Sistemi (politika) korrupton njeriun, apo njeriu sistemin?

Nga Prof. Dr. Ylli Pango, botuar në Mapo Online

Njerëzit e kanë korrupsionin brenda vetes? Apo pushteti korrupton njerëzit? Apo korruptohen vetëm ata syresh që mendojnë se e meritojnë pushtetin dhe të mirat që vijnë prej tij? Pastaj, nëse është pushteti apo akoma më gjerë sistemi që korrupton, a do të thotë kjo se njerëzit janë të pastër vetvetiu e prishen kur bien atje? Mes pushteteve a sistemeve të korruptuara?

Pothuaj në të gjitha vendet e botës së zhvilluar, në demokracitë perëndimore, pa le më pastaj në Lindje a vendet pseudodemokratike, ka pasur e vazhdon të ketë në çdo kohë korrupsion. Kudo dalin në shesh, a ndryshe në media, të palara të politikanëve që kanë afera ekstramartesore e ndërkohë ankohen për vdekjen e vlerave familjare, ose të tjerë që përdorin fondet publike për përfitime personale e që nga ana tjetër dënojnë shpenzimet e tepërta qeveritare. Këta shembuj janë të shpeshtë, madje gjithnjë e më të shumtë sidomos kohët e fundit dhe nuk përbëjnë më surprizë për askënd. Së paku për lidhjen e ngushtë ndërmjet hipokrizisë dhe pushtetit, askush nuk ka më dyshime e madje as që i shkon mendja të mbrojë pastërtinë a sinqeritetin e pohimeve të politikanëve mbi moralin, ndershmërinë a pastërtinë e kulluar nga njëra anë e realitetin e veprimeve të tyre, jetën e tyre të vërtetë personale nga ana tjetër. Madje është provuar në jo pak raste se ata që bërtasin më shumë kundër shkeljeve a shkelësve të rregullave a normave morale, janë vetë shkelësit më të thekur e më frekuentë të tyre. Shembujt janë pafund, madje edhe të tipit aq saktë sintetizuar nga mençuria popullore: “Ata që shohin qimen tek tjetri, e jo traun tek vetja”.

Në një këndvështrim tjetër, shtrohet çështja, a është pushteti që priret, tenton të korruptojë, apo ai thjesht tërheq të korruptueshmit, e këta të fundit tentojnë të shkojnë drejt tij? Rasti i parë është tashmë i njohur edhe nga shkrimet paraardhëse. Po shohim rastin e dytë. Si atëherë formohen më parë se të hipin në majë këta të korruptuar? Çfarë janë në vetvete? Nga vijnë e si krijohen ata? A kanë lindur të tillë, transformohen apo tentojnë të transformohen në të tillë në shoqëri të korruptuara ku mentaliteti zotërues është ai korruptiv? Në atë sistem ku disa syresh më pas arrijnë kulmin e këtij korrupsioni pasi kanë arritur të ingranohen në politikë, në pushtet e duke hipur në majat më të larta të tij? Korruptimi mund të zërë fill që në hapat e para të jetës së ndërgjegjshme, mbi bazën e modeleve të mësuara nga të tjerë e më pas të zhvillohet më tej në varësi të faktit sa i suksesshëm është njeriu në këtë zeje. Edhe në shoqëritë a shtetet më të forta ligjore, nuk është pretenduar kurrë deri më sot se korrupsioni është zhdukur krejt dhe njerëzit atje janë të imponuar krejt nga sistemi për të mos qenë të korruptuar, a nuk i lë sistemi të korruptohen. Edhe në këto sisteme a shtete, ndeshet e kumbojnë vazhdimisht në media shembujt e korruptimit të njerëzve të sferave më të larta të pushtetit, deri i presidentëve e kryeministrave, ministrave, deputetëve, në Angli, Francë, Itali, Gjermani, ShBA, pra madje dhe në vendet me demokracitë më të zhvilluara të botës. Konkluzioni? Natyrisht mund të thuhet se pjesa më e madhe e njerëzve, qofshin këta të thjeshtë e ca më shumë në pushtet, kur nuk korruptohen, janë më shumë nën trysninë e frikës së ligjit, sesa të një morali puritan të imponuar nga sisteme të ashtuquajtura të pakorruptuara, të cilat në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, nuk ekzistojnë akoma në këtë botë.

Sipas disa studimeve rezulton se pushteti, pra njerëzit me status të lartë pushteti, kanë tendencë, priren, tentojnë të korruptohen vetë dhe nga ana tjetër të promovojnë një tendencë hipokrite për t’u kërkuar njerëzve të tjerë një standard moral më të lartë se ai që kërkojnë a zbatojnë realisht për veten. Në një test që synonte të provonte këtë tendencë, edhe për efekt lehtësie e sinqeriteti më të madh në dhënien e informacionit nga subjektet në studim, objekt vëzhgimi u bë prirja e njerëzve me pushtet për të mos respektuar rregullat e qarkullimit me automjet e më konkretisht, tendenca e thyerjes së kufijve të shpejtësisë. Kjo duke marrë parasysh pushtetarët si drejtues të automjeteve a shoferët e tyre nën presionin e shefave, me synim studimin e politikanëve në këtë aspekt. U pyetën të intervistuarit sesa e lejueshme do të ishte për dikë tjetër të thyente, kalonte kufijtë e shpejtësisë në rastin kur kishte një emergjencë, a ishte vonë për një takim, dhe sa e pranueshme do të ishte kjo për atë vetë t’i thyenin këta kufij në raste të tilla. Natyrisht pyetjet u bënë në kohë të ndryshme e me forma të ndryshme. Nga testi rezultoi se njerëzit me pushtet u përgjigjën e u sollën sërish në mënyrë hipokrite. Ndërkohë që për të tjerët kërkonin respektim të rregullave e jo tejkalim të shpejtësisë së lejueshme, për veten ata ishin shumë më tolerantë. Njerëzit pa pushtet të testuar në të njëjtën mënyrë, në të kundërt i shihnin të gjithë njerëzit si të barabartë në raport me zbatimin e rregullave. Madje në disa raste të testuarit në grupin e njerëzve pa pushtet, ishin disi më të ashpër me veten, e më tolerantë me të tjerët. Pra përgjithësisht njerëzit me pushtet janë më hipokritë duke dënuar transgresionet e të tjerëve më shumë se të vetat. Provat tregojnë gjithashtu se njerëzit me pushtet që kapen me shkelje, shfaqin në më të shumtën e rasteve pak shenja pendimi. Këtu problemi nuk qëndron thjesht në faktin se politikanët abuzojnë me pushtetin, por edhe në një ndjesi, bindje a në rastin më të mirë gati subkoshiencë se ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Në një provë tjetër u synua pikërisht kjo: të testuarit të veçonin konceptin e pushtetit nga ai i së drejtës. Përsëri njerëzit me pushtet rezultuan hipokritë duke mos i dhënë të drejtë të tjerëve të bënin një shkelje edhe në rast nevoje a emergjence e duke i dhënë nga ana tjetër të drejtë vetes ta bënin këtë. Ka një dallim mes njerëzve me pushtet që mendojnë se e meritojnë atë dhe atyre me më pak pushtet që mendojnë se nuk e meritojnë. Këta të fundit kanë më shumë afërsi me njerëzit pa pushtet e sidomos e shprehin këtë në arsyetimet e tyre. Madje janë edhe më të ashpër me veten, e kjo ndryshe quhet nga studiuesit edhe “hiperkrizë’. Sipas studiuesve, njerëzit me pushtet ndjehen të justifikuar ta thyejnë ligjin e rregullin, jo vetëm sepse janë me pushtet dhe e bëjnë ata ligjin, por edhe sepse në një farë niveli intuitiv ndjejnë se ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Ky sens intuitiv është shumë esencial për të kuptuar pse njerëzit me pushtet sillen keq apo abuzojnë me pushtetin. Në mungesë të pushtetit njeriu sillet ndryshe. Për rrjedhojë në një sistem sado imagjinar pa pushtetet e privilegjet që rrjedhin soje, do të kishte shumë më pak abuzime. Fjala privilegj për disa njerëz në pushtet përkthehet a interpretohet ndryshe edhe si “ligj privat” a ligj që funksionon për disa, por që nuk prek të tjerë. Për të tjerët, a ndryshe për njerëzit me pushtet, vetë njerëzit me pushtet mendojnë a së paku ndjejnë apo dëshirojnë se duhet të zbatohen rregulla të tjera.

Përsëri në bazë studimesh hiperkriza është më pak e dukshme a shfaqet shumë më rrallë, kur njerëzit që kanë një farë pushteti janë diku nga fundi i hierarkisë së tij. Ata ndjejnë më shpesh e më qartë shenja të të qenurit të fryrë, në një pozicion jo fort të merituar, e shqetësohen për atë çka mund të ndryshojë lidhur me këtë në vetëvlerësimin e vlerësimin e të tjerëve për ta. Ndërkohë  njerëzit që qëndrojnë në majat më të larta të pushtetit, reagojnë ndryshe: ata janë shumë më pak të ndjeshëm karshi vetëfryrjes e reagojnë njëherazi shumë më shpejt e shumë më me agresivitet karshi ngacmimeve a vlerësimeve që kërkojnë të venë në dukje pozicionin e tyre të privilegjuar e mbrojtjen që i bëjnë ata kësaj. Hiperkriza nga ana tjetër, nëse herët a vonë do të shfaqej edhe tek këta, mund të konsiderohet kësisoj një sinjal bindjeje a të kuptuari më në fund, të asaj që është e ekzagjeruar lidhur me pozicionin e tyre e që do t’i bëjë edhe ata ta ndjejnë veten se zënë një vend të gabuar a të pamerituar në hierarki, apo që marrin e shtrydhin në mënyrë të padrejtë a abuzive prej saj. Ndërkohë njerëzit që ndjehen në hiperkrizë, pa qenë në një pozicion jo shumë të lartë, mendojnë a së paku shpresojnë se duke aplikuar variantin e mosdhënies së privilegje vetes, a ca më tej të deprivilegjimit të vetes, do t’i shpëtojnë çdolloj ndëshkimi a pasoje që mund t’u vijë nga ata që realisht dominojnë pozicionet më të larta hierarkike apo edhe vlerësimeve negative të njerëzve pa pushtet. Pra, duke u nisur nga të gjitha këto, mund të nxirret konkluzioni se korrupsioni dhe hipokrizia janë çmimi që shoqëritë duhet të paguajnë për t’u udhëhequr nga njerëz që e konsiderojnë veten të privilegjuar deri në nivelin e mosrespektimit të ligjit a krijimit e funksionimit të ligjeve vetëm për ta.

Në një këndvështrim tjetër është interesant të kuptohet se si njerëzit ndonëse kanë mijëra prova të këtyre raporteve të privilegjuara të politikanëve me pushtetin, vazhdojnë t’u besojnë politikanëve, t’i zgjedhin ata a tu binden atyre. Madje edhe të mos habiten që një pjesë e madhe e shkeljeve të këtyre politikanëve, të kalojnë pa u ndëshkuar e duke u hedhur herët ose vonë në gropën e harresës. Natyrisht, jo të gjithë njerëzit, por përsëri një pjesë jo e vogël e tyre nënshtrohet kështu. Kjo lidhet natyrisht edhe me faktin që tek mjaft njerëz gjendet e mishëruar a e interiorizuar ideja që përderisa gjithë shoqëria është e korruptuar a kështu funksionon, edhe ata vetë të ishin në pushtet, do të funksiononin kështu. Atyre që e kanë arritur këtë pushtet me cilëndo mënyrë, kjo gjë u konsiderohet vlerë, aftësi, diçka që dhe ata që i vlerësojnë, të kishin mundur do ta kishin bërë dhe që në një masë të caktuar e bëjnë edhe vetë kur u vjen rasti a në ato proporcione a porcione të korruptës që u ka dhënë jeta a shoqëria atyre vetë. Duke qenë ky mentaliteti zotërues, në këtë rast mund të thuhet, se është i gjithë sistemi i të menduarit a mentaliteti mbi korrupsionin që korrupton njeriun për më së shumti e si rrjedhim i kësaj dhe në nivelin më të rafinuar e më të lartë të kësaj, vetë njeriun që synon pushtetin a që mbërrin deri lart në majë, në pushtet. Në një rast tjetër, njerëzit që pranojnë korrupsionin e pushtetit si endemik, a madje nuk mund ta konceptojnë atë ndryshe, shohin mbi të gjitha interesin e tyre, të familjes së tyre, privilegjin e madh a të vogël që mund të përfitojnë nga politikani në pushtet, dhe jo vetëm nuk merren me korrupsionin e tij, por gëlltisin edhe më të spikaturin syresh, thjesht që të kenë privilegjet e dëshiruara. Kompromisi i fundit e më i dëmshmi a më i madhi i shoqërive që synojnë të bëhen demokratike a që pretendojnë se janë të tilla, është i atyre njerëzve të këtyre shoqërive, përsëri shumicë, që nuk fitojnë asgjë, por kanë frikë të reagojnë edhe karshi korrupsionit më të hapur e më të pacipë, më galopant e më sheshit, dhe që respektojnë më të fortin në pushtet, qoftë ai apo ajo, figura më e diskredituar e politikës a jetës sociale të vendit. Shembujt deri më sot e kudo nuk mungojnë, madje janë ulëritës

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi