Sipas KE, papunësia në vendin tonë ka arritur në 17 për qind

BRUKSEL, 9 prill 2014

 Sipas Komisionit Evropian, papunësia në vendin tonë ka arritur në 17 për qind. Shifrat e papunësisë nuk publikohen sipas tremujorëve, por shifrat më të fundit për tremujorin e katërt të vitit 2013 treguan se, ndryshe nga të dhënat administrative, por në linjë me kushtet e dukshme ekonomike, papunësia është rritur nga 14.4 për qind në nivelin e 17 përqindëve. Ky vlerësim bëhet në raportin e fundit tremujor të Direktoratit të Përgjithshëm Ekonomiko-Financiar të KE lidhur me zhvillimet në vendet kandidate dhe që pretendojnë të hyjnë në BE.

Pas disa rritjesh të vogla në tremujorët e kaluar, numri i personave të punësuar shënoi ulje me 4.5 për qind në raport me një vit më parë, duke u ndikuar nga një rënie prej 15 përqindësh në punësimin e vlerësuar në sektorin e bujqësisë. Ndërkohë, ky sektor vijon të mbetet punëdhënësi më i madh për shqiptarët, thekson raporti. Sipas KE, gjatë tremujorit të katërt rritja ekonomike e Shqipërisë ishte në nivelin 1,1 për qind krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, duke e marrë veten pas një rënieje 2.5 për qind në tremujorin e kaluar.

Sa u përket bilanceve financoarë të vendit, vihet në dukje se në tre muajt e fundit të vitit 2013 deficiti i llogarisë korente u rrit me 37% në bazë vjetore. Deficiti tregtar u përkeqësua me 7 për qind, pasi rritja e eksporteeve pësoi frenim ndërkohë që importi u rrit 8.5 për qind, pasi ishte ulur në tremujorët e mëparshëm. Deficiti i bilancit të pagesave pësoi një goditje të fuqishme nga rania e prurjeve valutore të emigrantëve, që u pakësuan në masën 26 për qind, duke qenë aktualisht gati sa gjysma e atyre që shqiptarët sillnin nga jashtë në atdhe në vitin 2007. Ndërkohë, investimet e huaja direkte ishin 39 për qind më të larta në fund të vitit 2013. Kjo erdhi si pasojë e shitjes së 4 HEC-eve kompanisë turke Kurum.

Lidhur me zërat e buxhetit, në raport vihet në dukje se të ardhurat nga TVSH dhe akcizat pësuan rritje në fund të vitit të kaluar, duke pasqyruar paraprakishit reagimin e biznesit ndaj masave të paketës fiskale. Deficiti buxhetor në fund të 2013-ës ishte 4.8% e PBB-së, duke e kaluar objektivin e mëparshëm prej 3.5 përqindësh. Të ardhurat në total ishin 0.5 për qind më të ulta se një vit më parë dhe 8.9 për qind më të ulta se sa ishte planifikuar. Raporti i tyre me PBB ka rënë nga 26.6% në vitin 2010 në 24.2%.

 Ndërkohë, në dy muajt e parë të vitit në vazhdim të ardhurat në total u rritën 4.9 për qind në bazë vjetore, të ndikuara nga një rritje e fuqishme e TVSH-së në masën 17.5 për qind, pjesërisht si pasojë e faktit që është rritur baza e taksueshme. Shpenzimet në total janë 9% më të ulta se një vit më parë, ndërkohë që 71.9 për qind më të ulta janë shpenzimet buxhetore. Në tremujorin e fundit të vitit 2013 borxhi publik arriti në 65.2 për qind, por pa llogaritur këtu detyrimet e papaguara të shtetit ndaj biznesit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi