Institucionet e pavarura na duhen për demokracinë, jo për mazhorancën

Nga Henri Çili, botuar në Mapo Online, 21 mars 2014

Të paktën që nga fillimi i vitit të ri kalendarik, ka një ngjarje që po sundon të gjitha ngjarjet e tjera. Lufta e qeverisë henri cilipër të kapur krerët e atyre që njihen si institucione të pavarura, që janë ose institucione rregullatore të parashikuara kështu nga ligji, ose institucione që i përkasin pjesës natyrore të shtetit, pra jo pjesës politike të tij, dmth jo ekzekutivit. Nga debati për Nishanin te Zana Xhuka, nga çështja me shumë spec e Visho Ajazit te çështja proceduriale për kreun e AMA-s, Endira Bushati. Të gjitha këto i lidh një fill i përbashkët, tensioni mes mazhorancës aktuale me pjesën e shtetit “të trashëguar” nga qeverisja e mëparshme. Sigurisht, për kualitetet personale apo gradientin intelektual të Nishanit, Likës, Llallës, Xhukës, Bushatit, Cefës e të tjerëve, mund të biem dhe të mos biem dakord me ata që sot u janë sulur institucioneve të pavarura, por sistemi i ka vendosur këta individë në pika që garantojnë vetë sistemin, që frenojnë dhe kontrollojnë supermazhorancën. Lidhur me këtë luftë mes institucioneve apo luftë për të kapur institucionet, është e rëndësishme të bëhen disa saktësime:

Së pari, fakti që legjislatori, kushtetuta, apo populli pikërisht prandaj i kanë parashikuar këto institucione jashtë ekzekutivit, jashtë ciklit normal të mandatave qeverisëse politike, për shkak të funksionit të tyre delikat në demokraci. Ato kanë një funksion që rregullojnë sektorët e ndryshëm, garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, rregullojnë parametra të demokracisë dhe frenojnë abuzimin e x mazhorance. Si të tilla, ato që quhen institucione të pavarura bëjnë pjesë në pjesën natyrore të shtetit dhe nuk i përkasin pushtetit. Çdo pushtet ka një rol në to, herë pas here ka një rol kontrollues apo balancues nëpërmjet emërimeve, zëvendësimit të anëtarëve apo emërimit të krerëve, apo influencës në emërimin e krerëve në momentin që vjen mandati. Gjithsesi, këto institucione kanë një mandat të shpërputhur nga mandatet e mazhorancave. Ky është një nga çelësat e suksesit të republikave parlamentare demokratike ku institucionet e pavarura nuk janë në mënyrë të menjëhershme, ose më saktë asnjëherë plotësisht për shkak të kësaj shpërputhjeje të mandateve, nën kontrollin ose me të njëjtën ngjyrë me mazhorancën e radhës.

Saktësimi i dytë në lidhje me këtë betejë është fakti i koherencës që duhet të ketë Kryeministri Rama dhe kryetari i Parlamentit, Meta në lidhje me këto institucione. Është rasti të kujtojnë vetë se çfarë kanë thënë në lidhje me këto institucione dhe mandatet e tyre në kohën që kanë qenë në opozitë apo në kohën kur është shtruar kjo çështje delikate. Gjerësisht, në deklarimet e Edi Ramës, që nga KQZ deri te Presidenti i Republikës, nga ish-kreu i SHISH, Bahri Shaqiri deri te debati i madh për prokurorët e përgjithshëm, në 8 vite në opozitë, më shumë se njëherë, zinte vend kryesor vazhdimësia e institucioneve të pavarura, paprekshmëria e tyre dhe roli i tyre shumë pozitiv në demokraci.

Ilir Meta po ashtu. Madje z. Meta ka rol në prodhimin e disa prej këtyre institucioneve të pavarura aktuale, sepse duke qenë pjesë e qeverisjes së djeshme me Berishën, ai ka votën e tij, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në ekzistencën e këtyre institucioneve. Që sot të bëhet pjesë e përpjekjeve që këto institucione të pavarura të bien në dorën e qeverisë aktuale, është të paktën inkoherencë.

Jo vetëm aq. Më 1 prill, kur Meta u largua nga koalicioni me Berishën, ai tha frazën magjike “për një ekuilibër të ri politik”, sepse vërtet të gjitha institucionet e pavarura për shkak të qëndrimit 8-vjeçar të PS në opozitë dhe PD në pushtet, pak nga pak, për shkak të rotacionit natyror, mandatet erdhën dhe u vunë të gjitha nën kontrollin e PD, ose më saktë ishin kandidatura me origjinë nga PD. Nga Presidenti i Republikës deri te nënkryetari i KLD. Dhe Meta, me të drejtë, tha se po shkonte drejt opozitës, drejt së majtës ‘për një ekuilibër të ri politik’.

Zgjedhjet u bënë, populli i dha së majtës pothuajse shumicë absolute, të cilën sot e ka arritur, por nuk ka kuptim, madje është në dëm të demokracisë që Republika të çrregullohet më tej. Pra një supermazhorancë të ketë nën kontroll edhe të gjitha institucionet e shtetit. Në këtë kuptim kemi një disekuilibër të ri politik, edhe më të madh se ai i mëparshmi, pasi vërtet kishim institucione që i kontrollonte Berisha apo PD, por në kuadrin e një mazhorance të dobët. Sot Shqipëria rrezikon të gjendet në kushtet e një mazhorance super të fortë dhe me institucione të kapura prej saj.

I treti saktësim është për të gjithë ata aktorë lokalë apo të shoqërisë civile, dhe sidomos të medias që kanë 20 vjet që flasin në favor të institucioneve të pavarura sa herë që kundër tyre është Berisha apo PD, dhe flasin kundër institucioneve të pavarura sa herë që kundër tyre është e majta. Kjo është diçka që nuk shkon dhe nuk ka as kuptim: është inkoherencë e shpërpjestuar që mund të zgjatet drejt paturpësisë. Institucionet e pavarura o janë të mira në tërësi, o nuk janë të mira asnjëherë, ndryshe le të shkojmë tek ajo teori e cila e përputh shtetin me pushtetin, i heq të gjitha institucionet e pavarura dhe ia jep ato qeverisë, dhe qeveria le të mbajë totalisht përgjegjësinë.

Por ne kemi zgjedhur një sistem të ekuilibruar pushteti të Republikës Parlamentare me kontroll dhe ndarje pushtetesh, dhe, mirë ose keq, bukur ose shëmtuar, ata që drejtojnë këto institucione janë faktorë garantues për sistemin demokratik. Le të rrisim presionin kritik ndaj tyre, le të rrisim kërkesën e tyre për performancë, transparencën, por asesi të legjitimojmë kalimin e tyre drejt pushtetit, vënien e tyre nën kontrollin e mazhorancës së re.

Në nevojë për koherencë janë të gjitha institucionet ndërkombëtare: nga komisioneri Fyle tek ambasadorët Arvizu & Sequi, misioni i OSBE-së e të tjerë partnerë ndërkombëtarë. Në qoftë se ndërkombëtarët kanë një rol për të kryer në këtë vend, është mbështetja e institucioneve të pavarura si mekanizëm bazë për garantimin e demokracisë; si një mekanizëm bazë kontrolli të pushtetit; si një mekanizëm bazë që shoqëria të garantohet që pushteti duhet të bëjë punën e vet pa e zgjatur dorën më tej se ç’duhet, pa kërkuar më tej, pa gllabëruar shtetin.

Dhe, i fundit saktësim, por jo më i parëndësishmi, të gjitha mazhorancat në Shqipëri kanë një obsesion në lidhje me kapjen e këtyre institucioneve. Obsesion që ka rezultuar tërësisht jo efektiv: këto institucione janë shpesh edhe varrmihësit e mandatit të pushtetit. Kapja e këtyre institucioneve me ligj apo pa ligj, me shkarkim apo pa shkarkim, me presion apo me dorëheqje, i bën mazhorancat euforike, kryeministrat i kthen në entuziastë pushteti.

A nuk i ndodhi kështu Berishës së parë në vitin ’95, kur kontrollonte gjithçka? A nuk i ndodhi kështu në fund Nanos që kontrollonte të gjitha? A nuk i ndodhi kështu Berishës në mes të vitit 2013 ku arriti, me shumë luftë, me një fitore sipas meje si ajo “e Pirros” të merrte të gjitha institucionet: nga presidenti deri tek entet më të fundit rregullatore. Përpjekja për të kapur me çdo kusht institucionet e pavarura manifeston sterilitet në qeverisje, mungesë idesh, preokupimi, dhe është një tentacion fillestarësh në pushtet. Historia e demokracisë dhe republikës në të tëra kohët dhe regjimet, përfshi këtu edhe përvojën tonë të vobektë demokratike, e ka dëshmuar të dëmshëm.

Qeveria i ka numrat, i ka kompetencat, i ka paratë në administrim për mbarëvajtjen e punëve të vendit, ka shumicën absolute për të miratuar çdo reformë, nuk ka asnjë nevojë për disa institucione të pavarura shtesë. Ato veçse do ta degradonin pushtetin, do krijonin ndjesinë e pushtetit absolut që është shumë e dëmshme. Dhe, çfarë është më e rëndësishmja, do të ishin kundër interesit publik. Institucionet e pavarura i duhen demokracisë, nuk i duhen mazhorancës.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi