Gjyqtarët e paprekshëm të Shqipërisë
Nga Joshua Rozenberg, botuar në Dita, 8 prill 2014
Gjyqtarët në Shqipëri janë të paprekshëm. Ndihma britanike kërkohet për të larguar korrupsionin në sistem. Këto janë mesazhet që mora pas një vizite dyditore në Tiranë në fund të muajit të shkuar. Isha në Shqipëri si një mik i fondacionit “Slynn”, i cili është themeluar në vitin 1998 për të mbështetur juristët e rinjtë nga Europa Qendrore dhe Lindore. Ky fondacion është krijuar në ndër të Gordon Slin (Gordon Slynn), i cili ishte gjyqtar nga Luksemburgu, përpara se të shërbente për 10 vite si “gjyqtar lord”. Fondacioni u themelua nga Xhorxh Dorbi (George Dobry), tashmë 95 vjeç, i cili është një jurist i shquar, ish-gjyqtar i lindur në Poloni.
Pjesën më të madhe të udhëtimit tim e kalova duke parë Sër Henri Bruk (Henry Brooke), një ish-gjyqtar apeli dhe zëvendëskryetar i fondacionit. Ai u thoshte juristëve, gjyqtarëve, zyrtarëve dhe politikanëve se çfarë mangësish kishte në sistemin e tyre të drejtësisë dhe si ata mund t’i rregullonin. Shqiptarët e respektonin gjykimin e Bruk, si rezultat i reputacionit të fituar nga 12 vizitat e mëparshme në Shqipëri dhe e ngusnin atë për asistencë në nivel më të lartë. Puna e tij ishte e financuar nga Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, ashtu, si dhe vizita ime.
Pavarësisht se është europiane nga gjeografia – Shqipërinë e ndan deti Adriatik nga Italia, teksa ndan kufi tokësor me Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë vendi ish-komunist ka ende shumë rrugë për të bërë para se t’i bashkohet Bashkimit Europian. Nikolas Kanon (Nicholas Cannon), ambasadori i Britanisë në Tiranë, më tha arsyen pse ndodhte kjo. “Ka një percepsion te publiku, mendoj se kjo pranohet dhe nga gjyqësori, se ka pasur gjithmonë probleme kronike të korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, thekson ai. Por pse janë të interesuar taksapaguesit britanikë për të forcuar shtetin e të drejtës në Shqipëri? “Përputhet me objektivat tanë strategjikë çuarja e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”, më tha Kanon. “Por ka dhe interes ‘egoist’. Dobësia e shtetit të së drejtës në Shqipëri, në sektorë si policia, gjyqësori dhe investigimi i krimeve, ka një efekt direkt në Britaninë e Madhe. Duke forcuar institucionet e ligjit në Shqipëri, ti mund të kesh shpresë se do ia dalësh me trafikantët e drogës, të njerëzve, të cilat kanë një impakt direkt në rrugët e Britanisë”. Një figurë politike në Shqipëri kujtoi kur ishte thirrur për ndihmë nga një roje parkingu, i cili kishte dëshmuar mbi të shtënat që ishin kryer përgjatë një sherri mes dy gangsterëve: “Ai mori në telefon policinë, ata i kërkuan atij t’i identifikonte dhe ai e bëri. Ata u gjykuan dhe në fund të gjyqit, vetëm një person u gjet i fajshëm. Ishte pikërisht roja e parkingut, i cili u dënua se kishte dhënë dëshmi false. Ai u gjobit mijëra dollarë. I thashë atij ta çonte çështjen në apel”, vijoi personaliteti politik. “Por kjo nuk ishte ajo çfarë ai donte. Ai tha se nëse ai do të shpallej i pafajshëm, kjo do t’i bënte ata fajtorë. Ata thjesht do t’i merrnin ryshfet dikujt tjetër. Ai donte ndihmën time vetëm për t’u siguruar se gjoba nuk do të ishte më e madhe se të ardhurat që ai merrte në dy muaj”.
Pengesa më e madhe për reformën duket se është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili është përgjegjës për punësimin, trajnimin, promovimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve. Ndër anëtarët e këtij këshilli janë Presidenti i Republikës, ministri i Drejtësisë, shefi i drejtësisë, tre juristë jo praktikantë të zgjedhur nga Parlamenti dhe nëntë gjyqtarë të zgjedhur nga gjyqësori. Për një herë të vetme, politikanët nuk janë problemi. Një vëzhgues i lartë thotë se gjyqtarët kontrollojnë Këshillin dhe kjo siguron që korrupsioni të mbetet endemik. Ai sugjeron se Britania duhet të dërgojë një prokuror special, me një grup hetuesish, të cilët do të bëjnë të mundur çuarjen përpara drejtësisë të gjyqtarëve të korruptuar. Ia komunikova këtë sugjerim Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai zgjodhi të mos më përgjigjet në mënyrë direkte. “Kam një besim të fortë se njerëzit nuk mund të korruptojnë një sistem të mirë. Një sistem i keq mund t’i korruptojë njerëzit. Kështu që ne duhet të ndërtojmë një sistem dhe njerëzit duhet të akomodohen në të. Në të kundërt, nëse ne e lëmë sistemin ashtu siç është, sistemi do t’i akomodojë njerëzit në vendin e gabuar”. Rama e pranon se korrupsioni është një problem madhor. Sistemi gjyqësor po vepron si një korporatë, duke mbrojtur interesat e posaçme të tij. Por, pavarësisht shumicës së madhe parlamentare, Kryeministri pranon se ai nuk mund ta reformojë sistemin gjyqësor pa mbështetje ndërkombëtare. “Vija midis një reforme që i jep gjyqësorit më shumë hapësirë për integritet dhe që i merr pavarësinë është shumë e hollë”, më tha ai. “Për të ruajtur këtë vijë të hollë, ne duam një koalicion forcash, ku Bashkimi Europian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë thelbësorë”. Me sa duket Bruke dhe ndjekësit e tij juristë do të bëjnë shumë udhëtime të tjera në Tiranë.