Model i përbuzur, që vret mandatin qeverisës
Nga Aleksander Çipa, botuar në Shqip, 9 prill 2014
Gjendja dhe pakënaqësitë në pushtetin vendor janë çështje komplekse dhe një hall politik si për pozitën, ashtu edhe për opozitën. Ka gati 10 muaj që në shtypin kryesor të vendit dhe mediat në përgjithësi, nuk gjen një tablo dhe analizë për situatën dhe gjendjen në të cilën gjendet pushteti dhe qeverisja vendore në përgjithësi.
Në epilog të qeverisjes së dikurshme Berisha-Meta, para zgjedhjeve të 2013, bllokimet e këshillave bashkiakë dhe sidomos ato të qarqeve ishin jo vetëm një problem me jehonë, por qartazi “kampion” të leximit të politikës bllokuese dhe të paralizës qeverisëse në nivelet bazike. Shumëkush e ka të freskët atë që ngjau me Qarkun e Fierit, se si për më tepër se një vit e gjysmë, ai u mbajt peng dhe administrimi jo vetëm i qeverisjes, por në mënyrë të drejtpërdrejtë eficenca e administratës u pa të mbetet e paralizuar gjatë.
Me ndryshimin e qeverisjes qendrore u ndie gjendja frymëmarrëse. Pasi pushteti qendror përkon me atë vendorin në shumicën e njësive kryesore të qeverisjes vendore. U mbyllën proceset e kalenduara të mosmiratimit të buxheteve fiskale vjetore dhe u çliruan mbledhjet e këshillave bashkiake dhe ato komunare.
Mirëpo kaq është vetëm gjysma e së keqes. Më saktë, kjo është gjysma e bllokimit. Pas këtij momenti, në mediumet tona rreshti informacioni dhe raportimi për problemet ekonomike, financiare dhe sidomos ato të vendimmarrjes politike në këto njësi. A thua se nuk ka më probleme? Apo thjesht, se nxjerrja nga ngërçi disavjeçar i disa prej këshillave bashkiakë me më tepër ndikim në jetën administrative të vendit e zvogëlon peshën dhe vlerën publike të problemit? Po ç’ka ngjarë në periudhën gjashtëmujore të qeverisjes së re me pushtetin vendor? A ka një institucion që mund të deklarojë të dhëna dhe statistika për këtë qeverisje? E kujt është heshtja dhe pse opozita nuk e mban në axhendën e vet? A po censurohet raportimi për krizën buxhetore dhe financiare të bashkive të vendit dhe a ka liri dhe decentralizim në pushtetin vendor për emërimet në administratën vendore?
Pse një vit më parë, mosdhënia e buxheteve për administratat bashkiake dhe ato komunare në shumë qytete dhe komuna të vendit u bë një ndër denoncimet më alarmante? Po sot, a ka më krizë të tillë? Pse nuk prononcohen kryebashkiakët dhe kryetarët e qarqeve për këto çështje dhe problemet e administrimit vendor?
Këto janë pyetje, të cilat meritojnë raportim dhe informacion nga mediat e vendit. Kjo duhet bërë pikërisht në kushtet kur afërsisht pas një viti do të kemi sërish fushatën e rëndësishme të zgjedhjeve vendore. Një fushatë, e cila do të ketë elementet e veta të vjetra, por edhe risitë e imponuara, zgjedhjet dhe përplasjet e vjetra, sikundër skemat e reja dhe lojërat e vjetra.
Në zgjedhjet e afërta vendore, Kryeministri Rama gjendet para lehtësisë për të mos rikandiduar për herë të katërt as Baftjar Zeqon, as Shpëtim Gjikën, as Flamur Bimen e as Qazim Sejdinin apo dikënd tjetër. Mirëpo ndodhet para vështirësisë për të tejkaluar modelin për shkak të llogaritjes së çdo vote dhe çdo ndikimi në elektorat. Për të qenë mirëllogaritës, Kryeministri duhet të sjellë në vëmendje dhe ndihmë të opinionit vendor projektin dhe buxhetin ndihmues për të kapërcyer mjerimin e injoruar në kaq kohë për financat dhe buxhetet e këtij pushteti. Kriza financiare në Shqipëri mund të mos duket shumë në zyrat e ministrive në Tiranë, por në qytetet dhe në qendrat e mjeruara urbane të periferive dhe komunave të thella ajo të shpon sytë dhe të vrenjt fytyrën. Mjafton të kalosh nga Memaliaj si udhëtar i rastit, pale më pastaj si turist, dhe pasazhin e “kandaharit” e mbart si imazh në gjithë udhëtimin e kontrasteve nëpër Shqipëri. Si Memaliaj janë edhe disa dhjetëra qytete e qyteza nëpër skaje të vendit. Kjo gjendje dhe prapambetje si në infrastrukturë dhe mjedisin mikrourban meritojnë një projekt pilot për të krijuar kontrastin me paraardhësit e qeverisjes tënde, por edhe me të shkuarën elektorale, me të cilën ke për t’u ripërballur pas një viti. Mjerimi i pushtetit vendor është fatkeqësisht edhe mjerim i një qeverisjeje të lodhur, të penguar dhe madje të ligështuar nga statusquoja.
Në qytetet e vendit, matanë Tiranës, është rikthyer grija e ndenjur e pluhurit, gropave dhe mjerimit social.
Vështirë të gjesh kund nëpër Shqipëri një model energjie dhe ndryshimi si në mandatin e parë të kryebashkiakut Rama, dikur në Tiranë (!). Pse të rikthehet ky mbretërim dhe vanitet administrimi? Cilët janë faktorët dhe pse në disa prej bashkive duket sikur qeverisja dhe administrimi i kryebashkiakëve ka perënduar një vit e gjysmë pa u mbaruar mandati?! A ekzistojnë mundësia dhe a duhet një platformë për riaktivizim dhe energjidhënie me financime, kredi dhe donacione? Pse në disa bashki, miratimi i buxhetit vjetor, edhe pse pa arsye politike dhe mungesë konsensusi, mbahet i bllokuar prej këshillave bashkiakë, duke mos u njohur përgjegjësit dhe shkaku real për qytetarët? A ekziston paraliza për arsye të proceseve ndaj kryebashkiakëve dhe si mund të shpërfillet për arsye të padeklaruara detyrimi për cilësi dhe efektivitet qeverisës në këtë qeverisje?
Interesat parallogaritëse për zgjedhjet e një viti më pas kanë nisur të jenë aktive dhe të ndikojnë në shumë forma mbi cilësinë dhe qeverisjen vendore. Këto interesa dhe protagonistët e tyre të pashpallur po ia dalin të vënë në përdorim një fushatë të pakohshme, e cila pashmangshmërisht po i shkakton një kosto qeverisjes së majtë dhe asaj socialiste veçanërisht. Indiferenca nëse vijon e tillë edhe më e lartë e të rëndë do ta ketë vlerën dhe koston pas një viti. Në këtë gjendje dhe përballë kësaj situate mjerane, qeveria e zotit Rama po i afrohet vitit zgjedhor me modele të reja të munguara dhe me modele misionmbaruar. Koha për t’i gjetur dhe për t’i shfaqur ata po bëhet çdo ditë më e ngushtë. Sikundër prova për t’i besuar ata për arsye “nga lart e nga poshtë”, por edhe nga “brenda”, po bëhet vështirë më e besueshme. Qeverisja vendore në vend, ndonëse nuk është më në ngërç dhe bllokim për probleme politike, është me një brendi të pavlerë dhe me modele të konsumuara. Përbuzja e modelit të gjetur, duhet të marrë në konsideratë përgjegjësinë për mandatin, i cili mbaron pas një viti e disa muaj.