Rekomandimet e KLSH dhe rritja e përgjegjshmërisë publike

Nga Bajram Lamaj, botuar në Telegraf, 20 mars 2014

Në jetën e përditshme opinioni publik sheh, dhe ndjek me vëmendje, funksionimin e administratës publike, ndërsa në anën tjetër administrata “ndoshta duke dashur t’u shmanget telasheve”, zakonisht i korrigjon gabimet që janë  publikuar. Falë aktivitetit dhe punës  së institucionit (KLSH) që konsiston në informimin e Parlamentit dhe shoqërisë, taksapaguesve shqiptarë, rezultatet reale të veprimeve të administratës janë më të dukshme, ndërsa parregullsitë thelbësore i përcillen për dijeni publikut nëpërmjet metodave (formave) të informimit publik. Dhënia e informacioneve të besueshme si për parregullsitë, qoftë për praktikat e mira parlamentit dhe shoqërisë, tregon për fuqizim të llogaridhënies publike dhe si pasojë e kësaj vjen forcimi i ndjenjës së përgjegjshmërisë së pushtetit publik dhe administratës ndaj shoqërisë.

Nga KLSH kryhen auditime të njësive publike për veprimtarinë e tyre dhe i dërgohen masat për përmirësimin e gjendjes në formën e rekomandimeve post-auditim. Rëndësia e pranimit dhe zbatimit të tyre qëndron në faktin se ato fuqizojnë mekanizmin e brendshëm administrativ të përsosjes, orientojnë individin (drejtuesit e menaxherët) drejt përmirësimit të rezultateve, të cilat kanë një rëndësi të madhe për përmirësimin e jetës publike. Një auditim i jashtëm, i pavarur i njësisë publike nga organi më i lartë i auditimit shtetëror (KLSH) përshkruan dhe vlerëson gjendjen aktuale të saj, por me rekomandimet që dërgon ndikon dhe në ndryshimin e tij. Kjo qasje pozitive është vënë re gjatë auditimeve të kryera në shumë njësi publike, ku rekomandimet janë pranuar dhe zbatuar, por janë evidentuar dhe raste veçanërisht në njësitë e qeverisjes vendore ku rekomandimet e KLSH nuk janë vlerësuar e zbatuar plotësisht, ku përmendim (Bashkitë: Fier, Durrës, Kavajë, dhe Patos, etj), duke sjellë një precedent në marrëdhëniet me institucionet e pavarura të vendit. Kjo ka ardhur nga mungesa e përgjegjshmërisë publike për llogaridhënie ndaj komunitetit dhe mos përkimi i tyre me atë çfarë mundohen të performojnë para publikut (taksapaguesve e komunitetit), pasi u është prishur “imazhi” që puna e tyre është kryer pa shkelje ligjore, por kjo nuk përbën shkak ligjor. Zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së (dhe nëpërmjet këshillimit) do të ndikonte dukshëm në përmirësimin e punës të njësive publike (qendrore e vendore) për një administrim publik efikas, të përgjegjshëm, efektiv dhe transparent drejtim administrimit publik.

Në rritjen e përgjegjshmërisë publike në punën e saj, KLSH përveç vlerësimit të rëndësisë dhe implementimit të Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISSAI-s) dhe udhëzimet e INTOSAI për Qeverisjen e mirë (INTOSAI GOVs), zbaton dhe po përsos metodat e punës audituese dhe kapacitetet, duke u qëndruar “strikt” parimeve themelore për të inkurajuar  një qeverisje të mirë në sektorin publik dhe pajtueshmërinë me këto standarde, në mënyrë që të bëhet puna e KLSH-së më e besueshme. Ashtu si çdo institucion dhe KLSH ka produktin e saj për publikun, kjo paraqitet nëpërmjet raporteve të auditimit dhe rekomandimeve, duke qenë të bindur se dukshmëria e vlerës së produktit dhe përfitimet e punës së KLSH, janë një para kusht thelbësor për efikasitetin dhe pranimin e rekomandimeve të dërguara në njësitë publike që auditohen. Duke qenë të vetëdijshëm se burimet publike janë gjithnjë nën presion dhe se qytetarët kërkojnë të dine se si qeverisja publike mund të projektohet në mënyrë më ekonomike dhe efikase, në KLSH punohet çdo ditë për të shtuar kontributin në qeverisjen publike. Sfida e KLSH, për të cilën punohet, është që të kemi një qasje moderne dhe efektive ndaj një qeverisje publike më të mirë, duke mos mbetur vetëm tek auditimi ose thjesht një                    (konstatim) identifikim retrospektiv të mangësive dhe të metave, pasi kjo nuk është e mjaftueshme për të arritur vlerën më të mire, por të gjejmë dhe rrugë të tjera bashkëkohore sipas përvojës ndërkombëtare. Trajnimet që po kryen stafi i KLSH-së me ndihmën e SIGMA pranë BE dhe SAI-ve me te cilët kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, po përafrojmë dhe metoda të reja për të shfrytëzuar potencialin e institucionit dhe bashkëpunim me ekspertë dhe institucione shkencore në vend që të kontribuojmë në qeverisjen e mire publike për t’u angazhuar në veprimtari këshillimore dhe të ofrojmë rekomandime specifike për subjektet e audituara dhe për vendim marrësit në lidhje me zbatimin praktik. Jemi të bindur se që qytetarë dhe shoqëria civile janë marrës të rëndësishëm të raporteve të auditimit dhe rekomandimeve(nga ËEB,kërkesë zyrtare,etj), ashtu siç janë organet kompetente politike  të cilët kontribuojnë në auditimin efektiv  përmes debatit publik.

Nga strukturat e KLSH-së po punohet për të gjetur mënyrat që të veprojmë dhe nëpërmjet këshillimit në lidhje me përpjekjet  për zbatimin dhe aplikimin e rekomandimeve në mënyrë efektive, duke mos u kufizuar vetëm në prezantimin njëherë të rekomandimeve ndaj subjektit të audituar, ose dorëzimit të raportit të auditimit organit kompetent legjislativ apo ekzekutiv, por që për një efekt maksimal kemi bërë një mirë orientim të bazuar në gjetjet dhe rekomandimet e auditimit. Hapat e marrë që në fillim të vitit 2013 si, dërgimi i rekomandimeve që me përgatitjen e projekt raportit dhe lënia e tyre për një afat një mujor për t’i studiuar, krijimi i mundësisë subjektit për vlerësimin paraprak është një qasje shumë pozitive dhe bashkëkohore, ku rekomandimet zhvillohen pasi kemi marrë dhe një opinion paraprak për mundësinë e zbatimit të tyre ose kemi në konsideratë dhe reagimin negative nga subjekti të cilin e vlerësojmë dhe analizojmë me profesionalizëm dhe integritet Professional. Kjo procedure e re ka nxjerrë në dukje dhe nevojën e rritjes së përgjegjshmërisë së administratës publike që të vlerësojë përveç përmbajtjes së projekt-raportit dhe rekomandimet e dërguara paraprakisht. Në veprimtarinë këshilluese ne si KLSH, veçanërisht kemi implementuar këtë fillimisht në njësitë e qeverisjes vendore për rekomandimet, ku kemi ngarkuar grupe audituesish, të cilët jo vetëm auditojnë shkallën e zbatimit të tyre, por këshillojnë subjektin me nevojën dhe dobishmërinë e zbatimit të rekomandimeve ndikimin në një qeverisje të mirë, duke krijuar dhe një qasje të re, larg të qenit e një institucioni të mbyllur. Kjo qasje e re do të shtrihet dhe në institucionet qendrore, por kjo për vetë rëndësinë më të madhe që kanë këto institucione, kërkohet një bashkëpunim më i frytshëm me KLSH.

Mundësitë e KLSH janë që të zhvillojnë këtë qasje të tillë këshilluese si efektivitet të KLSH , një përdorim më efeikas të fondeve publike, ekonomi më të madhe, efikasitet dhe efektivitet të qeverisjes publike, përmirësim të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, ndihmë në arritjen  e  objektiva të vendit dhe një dukshmëri e mire e vlerës deh përfitimit të punës së KLSH-së për subjektet  e audituara, për vendimmarrësit në parlament, qeverinë dhe administratën, si dhe për qytetarët.(kërkesë e ISSAI 1260 “Komunikimi me personat që qeverisin”)

Por kjo qasje këshilluese përveç anëve pozitive duhet të na bëjë të vetëdijshëm se përfshin dhe rreziqet që duhet të adresohen në mënyrë specifike për tu menaxhuar. Këto përfshijnë një dëmtim të mundshëm të pavarësisë apo papunësisë, ose perceptimin e ndërhyrjes në politikë, veçanërisht rreziku shtohet në rekomandimet që dërgohen në institucionet qendrore. Pra kërkohet kujdesi i duhur që grupet e auditimit të mos shkelin parimet themelore të KLSH në qasjen e tyre këshilluese për zbatimin e rekomandimeve. Kjo duhet të bëjë KLSH shumë të vëmendshme, në mënyrë që të ruajë objektivitetin dhe për të siguruar besueshmëri, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji organik  nuk duhet të auditojmë politikat  e miratuara në parlament apo në qeveri, por të kufizohet vetëm në vlerësimin  e zbatimit të këtyre politikave, ndikimin e tyre si dhe të japim rekomandime në lidhje me këto çështje(këtu kihet parasysh auditimet e performances, etj.).

Nga përvoja e marrë gjatë vitit 2013 dhe fillim viti 2014 në njësitë e qeverisjes vendore, qasja këshilluese për zbatimin e rekomandimeve rrit vlerën dhe përfitimet (jo monetarë) e audituesve, si dhe e bën efektivitetin e tyre më të dukshëm, pasi një debat i gjerë kontribuon në gatishmërinë  për të zbatuar rekomandimet e auditimit e rrjedhimisht në këtë mënyrë forcon besimin e qytetarëve tek KLSH. Në kuptim të këtij sfondi që një auditim efikas dhe një qasje këshilluese të shpalosin efektet e tyre të plota në lidhje me qeverisjen më të mirë, kërkohet të plotësohen  një numër faktorësh dhe kërkesave paraprake, si dhe krijimi i një frymë të re bashkëpunimi e mirëkuptimi. E gjitha sa trajtuam më sipër, është kërkesë dhe e Deklaratës së Limës (që është kushtetuta e institucioneve Supreme të Auditimit (SAI)) ku ka theksuar se: “SAI-t kryejnë auditime e tyre në një mënyrë që lejon ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese në rastet individuale, për të detyruar ata që janë të përgjegjshëm të pranojnë përgjegjësinë, për të marrë  hapa për ta parandaluar shkeljet në të ardhmen.

*Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit, Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme në KLSH

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi