Koha për transparencë nga politika!

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli, 5 prill 2014

Të zakonshëm ata hyjnë në politikë dhe bëhen të pasur. Rrinë në politikë duke ndryshuar rregullat e lojës dhe shpeshherë edhe rregullat e zgjedhjeve, duke u bërë edhe më të pasur. Ata bëjnë marrëveshje për të zgjatur jetën në politikë dhe përsëri bëhen më të pasur. Por kur tashmë bëjnë pjesë te më të pasurit, atëherë nuk mund të jenë më të zakonshëm, por të jashtëzakonshëm. Kështu, ata kontrollojnë ekonominë e vendit, jetën publike, median, tregun, drejtësinë, institucionet shtetërore dhe gjithçka tjetër. Kjo nuk është pjesë e skenarit të serialit “Eskobar”, që jepet çdo javë në ndonjë televizion tonin, por është C-ja më popullore e oligarkisë tonë politike. Por si duhet vepruar me këtë?

Ja një shembull britanik dhe një shembull gjerman. Në Britani, deputeti dhe politikani detyrohen që të deklarojnë burimet e financimit të tyre, si edhe të ardhurat modeste. Këtu hyjnë biletat që mund të blejnë për ndonjë aktivitet, apo pagesat e hoteleve ku qëndrojnë për punë të ndryshme. Ndërsa në shembullin gjerman, secili politikan deklaron burimet anësore të financimit dhe fitimit, si edhe paraqet publikisht dokumentet personale për taksat që paguan mbi fitimin. Por a mund të ndodhë kjo edhe në vendin tonë. Unë mendoj se kjo mund të ndodhë. Mjafton që të kemi vetëm një shembull konkret; të kemi një politikan që të dalë dhe ta bëjë publikisht këtë deklarim, duke ftuar gjithashtu edhe kolegët e tjerë deputetë që të bëjnë të njëjtën gjë. Por a mund ta gjejmë ne një politikan të tillë në Shqipëri? Ndoshta. Unë provova të testoja javën që shkoi të paktën 13 politikanë dhe deputetë të tri partive kryesore në vend. Të gjithë e mbështetën unanimisht nevojën dhe domosdoshmërinë se çdo politikan dhe zyrtar i këtij vendi duhet ta bënte këtë deklarim të të ardhurave….me përjashtim të vetë atyre!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi