Bruksel, Konferenca PPE: Shteti ligjor dhe konsensusi politik, rruga drejt Bashkimit Europian

PPE diskuton në Bruksel për integrimin europian të Shqipërisë

Basha ne konferencen e PPE ne BrukselKryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha mori pjesë në konferencën e katërt “Ballkani Perëndimor: Nga Stabilizimi në Anëtarësim“, organizuar në Bruksel nga grupi parlamentar i PPE-së, në Parlamentin Europian.

Në këtë konferencë, liderë politikë nga vendet e rajonit kanë diskutuar me eurodeputët për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e secilit vend për anëtarësim në BE.

Kryetar i delegacionit  për  Marrëdhëniet me Shqipërinë, Bonjën-Hercegovinën, Serbinë,  Malin e  Zi dhe  Kosovën në  Parlamentin  Europian,   Eduard Kukan, u shpreh se:

 “Shqipëria pret që të marrë statusin e vendit kandidat në qershor të këtij viti. Më besoni, ne të gjithë urojmë, që Shqipëria ta marrë këtë status dhe shpresoj që kjo të ndodhë. Por, është shumë e rëndësishme që vendi të arrijë atë që i është kërkuar nga samiti i dhjetorit, që ka të bëjë me krijimin e një rekordi arritjesh në reformat kyçe të integrimit. Pa një politikë konsensuale, pa vendosur një vijimësi të një situate politike të qetë, stabile e të qëndrueshme e konsensuale nuk ka hapa përpara për status dhe ecjen e mëtejshme me integrimin e vendit. Kështu që, ne i kërkojmë kolegëve tanë që të arrijnë këtë. Është një proces i gjatë , por kjo vazhdimësi e stabilitetit politik është shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe vendin për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit”.

 Riçardo Migliori, këshilltar i  posaçëm i OSBE-së, tha:

 “Ne, një vit më parë, në këtë kohë diskutonim ende akuzat e ish-kreut të opozitës Rama për manipulim të zgjedhjeve nga e djathta. Tani mund të falenderojmë të djathtën shqiptare për zgjedhjet e qershorit të shkuar, për zhvillimin e zgjedhjeve më demokratike në botë. E kam thënë disa herë, që në Shqipëri janë zhvilluar zgjedhje edhe më demokratike se në vetë SHBA-të dhe është meritë e Partisë Demokratike që ky element themelor i demokracisë sot është një model”.

Jean Eric Paquet, drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, deklaroi:

“Diskutimi për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë do të jetë në tryezën e liderëve europianë në qershor. Shtetet anëtare duhet të marrin një vendim për statusin bazuar në raportin e Komisionit Europian, lidhur me luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe reformimit të gjyqësorit. Kur vendimi për statusin të merret, do jetë një sukses i përbashkët i qeverisë së shkuar për reformat e arritura në vitin 2013, duke përfshirë edhe zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve”.

Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen pa kushte të PD për procesin e integrimit të vendit, i cili është vënë në rrezik serioz nga mazhoranca.

“Ishte një rast shumë i mirë për të përforcuar qëndrimin tonë në mbështetje të plotë të statusit kandidat për Shqipërinë. Qëndrim i cili vjen jo vetëm pas reformave të suksesshme të Partisë Demokratike në qeverisje, që bënë të mundur rekomandimin pozitiv të Komisionit por edhe pas zgjedhjeve të 23-qershorit të organizuara nga qeveria e Partisë Demokratike, në mënyrë shembullore, siç u cilësua edhe nga disa prej parafolësve në konferencë dhe për politikën e PD në opozitë, zero kushte për integrimit europian të vendit.

Ka akoma shumë paqartësi, ka akoma shumë skepticizëm në këtë drejtim, ndaj dhe puna jonë nuk ka reshtur si opozitë e vendit për t’i dhënë mbështetje maksimale këtij hapi kaq të rëndësishëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por puna jonë është bërë gjithmonë e më vështirë, pasi skepticizmit në Bruksel qeveria i ka shërbyer përmes një ofensive të re ndaj institucioneve të pavarura, përmes një rekordi në përkeqësim, në raport me administratën publike, ku jo vetëm nuk është ndalur fushata e spastrimeve por është intensifikuar ajo, dhe nga ana tjetër kemi pasur një fushatë emërimesh të personave me precedentë penalë apo të dënuar nga drejtësia. Fatkeqësisht kemi një rinovim të sulmeve ndaj institucioneve kushtetuese, siç është Presidenti i Republikës, të cilat vazhdojnë edhe këtë javë, me përpjekjen tashmë të bërë publike të mazhorancës për t’i hequr kompetencat kushtetuese dhe ligjore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare”.

 Këto hapa si dhe moszbatimi i vendimeve të gjykatave, pra krijimi i pasigurisë juridike në vend, krijojnë një klimë jashtëzakonisht të pafavorshme për vendin, përkeqësojnë imazhin e vendit dhe padyshim, vështirësojnë një vendimmarrje pozitive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

 Pavarësisht nga kjo situatë, opozita shqiptare ka vendosur dhe po vazhdon veprimtarinë e saj në dobi të marrjes së statusit kandidat duke argumentuar se kjo është një etapë për të cilat Shqipëria i përmbushi detyrat e ngarkuara, përfitoi rekomandimin pozitiv dhe në të njëjtën kohë, duke e bërë të ditur se procesi që na pret përpara, hapja e negociatave, do të jetë një mundësi e shtuar që Bashkimi Europian, institucionet e BE, por edhe opozita shqiptare të vënë para përgjegjësisë institucionet e vendit për të mos zhbërë standardet e arritura, siç po bëjnë sot e gjithë ditën, por për t’i ruajtur ato dhe për t’i avancuar si e vetmja rrugë për të përfunduar me sukses integrimin e vendit në Bashkimit Europian.”

 Kryetar i Grupit të PPE-së në Parlamentin Europian dhe President i PPE-së z.Joseph Daul ka ofruar mbështetjen e te djathtës europiane për anëtarësimin e rajonit në BE.

“E  ardhmja e rajonit  është në BE, në Europën e vlerave të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, vlerave të përbashkëta të paqes, bashkëpunimit, prosperitetit të përbashkët, interesave të përbashkët. Ne mësojmë nga sukseset dhe gabimet e fqinjëve tanë. Sllovenia dhe Kroacia janë shembuj të mirë edhe pse ka dhjetë vjet diferencë midis anëtarësimeve të tyre.  Ata ju kanë treguar rrugën e drejtë për të ndjekur. Një shembull tjetër i rëndësishëm është marrëveshja e 19 prillit midis Serbisë dhe Kosovës, që mbyll një nga kapitujt më të komplikuar në kolapsin e Jugosllavisë, duke i hapur rrugën integrimit europian të këtyre dy vendeve.”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi