Në vend që kryeministri të merret me gjeneralët e Presidentit…
Nga Arjan Vasjari, botuar në Mapo Online, 10 prill 2014
Edi Rama e kupton shumë mirë pigmentin eufemistik të frazës “të rrëmbesh institucionet”. I gjendur jo pak herë në rrethanën kur institucionin kanë dashur t’ia “rrëmbejnë”, ai është nga ata që nuk kanë nevojë t’ua shpjegosh, sepse e kanë provuar në lëkurë. Kam parasysh kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës me zotin Berisha kryeministër. Ky i fundit asnjëherë nuk u përpoq që t’ia “rrëmbente” bashkinë zotit Rama. Ai vetëm kompetencat donte t’i merrte, asgjë tjetër…
Në këtë kuptim, ajo cfarë kryeministri Rama po bën sot me kompetencat e Presidentit të Republikës, dëshmon, tek e fundit, jo thjesht ngjashmëritë në sjellje mes kryeministrave tanë por, rrënjën totalitare të vetëdijes së tyre politike. Përfundimisht, koabitacioni politik nuk bën për zotin Rama, ashtu sic nuk ka bërë edhe për paraardhësit e tij. Është çështje e pamundësisë së tyre kulturore për të suportuar të kundërtën. Nuk kemi c’të bëjmë!
Mirëpo, përveçse një vulnus i pastër kushtetues, skema për t’i marrë kompetencat e emërimit të gjeneralëve Presidentit të Republikës, ka një nivel banaliteti që tejkalon edhe mundësitë e atij që i ka shkuar në mendje. Që Mimi Kodheli të hartojë një projektligj i cili i heq këtë të drejtë Nishanit për t’ia dhënë Ramës, është njësoj sikur një kapter të propozojë për heqjen e gradave komandantit dhe dhënien e tyre zëvendëskomandantit. Sigurisht, zonja Ministre e Mbrojtjes, përveç zellit të pakontrolluar për të hequr dhe dhënë kompetenca, e ka gjithë hapësirën ligjore për ta bërë këtë gjë. Pikëpyetja qëndron tek zoti kryeministër, tek interesi i tij për të këmbyer në natyrë me ministren, një mall që nuk i takon as atij dhe as ministres. Në një analizë fare të thjeshtë, nuk ka asnjë interes. Mbi të gjitha nuk ka asnjë interes të përforcojë opinionet, gjithnjë e më të artikuluara, mbi projektin e tij për të uzurpuar të gjitha segmentet e pushtetit. Së dyti, nuk ka asnjë interes politik të rrëzohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese. Është e sigurt se Presidenti do t’i drejtohet trupës supreme për të rivendosur kushtetutshmërinë në rast se i rrëmbehen kompetencat. Së treti, nuk ka asnjë interes që konfliktin e tij për çështjet “quasi ushtarake” me Presidentin ta zgjidhin partnerët tanë të NATO-s. Presidenti paralajmëroi se, përfshirja e NATO-s në këtë krizë kompetencash, është një opsion real.
Atëherë, në vend që Kryeministri të merret me gjeneralët e Presidentit, le të merret seriozisht me kompetencat e tij. Sot është në inkoherencë absolute me ato çfarë thoshte para zgjedhjeve se “nuk do të shikoni më një kryeministër që i merr frymën të gjitha institucioneve”. Duke, rivlerësuar në mënyrë kritike spektrin kërcënues të kompetencave të tij, së paku do të ishte në koherencë të plotë me pendesën që shfaqi, para zgjedhjeve të 23 qershorit, mbi bashkautorësinë në ndryshimet kushtetuese të 2008. Ato ndryshime, në frymë dhe në lëndë, i imponuan në mënyrë arbitrare sistemit një kryeministër autarkik, duke shfytyruar thellësisht parlamentarizmin. Që prej 2008 mund të themi pa frikë se kemi konstitucionalizuar republikën kryeministrore duke ndërtuar kësisoj, modelin e demokracisë hibride si alternativë e demokracisë përfaqësuese. Aktualisht, kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka kushtetutshmërisht të sanksionuara kompetenca që relativizojnë substancialisht, fuqinë e parlamentit ndaj tij. Do të përbënte një deriv autoritarizmi sikur këtë supremaci, gati të pakontrolluar, kryeministri ta zgjeronte edhe më tej duke i rrëmbyer kompetencat një figure tjetër kushtetuese si ajo e kreut të shtetit. E kundërta, pra reduktimi i kompetencave, do të ishte shenjë se, shëndeti demokratik i Republikës nuk është pa shpresë. Do të ishte, politikisht transhendentale, që më në fund, një kryeministër t’i kërkonte sistemit jo zgjerimin, por kufizimin e kompetencave të tij. Do të ishte historike, antikonformiste, frymëzuese. Në emër të pendesës për puçin e ndryshimeve kushtetuese të 2008, në emër të koherencës për çfarë ka thënë para 23 qershorit, zoti Rama duhet të reflektojë seriozisht mbi një platformë vetkufizimi kompetencash. Është ky akti politik që duhet të bëjë sot, në vend që të merret me gjeneralët e Presidentit.