Arbitrariteti, jo etatizmi është problemi i qeverisë së majtë
Intervistë me Selami Xhepën, botuar në Mapo Online, 23 mars 2014
A ka aktualisht në ekonomi, në rrafsh botëror, një ide të ideve? Një lloj risie ose kundërideje në lidhje me shpëtimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë, pas krizës globale që nga viti 2008?
Fatkeqësisht, jo! I gjithë debati akademik si dhe veprimi politik reagues ndaj krizës, kanë mbetur të fokusuar brenda një kontinum-i që luhatet midis kejnesianizmit dhe Hayek-ut. Në planin e veprimit politik, reagimi i parë, imediat i shpëtimit të sistemit ekonomik botëror, të bankave dhe të industrive, ishin paketat fiskale masive bail out të Thesarit të shtetit, të financuar me paratë e taksapaguesve. Ndoshta është rasti më i paprecedent në historinë e SHBA-së që, një qeveri republikane e Presidentit Bush, të ndërmerrte edhe planin më të madh të shtetëzimeve të bankave që është parë në historinë e këtij vendi. Edhe në periudhën e Depresionit të Madh, Rusvelti kishte lejuar falimentimin (masiv) të bankave (mbi 3,600 të tilla), ndërsa fondet publike të shtuara me bollëk sipas recetës kejnesianiste, i kishte orientuar në vepra publike dhe krijim punësimi nëpërmjet investimeve shtetërore. Pse kemi arritur deri në këtë pikë dhe a ishte kjo e domosdoshme, ndoshta do të flas më poshtë në këtë intervistë.
Stimujt fiskal u shtuan ndjeshëm si asnjëherë tjetër në historinë e ekonomisë, në gjithë vendet e zhvilluara, SHBA dhe Europë, duke rritur shqetësimin e tregut mbi aftësinë paguese të borxheve publike, dhe për rrjedhojë, nga një krizë e sistemit financiar, kriza u shndërrua në një krizë borxhesh, duke prekur më ashpërsisht disa vende të periferisë europiane që ishin më vulnerabël, si Greqi, Itali, Portugali, Spanjë, Qipro etj.
Kur u kuptua se stimujt fiskalë ishin të pamjaftueshëm për të ndaluar recesionin dhe rreziqet serioze të një depresioni të madh si ai i viteve 1929-33, atëherë në vendin e shoferit u ulën bankierët qendrorë (ose, vendin e Kejnesit e zuri Hayek): ulje drastike të normave të interesave dhe programe masive të emetimit të parasë së re, të njohura tashmë si quantitive easing. Në një mënyrë të paprecedentë dhe në shkelje edhe të vetë legjislacionit që rregullon veprimtarinë e një banke qendrore, bankat qendrore, të pajisura me pushtetin monopolist “më të artë” të mundshëm, atë të së drejtës për të emetuar paranë, filluan programe të blerjes së borxheve të këqija, si të shtetit ashtu dhe të sektorit privat. Paligjshmëria e kësaj veprimtarie është se bankave qendrore ju ndalohet rreptësisht të bëjnë biznes me qeveritë, të blejnë letrat me vlerë të qeverive sepse përndryshe rreziku inflacionist do të ishte gjithnjë prezent dhe pasojat e një hiperinflacioni tashmë janë provuar se sa katastrofale janë për ekonominë dhe shoqërinë.
Veprimi i njëhershëm si me stimujt fiskal kejnesianist, ashtu dhe me relaksim të tejskajshëm të ortodoksive monetariste hayekjane, mund të thuhet se parandaloi riardhjen e paralajmëruar nga Krugman të Depresionit të Madh. Sërish ka debate lidhur me eficiencën e tyre, por, konkluzioni është se e keqja më e madhe u evitua.
Mendimi akademik nuk ka bërë gjë tjetër veçse është rreshtuar disa në njërën shkollë dhe të tjerët në shkollën tjetër, ndërsa në planin intelektual e filozofik debati është fokusuar në betejën midis rregullimit dhe/apo derregullimit. Debati në njohjen time është akoma kaotik dhe nuk ka prodhuar akoma një mainstream të ndryshme, një teori të re, ose ide të ideve.
Në një parantezë: meqë ky muaj shënon edhe 70 vjetorin e botimit të një prej veprave më influencuese të Hayek, Road to Serfdom (Rruga drejt robërisë), vepër që u botua në marsin e vitit 1944, do doja ta konsideroja edhe këtë intervistë si një homazh ndaj kësaj vepre. Po të huazoja një shprehje të Newton-it, them se kemi qenë me fat që e kemi vështruar botën mbi supet e këtyre dy titanëve të mendimit intelektual të shekullit XX. Shekulli i ri është akoma në pritje të shfaqjes së dikujt tjetër që do të shtojë hollin e famës së mendimtarëve të njerëzimit.
-A flitet sot për, dhe a ekziston një rrugë e mesme që e sheh ekonominë të zhvillohet përtej dikotomisë së ideve të Keynes dhe Hayek?
Teoria e mendimit ekonomik deri më sot është e strukturuar në dy rrathë: një rreth i vogël që quhet mikroekonomi dhe që studion sjelljen e agjentëve individualë, firmave të veçanta, dhe një rreth i madh që quhet makroekonomi, dhe që përgjithëson sjelljen e individit dhe të firmës në nivel ekonomie kombëtare dhe globale. Të gjithë ekonomistët e mëdhenj, që nga Smithi, Rikardo e J.S.Mill, deri tek Marks, Kejnes e Hayek, e kanë ndërtuar ngrehinën e teorisë së tyre pikërisht në këto dy linja. Ajo që, ndoshta mund të quhet një rrugë e mesme, është studimi i asaj që ndodh midis këtyre dy rrathëve koncentrik. Çfarë procesesh zhvillohen midis niveleve mikro dhe makro, duket se është fusha më interesante e kërkimeve të sotme, në degën që është pagëzuar si Ekonomiksi i Kompleksitetit dhe që huazon ide që nga Smithi dhe libertarët, tek marksistët, teoritë e psikologjisë dhe biologjisë, të mjedisit dhe teknologjisë. Sidoqoftë, idetë që rrethojnë këtë debat edhe të kësaj disipline të re, vazhdojnë të huazojnë risi që qëmtohen prej ekonomistëve të vdekur, forca abstraguese dhe përgjithësuese e të cilëve mbetet e pasfidueshme. Për shembull, studiuesit që përkrahin nevojën e ri-rregullimit të tregjeve, thjesht i adresohen pasurimit të teorisë së rregullimit të firmës, një freskimi dhe modernizimi të teorive neomarksiste, të filluara në Francë në vitet 1970, të shkollës analiste dhe institucionaliste.
Në qoftë se do të vështrojmë pak në historinë e ekonomisë së shekullit të kaluar, kejnesianizmi mund të konsiderohet se e shpëtoi shoqërinë kapitaliste si formë e organizimit ekonomik, në kuptimin e instrumenteve dhe politikave ekonomike që propozoi dhe që u adoptuan. Hayek (dhe shkolla austriake në përgjithësi, me themeluesit e saj, von Mises), ishin shpëtimtarët e sistemit kapitalist dhe demokracisë si sistem politik e shoqëror.
Propozimet e Keynesit për ridimensionimin e rolit të shtetit për të zëvendësuar sipërmarrësin privat në periudhat e pasigurive që shkaktojnë krizat, e çoi botën drejt niveleve gjithnjë e më të larta të borxheve publike. Por kjo ishte një alternativë e pashmangshme në rrethanat dhe kontekstin historik të asaj periudhe. Në një moment të ri të shfaqur në vitet 1970, kur kriza e naftës dhe ajo monetare e asaj periudhe, nxori në pah limitet dhe rreziqet e rritjes ekonomike bazuar mbi rritjen e borxheve publike, atëherë u kërkuan rrugë alternative të rritjes ekonomike dhe të fitimeve të investitorëve. Dhe zgjidhja erdhi duke kaluar nga huamarrja publike (Kejnesi), tek huamarrja private (Hayek). Ishte ky presion që nxiti lëvizjen derregulluese të tregjeve financiare, proces që fillon në Angli me thaçerizmin dhe në Amerikë me reganoekonomiksin dhe që u shtri më tej edhe në vendet e zhilluara. Efekti: rritje ekonomike prosperuese, por rritje e ndjeshme e borxheve private. Nëse agregohen borxhet e të gjithë agjentëve ekonomikë (përfshi borxhet publike), sot SHBA ka një borxh total që është sa 250% e PBB-së dhe në përmasa të tilla është në shumë vende të botës (Japoni e Itali madje edhe shumë më të larta se ky nivel). Edhe në Shqipëri, nëse agregohen borxhet në total, shkojnë mbi 130% e PBB-së. Situata është e qartë: sot nuk ka rrugë tjetër përveç deleveraging, reduktimi të borxhit si nga qeveritë, firmat, dhe individët. Ky është procesi më i dhimbshëm sepse do të thotë se të gjithë duhet të konsumojnë më pak dhe të kursejnë më shumë – që do të thotë pra, rritje ekonomike stagnante.
Studiuesit klasikë të ekonomisë dhe politikës i kishin shtruar këto dilema të mëdha me të cilat do të përballej shoqëria dhe politika që në shekullin 18. Vetë Smith nënvizonte se një rritje ekonomike stagnante do të ishte me rreziqe politike pasi sjell papunësi dhe rënie të të ardhurave. Por, J.S.Mill e mbështeste faktin që shoqëria është e nevojshme të ruajë një rritje ekonomike modeste, pasi çdo rritje e lartë do të vinte në kurriz të shterimit të burimeve (dhe sot, të rreziqeve mjedisore). Kjo dilemë mbetet edhe sot: a do të pranojë shoqëria jonë një rritje ekonomike të dobët, por të shëndetshme, apo do të vazhdojë sërish nën ndikimin e dy shkollave të mendimit që diskutuam, të stimulojë ekonominë përtej niveleve që mund të konsiderohen si “të qëndrueshme”. Për momentin, rruga e rikthimit të rritjes ka mbetur rritja e inflacionit, që është e rrezikshme dhe besoj e padëshirueshme. Mesa duket, do të futemi në një cikël ekonomik me një rritje jo shumë të lartë dhe të një prosperiteti më modest. Menaxhimi i bollëkut ekonomik duket se është sfidë po aq serioze sa dhe menaxhimi i kufizimeve ekonomike.
Deri më sot, akoma nuk kemi një teori krejtësisht të re, inovatore që t’i kapërcejë kufizimet që na imponojnë dy mendimtarët dhe heronjtë tanë.
-A nuk ju duket se pajtimi me një rrugë të tretë ekonomike apo politike, ose kombinimi i teorive apo praktikave ekonomike është në thelbstreha e të pamundurve për të gjetur një ide të re në ekonomi apo politikë? Idetë e qarta e të forta, dhe jo shartimet apo hibridizimet, janë dëshmuar edhe si më të suksesshmet në ekonomi: për shembull Reagan me atë që u quajt reaganomics apo politikat ekonomike të Thatcher-it…
Po të vëresh me kujdes lëvizjen e “pendulum” të politikave që ka ndjekur shoqëria jonë, shigjeta shkon nga shteti i planifikimit qendror tek homo economicus. Sistemi i planifikimit qendror, sipas organizimit të vet top-down, kishte si problemin e tij qendror mungesën e incentivave dhe për rrjedhojë nivelin mjaft të ulët të produktivitetit të ekonomisë. Kalimi drejt sistemit homo economicus, i udhëhequr nga triumfi i neoliberalizimit ekonomik dhe politik, megjithëse një sistem që punon mbi vetrregullimin, ka gjithashtu mangësitë e tij serioze – nivelin e ulët të kooperimit midis individëve në vendimmarrjen ekonomike, e për pasojë, na çon drejt asaj që njihet si “Tragedy of the Commons” (një teori e ekonomistit/ambientalistit, Hardin) – degradim mjedisor dhe shterim të burimeve. Por, përveç këtyre pasojave, funksionimi i sistemit tonë të sotëm ekonomik të derregulluar, ka prodhuar deformime thelbësore në strukturat ekonomike e shoqërore dhe të konkurrencës. Për pasojë, janë shfaqur qenie dinosaur – banka, fonde investimesh, korporata – të cilat janë quajtur thjesht too big to fail (si dhe individë të fuqishëm që janë too big to jail). Kjo e detyroi edhe një qeveri konservatore si ajo e Xhorxh Bushit apo dhe konservatorët e tjerë europianë, të blinin dështimet e tregut, me një çmim të lartë për shoqërinë. Sistemi ynë, si asnjëherë tjetër në histori, manipulohet nga lojtarë të cilët nuk rriskojnë asgjë të tyren, por thjesht pasuritë e të tjerëve. Besoj se jemi të gjithë dakord se nuk është kjo mënyra se si funksionon një shoqëri e lirë, e konkurrencës perfekte dhe të mbushur me sipërmarrës riskmarrës.
Pendulum i reformimit të sistemit është në lëvizje. Disa neomarksistë pretendojnë se sistemi është i atillë i deformuar sa nuk mund të vazhdojë të ekzistojë thjesht me disa riparime e arnime. Zgjidhjet e tyre shkojnë drejt rikthimit të shtetit. Në një studim të një profesori të Institutit Zviceran të Teknologjisë, Dirk Helbing, dallohet një tjetër lëvizje e shoqërisë sonë – ngahomo economicus tek homo socialis. Në dallim nga individualizmi i sotëm si bazë e vendimmarrjes dhe ku mungon koordinimi midis individëve brenda sistemit, ky model i ri bazohet sërish tek liria e individit, por ku niveli i koordinimit është i lartë. Homo socialis është një qenie e re që kombinon lirinë individuale me përgjegjësinë sociale, duke zbutur kontradiktën themelore të sistemit tonë ekonomik, politik e social. Forcat e teknologjisë së informimit dhe pushteti i medias sociale po shfaqin qendra vendimmarrjeje përtej aktorëve tradicional, duke krijuar jo qendra të izoluara të pushtetit vendimmarrës, por një network të një morie qendrash. Pikërisht kjo risi teknologjike do të sjellë dhe harminizimin më të mirë të interesave private me përgjegjësitë sociale, duke kaluar nga një rregullim nga lart –poshtë, siç funksionon shoqëria sot, në një rregullim nga poshtë-lart. Ndoshta një rregullim i tillë i funksionimit të shoqërisë sonë do të mund të zbusë kontradiktat më shumë se politikat rishpërndarëse shtetërore, të cilat janë provuar historikisht se janë ineficiente, si nga pikëpamja e kontribuesve dhe e përfituesve.
-Një konferencë e Forumit Ekonomik të Tiranës, organizuar nga FLE, theksonte drojën për një rikthim të etatizmit në Shqipëri pas ardhjes së të majtës në pushtet?
Shqipëria nuk ka zhvilluar ndonjëherë politika novatore, krejt të vetat, ose “të bëra në shtëpi”. Përgjithësisht ne kemi nisur të zbatojmë modelin perëndimor, model që në disa raste funksionon dhe në shumë raste jo. Në këtë kuptim, politika jonë e brendshme do të ndjekë modelet që po kristalizohen në Europë në fushën e rregullimit të tregjeve, qoftë të bankave apo industrive të tjera. Vetëm rikthimi i taksës progresive, megjithëse është i padëshirueshëm, dhe mendoj jo vetëm për libertarët, por shumicën e tatimpaguesve (sigurisht peshorja ndryshon nëse pyeten dhe ata që nuk paguajnë asgjë), nuk mund të jetë argument i rikthimit të etatizmit. Vetë vendi kampion i liberalizmit ekonomik, SHBA, zbaton një sistem taksimi progresiv.
Ajo që më duket shqetësuese nga qeverisja aktuale janë qëndrimet arbitrare ndaj ligjit, institucioneve dhe ekonomisë në tërësi. Ndërsa prej kohësh nënvizohet nevoja e forcimit të shtetit ligjor, në praktikë është krijuar një pasiguri e madhe tek biznesi dhe agjentët ekonomik. Për shembull, qëndrimi ndaj kontratave koncesionare dhe deklarimet për ndryshime rrënjësore të politikave energjetike, janë shqetësuese, dhe për disa investitorë janë edhe me kosto. Ndërsa është më se normale që politikat sektoriale të ndryshohen, vetë menaxhimi i ndryshimit është problematik. Ndryshimet duhet të respektojnë praktikat që janë në proces, duhet që procesi të jetë demokratik duke përfshirë aktorët e interesuar, jo vetëm investitorët por dhe të tjerë aktorë e grupe interesi, në mënyrë që ndryshimi të përcillet me pozitivitet. Dhe duhet të mbajmë në konsideratë që politikat energjetike janë mbi të gjithë politikat e tjera nga rëndësia e tyre strategjike, por dhe nga kostot që do të shoqërojnë zhvillimin e tij. Po e tillë, revolucionare dhe negative ka qenë qasja ndaj administratës publike. Nuk ka dyshim se kishte dhe ka nevojë për reformë, për të përmirësuar shërbimin e saj ndaj qytetarëve dhe biznesit, por reforma nuk mund të kryhet me operacione masive zëvendësimesh. Ligji nuk duhet të jetë hipokrit. Është më mirë që ligji të specifikojë postet politike dhe ndoshta edhe të rritet numri i tyre në mënyrë që t’i krijojë mundësi partive politike të kënaqin interesat e mbështetësve të tyre, se sa një ligj që po bëhet penalizues për vetë administratën, por dhe për financat e vendit. Nga ana tjetër shkelësit e ligjit duhet të përgjigjen individualisht dhe jo faturat të shkojnë në kurriz të taksapaguesve.
–Cila, sipas jush është ideja më e gabuar ekonomike?
Duke qenë se idetë janë elaborime të fuqishme intelektuale me një forcë transformuese, shpeshherë revolucionare për shoqëritë njerëzore, në pjesën më të madhe të historisë roli i tyre ka qenë pozitiv dhe progresist. Në kuptimin ekonomik, ndoshta deformimi më i madh intelektual mbetet teza e pronësisë shoqërore mbi mjetet e prodhimit – ideja komuniste e zhdukjes së pronës private. Thjesht është një gjendje e panatyrshme e shoqërisë dhe si e tillë, eksperimenti më i madh njerëzor që u zbatua nga politika në gati gjysmën e njerëzimit, dështoi në një mënyrë trishtuese dhe ndëshkuese për njerëzit. Siç thuhej si barcaletë në Rusinë e periudhës komuniste, sikur të ishte eksperimentuar më parë tek minjtë, ata do të kishin ngordhur.
-Cila është ideja më e gabuar ekonomike e djathtë?
Që tregjet janë rregullatorë të pagabueshëm të sistemit. Rregulli nga lart-poshtë, pra i vendosur nga politika për t’u zbatuar nga industritë, sigurisht që krijon probleme të eficiencës së veprimit të ekonomisë. Por, rregullat bazë të garantimit të konkurrencës në treg duhet të ekzistojnë. Nëse shkrirjet dhe bashkimet midis bankave dhe firmave investuese krijojnë korporata me ndikime të mëdha në fatet e ekonomisë në tërësi, ku kriza e njërës prej tyre mund të shndërrohet në një krizë sistemike, atëherë disa rregulla duhen diktuar. Nëse i besojmë verbërisht modeleve të sofistikuara ekonometrike të menaxhimit të riskut, pa vendosur norma dhe standarde mbikëqyrjeje për operimin e tregjeve financiare, dëmi që i sjellim shoqërisë është i pazakontë. Pabarazia është në natyrën e sistemit, jo thjesht, ekonomik, por është një gjendje natyrore e njeriut. Por pabarazitë e sotme janë shndërruar në një rrezik serioz e kërcënues për njerëzimin. Nëse diferenca midis pagës së një nëpunësi dhe një drejtuesi në sektorin financiar para viteve 1990 ishte në rendin 1:10, sot kalon në caqet e të paimagjinueshmes. Për më keq, kjo nuk mund të shpjegohet me ligjet e kërkesë/ofertës. Nëse deri në fund të viteve ‘70, studentët mësonin shkencat ekzakte dhe të inxhinierisë, nga vitet ‘80 të gjithë filluan të studiojnë në ekonomi dhe banka. Rritja e ofertës së specialistëve normalisht mund të kishte çuar në rënie të çmimit të tyre. Vallë është kaq i lartë produktiviteti i tyre sa të justifikojë këtë ndryshim madhor në strukturën e shpërblimit? Kur vetëm 1% e popullsisë elitare zotëron një pasuri të barabartë me PBB-në e një kontinenti, sistemi është në rrezik. Pikërisht këto janë deformime që në gjykimin tim kanë buruar nga keqinterpretimi i libertarizmit në ekonomi ose zbatimi në tejskajshmëri i kësaj doktrine. Greenspan, një prej libertarëve, arkitekt i sistemit të sotëm, e pohoi vetë në një intervistë në Financial Times duke deklaruar: I made a mistake.
–Cila është ideja më e gabuar ekonomike e majtë?
Që shteti është zgjidhja, dhe jo problemi. Njeriu i vetmuar hobsian, i pafuqishëm dhe i pashpresë, nuk mund të gjejë shpëtim tek shteti. Po të përdorja terminologjinë kantjane, nuk është shteti altari ku flijohen virtyti i individit dhe mençuria e kombit. Tashmë është provuar se si ofrues shërbimesh, shteti është krejtësisht joproduktiv dhe inefektiv.
–Cila është ajo ide ekonomike, së cilës ju i qëndroni besnik dhe mendoni se do mbetet aksiomatike për zhvillimin e një vendi?
Që nuk ka rrugë të shkurtër drejt prosperitetit. Zhvillimi dhe progresi i shoqërisë nuk mund të përshpejtohet as me rritje të sforcuara të borxhit publik, dhe as me krijim kredie në një mënyrë artificiale për firmat dhe konsumatorët. Ajo çfarë lexuam nga kriza e shembjes së sistemit tonë komunist ishte pikërisht ky leksion. Ne vërejtëm që në fillim të viteve ‘90, ekonomikisht ndodheshim më keq se në vitet ‘80. Të njëjtin mesazh po marrim dhe nga kriza greke – Greqia sot ndodhet në të njëjtin standard jetese si në fillim të vitit 2000. Zhvillimi dhe progresi real kalon nëpërmjet akumulimit dhe kursimit, investimit të shëndetshëm, menaxhimit të mirë të financave të vendit dhe të ekonomisë individuale. Brenda këtij parimi, gjithkush mund të gjejë se çfarë mund të përmirësojë, çfarë mund të bëjë ndryshe dhe më mirë, pra, si të jemi inovatorë dhe produktivë në punën tonë.
-Cila është ajo ide ekonomike që e keni tradhtuar? I keni besuar dikur, por jo më?
Të gjithë biografët e Keynesit thonë se ai ishte një personalitet që i ndryshonte shpeshherë pikëpamjet. Madje njëherë kur e pyetën atë vetë për këtë gjë, ai u përgjigj: “Nëse ndryshojnë faktet, edhe unë ndryshoj pikëpamjet. Pse, ju çfarë bëni, zotëri?”. Them se dinamikat e ndryshimeve që ka përjetuar shoqëria jonë në këto dy dekada, na kanë bërë jo pak herë të ndjehemi keq nga ndonjë mendim apo ide që mund të kemi përqafuar dikur. Mendoj se bota sot funksion në një mënyrë thelbësisht të ndryshme nga sa punonte edhe një dekadë më parë. Kemi kaluar nga një botë e Mediokristanit, tek një botë e Ekstremistanit, siç e thotë Nassim Taleb, një botë ku ndodhia e një ngjarjeje të vetme të madhe, mund të ndikojë vetë historinë.
Cila është ajo ide ekonomike që do i bënte punë Shqipërisë?
Historia e ekonomisë sot na ka dhënë disa leksione shumë të vyera mbi të cilat duhet të reflektojmë mençurisht, para së gjithash politika e vendit. Historiani i madh i ekonomisë, Nail Ferguson, evidenton se sekreti që ndau Lindjen nga Perëndimi, ose vendet e zhvilluara nga ato të pazhvilluarat, mund të gjendet tek raportet që kanë këto vende me demokracinë, kapitalizmin, shtetin ligjor dhe mbrojtjen e pronës dhe shoqërinë civile. Raporti që ka vendi ynë me të katër këta faktorë që janë bazat institucionale të sistemit tonë, është raport problematik. Asnjë ide ekonomike, sado racionale, nuk mund të funksionojë në mënyrë efektive nëse vetë fondamentet mbi të cilën veprojnë politikat, janë problematike. Forcimi i këtyre fondamenteve, janë jo vetëm orientime politike, por dhe një recetë e forcimit të bazave institucionale të ekonomisë.