Fondamentalizmi si problem politik

Nga Agron Gjekmarkaj, botuar në Panorama Online, 24 mars 2014

Rënia e komunizmit në Shqipëri solli me vete rikthimin e besimeve, si praktika dhe si struktura fetare, madje menjëherë hynë në vendin tonë edhe një seri besimesh që nuk ekzistonin më parë.

Komunizmi shqiptar, në specifikën e tij, kishte treguar një zell të veçantë në persekutimin e elementit katolik, dhe këtë detyrë jo rastësisht e kishin marrë përsipër krerë që vinin nga shtresa tradicionalisht fanatike. Të mos harrojmë se Mehmet Shehu, për shembull, ishte djali i Sheh Ismailit, fanatik antishqiptar që kishte marrë pjesë në rebelimin e Haxhi Qamilit, dhe si ai në gjirin e udhëheqjes kishte edhe mjaft të tjerë. Vetë Enver Hoxha, duke marrë pozat e një historiani serioz, përpiqej të interpretonte rebelimin antikombëtar të Haxhi Qamilit si një lëvizje përparimtare të fshatarësisë së Shqipërisë së Mesme! Apo në fundin e jetës së tij shkruante me shpirt përdëllimtar për superioritetin e botës arabe mbi atë Perëndimore.

Po të kërkojmë në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQFSH), do të gjejmë dokumentarë të atyre viteve, ku shihet se si regjimi komunist priste dhe përcillte që në vitet ’50 përfaqësuesit e vendeve islamike, me të cilët i bashkonte ideali i një irredentizmi global, që nuk dallonte elementin politik nga ai fetar dhe kombëtar. Madje, në vitin 1958, kryetar i Shoqatës së Miqësisë me vendet islamike ishte vetë Bilbil Klosi, funksionar i lartë i regjimit komunist.

Komunizmi shqiptar përdori dy etalonë në luftën e tij ndaj besimeve fetare. Ndodhte, për shembull, që djali i një kleriku mysliman të bëhej pa vështirësi anëtar partie, gjykatës apo profesor dhe, madje, të shkonte edhe për specializim jashtë vendit. Por një “fat” të tillë gjatë dekadave të diktaturës nuk do ta kishin kurrë nipërit apo kushërinjtë e një prifti katolik, edhe për faktin që ideoligjikisht konsideroheshin armiqtë më të rrezikshëm të komunizmit.

Me rënien e diktaturës, misionarët e huaj, fetarë në një shumicë rastesh, ndikuan në përmirësimin e kushteve të jetesës të shtresave më të harruara të shoqërisë, morën nën kujdes të varfrit pa dallim feje dhe u kujdesën për jetimët, siç është rasti i motrave të Nënës Terezë, por nuk munguan edhe tentativat për një shpërbërje të bashkëjetesës paqësore mes besimeve në Shqipëri. Menjëherë pas rënies së komunizmit, misionarë arabë, në bashkëpunim me një grup islamikësh me prejardhje etnike shqiptare të vendosur në Lindjen e Afërt, hodhën në qarkullim në Shqipëri një botim shqip të Kuranit, në parathënien e të cilit tekstualisht thuhej se pas rrëzimit të komunizmit duhej të punohej për shkatërrimin e demonit tjetër: krishterimit.

Ky provokim i servirej klerit të vjetër islam, i cili dilte i lodhur nga dekada diktaturë dhe ishte realisht i preokupuar për çështje të tjera, madje për nga formimi dhe tradita nuk interesohej aspak për këtë lloj konflikti. Ndodhi që me ndërhyrjen pothuaj të menjëhershme të autoriteteve shtetërore, të cilat ndërkaq kishin pritur zyrtarisht me salltanete emisarët arabë, të shqyhej kjo parathënie e turpshme vëllavrasëse.

Fundamentalizmi islamik po testonte menjëherë nëse në Shqipëri mund të gjendej humusi i përshtatshëm për një konflikt ndërfetar. Së bashku me shoqatat e shumta të bamirësisë, hynë në fillimin e viteve ’90 edhe një seri terroristësh islamikë, disa prej të cilëve u zunë dhe iu dorëzuan Egjiptit, të tjerë u neutralizuan nga forcat e rendit. Qëllimi i tyre ishte vendosja e bazave në siujdhesën e Ballkanit Perëndimor dhe përdorimi i tyre si trampolinë për Bosnjën dhe më gjerë. Qëllimi i tyre nuk ishte zhvillimi i përshpirtërisë islame, por rrënjosja e metodave të dhunës për përgatitjen e një xhihadi global. Ajo që njihej si celula terroriste islamike e Tiranës, e vendosur në Shqipëri gjatë viteve të para të qeverisjes së Partisë Demokratike, periudhë në të cilën ne u anëtarësuam në Konferencën Islamike në kundërshtim me parimet e shtetit laik, përbëhej nga eksponentë të rëndësishëm të xhihadit egjiptian, si Mohamed Al Zawahiri, i cili kishte krijuar në Shqipëri Organizatën Islamike të Ngushëllimit, Mohamed Hasan Tita, i ardhur në vitin 1993, Ahmed Ibrahim al-Naggar, Shawki Attiya, Ahmed Osman Saleh, Essam Abdel Tawab e disa dhjetëra të tjerë.

Viti 1998 shënoi fillimin e fundit të kësaj celule, tre anëtarë të së cilës do të ekstradoheshin dhe do të vareshin në një burg egjiptian në shkurt të vitit 2000.

Misioni i tyre kishte lënë mjaft “fryte” pas. Tashmë, një rrjet i tërë  punonte në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, i financuar me paratë që vinin nga organizatat islamike. Terroristët islamikë kosovarë, të arrestuar në SHBA, Suedi, Gjermani e gjetkë, si edhe ata që kanë shkuar të luftojnë sot në Siri, janë rezultati i veprimit të  radikalizmit në Shqipëri. Ata që sot mundohen të zbusin tonet dhe të thonë se bëhet fjalë vetëm për disa dele të zeza, lënë të kuptojnë se ndërkaq ishin në dijeni të veprimtarisë së tyre kinse të izoluar, përndryshe nga mund t’u vijë gjithë kjo siguri për një realitet jo aq të njohur edhe nga vetë autoritetet kompetente të sigurisë së Shtetit?!

Fundamentalistët e çdo religjioni së pari nuk janë qytetarë lealë të Republikës, pasi ata nuk e njohin atë dhe, ata islamikë, në rastin konkret, ëndërrojnë vendosjen e një regjimi totalitar islamik, siç deklaruan edhe vetë të arrestuarit e fundit.

Së dyti, ata janë edhe armiq të islamit shqiptar, pasi hedhin dritë të keqe mbi vëllezërit tanë myslimanë, që tradicionalisht kanë qenë atdhedashës dhe tolerantë.

Europa dhe ShBA na ka dhënë mësimin më të mirë të reagimit shoqëror, kur fyhen simbolet fetare të tjetrit, kur nxitet urrejtje dhe dëmtohet paqja sociale nga dalldia fundamentaliste. Rasti i përdhosjes nëpërmjet karikaturave të profetit Muhamed në Danimarkë apo djegia e kuraneve nga një prift ekstremist në Amerikë shkaktuan zemërimin e shoqërisë dhe të institucioneve, duke i shtyrë autorët dhe fenomenin në këndin e izolimit.

Ajo që i mungon sot shoqërisë shqiptare, është dënimi i qartë dhe me forcë i çdo lloj forme të fundamentalizmit nga ana e klerit dhe intelektualëve myslimanë në tërësi. Një distancim etik i vagët nuk mjafton. Ende nuk kemi parë dhe dëgjuar, për shembull, që eksponentët e rinj të islamit shqiptar, të shkolluar, të jenë shprehur publikisht kundër disa fundamentalistëve kosovarë, si Mazllam Mazllami, Fuat Ramiqi apo një deliranti të paturpshëm si Shefqet Krasniqi, që përpiqet të imponohet edhe me anën e rrjeteve sociale si një guru i islamit shqiptar, duke i quajtur femrat shqiptare prostituta dhe qenie inferiore, duke fyer Nënë Terezën, Skënderbeun, duke këshilluar myslimanët që të mos krijojnë lidhje shoqërore me të krishterët, duke thënë se plazhi është haram, duke dhënë këshilla nëse një mysliman i devotshëm mund të mbajë mace në shtëpi, mund të festojë ditëlindjen apo mund të pijë birrën me zero alkool.

Mënyra e jetesës që reflekton fundamentalizmi radikal, nuk mund të gjejë terren të përshtatshëm në Shqipëri. Përfytyroni, a do të ishte e mundur që sot të rinjtë myslimanë shqiptarë, që shkëlqejnë në universitete shqiptare dhe të huaja, të visheshin me pantallona doku treçerekëshe, apo vajzat e hijshme të mbuloheshin me një thes të zi nga maja e kokës deri nën thembër?!

Megjithatë, rreziku fundamentalist mbetet real dhe nuk mund të përcaktohet nga brenda grupimeve dhe tarikateve të ndryshme, pse nuk është thjesht një çështje doktrinale, por kryesisht politike. Vetëm Shteti dhe shoqëria civile mund t’u vendosë kufirin ligjor shfaqjeve fundamentaliste, pse nuk mund të lejojnë që gurgullimat fundamentaliste të rrezikojnë kombin dhe të përlyejnë traditën e islamit tonë të moderuar. Fundamentalizmi islamik mbetet një interpretim radikal politik dhe një përdorim i ngushtë ideologjik i një besimi fetar, duke përjashtuar çdo lloj vizioni të botës të ndryshëm nga ai. Në ketë kuptim, fundamentalizmi islamik ka shumë veçori të përbashkëta me sistemet fashiste dhe totalitare.

Ndaj fundamentalizmit nuk mjaftojnë arrestimet dhe dënimet, madje as përbuzja qytetare ndaj primitivitetit të tij si fenomen, duhet që institucionet dhe e gjithë shoqëria të bëjnë një punë të madhe emancipuese për të ndriçuar me kulturë, dije, shkencë dhe me arsimim ato shtresa të popullsisë, që për shkak të varfërisë dhe injorancës janë më të ekspozuara përpara këtij rreziku.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi