A kemi ne një minimum jetik?
Nga Kosta Barjaba, botuar në gazeta Dita, 3 prill 2014
Lufta kundër varfërisë, sado një politikë e vazhdueshme qeverisëse, ndodhet prej kohësh në një qorrsokak. Ky vlerësim nuk është një metaforë, por gjendje reale. E cila ushqehet nga mospërputhjet midis të dhënave si edhe mungesa e referencës për daljen nga varfëria. Sipas të dhënave të INSTAT, varfëria në Shqipëri, prej vitit 2008, është në nivelin 12.5 përqind. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, e matur në kontekstin e fuqisë blerëse të popullsisë, varfëria në Shqipëri është mbi nivelin 62 përqind. Sipas vlerësimeve të EUROSTAT, fuqia blerëse e shqiptarëve është rreth 2.9 herë më e vogël sesa e konsumatorëve europianë. Por asnjera prej të dhënave të mësipërme nuk ka me cilin matës të nivelit të jetesës të krahasohet. Sepse në Shqipëri kjo pikë e referencës, që duhej të ishte minimumi jetik, as është llogaritur ndonjëherë, as është shpallur, pa le të jetë arritur.
Varfëria sipas INSTAT
Siç përmenda, varfëria sipas INSTAT-it, e vlerësuar sipas Anketës së Matjes së Nivelit të Jetesës, ka rënë në mënyre drastike gjatë dhjetë vjetëve të fundit: 25.4 në vitin 2002, 18.5 në vitin 2005 dhe 12.5 në vitin 2008. Kjo është varfëria e lexuar sipas shifrave. Por, edhe nëse këta numra i pranojmë si të saktë, pas tyre fshihet një realitet tjetër, që buron nga paqëndrueshmëria e këtyre treguesve. Leximi i disa të dhënave të tjera, si niveli i papunësisë, rritja e pagave dhe e pensioneve, ulja e remitancave etj., na vendos në vështirësi. Duke qenë se papunësia e regjistruar, gjatë serive kohore të mësipërme, është ulur në mënyrë të moderuar, respektivisht 15.8 përqind më 2002, 14.1 përqind më 2005, 13.5 përqind më 2008 dhe 13.9 përqind në vitin 2012, mund të konkludojmë se varfëria është ulur kryesisht jo nga ulja e papunësisë, por nga faktorët e tjerë: pagat, pensionet, remitancat. Remitancat po vijojnë të pakësohen me shpejtësi, ndërsa rritja e pagave dhe e pensioneve po moderohet. Kjo e bën edhe më emergjent korrelacionin varfëri-punësim. Sepse, praktikisht, në asnjë ekonomi nuk mund të ndodhë që varfëria të ulet 25 herë më shpejt sesa varfëria: 50 përqind kundrejt 2 përqind!
Varfëria sipas Bankës Botërore
Në figurën e mëposhtme paraqitet niveli i varfërisë në Shqipëri, në kontekstin e varfërisë në vendet e Europës Juglindore, i matur sipas fuqisë blerëse. Ky vlerësim mbështetet në të dhënat e ofruara nga Shqipëria më 2008, viti i fundit për të cilin Bankës Botërore i janë ofruar zyrtarisht treguesit mbi varfërinë në Shqipëri.
E lexuar shqip, varfëria e matur me fuqinë blerëse do të thotë se shqiptarët që ndodhen, sipas standardeve të Bankës Botërore, në varfëri ekstreme (me më pak se 2.5 USD në ditë), mund të blejnë me këto të ardhura 2.5 herë më pak sesa mund të blejë me këto para një konsumator në tregun amerikan.
Varfëria sipas EUROSTAT
Sipas vlerësimeve të EUROSTAT, fuqia blerëse e shqiptarëve është rreth 2.9 herë më e vogël sesa e konsumatorëve europianë,. Pra, një shqiptar, me të njëjtën sasi EURO, konsumon 2.9 herë më pak sesa një konsumator në vendet e BE-së.
Konsumi Individual për Frymë, 2013
BE 27 100
Mali i Zi 52
Maqedonia 40
Serbia 44
B-H 37
Shqipëria 35
Eurostat (http://ec.europa.eu/eurostat, 12. 12. 2013)
Pas Kosovës, shihet se kemi fuqinë blerëse individuale më të ulët në rajon.
Minimumi Jetik: një planet i largët për shqiptarët?
Shifrat e mësipërme nuk janë kundërthënëse. Ato vetëm na kujtojnë se varfëria nuk është thjesht një mungesë të ardhurash, por një mungesë burimesh dhe aksesi për të jetuar minimalisht. E vlerësuar nga standardet e INSTAT-it, Bankës Botërore dhe EUROSTAT-it, varfëria në Shqipëri ofron pamje dhe nivele të ndryshme. Kriteret e mësipërme janë si pasqyrat, që të njëjtin objekt, e reflektojnë nga kënde të ndryshme. Kjo është një arsye më shumë që shqiptarët kanë nevojë të dinë sa është minimumi i tyre jetik, që do të thotë sa Lekë u duhen në muaj për të mbijetuar. Edhe nëse nuk arrihet, minimumi jetik duhet shpallur. Edhe nëse nuk shpallet, të paktën duhet llogaritur. Ky standard nuk mund të mbetet përjetësisht një planet i largët për shqiptarët. Pa këtë minimum, do të vazhdojmë të hallakatemi nëpër qorrsokakët e varfërisë.