FMN zbardh marrëveshjen trevjeçare, 25 kushtet për Shqipërinë
Sipas Mapo Online, 20 mars 2014
Fondi Monetar Ndërkombëtar e publikoi dje axhendën e reformave për Shqipërinë, së bashku me marrëveshjen trevjeçare. Në themel të kushteve, ulja e borxhit publik, reforma e pensioneve dhe e sektorit të energjisë
Reforma në taksa me qëllim uljen e borxhit publik, reforma në pensione dhe në sektorin e energjisë, janë në themel të 25 kushteve që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përcaktuar në marrëveshjen trevjeçare me Shqipërinë kundrejt disbursimit të një huaje të butë prej 330 milionë eurosh. FMN e publikoi dje axhendën e reformave së bashku me marrëveshjen në faqen zyrtare www.imf.org.
Kushtet
Reformat që rekomandohen dhe zbatimi i tyre do të kushtëzojnë marrjen e kredisë 330 mln euro. Kushtet nisin që nga adresimi i problematikës me kreditë e këqija, me reformat në taksa e tatime, me reformën e pensioneve, atë në sektorin e energjisë dhe në përmirësimin e klimës së biznesit. Qeveria ka plotësuar disa prej tyre në paketën fiskale të 2014-ës, kur kthehu taksën progresive në të ardhurat personale dhe duke bërë ndryshimin e akcizës për disa mallra, ndërkohë që ka në proces ligjin e ri për TVSH-në dhe përmirësimin e procedurave administrative. Mirëpo duket se pjesa më e vështirë e reformave nuk ka nisur ende. Fondi kërkon përmirësime të forta në çështjet e energjisë dhe pensioneve. Për reformën e pensioneve është kërkuar rritja e moshës si për burrat, ashtu dhe për gratë. Gjithashtu është kërkuar korrektim i masës së kontributit dhe pensionit për qytetin dhe fshatin. FMN i ka kërkuar qeverisë që shumë shpejt të adresojë problematikën në lidhje me pronësinë e kompanisë CEZ. Gjithashtu ka kërkuar një përmirësim urgjent të humbjeve në rrjetin e energjisë dhe në grumbullimin e faturave të saj. Përmirësime kërkohen edhe në klimën e biznesit, sidomos në çështjet që lidhen me titujt e pronësisë dhe në forcimin e zbatimit të ligjit. Reforma kërkohen edhe në sistemin bankar dhe në tregun e parasë, ku ndër të tjera kërkohet të rritet pjesëmarrja e individëve në blerjen e borxhit të qeverisë.
Borxhi në nivel rreziku
FMN ka adresuar të gjitha këshillat e tij me qëllim uljen e borxhit në një periudhë afatmesme. Por ndërkohë cilësohet se, konsolidimi fiskal afatmesëm do të jetë çelësi për arritjen e qëndrueshmërisë fiskale. “Gjatë një periudhe afatmesme, deri në fund të vitit 2016, kemi për qëllim të sjellim borxhin poshtë nivelit 69 për qind të PBB-së dhe nën 60 për qind deri më 2019. Borxhi publik dhe faturat e papaguara të akumuluara kanë arritur në një nivel që paraqet rrezik për qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit, vlerëson FMN. Fondi cilëson se niveli i lartë i borxhit publik ka çuar edhe në shpenzime të larta për shlyerjen e interesave, duke paraqitur një dobësi të madhe për buxhetin dhe pamundësinë në rritje për të bërë shpenzime të tjera më produktive. Një pjesë e madhe e borxhit varet nga financimi afatshkurtër, që është subjekt rreziku i konsiderueshëm për financimin e tij. Në marrëveshjen e re me qeverinë, Fondi ka vënë kushte edhe shlyerjen e faturave të papaguara ndaj bizneseve, duke sugjeruar edhe rrugën që duhet të ndiqet bashkë me formularët tip që duhen të përdoren gjatë shlyerjes.
FMN vlerëson se financimi i borxhit publik, mosimplementimi i reformave strukturore dhe rreziku i daljes nga tregu të ndonjë banke të huaj janë faktorë të lartë risku për ekonominë e vendit. Ndërsa me një risk më të moderuar vlerësohet ndikimi i krizës europiane në rritjen ekonomike të vendit. Programi do të jetë subjekt i rishikimeve tremujore për pesë rishikimet e para dhe më pas gjashtëmujore. Vlerësimi i parë do të bëhet më 28 qershor të këtij viti, më pas më 15 shtator 2014, 15 dhjetor 2014 dhe 27 mars 2015.