Statusi, çështje kohe

Nga Artan Hoxha, botuar në Panorama Online, 4 prill 2014

KANCELARJA – STATUSI, NJE ÇESHTJE KOHE

Mesazhi i Kancelares fuqiplotë të Gjermanisë pas… takimit  me Kryeministrin Rilindës u përcoll e u përthith i ngrohtë e shpresëdhënës.

Në konferencën për shtyp Kancelarja tha se: “…Në qershor do të marrim një raport të ri dhe, me atë që dëgjova unë, do të ketë sigurisht edhe përparime. Komisioni do t’i ketë regjistruar këto përparime dhe ne……. do të vendosim me një vështrim pozitiv për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Është gjithmonë një çështje se kur, nuk është një çështje nëse do ta marrë. Nuk duhet të keni frikë se nuk do të jepet statusi i kandidatit, por vetëm raportet duhet ta bëjnë të mundur që t’ua japim…..”.

Që zgjidhja e çdo çështjeje është funksion i kohës, kjo është dije universale. S’besoj se Kancelarja ka dashur të përsërisë një gjë universalisht të ditur e me këtë të lajë gojën. Me siguri ka dashur të përcjellë diçka më shumë. Lajm i mirë për statusin.

MESAZHI I KANCELARES PER KRYEMINISTRIN

Unë nuk kam si ta di se ç’ka menduar Kryeministri Rilindës atë moment, por lexoj ç’tha Kancelarja, e cila duhet të jetë informuar se në dhjetor e më tej ai ka thënë se statusin nuk na e dhanë për shkak të presionit të ekstremistëve e bashkë me partnerin e tij të supermaxhorancës thanë se nuk na e dhanë për shkak të myslimanizmit shqiptar.

Kushdo e merr me mend se myslimanizmi shqiptar nuk ka se si të zhbëhet qoftë edhe në shekujt e ardhshëm. Këtë e di edhe Kancelarja. Ndaj, thënia e Kancelares – çështje kohe – e mohon myslimanizmin si shkak. Lajm i mirë për statusin.

Lidhur me ekstremizmin në Europë, ndonëse disa krerë shtetesh dhe institucionesh e rrëzuan me përbuzje këtë argument, ai është një faktor prezent, me peshë minimale, por të rëndësishme kur je në kufirin “kalon apo ngel”, siç është rasti ynë.

Për aq sa ka peshë, roli i ekstremizmit në qershor, krahasuar me rolin e tij në dhjetorin e kaluar, shfaqet me dy mundësi: i) për shkak të mbarimit të zgjedhjeve europiane ai mund të humbasë në qershor rolin pengues; ii) për shkak të rezultatit të zgjedhjeve – një Parlament Europian me prezencë më të fortë të ekstremistëve antieuropianë – statusi për Shqipërinë mund edhe të sakrifikohet për qëllime të brendshme politike të Unionit.

Ndaj, thënia e Kancelares – çështje kohe – as e pohon dhe as e mohon ekstremizmin europian lidhur me fatin tonë për statusin. Lajm sa i mirë, aq edhe i keq për statusin.

Kancelarja dëgjoi Kryeministrin Rilindës mbi përparimet e Shqipërisë nën drejtimin e tij. Ajo nuk u shpreh se këto ishin të pavërteta. As që mund të pritet ta thotë edhe nëse me mendje beson të kundërtën. Ndoshta, me zemër, ajo priret ta besojë. Lajm i mirë për statusin.

Çështje kohe, pra çështje humori. Në dhjetorin e kaluar Kancelarja dhe të tjerë kryeministra europianë nuk ishin në humor të mirë. Të shpresojmë se do të jenë në humor të mirë këtë qershor.

MESAZHI I KANCELARES PER STEFAN FYLEN

Kancelarja pret që arritjet e ekspozuara nga Kryeministri Rilindës të certifikohen nga Komisioni Europian, duke premtuar se vlerësimi i saj do të priret nga pozitivja. Në dhjetor u certifikuan, ndaj fajin e kishte humori i keq i Kancelares. Humori i mirë i saj na bën punë në qershor. Pak a shume si humori i mësuesit që, kur është i mirë katër e gjysmën e bën pesë e kur është i keq e bën katër.

Sa për raportet e Komisionit Europian, humori i mirë i Komisionerit Fyle i dha raportit të tetorin optimizmin e munguar. Humori i mirë i tij nuk është më lajm.

Raporti i qershorit ndikohet nga humori, por përcaktohet nga koherenca, d.m.th. për të njëjtin fenomen duhet mbajtur i njëjti qëndrim në kohë.

Bashkëpunimin maxhorancë – opozitë Fyle e kishte kusht të pakalueshëm për të dhënë rekomandimin. Konflikti politik e sëkëlldiste ato kohë. Jo më kot e kushtëzoi rekomandimin e tetorit 2012 me tri ligjet. “O të bëhen me konsensus, o s’jap rekomandim”, tha ai. E mbajti fjalën. Kur tri ligjet u miratuan me konsensus, ai, shend e verë, dha rekomandimin pa bishta në tetor 2013.

Humori i mirë pas zgjedhjeve të para një viti bëri që komisioneri të mbyllte një sy kur njëri nga tri ligjet u shkelmua më 30 shtator të vitit të kaluar e bashkë me të edhe konsensusi. Humori i mirë bën që të dëgjojë, por të mos ia ndiejë që supermaxhoranca ka nisur sulmin me arrogancë dhe opozita po përballet rreptë me të.

Komisioneri Fyle duket se e ka ndarë mendjen ndryshe këtë radhë: sa më shumë konflikt politik në Shqipëri, aq më shumë në humor të mirë ai, aq më pak vend për të koherencë. Lajm i mirë për statusin.

Varja koherencës. Rëndësi ka statusi.

MESAZHI I KANCELARES PER OPOZITEN

Për opozitën, meqë vendimi do të varet nga pozitiviteti i raportit të Komisionit, pra humori i mirë i Fyles, e në paradhënie u tha se do të vlerësohet me pozitivitet nga Kancelarja, pra humori i mirë i saj, mesazhi duket se merr kuptimin që ç’thotë e ç’bën opozita nuk ndikon as për PO e as për JO në vendimin e tyre për statusin në qershor. A nuk ndodhi me ftesën për në NATO? As shpërthimi në Gërdec, as marshimi i heshtur i opozitës socialiste nuk ndryshuan rrjedhën e paracaktuar të ngjarjeve.

Në fakt, edhe vetë opozita nuk e vret për këtë. Ndonëse po përballet me sulmin e supermaxhorancës arrogante, ajo vetë thotë pa reshtur që statusin më mirë të na e japin në qershor sesa mos të na e japin. Opozita aktuale, ndryshe nga ajo e kaluara, e di se hallet me këtë supermaxhorancë arrogante nuk ia zgjidh as marrja e as mosmarrja e statusit, ndaj, ngaqë s’ka pse të thotë JO, thotë pa hezitim PO. Lajm i mirë për statusin.

KANCELARJA. UKRAINA. KRIMEJA. PUTINI

Kot s’thonë që, ndonjëherë, e mira të vjen andej nga nuk e pret. Putini, për hesap të vet, aneksoi Krimenë.

Sa herë që rreziku rus shfaqet frikshëm, Europa interesohet për Ballkanin e, në Ballkan, për shqiptarët. Kështu ka qenë jetë e mot. Kështu do jetë edhe këtë qershor. Lajm i mirë për statusin.

SHQIPERIA SI NXENESI MES KATRES DHE PESES

Që jemi kësi nxënësi, ky s’është fare lajm. Dihet. E tha edhe Kryeministri Rilindës në “Dojçe Vele” se “….Gjermania është Gjermani e Shqipëria është Shqipëri…”.

Ky lloj nxënësi, kur nuk e kalon provimin thotë “s’ma dha”, kur e kalon thotë “e mora”. Këtë bëmë në dhjetor për statusin. Këtë do të bëjmë në qershor. Këtë do të bëjmë për një kohë të gjatë me integrimin.

Ngjitja te gjashta apo shtata punë fort e lodhshme. S’është për ne. Më mirë kështu siç jemi. Edhe pak fat që mësuesi të jetë në humor të mirë. Si Kancelarja këtë radhë. Humori i mirë mjafton në qershor e, në mos në qershor, në dhjetor. Ne s’tundemi nga katër e gjysma, si dikur nga istikami.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi