Rikthehet rritja ekonomike
ISTAT, 7 prill 2014
Pas rënies së fortë në tremujorin e tretë ekonomia është rikthyer në territor pozitiv. Instituti i Statiskave njoftoi se Prodhimi Kombëtar u rrit në tre muajt e fundit të vitit, ndonëse me ritme minimale.
“Ekonomia, në tremujorin e katërt të vitit 2013, vlerësohet me një rritje prej 1.1 për qind, ndaj të njëjtit tremujor të vitit 2012”, thotë Gjergj Filipi, drejtor i përgjithshëm i INSTAT.
Sektorët që kanë rikthyer ekonominë sërish në rritje janë industria, ndërtimi, por veçanërisht tregtia, e cila ka dhe peshën më të madhe në Prodhimin Kombëtar.
“Aktiviteti bujqësor në këtë tremujor, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit pararendës pati rritje prej 1.23 për qind. Grupi i Industrive, u rrit me 7.18 për qind; aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e katërt pati rritje me 3.66 për qind. Grupi i tregti-hotele restatorante pati një rritje prej 12 per qind si grup, por brenda grupi, tregtia shënoi rritje prej 7.04 për qind, ndërsa hotelet dhe restorantet shënuan rënie”, tha Filipi.
Por ndonëse ka shmangur rënien e ekonomisë në recesion, ecuria e prodhimit në tremujorin e katërt nuk ka mundur ta nxjerrë ekonominë nga gjendja gati stanjative, duke mos përmbushur as vlerësimet më minimale të Qeverisë dhe FMN. Të dy këto institucione prisnin që rritja ekonomike për gjithë vitin 2013 të ishte 0.7 për qind.
“Me mbylljen e tremujorit të katërt, ne kemi një mundësi për të bërë një vlerësim paraprak për të gjithë vitin 2013, i cili mbështetur në treguesin e vlerës së shtuar bruto, tremujore, shënoi një rritje prej 0.44 për qind, krahasuar me vitin 2012”, tha Filipi.
Më këto shifra 2013-a konfirmohet si viti më i vështirë i ekonomisë shqiptare jo vetëm që nga fillimi i krizës por gati në dy dekada, vec vitit 1997. Po kështu të dhënat konfirmojnë edhe një fakt tjetër, atë se që pas vitit 2011 ekonomia është në një trajektore të fortë ngadalësimi, që duket se s’ka fund.