Si ta depolitizojmë integrimin?

Nga Teuta Nunaj, botuar në Shekulli Online, 5 prill 2014

Integrimi evropian sipas studiuesit Ben Rosamond, “është një proces pa mbarim, i thellë dhe i gjerë, i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe i sigurisë ndërmjet kombeve, me synimin kryesor ruajtjen e paqes”. Në këtë kuadër, për Shqipërinë, integrimi evropian përveçse është një proces që zgjat pa ndërprerje dhe me të gjitha karakteristikat e sipërcituara, është edhe gjithëpërfshirës, i cili përkon me pranimin, dhe më tej aplikimin në vend, të parimeve themelore, mbi të cilat është ndërtuar dhe vepron BE-ja, si një organizatë “sui generis”, unike në llojin e saj në botë. Pikërisht, që të mundësohet kjo (aplikimi i parimeve bazë të funksionimit të BE-së), Shqipëria ka në detyrim, përmbushjen e zotimeve të saj, për të arritur nivelin dhe plotësimin e kritereve për aderim me të drejta të plota në bashkësinë europiane.

Përgjatë studimeve të mia akademike në fushën e integrimit, kam konstatuar dhe kam dalë në konkluzion, se ndër të tjera, në procesin e integrimit janë prezentë edhe dy elementë të rëndësishëm. Pa dashur që këto pjesë të së tërës, t’i nënshtrohen analizës nëse janë pozitivë apo negativë, mund të thuhet se ato tashmë, janë dy njësi përbërëse të mekanizmit të integrimit, por tërësisht të kundërta me njëra-tjetrën. E para, procesi i integrimit është i vazhdueshëm dhe pjesë qendrore dhe parësore e axhendës së partive politike, pavarësisht se cila prej tyre udhëheq dialogun qeveritar të integrimit. E dyta, ka të bëjë me politizimin e procesit të integrimit. Përpara se t’i përgjigjemi pyetjes në vijim, lind nevoja të analizojmë përmbledhtazi politizimin si koncept dhe fenomenin shqiptar të politizimit të procesit të integrimit.

Politizimi si koncept, ka të bëjë me dhënien e një karakteri politik një çështjeje, e cila nuk duhet të sundohet parimisht nga fryma politike, pavarësisht ideologjisë sunduese të majtë apo të djathtë. Politizimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, si fenomen është evidentuar edhe më ndjeshëm pas vitit 2005, kur Partia Socialiste, që u largua atë vit nga pushteti dhe Partia Demokratike që erdhi po atë vit në pushtet, filluan një “luftë” verbale për të marrë “meritat” për çdo arritje në procesin e integrimit dhe për të shkarkuar te pala kundërshtare politike, të gjitha dështimet e ndodhura po në këtë proces. Çdo fitore në rrugën politike u fragmentua dhe u privatizua si vlerë e çmuar prej partisë, që kishte tagrin ligjor për të firmosur çdo arritje të procesit të integrimit. Vitet që rrodhën, nuk e zbehën aspak këtë lloj qëndrimi politik, përkundrazi, sukseset e procesit të integrimit, liderët partiakë, nuk nguronin t’i paraqitnin edhe si karta elektorale, si arritje të partisë së tyre dhe jo si arritje të qytetarëve shqiptarë dhe të politikës.

Pikërisht, duke marrë nxitjen nga kjo mënyrë e të trajtuarit të procesit të integrimit që i bënte politika, pa asnjë dallim nga lloji i forcës politike, pyetjen të cilën e kisha pjesë të studimeve të mia, vendosa ta parashtroja për panelin, në Konferencën e Parë Ndërkombëtare, të organizuar nga “Albanian Policy Center”, për të cilën shkojnë përgëzimet më të mira për organizimin. Pyetjen: “si duhet të veprojë politika për ta depolitizuar procesin e rëndësishëm të integrimit?” ia adresova znj. Arta Dade dhe znj. Majlinda Bregu. Për t’i qëndruar konsekuente dhe besnike qëndrimit të tyre, më poshtë po paraqes përgjigjet e dhëna. znj. Dade, po e perifrazoj në mënyrë të përmbledhur, u shpreh: “nuk mund të jap prerogativa, sesi duhet depozituar procesi.

Aktualisht, që ne jemi në mazhorancë, po punojmë që të inkurajojmë më shumë dhe që të kemi standarde më të larta. Nëse lufta e opozitës do të mbështetet te lufta për integrimin, atëherë ajo është një opozitë e dështuar. Ne duhet të nxjerrim mësime nga mazhoranca e kaluar, ndërkohë që opozita ka shumë për të mësuar nga gabimet e saj qeverisëse, në këtë mënyrë mund ta depolitizojmë procesin e integrimit”. Ndërsa znj. Bregu, të gjithë përgjigjen e saj e përmblodhi në fjalinë: “Bashkëpunimi, gjithëpërfshirja dhe procesi janë ato që e bëjnë procesin më pak të politizuar dhe i heqin shansin çdo force politike për ta politizuar”.

Pra, politika jonë e di shumë mirë sesi ky proces mund të mbahet i depolitizuar, por populli ynë thotë se nga e thëna në të bërë i ndan një mal i tërë… Ajo që na mbetet përveç dëshirës, është edhe shpresa e mirë, që politika shqiptare të zotërojë vullnetin e duhur politik për të dalë përmbi ndasitë ideologjike të partive të tyre; të gjejë forcën për të larguan ndikimin politik mbi këtë proces; të vendosë interesin e përgjithshëm të vendit, përmbi interesin e ngushtë të forcës politike që përfaqëson; të ushtrojë parimet themelore të demokracisë evropiane, jo sepse ia kërkon BE-ja, por sepse kështu është e mira e vendit; të zbatojë konsensusin politik, në çdo rast që lind nevoja për të, pavarësisht nëse është në “dëm” të një pale se “meritat” po i merr pala tjetër kundërshtare politike; të mendojë dhe punojë, si një forcë e vetme për t’i shpenzuar të gjithë energjitë e saj, së pari për t’i shërbyer vendit dhe më tej, , forcës politike që përfaqëson. Vetëm në këtë rast, politika do të depolitizojë procesin e integrimit, në mënyrë që ky proces të vijojë të funksionojë dhe të zhvillohet ashtu si duhet të jetë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi