni i Arbrit (987594 banorë) me 22 bashki; 3. Rajoni i Muzakajve (737317 banorë) me 19 bashki; 4. Rajoni Elbasan-Korçë (822 080 banorë) me 19 bashki; 5. Rajoni Kaonët (510 382 banorë) me 16 bashki; 6. Rajoni i Shkodrës (617 835 banorë) me 21 bashki. (“Panorama”, 8 mars 2014; “Shekulli”, 12 mars 2014). Me gjithë problematikën e madhe që mbartin brenda secilit prej rajoneve të propozuara përsa u përket numrit të popullsisë, madhësisë së territorit, nivelit ekonomik të ndryshëm të pjesëve përbërëse (bashkive), dallimeve kulturore, trashëgimisë historike, dhe shtrirjes gjeografike etj., edhe emërtimi i këtyre rajoneve është shumë i diskutueshëm sepse nuk ka kriter të njehsuar. Kësaj ndoshta nuk u shpëtojnë as emërtimet e 89 bashkive të propozuara prej tij.

* * *

Disa emërtime bazohen në trashëgiminë historike, disa të tjera në emërtimet aktuale, pa folur pastaj për kompozita pa kuptim si rajoni El-Ko (Elbasan-Korçë) etj. Emërtimi “Rajoni i Arbrit” dhe “Rajoni Kaonët” na kthejnë në periudhën e zhvillimeve fisnore pa asnjë eksperiencë administrative dhe aq më pak shtetformuese, të pakrahasueshme me modelin italian të emërtimit të provincave, që trajtuam më sipër. Të emërtosh “Rajoni i Arbrit” një njësi administrative-territoriale të Shqipërisë së Mesme është shpërdorim i përdorimit të këtij emri, i cili sipas prof. Çabejit është sinonim i popullsisë shqiptare në trevat e gjera gjeografike shqipfolëse nga Jugu në Veri. Profesori i nderuar thotë se “…emri me të cilin të huajt quajnë popullin tonë (Albaner, Albanais, Albanese etj.) ka qenë i përdorur dikur përgjithësisht si emër populli edhe në tokën shqiptare”. Areali i përdorimit të këtij emri është mjaft i gjerë duke filluar nga Labëria deri në Veri, në formën Arbënesh. Është kondërproduktive, që këtë emër, me rezonancë mbarëkombëtare, ta përdorim për të emërtuar një rajon shumë të diskutueshëm. Për më shumë mund të shihet Eqrem Çabej, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë 1994, f. 9-16. E njëjta konsideratë vlen edhe për emërtimin “Rajoni Kaonët”. Kaonët janë një “fis epirot që banonte gjatë bregut të Jonit prej lumit Thyamis (sot Kalama) në Jug, deri në malet Akrokeraune në Veri, dhe në krahinat e brendshme të luginës së Drinosit. Kaonët ishte një nga tri fiset kryesore epirote, krahas Molosëve e Tesprotëve- dhe përbënin një bashkësi (koinon) të ndërtuar mbi bazat e sistemit federativ. Spas Tukiditit , koinoni i Kaonët nuk e njihte pushtetin e mbretit” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2008. F. 1110).

Propozimi i dytë është ai i bërë publik nga z. Shutina në emër të Co-Plan. Varianti i parë i tij mbron idenë e ndarjes territoriale-administrative në 4 rajone: 1. Rajoni i Shkodrës (me qarqet aktuale të Shkodrës, Lezhës, Kukësit dhe Peshkopisë; 2. Rajoni Qendror (me qarqet aktuale Durrës. Tiranë dhe Elbasan); 3. Rajoni Lindje-Perëndim (me qarqet aktuale Korçë, Berat, Fier ); 4. Rajoni i Jugut (me qarqet aktuale Gjirokastër dhe Vlorë). Varianti i dytë mbron idenë e ndarjes territoriale-administrative me 6 rajone, bazuar në basenet ujore të vendit tonë. Konkretisht: 1. Rajoni i Drinit; 2. Rajoni i Mat-Drinit; 3. Rajoni i Shkumbin-Erzenit; 4. Rajoni i Devollit; 5. Rajoni i Semanit; 5. Rajoni i Vjosës. Nga një analizë e shpejtë e të dy varianteve rezulton se ata kanë avantazhin e emërtimeve thjesht gjeografike, duke iu larguar emërtimeve problematike të variantit të ShtetiWeb. Në këtë aspekt, ata i afrohen shumë idesë së studimit të Mehdi Frashërit të vitit 1931, për ndarjen territoriale të Shqipërisë, që, për hir të së vërtetës, është i pari studim serioz për këtë problem, pavarësisht mangësive që i impononin rrethanat historike, ekonomike e sociale të kohës. Në variantin e parë të studiuesit D. Shutina vërehet një shtrirje gjeografike gati horizontale e rajoneve, duke shmangur problematikat meridionale, gjithsesi edhe kjo me mjaft probleme. Diferencimet e theksuara gjeografike që ato mbartin në aspektin fiziografik, human, ekonomik, krahinor, etnografik, kulturor, të rrjetit rrugor, të shpërndarjes së qendrave të banuara, të raportit të popullsisë urbane me atë rurale etj., janë të mëdha dhe nuk e presupozojnë unitetin dhe vazhdimësinë territoriale të njësisë, dhe aq më pak krijimin e një raporti të drejtë qendër-periferi. Rajonizimi i propozuar nga D. Shutina duket se përjashton elementin gjeografiko-fizik.

* * *

Propozimi i tretë është ai i prof. Trifon Ziu në rrjetet sociale. Duke u nisur nga premisa se ndarja territoriale-administrative ekzistuese “e ka copëtuar shumë territorin dhe ka krijuar një sërë problemesh administrative, menaxhuese, e financiare, … duke shtuar se të njëjtën gjë krijon edhe sistemi me tri nivele të qeverisjes vendore”, ai mbështet idenë e “ndarjes territoriale-administrative me një nivel”. Sipas tij, rrethi do të përfshijë në brendësi të vet territorin urban dhe rural të atij identiteti tradicional e historik të njohur e të pranuar gjerësisht, dhe në këtë kontekst ai ka dilemën se pse do të duhej rajoni, i ngjashëm me qarkun i cili u provua se s’kishte asnjë vlerë efektive. Ziu thotë se është për 32 ose 34 njësi administrative-territoriale, të cilat mund të emërtohen rreth, bashki apo komunë. Sipas z. Ziu, kjo ndarje lehtëson çdo aspekt të menaxhimit dhe kontrollit shtetëror, respekton parimin e subsidiaritetit, ofron resurset e nevojshme për zhvillimin e çdo njësie, lehtëson menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare e vendore, ruan dhe shfrytëzon përvojën administrative brenda njësive, siguron seriozitetin dhe autoritetin e nevojshëm administrativ, i shërben shumë më mirë sigurisë kombëtare, dhe menaxhohen më shpejt e më drejtpërdrejt rastet e emergjencave civile. Modeli i Ziut, me rrethe (pavarësisht se do të emërtoheshin) në fakt ngjan me modelin e Kosovës apo të Maqedonisë. Në fakt, unë vetë mendoj se mbase do të ishte më e arsyeshme që në kornizën e këtij propozimi, të shkriheshin me rrethet “mëmë” të gjitha rrethet e krijuara në vitin 1992, si Malësia e Madhe, Bulqiza, Kurbini, Peqini, Devolli, Kuçova, Kavaja, Mallakastra dhe Delvina, kjo mbështetur në lidhjet e vjetra historike, kulturore, fiziko-gjeografike etj.

* * *

Propozimi i katërt është ai i prof. Selman Sheme. Pasi bën prezent rezultatet e studimit suedez të vitit 2012, i cili propozonte që vendi të kishte 80 njësi vendore në total (bashki dhe komuna), duke sugjeruar shkrirjen e 70% të atyre ekzistuese, gjë që do të çonte në kursimin e 25 milionë dollarëve, z. Sheme e kundërshton atë studim dhe sugjeron që “për nivelin e parë të qeverisjes vendore të rikthehemi në rrethet e dikurshme. Rrethet janë njësi administrative me eficiencë dhe tradicionalisht të pranueshëm në jetën e përditshme. Kur pyet një fermer nga fshatrat e Malësisë së Madhe “nga je?”, përgjigjja e parë është “nga Shkodra”, po kështu edhe në treva e tjera merr të njëjtën përgjigje duke reflektuar lidhjet tradicionale historike. Për nivelin e dytë të qeverisjes vendore z. Sheme është për ruajtjen e qarkut, me popullsi prej 500 000 banorësh, arsye kjo për të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat nga BE (!!!). Zoti Sheme propozon konkretisht këto rajone: 1. Tirana, me status të veçantë me kufij që përfshijnë zonën periurbane të saj (Kamzë, Paskuqan, Dajt, Farkë, Vaqar, Ndroq, Kashar, Vorë); 2. Rajoni i Shkodrës (qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës); 3. Rajoni i Elbasanit (Elbasan, Dibër, Berat); 4. Rajoni i Durrësit (Durrës, Krujë, Kavajë, Rrogozhinë); 5. Rajoni i Fierit (Fier, Lushnjë, Mallakastër, Tepelenë); 6. Rajoni i Vlorës (Vlorë, Sarandë, Gjirokastër); 7. Rajoni i Korçës (Qarku ekzistues i Korçës dhe Përmeti). (Studime albanologjike-gjeografia IV 2013 f.70-72). Cilat do të ishin disa nga objeksionet rreth këtij varianti?

* * *

Propozimi i pestë është ai i prof. Doka. Ai arsyeton nisur nga premisa se “në zhvillimin e rajoneve të ndryshme të vendit ekzistojnë pabarazi të theksuara, të cilat kanë penguar hartimin dhe realizimin e planeve dhe strategjive të zhvillimeve rajonale dhe lokale”, dhe se “vetëm rajonet dhe njësitë administrative me madhësi të matshme (!!!) dhe efektive mundet t’i shfrytëzojnë siç duhet mundësitë dhe potencialet që ekzistojnë për zhvillim. Shqetësimi i z. Doka, përtej këtyre konsideratave, shkon edhe në atë se  “cili është kuptimi i sotëm shqiptar mbi rajonin”, se “si duhet kuptuar rajoni në kushtet e menaxhimit sa më të mirë të territorit që ai zë në kontekstin e integrimit rajonal dhe se si duhet të jetë hierarkia e njësive përbërëse të një rajoni në mënyrë që ai të funksionojë sa më mirë për një zhvillim të qëndrueshëm. Me gjithë objeksionet e mia për aspektet teorike, sidomos për konceptin rajon, mund të shohim se si z. Doka ka kaluar nga artikulimi i këtyre pyetjeve në variantin e propozuar në hartën e ndarjes së re administrative-territoriale të Shqipërisë. Ai thekson se “në studimin gjeografik-rajonal që ne si gjeografë i bëjmë Shqipërisë, bazuar në kritere të qarta natyrore, humane, ekonomike dhe kulturore dallojmë 4 rajone gjeografike: Rajoni Verioro-Verilindor; Rajoni Perëndimor; Rajoni Juglindor; Rajoni Jugor”. Sipas hierarkisë rajonale të z. Doka, këto katër rajone do të përbënin nivelin e parë të pushtetit vendor në Shqipëri, duke zëvendësuar 12 qarqet ekzistuese. Po sipas tij, brenda këtyre 4 rajoneve mund të rifunksiononin rrethet si njësi më të vogla që do të përbënin nivelin e dyte në hierarkinë e pushtetit vendor. Rajoni Perëndimor, gjithnjë sipas skemës së propozuar, për vetë zhvillimin tepër të vrullshëm të tij sidomos dy dekadat e fundit kërkon një organizim administrativ më të detajuar. Rajoni i kryeqytetit me 1200 km2, përfaqëson zonën Tiranë, Elbasan, Durrës, Krujë, dhe për shumë arsye mund të merrte statusin e një njësie territoriale-administrative më vetë në kuadrin e organizimit territorial-administrativ. Si qendra nënrajonale në përbërje të rajonit Perëndimor, mund të shërbenin Shkodra për nën-rajonin Shkodër-Lezhë, Fieri për nënrajonin Fier, Lushnjë, Berat, Mallakastër, si dhe Vlora në Jug. Statusi i këtyre njësive administrative, në përbërje të rajonit Perëndimor duhet të përcaktohet në mënyrë specifike me ligj, konkludon ai. Në parashtresën e z. Doka niveli hierarkik i njësive vendore rezulton të jetë: Rajoni, rrethi, nënrajoni, rajoni i Tiranës. Nuk del e qartë nëse z. Doka është për njësitë vendore bashki apo komuna dhe se ç’vend do të kenë ato në këtë shkallëzim nivelesh. Kjo hartë e hierarkisë territoriale-administrative bart një sërë problemesh. Së pari, emërtimi Verioro-verilindor nuk jep një përfytyrim të qartë përsa i përket pozitës gjeografike absolute, dhe në formën e paraqitur është jo i saktë. Përshtypja e parë që të krijohet nga ky rajonizim është ai i determinizmit gjeografik. Vështirë që në konfigurimin e këtyre rajoneve të përcaktosh se cili është tipari themelor gjeografik, që çon në përcaktimin dhe formatimin e tyre.

* * *

Duke e mbyllur këtu vështrimin analitik mbi propozimet e deritanishme, po paraqes disa konsiderata për tematikën në diskutim. Nga sa shihet, diskutimi për nivelin e organeve të pushtetit vendor mbetet i hapur. Janë të papërcaktuara, të paktën deri tani, hierarkia, piramida apo taksonomia e njësive vendore, në kuadrin e një ndarje të re territoriale-administrative për të gjithë vendin, sa dhe si këto njësi paraqesin një shtrirje e kontinuitet fiziko-gjeografik, cila do të ishte madhësia optimale dhe shpërndarja e popullsisë dhe vendbanimeve, si do të sigurohej trashëgimia historike dhe kohezioni etnografik e kulturor, sa do ta mundësonte këtë ndarje rrjeti lumor, rrugor dhe burimet natyrore etj, dhe së fundi, sa kjo sipërmarrje është e mbështetur nga të gjitha ndryshimet e domosdoshme ligjore apo kushtetuese që do të realizohen.

Një problem i rëndësishëm është edhe ai i raportit të të ardhurave të siguruara nga vetë njësitë vendore dhe atyre të siguruara nga buxheti i shtetit, për përmbushjen e aktiviteteve administrative dhe ekonomike. Jepen të dhëna shqetësuese për nivelin e ulët të sigurimit të të ardhurave nga vetë komunat, rrjedhojë kjo e mos mbledhjes së taksave etj. Kësisoj, komunat, si njësitë fundore të qeverisjes vendore, janë bërë një barrë e madhe për buxhetin e shtetit. Megjithëse ky problem është real dhe serioz, trajtimi i tij vetëm me rindarjen territoriale-administrative më duket shumë i thjeshtëzuar. Mendoj se nuk do të ishte kjo e vetmja arsye për kushtëzimin e një ndarjeje të re efektive territoriale-administrative e aq më pak të mendohet se ajo automatikisht do të çonte në një funksionim efektiv të politikave fiskale e buxhetore të aplikuara nga njësitë e ardhshme territoriale të munguara deri tani.

* * *

Funksionimi i njësive vendore të emërtuara “bashki”, siç po këmbëngulet deri tani, mbart probleme jo të vogla për vetë këto njësi, veçanërisht në evidentimin, njohjen, trajtimin apo vënien në rrugën e zgjidhjes të diferencimeve urbane dhe rurale e të problemeve specifike sociale që ato mbartin. Ky raport marrëdhëniesh do të përkeqësohet duke favorizuar qendrën urbane në dëm të territoreve rurale brenda tyre. Të paktën deri tani, eksperienca botërore e aplikimit të konceptit qendër-periferi këtë na sugjeron.

Statusi i Tiranës si njësi më vete dhe e veçantë është një tjetër problem i diskutueshëm. Në mbështetje të kësaj ideje shërben eksperienca e qyteteve primate apo kryeqyteteve të shumë vendeve të botës. Tirana, sipas mendimit tim, duhet të ketë status të veçantë në hierarkinë e ndarjes së re territoriale-administrative të vendit, pa Durrësin dhe Elbasanin siç propozohet nga disa kolegë. Ajo mund të funksiononte e ndarë në katër rajone (Bukureshti ka 6 ta tillë) duke eliminuar 11 njësitë bashkiake që ka sot. Përsa i përket sugjerimit se brenda Tiranës me këtë status të përfshihen edhe zonat periurbane, shembujt e Londrës, Moskës, apo edhe i Prishtinës a i Beogradit, e mbështesin këtë ide.

Një problem jo pak i rëndësishëm dhe sensitiv është edhe ai se a do të ketë ndikim ndarja e re territoriale-administrative në rezultatet e zgjedhjeve vendore apo politike (parlamentare) të radhës. Të japësh përgjigje kategorike mohuese se kjo ndarje e re territoriale-administrative nuk do të ketë asnjë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme lokale apo parlamentare, apo të japësh përgjigje tërësisht pohuese se kjo ndarje territoriale-administrative do të deformojë paraprakisht rezultatin e pritshëm të këtyre zgjedhjeve, do të ishte një mosnjohje totale e konceptit dhe praktikës xherimanderiste. Baza e teorisë dhe praktikës xherimanderiste është rikonfigurimi i zonave elektorale (pra edhe të ndarjeve territoriale) me qëllimin e vetëm atë të maksimizimit të votës mbështetëse. Dihet që në çdo njësi zgjedhore, çdo sfidant në përfundim të procesit zgjedhor analizon votat efektive, ato të tepërta, dhe ato të humbura. Mbi këtë logjikë partia politike e sfidantit synon rikonfigurimin e zonave elektorale (territoriale) për zgjedhjet pasardhëse. Këtë na ka mësuar Elbrit Xherri, ish-guvernatori i shtetit të Masaçusetsit plot dy shekuj më parë me salamandrën e famshme elektorale të tij. Siç shihet, edhe në rastin e Shqipërisë, kjo mund të jetë një qasje e mundshme nga ana e partive politike. Nëse kjo do të përputhet ose jo me të vërtetën, le të mbetemi në pritje të konfigurimit zyrtar të hartës së njësive vendore. Duke e mbivendosur hartën e rezultateve të zgjedhjeve të kaluara vendore mbi hartën e re territoriale-administrative që siç është premtuar do t’i nënshtrohet një diskutimi dymujor, do të jetë e lehtë të dallohet nëse do të ketë apo jo tendenca xherimanderiste në këtë ricopëzim (rikonfigurim) të territorit të vendit tonë. Urojmë të mos ketë të tillë! Por në të kundërt, një dukuri e tillë do të zhvlerësonte motivet si dhe punën e bërë dhe do të hapte shumë probleme. Gjithsesi, këtij problemi do t’i rikthehemi konkretisht më vonë, nëpërmjet një analize të hollësishme.

* * *

Reforma territoriale-administrative nuk është një punë që duhet “bitisur” me ngut. As në mënyrë tinëzare e nën tavolinë. Ngutja, përjashtimi apo shmangia e ekspertizës së gjeografëve, historianëve, etnologëve, ekonomistëve, konstitucionalistëve, përfaqësuesve të komuniteteve fetare apo të minoriteteve etnike etj., dukuri kjo e konstatuar deri tani, përveç shijes së hidhur etike dhe varfërisë metodologjike, parathotë përzgjedhje të varianteve problematikë. Kësisoj, kjo ndërmarrje do të rezultonte në një eksperiment të radhës, në zinxhirin e eksperimenteve të bëra nga viti 1912 deri tani për ndarjen territoriale-administrative.

* * *

Së fundi, për të shmangur të gjitha keqkuptimet, devijimet apo hamendësimet e deritanishme, do të duhet që të bëhen prezentë në mënyrë zyrtare variantet e ofruara deri tani, edhe pse disa në formë të skicuar u paraqitën në këtë parashtresë. Variantet e plota të bëhen publike në mjetet audiovizive, sidomos në ato kombëtare, dhe të botohen në 4-5 gazetat më të lexuara, duke përjashtuar ato partiake apo të shfaqen online nga Kuvendi, Qeveria etj. Nëse nuk sigurohet konvergimi i varianteve në një variant të vetëm, kam mendimin që për dy variantet më të arrira të gjykuara nga ekspertët e fushave të përmendura më lart, të kërkohet miratimi i popullit nëpërmjet një referendumi. Eksperienca botërore e mbështet fort këtë praktikë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi