Deri ku e ka “hapin” Kuvendi?
Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 8 prill 2014
Plot studiues të së drejtës publike e shpjegojnë ekzistencën aktuale të pushtetit vetërregullues të parlamentit me kompetencat e plota që ai mbart për t’ia caktuar vetë vetes modalitetet e veprimtarisë së tij, mënyrat e zhvillimit të saj, si edhe kushtet e diskutimit dhe të votimit, pa ndërhyrje nga jashtë këtij pushteti. Në këtë këndvështrim lexohen zakonisht fjalët e konstitucionalistit amerikan John Q. Tilson, se: “në parim, parlamenti është zot i rregullores së vet”, me zbatimin e së cilës rregullohet jeta e brendshme e këtij organi legjislativ.
Sidoqoftë, pozita dhe roli i parlamentit në sistemin e organeve shtetërore të shumicës së shteteve të kontinentit evropian përcaktohet zakonisht nga kushtetutat. Dhe, si garante të respektimit të tyre, gjykatat kushtetuese u bëjnë interpretimin përfundimtar. Në rastin e Shqipërisë është gjithashtu në juridiksionin e kësaj Gjykate që, me kërkesë të jo më pak se një të pestës së deputetëve apo edhe të ndonjë force politike të përfaqësuar në Kuvend, të shprehet edhe mbi vendimet që merr Kuvendi, pra edhe për ngritjen apo jo të ndonjë komisioni të tij ad hoc me karakter kontrolli ndaj pushtetit ekzekutiv apo me kompetenca hetimore.
Për këtë fushë të veprimtarisë së Kuvendit të Shqipërisë, në Gjykatën Kushtetuese janë depozituar herë pas here kërkesa ankimore prej grupe deputetësh dhe nga parti politike, për të cilat organi i rishikimit kushtetues ka bërë shqyrtimet dhe ka dhënë vendimet përkatëse me fuqi detyruese dhe të përgjithshme. Në vazhdën e ankimeve që ka bërë gjatë 6 muajve të kaluar opozita, përkatësisht Partia Demokratike, ndaj disa vendimeve të Kuvendit me shumicë cilësuese të votave të mazhorancës, që nuk ka kënaqur interesat dhe orekset e minorancës, së fundi u shpall edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin pranohej kërkesa e Partisë Demokratike mbi moslejimin e ngritjes së një komisioni parlamentar për hetimin e asaj që opozita e ka quajtur “skandali i vënies dorë te serveri qendror të organeve tatimore”.
Ende nuk jam njohur me arësyetimet e bëra nga Gjykata Kushtetuese, që mbështetin vendimin e fundit të saj. Por, megjithatë, rreth këtij vendimi dhe efekteve të tij është i mundur një koment, qoftë ky edhe i formatit gazetaresk. Aq më tepër del nevoja, por edhe justifikimi, për të bërë një koment paraprak rreth kësaj çështjeje, kur që atë ditë dhe të nesërmen e publikimit nga media të ndryshme të lajmit për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, nëpër rrethe shoqërore (ndoshta edhe në qarqe politike) nisën të shprehen plot opinione, pa u marrë mundimi të gjenden arsye të qenësishme, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese në përgjithësi janë të padiskutueshme.
Mirëpo, konkretisht çfarë ka ndodhur dhe pse u mor një vendim i tillë?
Le të shpjegohemi. Kur para pak muajve zjente në rradhët politike, si edhe në komisionet e përhershme apo në senancë plenare të Kuvendit, debati për të ashtuquajturën ndërhyrje të Ekzekutivit të ri dhe të një përfaqësuesi të mazhorancës parlamentare aktuale në serverin e të dhënave të dyshuara për cungim të qëllimshëm, opozita ngriti pretendimin se ky veprim ishte bërë me qëllime të mbrapshta.
Nga ana e tyre, Qeveria dhe mazhoranca akuzonin qeverisjen e mëparshme (përfaqësues të zgjedhur të së cilës tashmë e tutje – në minorancë) për fshehje të dhënash në mbulim të gjurmëve të korrupsionit dhe evazionit fiskal të pashembullt, çka detyroi të bëhej kallëzim në organin e ndjekjes penale. Në valën e këtij debati, opozita kërkoi të ngrihej një komision parlamentar hetimor, për ta shqyrtuar sipas saj “këtë skandal”. Ndërsa mazhoranca nuk ishte dakord të ngrihej ky komision me argumentin që, përderisa çështja ishte depozituar në Prokurori, Kuvendi nuk mund të hetonte paralelisht me organin e akuzës për të njëjtin objekt.
Në të vërtetë, mosparalelizma të tilla janë normale. Sipas nenit 77/2 të Kushtetutës: “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtyar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore”. Pra, në veprimtarinë e komisioneve parlamentare hetimore, kur dalin të dhëna që implikojnë persona të veçantë, dosja çohet në Prokurori për të vazhduar ajo hetimet e mëtejshme. Aq më tepër në rastin e serverit të Tatimeve, kur kallëzimi ishte bërë, pa ardhur koha apo pa qenë nevoja e ngritjes së një komisioni parlamentar.
Por, në rast se çështja nuk kufizohet te emra të veçantë, atëherë është e pranueshme, madje edhe e detyrueshme që, me kërkesë të një grupi përkatës deputetësh, mund të ngrihet një komision hetimor i posaçëm, prej veprimtarisë kohore të kufizuar të të cilit ndoshta do t’u jepen përgjigje pikëpyetjeve të ngritura deri në ato momente nga njëri apo tjetri krah i politikës. Dhe, nëse njëkohësisht ngrihen dyshime për implikime antiligjore të individëve të caktuar, atëhere komisioni do ta ndalë ”hapin” e tij në dyert e Prokurorisë. Një shpjegim pak a shumë të kësaj natyre dhe të këtij qëndrimi e ka dhënë edhe Gjykata Kushtetuese në një vendim të mëparshëm, çka tregon që ndërmarrja e këtij vendimi të fundit të saj nuk duket të ketë ndonjë devijim nga përcaktimet kushtetuese dhe qëndrimet ligjore të organit të rishikimit kushtetues.
Në këto situata, opozita politike, përkatësisht jo më pak se një e katërta e të gjithë deputetëve tanë (numër që ajo realisht e disponon) nuk mund t’i mohohet e drejta për të kërkuar përsëri ngritjen e komisionit mbi atë çështje të veçantë, çka nuk do të mund të kundërshtohet prej mazhorancës, as me diskutime dhe as me vota.
E rëndësishme është që përfaqësuesit e të dyja krahëve politikë në atë komision, mundshëm për t’u caktuar, të mos i kthejnë punimet e tij në seanca gjyqësore apo akuzash të ndërsjella dhe as të mos kërcënojnë, as të mos fyejnë ekspertët teknicienë, që thirren për të dëshmuar, mbështetur ose jo pretendimet e njërit apo të tjetrit krah. Nëse opozita do të tregohet (së paku në këtë rast) po aq serioze sa edhe këmbëngul për akuzat ndaj qeverisjes aktuale, atëhere nuk do t’i ngjajë vetes së saj kur ishte në mazhorancë, tek mblidhte dhe drejtonte me kërkesat e veta komisione hetimore, që ktheheshin në farsa qesharake pa fund, pa konkluzione.