Pakti me FMN merr 76 vota, rrëzohen 11 propozimet e PD

Kuvend: 3 prill 2014

Maxhoranca miratoi dje me 76 vota pro të maxhorancës marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar për marrjen e një huaje prej 330 milionë eurosh për tri vitet e ardhshme. Deputetëve u janë dashur plot nëntë orë për të debatuar me njëri-tjetrin lidhur me rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Në fund, opozita, pasi shprehu qëndrimin e saj përmes ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode, vendosi ta lërë Kuvendin dhe të mos marrë pjesë në votim. Gjatë momentit të votimit shumica e mbetur e vetme në sallë rrëzoi në bllok të 11 propozimet e Partisë Demokratike, duke lënë në fuqi paktin e firmosur nga qeveria.

DEBATI

Në nëntë orë debat, dhjetë deputetë të PS-së dhe LSI-së argumentuan se përse duhet të miratohet sa më parë pakti me FMN-në. Sipas shumicës, marrëveshja mund të konsiderohet jetike për ekonominë e vendit, duke pasur parasysh “humnerën financiare” ku koalicioni i majtë gjeti vendin pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Anastas Angjeli, Erjon Braçe, Vasilika Hysi, Ermonela Felaj dhe Taulant Balla, në emër të Grupit deklaruan se pakti me Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk parashikon në asnjë pikë të tij rritje të taksave, të çmimit të energjisë elektrike dhe të rritjes së moshës së pensionit. Nga ana e tyre, 12 deputetë demokratë së bashku me ish-kryeministrin Berisha, i cili ndërhyri katër herë për replikë dhe një herë që mori fjalën rreth 20 minuta, deklaruan se kjo marrëveshje skllavëron vendin. Edmond Spaho, Sherefedin Shehu, Kastriot Islami, Oerd Bylykbashi dhe Jozefina Topalli deklaruan se kjo është marrëveshje mosbesimi e FMN-së ndaj qeverisë shqiptare.

AMENDAMENTET E PD

Pas vendimit të marrë nga opozita, në mbledhjen e djeshme të Parlamentit u paraqitën 11 amendamentet, por që nuk u paraqitën nga deputetët në nëntë orë debat. Gjatë seancës maratonë, Konferenca e Kryetarëve debatoi për disa minuta lidhur me futjen në diskutim të amendamenteve të PD-së, por pa rënë dakord, duke ia lënë për votim seancës parlamentare. Në fund të seancës, rreth orës 22:00, nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule, kërkoi që amendamentet që kanë të bëjnë me rritjen e pagave, rritjen e pensioneve dhe mosarritjen e moshës së pensionit të hidheshin në votim. Me 76 vota kundër amendamentet u rrëzuan, duke mbetur në fuqi pakti i ardhur nga qeveria.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi