Disa zgjidhje për arsimin parauniversitar

Nga Ermal Hasimja, botuar në Panorama Online, 8 prill 2014

Sistemi parauniversitar ngrihet sot mbi një mashtrim të madh: fiktivitet masiv i vlerësimit në shumë prej elementeve. Kjo krijon një kundërshti dramatike për vendin. Në vitin 2014 notat merren shumë më lehtë se 20 vjet më parë, ndërkohë që realiteti kërkon nga të rinjtë përgatitje shumë më të mirë se përpara 20 vjetësh. Rezultati: nivel i ulët i studentëve, kafe plot, paaftësi masive në tregun e punës, pamundësi e universiteteve për të plotësuar kërkesat e tregut, suficit i mediokritetit dhe presion i madh social për politika populiste.

Ky sistem mashtrues është produkt i mendësisë së një shoqërie të tërë: prindërit kërkojnë dhjeta për të larë ndërgjegjen e tyre, mësuesit vënë dhjeta për të shmangur presionin e prindërve, gjysma e lëndëve zhvillohen sa për të larë gojën ose fare ngaqë shihen si dytësore, shteti shpërblen fiktivitetin dhe mediokritetin duke punësuar militantë të paaftë, shkollat e rretheve dhurojnë mesatare të larta për të marrë vende në universitet dhe shkollat e qendrës dhurojnë mesatare të larta që të mos ua zënë vendet shkollat e rretheve. Në Shqipëri ngelin në provimet e maturës rreth 10 herë më pak maturantë se në Francë, pavarësisht se niveli i shkollave tona është shumë më i ulët se ato franceze. Fiktiviteti penalizon mbi të gjitha shkollat serioze e rigoroze, duke e tërhequr të gjithë sistemin poshtë. Për më tepër, fiktiviteti riprodhon veten. Një nxënës që mëson pak dhe merr 10 krijon boshllëqe që ia vështirësojnë gjithnjë e më shumë të mësuarit duke ia ulur nivelin, ndërkohë që notat mbeten po të njëjtat. Nuk është aspak gjë e rrallë sot të shohësh nxënës të klasave të ndryshme të 9-vjeçares apo gjimnazit që dalin me mesatare 10 ndërkohë që mësojnë nga një orë në ditë e më pas ngelin në universitete serioze brenda e jashtë vendit. Pa folur për dështimin e tyre të garantuar në tregun e punës dhe si njerëz në përgjithësi. Mjafton të pyesësh cilindo punëdhënës privat se sa e vështirë është të gjesh punëmarrës të përgjegjshëm e të aftë. Mjafton të shohësh cilësinë e shërbimeve shtetërore e publike.

Ky sistem parauniversitar prodhon paaftësi dhe mediokritet afatgjatë. E megjithatë, zgjidhjet nuk janë aq të vështira. Dhe ndryshe nga sa thuhet në fushata, problemi kryesor nuk është buxheti i ulët. Ka plot vende me buxhet shumë më të ulët për arsimin se Shqipëria që janë shumë më lart se ne. Problemi madhor është mashtrimi i madh me vlerësimin dhe nota fiktive që kërkohet nga shoqëria dhe miratohet nga shteti.

Cilat mund të jenë zgjidhjet?

Në plan afatshkurtër 4-5-vjeçar zgjidhja më e mirë dhe urgjente është ulja e rolit të mesatares në pranimin në universitete. Kjo do t’u japë përparësi nxënësve vërtet të mirë dhe do të shmangë efektin e fiktivitetit. Gjithashtu do të nxisë masivisht nxënësit për të mësuar më tepër dhe shkollat për të konkurruar përmes cilësisë. Ngritja këtë vit e peshës së mesatares në pranimin në universitetet publike nga 20% në 26% nxit fiktivitetin.

Është e qartë se është më lehtë për shtetin të garantojë konkurrim të ndershëm për universitete përmes provimeve të miradministruara të maturës, sesa përmes mesatareve bujare që ka dhënë e jep secila shkollë gjatë 3 viteve.

Si mund të bëhet kjo?

1. Angazhimin në procesin e monitorimit dhe administrimit të mësuesve që kanë dëshmuar rigorozitet dhe profesionalizëm në provimet e shkuara. Këta mësues duhen paguar në mënyrë të arsyeshme për këtë angazhim. Angazhimi pa pagesë do të bënte që mësuesit e përgjegjshëm të punojnë më tepër (me administrimin), ndërsa të papërgjegjshmit të rrinë rehat në shtëpi.

2. Caktimin e mësuesve të një rrethi në një rreth tjetër fqinj pa lajmërim paraprak, pra vetëm mëngjesin e provimit. Pavarësisht se e parashikuar, kjo gjë nuk është zbatuar.

3. Paracaktimin e ndëshkimeve serioze për mësuesit “tolerantë” duke përfshirë edhe pushimin e menjëhershëm nga puna. Kujtdo që ndëshkimi i duket i tepërt, duhet të kujtojë se shkelje të tilla kanë pasoja të rënda për nxënësit, sepse mund t’u heqin mundësinë e studimit në degën e preferuar duke i ndryshuar gjithë të ardhmen.

4. Ndëshkimin me skualifikim të cilitdo nxënësi që kopjon.

5. Paracaktimin e raportit mes notave dhe pikëve të provimit. Deri më sot shteti pak a shumë caktonte përqindjen e nxënësve që duhet të ngelnin, gjë që është absurde dhe shumë e rrezikshme. Rreziku i ngeljes duhet të jetë real dhe të shërbejë si nxitje për cilindo që përton të mësojë. Këtë vit Ministria ka caktuar pragun ngelës dhe kjo është gjë e mirë dhe duhet zbatuar në vijimësi. Të kujtojmë se dy vitet e para të reformimit të maturës gjërat funksionuan relativisht mirë, por më pas u neglizhuan gradualisht.

Në plan afatgjatë rritja e peshës së mesatares nuk do të ishte problem, madje mund të ishte një matës më i saktë sesa provimet e maturës, me kusht që ajo mesatare të jetë reale. Mirëpo të paktën në kushtet e sotme realiteti dëshmon se fiktiviteti i mesatares bën kërdinë dhe shteti nuk ka takat ta kontrollojë. Në të ardhmen, kontrolli i rigorozitetit të mesatares mund të bëhet përmes disa masave konkrete:

1. Provimeve të jashtme të realizuara nga Ministria e  Arsimit (jo nga drejtoritë vendore të arsimit, sepse kanë konflikt interesi për shkak të nevojës për t’u dukur sa më mirë në rang vendi). Më pas krahasimin e rezultateve të këtyre provimeve me notat e shkollës. Provime të tilla janë bërë më përpara, por gradualisht janë harruar. Ndërkohë nuk ka pasur ndonjëherë masa serioze pas konstatimit të problemeve.

2. Pushimin nga puna të mësuesve te të cilët konstatohen nota të dukshme fiktive.

3. Kushtëzimin e një pjese të fondeve për shkollat me rigorozitetin e vlerësimit dhe rezultatet pozitive.

4. Kontrollet aktuale të shkollave fokusohen më tepër te dokumentacioni, sesa te matja e cilësisë së mësimdhënies dhe aftësive të mësuesit. Kjo duhet të ndryshojë. Inspektimet e instituteve përkatëse duhet të shërbejnë si mjet monitorimi të punës. Mësuesit që nuk plotësojnë kriteret duhet të zëvendësohen. Të gjithë e dimë që në shkollat publike gjen jo rrallë mësues të paaftë ose të papërgjegjshëm. Kontrollet duhet të shërbejnë si bazë për nxitjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmin, por gjithashtu edhe për pastrimin e shkollave nga mësues që nuk e meritojnë vendin e punës.

5. Kontrollimin e fiktivitetit përmes provimeve të jashtme edhe në shkollat private dhe publikimin e rezultateve paralelisht me ato të shkollave publike.

Megjithatë, e përsëris, për momentin është më efikase që pesha e mesatares të jetë zero, sepse marrja e këtyre masave do të kërkojë disa vjet për të dhënë rezultat. Tani për tani shteti mund të garantojë vetëm rigorozitetin e provimeve të maturës. Një kundërargument për këtë do të ishte rasti i “aksidenteve”, domethënë rasti kur një nxënës bllokohet psikologjikisht në provimet e maturës, ndërkohë që realisht është shumë i mirë. Duhet pranuar se raste të tilla mund të ndodhin dhe përbëjnë problem. Por ato janë shumë të rralla. Nga ana tjetër, një problem i tillë është qindra herë më i rrallë sesa rastet e maturantëve që dalin nga shkollat e tyre me mesatare fiktive. Zgjidhja që unë propozoj nuk është e përkryer, por është më e mira.

Një pjesë e mirë e masave të propozuara këtu janë parashikuar në rregulloret përkatëse. Problemi është se nuk janë zbatuar. Historitë e kopjimit në provimet e maturës në këto 2-3 vitet e fundit janë po aq groteske sa dhe poshtëruese për autoritetet si dhe të dëmshme për maturantët. Angazhimi i ministres së re të Arsimit për një administrim të rregullt të provimeve të maturës është shumë pozitiv dhe unë jam i bindur se nëse respektohet, do t’i japë edhe sistemit në përgjithësi një besueshmëri të lartë.

Përpara zgjedhjeve qytetarët nuk mund të gjykojnë qeverinë për të gjitha aspektet e performancës së saj. Por mund ta gjykojnë dhe e gjykojnë shumë lehtë për aspekte konkrete që i prekin çdo ditë. Arsimi është ndoshta më kryesori. Arsimimi i fëmijëve është prioritet për shumicën dërrmuese të prindërve. Pas 3 vjetësh edhe kjo qeveri do të gjykohet për nivelin e arsimit.

Përpara rreth 75 viteve një shkrimtar shkodran, në kushtet e luftës, praktikisht ringriti në këmbë arsimin shqiptar: themeloi shkollat shqipe në Kosovë duke çuar atje 200 mësues nga Shqipëria, ngriti atë që do të ishte më vonë Akademia e Shkencave, ndërtoi dhjetëra shkolla të reja, financoi dhjetëra revista e botime të tjera, dërgoi qindra studentë për studime jashtë vendit dhe thirri në Tiranë elitën shqiptare të shpërndarë nëpër diasporë. Puna, vizioni dhe vepra e ministrit shkrimtar Ernest Koliqi i mbijetoi harresës, madje edhe përbuzjes sporadike të një shoqërie të tërë. Kjo është qeverisja. Reformat e vërteta duan guxim dhe vizion. Gjithçka tjetër nuk i mbijeton as edhe një mandati qeverisës. Dhe as votës së ardhshme.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi