President vs Qeveri, garë pa fitues

Nga Afrim Krasniqi, botuar në  Shqiptarja.com, 19 mars 2014

Ministri i Brendshëm i kërkoi dje takim Presidentit të Republikës për ti sugjeruar të ketë një rol harmonizues midis institucioneve në luftën ndaj krimit. Ai i tha medias se i dorëzoi kreut të shtetit një dosje me dokumente, siç nënkuptohet, ku rezulton se SHISH nuk ka informuar Policinë e Shtetit. Ky pretendim vjen në kundërshti me deklaratat e vetë Presidentit në media, se SHISH ka informuar por Policia e Shtetit nuk ka qenë korrekte në punën mbi këto informacione. Pas takimit të djeshëm edhe Presidenti këshilloi Ministrin e Brendshëm të evitojë konfliktin verbal me institucionet, siç nënkuptohet, me drejtorin e SHISH. Që drejtori i SHISH nuk është i përshtatshëm për postin që mban mjafton fakti që ai ka shtetësi të dyfishtë krahas asaj shqiptare ose që ka emigruar gjatë jashtë vendit. Por ky moment është kaluar kur Presidenti e dekretoi dhe opozita e atëhershme, sot në qeveri, nuk e kontestoi emërimin mbi bazën e këtij nonsensi.
Në të gjithë zhvillimet e fundit në marrëdhëniet qeveri – President, sidomos në replikat reciproke të kreut të shtetit me ministrin e mbrojtjes dhe ministrin e brendshëm, rezulton se hierarkia më e lartë shtetërore në fushën e sigurisë vuan ndjeshëm nga mungesa e sensit institucional, kushtetues dhe publik. Fakti se Presidenti është produkt i një pale politike dhe mazhoranca i një pale tjetër politike nuk do të thotë asgjë dhe nuk mjafton as si alibi për të krijuar një varg tensionesh, nga të cilat përfitime kanë vetëm ata që duan shtet të dobët, institucione konfliktuale dhe liri për veprime joligjore. Palët kanë rastin e radhës të kuptojnë atë që edhe ministri i Brendshëm dje e pranoi, se “janë të dënuar të bashkëpunojnë”. Dhe bashkëpunimi nuk mund të jetë i njëanshëm, është me dy drejtime, kërkon dy palë, dy vullnete institucionale secila mbi bazën e kushtetutës dhe ligjit.
Në deklaratat e djeshme, siç po ndodh shpesh muajt e fundit, mungoi mbështetja e kreut të shtetit për një qëndrim më të fortë institucional ndaj valës së krimit në vend, mungoi këshilla e njëjtë edhe për SHISH për të mos krijuar linja paralele brenda shtetit, siç mungoi dukshëm njohja nga qeveria e rolit dhe kontributit të Presidentit në të njëjtin proces, detyrimi i saj kushtetues për të informuar kreun e shtetit apo kujdesi qoftë edhe formal për të mos tentuar apiori për të bërë palë presidentin me institucione të varësisë së tij apo të palëve të tjera politike. Me vetëdije apo për shkak të keqkuptimit po krijohet ideja se kreu i shtetit mbron gjithçka që qeveria nuk do ose gjithçka që qeveria kritikon, dhe njëherësh se qeveria sulmon gjithçka që presidenti do ose gjithçka që ajo nuk kontrollon. Dy anë të së njëjtës medalje, me të njëjtën pasojë negative, – një praktikë që apelon për qetësi dhe reflektim të dyanshëm.
Problematika reale shfaqet më komplekse sesa perceptimi i krijuar. Nuk ka sens dhe as përfitim publik nëse Presidenti komunikon me qeverinë përmes medias, apo kur ndonjë nëpunës në presidencë që paguhen me taksat tona keqpërdorin emrin e institucionit të lartë me një gjuhë aspak institucionale, madje provokative ndaj palëve politike, publikut, medias dhe cilido individ e skenar që u del në ëndërr. Nga ana tjetër, nuk ka sens dhe përfitim publik kur ministrat sillen publikisht me Presidentin pa respekt apo më keq, ia japin vetes atributin të këshillojnë apo ti kërkojnë llogari atij. Sipas ligjit shqiptar ministrat janë përgjegjës përpara kryeministrit dhe së bashku përpara parlamentit. Ata janë eprorë në dikasteret ku drejtojnë, ndaj dy praktikat e fundit të sulmit verbal ndaj kreut të shtetit nuk kanë sens ligjor, nuk janë etike, nuk janë pjesë e përgjegjësisë së tyre kushtetuese dhe nuk sjellin dobi pozitive për shtetin dhe institucionet.
Cila është zgjidhja? Kushtetuta, ligjet dhe rregullat e shkruara e përcaktojnë. Leximi i tyre në praktikë kërkon “përkthim” shqip të disa prej këtyre normave ligjore dhe praktikave demokratike. E para, dialogu institucional midis mazhorancës dhe Presidentit mund dhe duhet të bëhet periodikisht dhe vetëm në nivelin më të lartë, midis tre drejtuesve kryesorë të institucioneve, President, Kryeministër, Kryetar Kuvendi. E dyta, për të evituar konfliktet pa sens midis institucioneve dytësore Presidenti mund të krijojë mekanizma dialogu dhe bashkëpunimi midis kreut të SHISH, Prokurorisë, KLD dhe Qeverisë, shumica larg kamerave televizive që imponojnë deklarata politike. E treta, Presidenti mund ti adresojë qeverisë dhe parlamentit çdo informacion që ka vlerë për forcimin e luftës ndaj krimit dhe nevojës për forcimin e vetë institucioneve.
Dhe anasjelltas, qeveria dhe parlamenti kanë çdo mekanizëm ligjor në dispozicion për të zgjeruar hartën e konsultimeve dhe informimit institucional, – diçka të ndryshme nga praktika e gabuar e debatit mbi armët kimike. E katërta, publiku ka nevojë për transparencë. Alibia se njëra palë minon qeverinë apo vetë qeveria minon detyrimet ndaj NATO-s janë pa vlerë dhe mbajnë në këmbë një sistem dezinformimi, me pasoja për institucionet dhe pozitën, imazhin dhe interesin aktual dhe afatgjatë të Shqipërisë. E fundit, palët duhet të lexojnë dhe mësojnë nga praktikat e njëjta të kaluara nga vendet e tjera. Unë di të paktën 12 raste evropiane aktuale ku bashkëjetesa Presidenti – mazhorancë politike ka kundërshti dhe probleme, por vendet serioze i ndajnë mendimet, i trajtojnë dhe i zgjidhin problemet në rrugë institucionale, brenda sistemit, jo përmes shantazhit, jo përmes medias dhe jo përmes sjelljes verbale publike.
A mund ta bëjë edhe Shqipëria këtë? Pse jo? A nuk jemi një vend në NATO? A nuk duam të jemi pjesë e BE-së? A nuk kemi kushtetutë dhe ligje? A nuk kemi përvoja prej nga të mësojmë nga e kaluara e afërt? a nuk kemi provuar të paktën edhe një rast tjetër të bashkëjetesës President – qeveri ku roli dinjitoz i kreut të shtetit i shtoi prestigj vendit dhe sistemit qeverisë? A nuk ishte kreu i shtetit dje një ministër dhe deputet i një mazhorance që sulmonte ashpër dhe jashtë çdo norme kreun e shtetit, siç a nuk janë qeveria e sotme pjesë e opozitës së djeshme që kritikonte qeverinë kur ajo atakonte kreun e shtetit? A nuk është kryefjala e kërkesave ndërkombëtare, – stabiliteti, bashkëpunimi dhe demokracia funksionale?
Dhe në rrafsh praktik: A nuk është Presidenti aktual i zgjedhur i një të tretës së qeverisë aktuale (LSI, PBDNJ, PDIU, etj)? A nuk është mazhoranca e re produkt i një vote plebishitare edhe si votë kritike ndaj modelit të djeshëm qeverisës? A nuk kanë votuar dy palët (qeveria e sotme dhe presidenti dje në opozitë) ndryshimin kushtetues 2008 që dobësoi ndjeshëm rolin kushtetues të Presidentit? A nuk kanë votuar dy palët në kohë të ndryshme kundër dekreteve presidenciale për gjyqtarë? Dhe sot, a nuk kanë secila palë nga një drejtues (drejtor & inspektor i përgjithshëm në SHISH apo Shefin e Shtabit & Ministrin tek Mbrojtja), a nuk kanë mandat 4 vjeçar dy palët, një mandat që i detyron të bashkëpunojnë?
Ata që mendojnë ndryshe gabojnë. Në sistemin aktual kushtetues asnjëra palë nuk mund të përjashtojë ose largojë tjetrën, dy palët paguhen me taksat tona, dy palët kanë përgjegjësi institucionale e politike ndaj dy palët “janë të dënuara të bashkëjetojnë” ose përndryshe, shteti e shoqëria do jenë të dënuar të paguajnë edhe më tej faturat e sjelljes militante të shtetarëve të tyre. Një spektakël mediatik i panevojshëm, një lojë interesash që mendon për vete, një deja vu që ushqen zgjatjen e tranzicionit, – pra diçka që nuk e duam dhe natyrisht nuk e meritojmë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi