“Kurthi” i krerëve të institucioneve të pavarura
Nga Roland Lami, botuar në Mapo Online, 21 mars 2014
Pavarësisht se zgjedhjet sollën të majtët në pushtet, raportet problematike të ekzekutivit me institucionet e tjera të (pa)varura vazhdojnë të jenë një zgjatje e së shkuarës. Aq sa të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një çështje strukturale, e cila e orienton raportin e ekzekutivit me institucionet e tjera në një mënyrë të caktuar, ku pavarësisht vullnetit të mirë të mazhorancës në ndonjë rast, detyrohet të konfliktohet me ta. Ndoshta problemi është i natyrës strukturale dhe nuk lidhet thjesht me faktin se cila mazhorancë vjen në pushtet dhe nëse është kështu, ndoshta ka ardhur momenti për disa ndërhyrje strukturale dhe jo thjeshtë kurime sipërfaqësore me ndryshime individësh.
Në fakt, po t’i referohesh Kushtetutës së Shqipërisë, të bie në sy fakti që pjesa dërrmuese e krerëve të institucioneve të pavarura zgjidhen nga parlamenti, madje për të qenë më specifik, nga shumica e thjeshtë dhe shumë pak prej tyre nga shumica e cilësuar. Sigurisht, Presidenti ka një rol të rëndësishëm pasi dekreton një pjesë të mirë të tyre dhe jep pëlqimin në disa raste të tjera. Mirëpo pas ndryshimeve kushtetuese të 2008, Presidenti shndërrohet në zgjatim të mazhorancës nga e cila është zgjedhur dhe në pengesë të opozitës që vjen nesër në pushtet. Pra, si dekretimi ashtu dhe pëlqimi kalojnë nga e njëjta forcë politike dhe nuk përjashtohet konflikti kur ndryshon mazhoranca dhe Presidenti vazhdon të ushtrojë mandatin e tij.
Në këto kushte, kush fiton zgjedhje e përgjithshme, në njëfarë mënyre siguron influencën nëpërmjet zgjedhjes së krerëve tek institucionet e tjera të pavarura që kanë tagrin të monitorojnë, informojnë institucionet përkatëse dhe opinionin publik mbi vendimet apo përgjegjshmërinë ose jo të qeverisë, për sa kohë mandati i tyre zgjat në kohë me mandatin e ekzekutivit. Në rast se mandati i krerëve të këtyre institucioneve vazhdon me ardhjen në pushtet të mazhorancës së re, kësaj të fundit i lind nevoja të ndërhyjë për të vënë nën kontroll këto institucione. Për sa kohë shumicës së thjeshtë i jepet kjo mundësi, është racionale (jo etike) që çdo qeveri për të mos qenë objekt i denoncimeve dhe rrënimit të reputacionit të saj, të mos vendosë në krye të disa institucioneve të pavarur individë që vijnë nga strukturat partiake si në rastin e ILDK, KLSH. apo simpatizantë në rastin SHISH.
Mirëpo në krahun tjetër, opozita kushdo qoftë ajo, e ka të lehtë që në rastet kur nuk ka prova, ta faturojë përgjegjësinë tek mosfunksionimi i këtyre institucioneve apo tek njëanshmëria e kreut të x institucioni të (pa) varur (siç është sulmi ndaj kreut aktual të SHISH) dhe mazhorancën e djeshme dhe atë të sotmen për uzurpatore të institucioneve të (pa)varura. Pasi nuk kërkohet shumë mund për ta bërë të besueshme lidhjen institucion – mazhorancë apo institucion – njëanshmëri, mjafton të shikosh nga cila shumicë e thjeshtë janë zgjedhur. Ndërsa në rastin kur vjen në pushtet opozita e djeshme, bëhet i pashmangshëm konflikti me to për shkak të pamundësisë për t’i kontrolluar ato, pasi vazhdojnë t’i shërbejnë subjektit politik që i ka zgjedhur.
Kjo formë e trajtimit të problemit të krijon përshtypjen sikur hartuesit e ligjit nuk kanë menduar që t’u ofrojnë një mbrojtje krerëve të institucioneve nga ndërhyrjet e partive apo një jetë të pavarur. Ata kanë luajtur me bllofin, kush ka fat fiton zgjedhjet, fiton gjithçka dhe humbësi humb gjithçka. Për fat, nga pikëpamja formale hapësirat për të garantuar mirëfunksionimin e institucioneve të pavarura nuk mungojnë, pavarësisht se ndryshimi në ligjin për zgjedhjen e Presidentit i dha një goditje të fortë garantizmit të pavarësisë së institucionale. Teorikisht, ligjvënësi, pavarësisht kahut politik i ka vendosur mandat titullarit të institucionit, si në rastin e kreut të KLSH, ILDK, Prokurorit të Përgjithshëm, dhe një mbrojtje të detajuar juridike për çdo rast hipotetik sulmi ndaj tij nga mazhoranca në pushtet, duke i krijuar kështu hapësirën e nevojshme juridike për ta ushtruar të qetë detyrën që i ngarkon ligji. Dhe një rol të rëndësishëm Presidentit për të penguar shkarkimin e njëanshëm nga ana e mazhorancës. Sigurisht, kjo ka probabilitet të lartë të ndodhë kur Presidenti i përket opozitës, pasi në raste të tjera kreu i shtetit bëhet palë me mazhorancën (sic ishte rasti i shkarkimit të kreut të SHISH dje) dhe për arsye të ngjashme pengon kryeministrin sot të bëjë të njëjtën gjë me kreun ekzistues të SHISH. Pavarësisht kësaj, ekzistojnë mjaftueshëm arsye që ai/ ajo të shkëputet nga mazhoranca që e ka zgjedhur dhe të ushtrojë i qetë detyrën.
Mirëpo, eksperienca e këtyre viteve ka treguar që, kur kreu i një institucioni ka tentuar të ndjekë variantin e parë, pra të respektojë ligjin me idenë se e ka këtë mbrojtje nga pikëpamja juridike, mazhoranca që e ka zgjedhur ka vënë në lëvizje Komisionin hetimor parlamentar dhe në kundërshtim me ligjin (e faktuar në disa raste nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese) e ka shkarkuar. E njëjta taktikë është përsëritur në rastet kur kreu i një institucioni ka vazhduar t’i shërbejë me devotshmëri interesave të mazhorancës së djeshme duke u konfliktuar me mazhorancën e re (rasti i ish-kreut të ILDKP, znj. Xhuka, e fakton këtë). Edhe kur kjo manovër nuk është përdorur për shkarkim, pasi presioni i faktorit ndërkombëtar apo frika se mund të shkaktojë kosto elektorale e ka frenuar ekzekutivin, është mjaftuar me taktikën, ta baltosim sa mundemi figurën e saj/tij, që ajo çfarë mund të raportohet nga ky institucion të bëhet e pabesueshme në sytë e publikut ose ta bëjë të pajustifikuar propozimin për rizgjedhje ose kandidimin në një institucion tjetër nga kundërshtari politik që nesër mund të vijë në pushtet. Rasti i ish-Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, e fakton këtë gjë. Në këto kushte, i vetmi profil që promovohet nga aktorët politikë dhe shpërblehet nga të dy krahët në këto vite është ai/ajo që vendos t’i shërbejë çdo mazhorance, pavarësisht se kush është në pushtet.
Shto këtu faktin se në këto vite nuk kemi precedentë që individë të caktuar të kenë zgjedhur të ndërtojnë shtet në vend që të përfitojnë pushtet. Nuk kemi raste të bujshme që dikush të ketë dorëzuar mandatin për shkak të presioneve për mosushtrim detyre, apo të ketë rezistuar duke ofruar modelin e tij/saj në adresë të zbatimin të ligjit. Përkundrazi, konformizmi dhe nevoja për karrierë dhe mburojë politike janë lakmuar më shumë se refuzimi i tyre me qëllim respektimin e ligjit.
Në të tilla kushte ku strukturat si ato kushtetuese, kulturore dhe vlerore janë në shërbim të pushtetit dhe jo shtetit, mundësitë për të parë një sjellje ndryshe ndaj institucioneve të pavarura nga ana e mazhorancës pavarësisht se cilit krah i përket, duken të pakta.