Pushteti dhe qytetari, një raport i përmbysur
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 5 prill 2014
Në kuadrin e masave anti-krizë dhe të presionit publik që erdhi nga rritja e dukshme e kriminalitetit qeveria mori disa nisma ligjore për të ashpërsuar masën ndëshkimore ndaj individëve apo subjekteve që përfshihen në shkelje administrative apo vepra penale. Brenda një muaji qeveria paralajmëroi dënim me burg për të gjithë personat që kapen duke udhëtuar në gjendje të dehur; dënim me burg disa ditor për personat që gjenden duke udhëtuar pa patentë ose që I japin makinën e tij një personi pa patentë; dënim me burg për personat që shesin karta telefoni të paregjistruar që gjenden në qarkullim; dënim me burg për rastet e shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse, dhe së fundi, dënim me burg edhe për personat që nuk paguajnë energjinë elektrike.
Retorika dhe alibia është e thjeshtë: duhen masa të ashpra që situata të jetë nën kontroll. Dhe në një shtet ku më shumë se 80% të jetës së tij e ka kaluar nën diktatin e regjimeve arbitrare, dhe ku kultura e dënimit është më e fortë sesa kultura e maturimit, ide të tilla çuditërisht gjejnë mbështetje apriori. Pa debat, pa konsultim, pa analizë në raport me të drejtat kushtetuese, pa vendosur një balancë midis këtyre krimeve dhe atyre më të rënda, pa analizuar sistemin e dënimit aktual në vend dhe pa përfillur angazhimet ndërkombëtare të Shqipëri. Dhe paketa e dënimeve, pra oferta e burgut masiv, vjen pikërisht kur politika, në mënyrë konsensuale miratoi amnistinë e re për krime shumë më të rënda, edhe me argumentin se burgu nuk është alternativa më e mirë edukuese për një shtet demokratik.
Pra, shkurt dhe prerë: kemi sjellje të kundërt në logjikë e veprime, dënime të ashpra, kartonë që ngrihen në kuvend dhe ligje që hyjnë në fuqi me një lehtësi më të madhe sesa p.sh, taksa që u është vënë në paguajnë qytetarëve që shkojnë në spitale (për kurim).
Çështja është dy-planëshe: qeveria ndodhet nën presion për shkak të kriminalitetit në rritje, valës së sulmeve kriminale me lëndë plasëse, përqindjes së lartë të ekonomisë informale dhe krizës financiare në vend. Ajo ka të drejtë të mendojë zgjidhje dhe meriton mbështetje kur është në gjendje të ofrojë zgjidhje optimal. Siç ishte p.sh, aksioni (edhe pse gjysmak) kundër lojërave të fatit, aksionet për shpëtimin e rrugëve nacionale nga ndërtimet pa leje dhe kërcënuese për sigurinë, masat për pastrimin e territorit, etj. Në këtë pikëpamje ishte e pritshme që qeveria të iniciojë masa ashpërsuese ndaj krimit dhe për këtë ka mbështetjen e publikut.
Qeveria vetë është institucion kushtetues, i deleguar të administrojë vendin, përfaqëson një vullnet politik dhe ka detyrimin të veprojë brenda kuadrit kushtetues. Dhe kur masat e ndërmarra vihen në raport me kushtetutën dhe parimet e saj, atëherë rezulton se kemi të bëjnë në rastin më të mirë me injorim dhe interpretim të gabuar të parimeve kushtetuese dhe pushtetit ekzekutiv. Le të marrim një shembull: në një vend ku zyrtarisht pranohet se rreth 30% e familjeve jetojnë në varfëri dhe po kaq në kushtet e mbijetesës normale është mëse absurde që kjo pjesë, e diskriminuar edhe për shkak të papunësisë, kushteve sociale, nivelit të shkollimit, etj, të ndëshkohet dyfish, duke e penalizuar me burg nëse nuk paguan rregullisht faturat e energjisë elektrike.
Për disa arsye: së pari sepse nuk kanë para, ndaj janë zyrtarisht të varfër; së dyti sepse ndihma ekonomike u siguron vetëm ushqimet bazë dhe nuk u jep mundësi pagese ekstra; së treti se vetë faturat e energjisë janë abuzive dhe pa transparencë; së katërti sepse nuk janë ata konsumatorët më të parregullt të energjisë dhe së fundi e më kryesorja, sepse sipas Kushtetutës së Shqipërisë, parimi i kujdesit social të shtetit është dhe mbetet një parim kushtetues, i panegociueshëm dhe i paprekshëm.
Pyetja që lind në raste të tilla është përtej diskutimit formal kushtetues: vetë qeveria pranon se konsumatorët më të mëdhenj industrial dhe shumë ente shtetërore, përfshirë ministri, institute, spitale, etj, janë borxhlinjtë më të mëdhenj të energjisë.
Asnjë prej këtyre kategorive nuk mban përgjegjësi, drejtuesit shkojnë e vijnë dhe askush nuk penalizohet, vetë qeveria është borxhliu më i madh publik, ndërkohë që ligji ashpërson dënimin për qytetarin e thjeshtë, atë më me pak pushtet e mbështetje, atë që nuk ka ku të gjejë vend pune, nuk ka të ardhura shtesë, nuk ka siguri për jetën dhe njëherësh, është i privuar nga shumë shërbime të tjera publike, përfshirë kujdesi shëndetësor apo arsimimi cilësor. E njëjta situatë edhe me dënimet mbi lëndët plasëse: kush janë konsumatorët më të mëdhenj dhe të rrezikshëm të saj: ndonjë individ që e përdor atë për peshkim/hapje rruge apo gurore në ndonjë zonë të largët të vendit apo kompanitë më të mëdha industriale të cilat prej vitesh rrezikojnë banesat e dhjetëra fshatrave në shpërthimet e pakontrolluara për naftë dhe burime të tjera fitimprurëse? Edhe në këtë rast politika dënon të parët, amniston të dytët.
Një shembull tjetër konkret: ishte e admirueshme aksioni i policisë kundër automjeteve pa dokumente dhe shoferëve të dehur. U tha se u arrestuan dhe u burgosën për disa javë rreth 100 individë. Dakord, edhe pse kemi të bëjmë me një masë shumë të ashpër. Por gjatë kësaj kohe kemi parë sesi individë me dosje publike kriminale, në kërkim edhe nga shtete të tjera, janë liruar nga policia ose gjykatat, sesi raste të dukshme kriminale me pasojë jetën janë mbyllur brenda zyrave të shtetit pa dhënë drejtësi, apo se asnjë masë nuk është marrë kundër atyre firmave që kanë ndërtuar rrugë jashtë standardi, pa sinjalistikë dhe masa sigurie, duke u bërë vetë burime për aksidente. Pra, qytetari përsëri dënohet, bizneset e mëdha ftohen në sallonet e politikës, amnistohen, kurse dosjet e mëdha kriminale shtyhen, arkivohen ose mbyllen “për procedurë”.
Imagjinoni një koleg në media dhe universitet, që me akuzën e ryshfetit rreth 800 euro bëri 1.3 muaj burg, kurse një politikan që fitoi nga një operacion financiar për shkak të funksionit publik rreth 1.8 milion euro nuk u dërgua kurrë as në gjykatë. Imagjinoni 24 rastet e arrestimeve e dënimeve të individëve që morën ndihmë sociale jashtë kritereve në fshatrat e Pukës, Korçës apo Gramshit dhe përballë tyre, rreth 28 deputetë që votojnë sot masa të tillë antikrim ndërkohë që vetë kanë biznes kryesor fitimprurës në dhjetëra milionë euro kanë pikërisht tenderët publikë, vendimmarrjet në konflikt interesi, të krijuar nga lidhjet politike dhe të ushqyer nga politika. Imagjinoni një infermiere që kapet në video mediash me dy mijë lekë të vjetra dhe pushohet nga puna, ndërkohë që atje lart në pushtet, ka politikanë të kapur me miliona euro pazare në zyrat e shtetit, imum ndaj çdo hetimi, gjykimi dhe ndëshkimi për shkak të pushtetit dhe mekanizmit korruptiv të tij.
Demokracia qytetare dallon nga oligarkia demokratike; e para sepse primar ka qytetarin pastaj pushtetin, e dyta sepse primare ka pushtetin dhe më pas qytetarin; e para sepse primare ka vlerat, frymën, parimet, e dyta sepse primare ka fitimin, kontrollin mbi fitimin dhe kontrollin mbi të tjerët. Kultura e gjetjes së mekanizmave për të ndëshkuar qytetarin, pa marrë parasysh të drejtat e tij, raportin e tij me shtetin, raportin e tij me parimin e barazisë, dhe as përgjegjësinë e shtetit ndaj tij, është dhe mbetet një nga defektet konsensuale të sistemit korruptiv të oligarkisë në Shqipëri. Midis shtetit me ligje dhe shtetit të së drejtës shqiptarët kanë zgjedhur të dytin, demokracia bazohet tek e drejta.
Përvoja e kaluar dhe e sotme e raportit shtet – qytetar meriton “rilindje”, vëmendje dhe reflektim, – për të dëshmuar se jemi e duhet të jemi vend demokratik evropian, dhe konkretisht, për të mos i dhënë shtetit diçka që nuk e ka, – monopolin arbitrar mbi jetën e qytetarëve, dhe për të mos u dhënë qytetarëve diçka që nuk e kanë dhe nuk mund ta kenë apriori dhe as kolektive, – natyrën kriminale dhe burimet e të keqes.