Dialogu edhe mund të presë, reforma administrative, jo

Nga Arjan Vasjari, botuar në Mapo Online, 4 prill 2014

Janë përgjithësisht realistë ata që e shikojnë si të vështirë dialogun mes mazhorancës dhe opozitës në këtë moment politik. Përveç anoreksisë kulturore për të dialoguar, e cila nuk është as e re dhe as e panjohur, palët kanë arritur në atë pikë ku refuzojnë të merren vesh edhe për gjëra që janë dakord. Reforma administrative, për shembull, është rasti ekselent. Palët bien në një mendje se, reforma është e nevojshme të bëhet; nuk kanë ndonjë qasje konceptuale, radikalisht të ndryshme, që mund të kompromentonte suksesin e reformës; kanë njësoj interes që ajo të mbyllet shpejt për shkak të zgjedhjeve administrative të vitit tjetër; ndajnë opinionin e njëjtë se reforma duhet të jetë bipartizane. E megjithatë, edhe dialog nuk ka edhe reforma ka ngrirë. Kaq mjafton për të kuptuar se, reforma administrative nuk ka lidhje fare me dialogun. Përkundrazi, reforma administrative është testi për të kuptuar se, sa shumë i komplikuar mund të jetë ndërtimi i dialogut për çështje ku palët nuk bien dakord.

Mirëpo, ndërkaq reforma administrative duhet bërë. Për arsyet që renditëm më lart, ajo ka të gjitha mundësitë të bëhet, pavarësisht nëse instalohet ose jo dialogu. Pra, nuk ekziston ndonjë marrëdhënie kushtëzuese mes reformës dhe dialogut. Sigurisht, ajo nuk është reforma që do të përcaktojë të ardhmen tonë, siç kanë dëshirë të fantazojnë disa. Ajo bën pjesë në të ashtuquajturin, reforma të rendit të dytë por, brenda komplementaritetit të saj, duhet “hequr qafe”. Sistemi ka nevojë të çlirohet prej një barre më shumë, politika nuk ka arsye që të shpenzojë energji të tepërta me të.

Në qoftë se merr në shqyrtim “arsyen” themelore (dhe të vetme) pse palët nuk avancojnë me reformën administrative, e kupton lehtë se, jo vetëm dialogimi për të nuk është i domosdoshëm por edhe se, “arsyeja” themelore nuk është recta ratio. Është vetëm alibi. Asimetrikisht identike për të dyja palët që do të thotë se, po u rrëzua njëra, bie dhe tjetra.

Atëherë, pika se ku vërtitet ngërçi i reformës ka të bëjë me konsensusin. Thënë më qartë, me pretendimin (ose refuzimin) për ta shtrirë (ose moslejuar) konsensusin nga komisioni i posaçëm parlamentar në sallën e Kuvendit. Lulzim Basha pretendon që konsensusi të vijojë si praktikë edhe në momentin e votimit në parlament. Edi Rama refuzon që konsensusi të kërkohet edhe në aulën e votimit.

Pa pretenduar të depërtojmë në perversitetin logjik të palëve, duket se çështja nuk është as e komplikuar si përmbajtje dhe as dialogu nuk është i nevojshëm si zgjidhje. Arsyetimi është ky: nëse palët kanë pranuar se komisioni parlamentar për reformën do të funksionojë mbi konsensusin, praktikisht kanë pranuar se, produkti i komisionit do të jetë, le të themi, një shumatore e fitore-lëshimeve të të dyja palëve. Pra, në thelb, produkti i komisionit do të jetë një produkt konsensual, i pranuar nga mazhoranca dhe nga opozita. Në këto kushte, në parlament do të shkonte një produkt i gjithëpranuar dhe votimi aty do të ishte thjeshtë dhe vetëm një formalizim politiko-juridik i produktit konsensual të komisionit ad hoc. Që të ndodhë ndryshe është thuajse e pamundur. Kjo nënkupton që, opozita nuk ka pse të ketë frikë se komisioni mund të prodhojë një projekt të njëanshëm, sepse ajo si opozitë gëzon të drejtën e vetos. Po ashtu, ajo nuk ka pse të ketë frikë votën në parlament sepse, aty nuk është parashikuar të votohet ndonjë projekt alternativ me atë të komisionit. Thënë ndryshe, në parlament do të votohet çfarë ka prodhuar komisioni, pra edhe opozita.

Nga ana e saj, mazhoranca nuk ka arsye të ketë frikë nga një obstruksion i opozitës në komision. Për një logjikë të gjërave, dështimi i komisionit ka më shumë gjasë të vijë prej keqpërdorimit të vetos nga opozita sesa prej faktit se shumica dominon komisionin. Përmes institutit të vetos që ia ka njohur opozitës, mazhoranca ka dorëzuar, në fakt, arbitraritetin potencial të saj, por ka fituar ndërkaq pafajësinë për dështimin e komisionit. Në çfarëdo rrethane mazhoranca nuk ka asnjë interes politik që komisioni të dështojë. Për të vijuar arsyetimin, edhe në parlament mazhoranca nuk ka pse të ketë ndonjë shqetësim për obstruksion nga opozita sepse, kjo e fundit nuk mund të refuzojë të votojë diçka për të cilën ka dhënë konsensusin në komision. Me pak fjalë, formula që palët parimisht kanë pranuar për të shkuar drejt reformës elektorale, (dhe këtu kam parasysh të drejtën e vetos për opozitën, kryesimin e komisionit nga mazhoranca, fryma e konsensusit) i mban rrethuar ato brenda mureve të konsensusit. Çdo dalje prej tij do të ishte politikisht vetasgjësim.

Përveç sa thamë, reforma administrative është një reformë që financohet dhe monitorohet nga partnerët tanë të cilët, duhet thënë, nuk janë aq të talentuar sa ne në fushën e hileve por, janë më të zotë për t’i kuptuar ato. Kjo dyfishon garancitë e palëve ndaj arbitraritetit të njëri-tjetrit dhe largon fobinë mbi prapaskenat.

Siç shihet, idolatria për dialogun me çdo kusht, nuk vlen për rastin e reformës elektorale. Ajo bëhet edhe pa u ulur në një tryezë Rama dhe Basha. Gatishmëria dhe kapaciteti i tyre për dialog do të provohet pas reformës territoriale, kur në axhendën e politikës të vijë diskutimi delikat për korrektimin e ligjit elektoral. Në stadin ku gjendet, është e rëndësishme që debati mbi reformën të spastrohet njëherë e mirë prej tezës së gënjeshtërt se, reforma nuk mund të avancojë nëse nuk dialogohet mes palëve. Reforma administrative ka ngecur, jo për shkak se Rama dhe Basha nuk dialogojnë, por sepse, nuk kanë ç’të dialogojnë mbi reformën. Alibia e tyre rreth konsensusit jashtë apo konsensusit brenda, nuk mban më. Por më e rëndësishmja është se ata janë esencialisht dakord që ajo të bëhet, të bëhet në mënyrë bipartizane, të bëhet shpejt. Këto i kanë thënë dhe pranuar pa u takuar me njëri-tjetrin, kështu që nuk ka asnjë kuptim politik që domosdoshmërisht të dialogojnë përreth një tryeze apo gjetiu për t’i përsëritur. Reforma administrative nuk ka pse të jetë peng i dialogut politik. Pra, le ta çlirojmë reformën nga pengmarrja prej dialogut! Le t’i ndajmë nga njëra-tjera e të bëjmë sakaq atë që mundemi, pra reformën! Le të kryejmë diçka për të cilën nuk kemi nevojë të dialogojmë, ngaqë jemi dakord! Kohë për të dështuar prej mungesës së dialogut kemi plot. Kohë për reformën administrative, jo dhe aq.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi