FMN: 10 taksat që duhen rritur

Raporti i FMN, 21 mars 2014

Teksti i plotë i Raportit të FMN

Ulja e deficitit fiskal mund të arrihet përmes një kontrolli të mirë të shpenzimeve, por mbi të gjitha reforma duhet të shtrihet te të ardhurat, dhe për këtë duhet të zgjerohet baza e taksimit.  Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë, të cilit i bashkëngjitet edhe Memorandumi mes palëve, sugjeron disa ndërhyrje që mund t’i shërbejë përmirësimit. Një pjesë e mirë e këtyre masave u morën nga qeveria dhe u përfshinë në paketën fiskale të vitit 2014, ndërkohë që janë edhe 10 propozime të reja që duhet të ndërmerren në dy vitet e ardhshme. Ndërhyrja për zgjerimin e taksës përfshin sidomos TVSH-në, por edhe taksa të tjera, siç është ajo e pronës apo mallrat e luksit.

TVSH-ja

Fondi Monetar Ndërkombëtar propozon që ndërhyrja te tatimi mbi vlerën të jetë në kahun ulës për shërbimet që lidhen me arsimin apo importet që bëhen përmes anijeve. Ndërkaq, pjesa tjetër e propozimeve për këtë taksë është në kanun rritës. Propozohet që TVSH-ja të ndryshojë për shitjen e ndërtimeve të reja, duke përfshirë në të edhe vlerën e tokës. Nëse bëhet kjo lëvizje, sipas FMN-së, duhet që të bëhet ulje e TVSH-së për qiratë. Po kështu lidhur me telefoninë sugjerohet që të aplikohet TVSH për të gjitha telefonatat hyrëse që vijnë nga jashtë shtetit.

AUTOSTRADAT

Rruga e Kombit për FMNnë përbën një gropë të madhe në buxhetin e shtetit, nga ku vetëm merren me milionë euro për shërbimin e mirëmbajtjes. Në këto kushte, dhënia e koncesionit duket të jetë zgjidhja e duhur dhe për këtë qeveria duhet të kërkojë të arkëtojë 2 për qind të të ardhurave. Por Milot-Morinë nuk do të jetë rruga e vetme që do të jepet me koncesion. BERZH, e cila në një pjesë të mirë është financuese e projekteve të autostradave, ka kërkuar dhënien e plotë të tyre me koncesion në mënyrë që të përballohet operimi dhe mirëmbajtja dhe të pengohet shkatërrimi.

MAKINAT

Fondi Monetar Ndërkombëtar propozon rikthimin edhe një herë të tarifave të aplikuara dikur për makinat e përdorura. Ajo që quhet taksë qarkullimi pritet që të ndryshojë sërish, duke penalizuar kështu ata që kanë makina më të vjetra. Formula bazë që llogarit pagesën e kësaj takse përfshin cilindratën në cm3, shumëzim koeficientin fiks sipas vjetërsisë së mjetit, shumëzim taksën fikse sipas llojit të karburantit. Kjo taksë ndryshoi vitin e kaluar pak para zgjedhjeve. FMN propozon që kjo taksë të rritet me 50 për qind. Një tjetër taksë shtesë për makinat që sugjerohet nga FMN-ja lidhet me procesin e regjistrimit të mjetit. Pra regjistrimi që bën çdo vit një qytetar që ka një makinë në pronësi duhet të shoqërohet edhe me pagesën e një takse vjetore, e cila do të llogaritet në bazë të vlerës së blerjes ose vlerës që ka mjeti aktualisht sipas vlerësimeve. Kjo është një taksë shtesë që aktualisht nuk ekziston.

UDHËTIMET JASHTË

 Vendosja e një takse fikse për të gjithë ata që udhëtojnë jashtë shtetit është një tjetër propozim i FMN-së. Sipas kësaj të fundit, këtë taksë fikse do të duhet të paguajë çdo individ që del jashtë kufijve të Shqipërisë për çdo lloj arsye. Në kohën e qeverisjes socialiste, sa herë që kaloje kufirin paguaje një mijë lekë si taksë solidariteti. FMN propozon rikthimin e një pagese të tillë, por pa përcaktuar shifrën.

TAKSA E PRONËS

Taksa e pronës sot paguhet në bazë të metrave katrorë që ka një banesë shumëzim tarifën fikse të përcaktuar me vendim të qeverisë për zona të ndryshme në vend. FMNja këshillon që të ndryshohet mënyra e përllogaritjes së taksë së pasurisë së paluajtshme, dhe kjo të ketë në bazë vlerën që ka prona. Pra, sipas FMNsë, një apartament 85 metra katrorë në Bllok në Tiranë dhe një apartament 85 metra në Sauk nuk mund të paguajnë njëlloj pasi vlera e tyre është e ndryshme. Vendosja e taksës së re të pronës do të llogaritet mbi vlerën e regjistrimit të shtëpisë në hipotekë.

FITIMET

Të gjithë ata që kanë fitime nga interesat e një depozite në bankë, nga dividenti apo nga ndarja e fitimit në një aktivitet duhet të kontribuojnë më shumë me të ardhura. Ky është një target që Fondi Monetar Ndërkombëtar e sheh si potencial për t’u taksuar më shumë nga shteti. Kështu, aktualisht taksa që aplikohet për të ardhurat nga qiratë, dividenti apo pronësia intelektuale, është 10 për qind, por që sipas FMN-së duhet të shkojë jo më pak se 12 për qind

TAKSAT QË SUGJERON FMN

1. Ulja e TVSH-së për shërbimet e lidhura me arsimin dhe për importet me anije.

2. Vendosja e një takse 2 për qind nga të ardhurat e koncesioneve të autostradave.

3. Një rritje e taksës vjetore për makinat e përdorura me 50 për qind.

4. Ndryshimi i TVSH për shitjen e ndërtimeve të reja, duke përfshirë edhe vlerën e tokës, ndërkohë që duhet të ulet TVSH për qiratë.

5. Të aplikohet TVSH për telefonatat hyrëse nga jashtë.

6. Një taksë e sheshtë për të gjithë ata që udhëtojnë jashtë.

7. Mbledhja e taksës së pronës në bazë të marrëveshjes së blerjes dhe jo titullit. 8. Vendosja e një takse për regjistrimin vjetor të mjeteve, e cila bazohet në vlerën e blerjes ose vlerën e makinës.

9. Taksim për të mirat e luksit, siç janë bizhuteritë dhe makinat superluksoze. 10. Rritja e taksimit për të ardhurat nga interesat, ndarja e fitimit, qiratë, dividenti dhe pagesat për të drejtat e autorit nga 10 në 12 për qind.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi