Pamundësia e reformës territoriale pa opozitën
Nga Roland Lami, botuar në Mapo Online, 3 prill 2014
Pavarësisht se mazhoranca ka vullnetin dhe, ajo që është më e rëndësishme, numrat e nevojshëm për të kaluar në parlament reformën administrative, paradoksalisht, nuk mundet ta bëjë një gjë të tillë. E habitshme duket në lexim të parë, por nëse e analizon kompleksitetin e kësaj reforme kupton që mazhoranca nuk ka arsye ta bëjë një gjë të tillë pa miratimin e opozitës.
Arsyeja e parë lidhet me qëndrimin e faktorit ndërkombëtar, i cili nuk ka reshtur së përsërituri rëndësinë e miratimit të kësaj reforme por pa harruar të nënvizojë nevojën e konsensusit me opozitën. Kështu që, miratimi i njëanshëm i kësaj reforme, pavarësisht se po lobohet tek vendet që u shprehën kundra të merret dakordësia e tyre në qershor, këta të fundit nuk kanë hezituar të shprehin mbështetjen, por pa anashkaluar raportin e KE.
Arsyeja e dytë lidhet me kompleksitetin që mbart kjo reformë e cila prek si aspektin juridik, politik, ekonomik dhe kulturor. Për dy të fundit nuk është se ka ndonjë sensibilitet shumë të madh (pavarësisht se janë dy komponentë shumë të rëndësishëm që garantojnë funksionalitetin financiar dhe organik të njësive vendore) por për dy të parat, të paktën aktorët politike janë shumë të ndjeshëm. Arsyeja lidhet me faktin se preken direkt nga kjo reformë. Më konkretisht, nuk mundesh që të përjashtosh nga reforma një subjekt politik siç është PD, e cila drejton aktualisht numrin më të madh të njësive vendore në rang vendi. Çdo anashkalim i kësaj force politike mund të bëhet shkak i provokimit të një situate të tensionuar në të gjitha njësitë vendore që drejtohen nga të zgjedhurit e kësaj force politike. Aq më shumë, që vitin tjetër përgatitemi për zgjedhjet dhe ku pushteti vendor është hallkë e rëndësishme në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Nisur nga pesha elektorale që siguroi e majta në zgjedhjet e 2013, ka pak arsye që të shkojë në zgjedhje lokale me një klimë kontestuese.
Arsyeja e tretë lidhet me interesin e ngushtë të drejtuesve vendorë në komuna apo bashki. Në shumë raste është konstatuar që drejtuesit e disa komunave apo bashkive janë zgjedhur apo rizgjedhur jo shumë për arsye të logos partiake apo mbështetjes së partive politike, por për arsye të lidhjeve klanore, fisnore, dhe favoreve të bëra ndaj banorëve të zonave respektive. Mirëpo, reduktimi i njësive vendore iu heq mundësinë disave. Në një rast të tillë, i gjithë rrjeti social i krijuar në vite nga kryetari i komunës apo i bashkisë mund të reagojë me votë kundra ose abstenuese në zgjedhjet vendore. Mos harroni që ka kryetarë komunash që kanë më shumë se një mandat, aq sa është e pakonceptuar për ta të bëjnë ndonjë punë tjetër në jetë. Shto këtu edhe reagimin e punonjësve të administratës së këtyre njësive që preken nga kjo reformë për të hamendësuar koston elektorale që mund të shkaktojë një veprim i tillë. Sigurisht, miratimi me konsensus nuk e përjashton këtë kosto, por të paktën preken të dyja forcat njëlloj nga ky reagim.
Arsyeja e katër lidhet me interesin e ngushtë elektoral. Vitin tjetër organizohen zgjedhjet vendore dhe aplikimi i formulës zgjedhore bëhet mbi bazën e ndarjes territoriale. Kështu që çdo ndryshim i ndarjes territoriale shërben si referencë për përllogaritjen elektorale. Mirëpo, referuar rekomandimeve të bëra nga shumë konstitucionalistë dhe ekspertë të çështjeve zgjedhore është vënë theksi vazhdimisht te nevoja e rishikimit të Kodit në rastin e zgjedhjeve vendore. Me ndryshimet e pretenduara nevoja për rishikim të Kodit bëhet edhe më e madhe. Mirëpo, që të miratohen ligje me 3/5 nevojiten votat e PD. Kështu që konsensusi i opozitës është i nevojshëm në një rast të tillë.
Arsyeja e pestë lidhet me nevojën e rikonceptimit të kuadrit ligjor të decentralizimit. Nuk mund të ketë një reformë thjesht dhe vetëm territoriale pa ndryshuar disa aspekte të ligjit aktual të pushtetit vendor. Në këto kushte, qoftë për shkak të precedentit të vitit 2001, ku një reformë e tillë ka kaluar me konsensusin e dy palëve, qoftë edhe për shkak të numrave që mund të kërkohen për disa ndryshime substanciale, roli i opozitës bëhet i domosdoshëm.
Janë këto arsyet dhe të tjera që e shtyjnë mazhorancën të mbetet vetëm në nivelin e deklaratave dhe jo të veprimeve konkrete përsa i përket reformës territoriale. Dhe sa mirë që është këtu, pasi e kundërta do të krijonte një situatë të paqartë politike, dhe mund të na fuste në qorrsokak