A mund të ketë reformë territoriale pa kontributin e gjeografit?

Nga Prof. Dr. Dhimitër Doka, botuar në Panorama Online, 23 mars 2014

Një nga temat më të dis kutuara në Shqipëri prej disa kohësh është bërë ajo e ndarjes së re administrativeterritoriale e vendit. E dominuar nga politika, rreth kësaj teme po shfaqin mendime gjithnjë e më tepër edhe specialistë të fushave të ndryshme. Janë ngritur edhe grupe të shumta pune për t’u marrë me këtë problem. Ndërkohë që për një çështje me përmasa shumë të rëndësishme hapësinore është e pakuptueshme dhe absurde që të mos merret parasysh mendimi dhe kontributi i gjeografit. Kjo shpjegohet me faktin se shumë nga ata që kanë në dorë organizimin dhe realizimin e projekteve të tilla nuk e dinë realisht rolin e sotëm të gjeografisë dhe gjeografit. Për ta gjeografi është thjesht ai që di ku ndodhen malet e fushat, kush është kryeqyteti i një shteti apo sa banorë ka një vend. Ndërkohë që gjeografisë thjesht përshkruese ka dekada të tëra që i ka kaluar koha dhe sot gjeografia si shkencë analizon shumë aspekte që kanë të bëjnë me organizimin dhe transformimin e hapësirës. Në themel të objektit të saj është trajtimi i lidhjeve të ndërsjella natyrë-shoqëri-ekonomi që ndodhin në hapësira të caktuara gjeografike, analiza e strukturave dhe proceseve që krijohen, e mbi këto baza si organizohet dhe funksionon territori për një menaxhim sa më të mirë të tij. Bazuar në këtë objekt të gjeografisë, një nga drejtimet e rëndësishme të studimeve të saj është edhe trajtimi i organizimit administrativo-territorial. Kontributi i gjeografisë dhe gjeografit në këtë kuadër konsiston në disa drejtime, siç janë: 1. Trajtimi i evoluimit të organizimit administrativo- territorial në periudha të ndryshme për të nxjerrë në pah trashëgiminë historike në këtë drejtim, e cila duhet marrë parasysh në çdo organizim të ri që parashikohet. 2.Përcaktimin e kritereve natyrore, humane, ekonomike dhe kulturore që duhen pasur parasysh në vendosjen e kufijve midis njësive të ndryshme administrative. 3. Analizën e zhvillimeve të nivelit rajonal dhe lokal mbi bazën e të cilëve mund të përcaktohen tregues të ndryshëm që paraqesin gjendjen e nivelit ekonomik, human dhe kulturorë për të nxjerrë kështu në pah dallimet dhe të përbashkët që ekzistojnë midis zonave të ndryshme dhe mbi këtë bazë përfshirjen e tyre në njësi administrative-territoriale sa më të ngjashme dhe funksionale. 4. Hartografimi i njësive administrativo-territoriale me metodat e sotme moderne (GIS), duke u bazuar në kritere dhe tregues realë që përcaktojnë ndarjen e njësive të tilla.

Historiku i organizimeve të ndryshme administrativo- territoriale në Shqipëri tregon nga njëra anë se gjurmët e këtij organizimi janë shumë të hershme dhe atyre ia vlen t’u referohesh, por nga ana tjetër ai është ndryshuar shumë shpesh dhe është ndikuar në masë të madhe nga politika e kohës. Kështu, gjatë periudhës së komunizmit, nën ndikimin e propagandës së kohës, u krijuan 42 qytete të reja në Shqipëri, shumica e të cilave nuk plotësonin aspak kriteret për të qenë qendra urbane dhe prandaj sot e kanë humbur pothuaj plotësisht funksionin e tyre. Ndërkohë që pas 1990-s u krijuan shumë të ashtuquajtura komuna apo bashki “elektorale”, ku i vetmi kriter i përcaktimit të tyre do të ishte ai i lëvizjes së votave majtas apo djathtas. Në këto kushte, organizimi i ri që po diskutohet e ka shansin që t’i shmangë probleme të tilla, duke u mbështetur vetëm në kritere të mirëfillta natyrore, humane, ekonomike dhe kulturore që bashkojnë apo ndajnë njësi të ndryshme administrative- territoriale të vendit. Gjithashtu, organizimi i ri administrativo-territorial duhet të marrë mirë parasysh dallimet e mëdha që janë vërejtur dy dekadat e fundit në zhvillimet rajonale dhe lokale të vendit. Kjo sepse këto zhvillime përbëjnë për Shqipërinë një objekt të rëndësishëm diskutimi dhe studimi, i cili deri më sot nuk është pasur siç duhet parasysh në planet e zhvillimit të vendit, reformat dhe organizimet e tij administrative e territoriale. Pikërisht në kushtet e sotme të ekzistencës së pabarazive të theksuara në zhvillimin e rajoneve të ndryshme të vendit, të cilat bazuar në ecurinë e derisotme mund të thellohen edhe më tej në të ardhmen, merr rëndësi të madhe hartimi dhe realizimi i planeve dhe strategjive të zhvillimeve rajonale dhe lokale. Ndërkohë që suksesi i zhvillimeve të tilla qëndron i lidhur ngushtë me madhësinë e rajoneve dhe njësive administrative. Kjo sepse vetëm rajonet dhe njësitë administrative me madhësi të matshme dhe efektive munden që t´i shfrytëzojnë siç duhet mundësitë dhe potencialet që ekzistojnë për zhvillim. Në të kundërtën e kësaj, copëtimi i madh i vendit deri më sot në shumë njësi të vogla administrative, përbën një pengesë serioze për zhvillimet rajonale dhe lokale. Në këto kushte qëndrojnë për Shqipërinë akoma një sërë pyetjesh të hapura, si: Cili është kuptimi i sotëm shqiptar mbi rajonin, në mënyrë që ai të plotësojë kushtet dhe kriteret e Bashkimit Europian? Si duhet kuptuar rajoni në kushtet e menaxhimit sa më të mirë të territorit që ai zë dhe në kontekstin e integrimit europian? Si duhet të jetë hierarkia e njësive përbërëse të një rajoni në mënyrë që ai të funksionojë sa më mirë për një zhvillim të qëndrueshëm? Në studimin gjeografiko-rajonal që ne si gjeografë i bëjmë Shqipërisë, bazuar në kritere të qarta natyrore, humane, ekonomike dhe kulturore, dallojmë 4 rajone gjeografike: verioro-verilindor, perëndimor, juglindor dhe jugor (shih hartën). Janë tregues të qartë të veçorive natyrore, demografike dhe ekonomike që i dallojnë dukshëm këto rajone nga njëri-tjetri. Prandaj mendoj se ato mund të merreshin si bazë, platformë apo kornizë mbi të cilat të përcaktohen njësitë më të vogla të organizimit territorial në përbërje të tyre. Në këtë mënyrë, këto 4 rajone mund të zëvendësonin 12 qarqet e derisotme dhe në përbërje të tyre mund të rifunksiononin rrethet si njësi më e vogël administrative. Kështu p.sh., rajoni verioro-verilindor me qendër rajoni qytetin e Kukësit, mund të kishte në përbërje të tij rrethet: Dibër (bashkë me Bulqizën), Mat, Mirditë, Pukë, Kukës (bashkë me Hasin) dhe Tropojë. Në këtë mënyrë rajoni do të bashkonte dhe shfrytëzonte shumë më mirë potencialet e tij natyrore dhe njerëzore për një zhvillim të përbashkët rajonal. Përmirësimet infrastrukturore të kohëve të fundit dhe të pritshme në të ardhmen do të lehtësonin dukshëm një zhvillim të tillë të përbashkët. Gjithashtu përcaktimi dhe zhvillimi i këtij rajoni duhet parë i lidhur ngushtë edhe me pjesën tjetër shqiptare që i përket Kosovës dhe Maqedonisë. E njëjta skemë mund të përdorej për rajonin juglindor me qendër Korçën dhe me rrethet: Korçë, Pogradec, Devoll dhe Kolonjë. Po kështu edhe rajoni jugor me qendër Gjirokastrën dhe rrethe: Gjirokastër, Sarandë (bashkë me Delvinën), Tepelenë dhe Përmet. Ndërkohë që rajoni perëndimor, për vetë zhvillimet tepër të vrullshme të tij në të gjitha pikëpamjet gjatë dy dekadave të fundit, kërkon një organizim administrativ-territorial më të detajuar. Kështu për shembull, rajoni i kryeqytetit, i cili me një sipërfaqe prej rreth 1200 km² përfaqëson zonën Tiranë-Elbasan-Durrës-Krujë dhe mban peshën kryesore në tërë zhvillimin ndërrajonal të vendit, mund të merrte statusin e një njësie më vete të organizimit administrativo-territorial. Gjithashtu si qendra nënrajonale në përbërje të rajonit perëndimor mund të shërbenin Shkodra në veri me rrethet Shkodër dhe Lezhë në përbërje të saj, Fieri në jugperëndim me rrethet Fier, Lushnjë, Berat dhe Mallakastër, si dhe Vlora në jug. Statusi i këtyre njësive administrative në përbërje të rajonit perëndimor duhet të përcaktohen në mënyrë specifike për të pasur një funksionim sa më të plotë dhe harmonik të tyre. E gjithë kjo parashtresë e imja është thjesht një përpjekje në pozicionin e gjeografit për të dhënë kontributin tim në temën e sotme shumë të diskutueshme që ka të bëjë me organizimin e ri administrativo-territorial të Shqipërisë. Ndërkohë që jam i ndërgjegjshëm që të gjitha këto ide kanë nevojë që të diskutohen dhe analizohen në tavolina të përbashkëta me specialistë të fushave të ndryshme, në mënyrë që të arrihet në vendimmarrje sa më të mira, efektive dhe të qëndrueshme.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi