Tundimet e opozitarizmit të vjetër

Nga Skender Minxhozi, botuar në Java, 17 mars 2014

Idea është afishuar javën e fundit, por nuk është e javës së fundit. Ajo ka qenë në përdorim prej vitesh, nga të gjitha krahët dhe siglat politike. Opozita e re e djathtë, po tundohet që të bojkotojë parlamentin. Rrëzimi i Zana Xhukës nga kreu i Inspektoriatit të deklarimit të pasurive, po përdoret si pika që mund të derdhë gotën…

.Në seancën e fundit, atë të ditës së enjte, opozita ishte kujdesur që debati parlamentar të zhvillohej nën presionin e një proteste simbolike të atyre që pretendojnë se janë larguar pa të drejtë nga puna, nga qeveria Rama. Jo vetëm kaq. Qëndrimi në këmbë dhe goditja mbi tavolina, sa herë që flisnin deputetë të shumicës, ishin një sinjal i qartë i distancës që PD thotë se po fillon të marrë me institucionin më të lartë të vendit. Kreu i grupit parlamentar Paloka vijon të thotë se opozita nuk do të largohet nga Kuvendi, por duhet parë se cili do të jetë bilanci mes pasionit dhe arsyes, në një grupim politik që po kërkon me çdo kusht tensionimin e situatës politike në vend, për shkak të interesave të tij imediate.

Bojkoti, një ekuacion i rrezikshëm

Rasti më i afërt në kohë, ai i socialistëve, daton nga zgjedhjet e vitit 2009. Asokohe, rezultati aritmetikisht i barabartë mes pozitës dhe opozitës, shkaktoi një debat të ndezur për pastërtinë e zgjedhjeve. Ndërkohë që LSI kaloi djathtas, opozita e majtë, e frustruar rëndë nga situata e re politike, bëri zgjedhjen radikale: bojkot pa afat i Kuvendit.

Do të niste një epokë përplasjesh, që do të kulmonte me ngjarjet e 21 janarit. Histori e njohur dhe e jetuar në mënyrë dramatike nga shqiptarët. Asokohe shumica e djathtë përsëriste shpesh, e jo pa të drejtë, se nuk qe bojkoti mënyra e duhur për të bërë opozitën. Berisha e akuzonte çdo ditë Edi Ramën se duke bojkotuar institucionet, po sabotonte perspektivën europiane të Shqipërisë, e kjo bazohej në ecurinë e vendit drejt marjes së statusit të vendit kandidat.

Sot, kur shqiptarët kanë votuar për rotacionin e pushtetit, tabloja mund të përsëitet në termat e vjetër. Një bojkot i Kuvendit po vijon të vërtitet sërish në kokën e opozitës, si gjest ekstrem ndaj mospajtimit me politikën e qeverisë së majtë. Një hap që mund të përmbante shumë të panjohura të rrezikshme për PD dhe imazhin e saj publik. Së pari, një bojkot i mundshëm do të privonte partinë më të madhe të opozitës, nga një mundësi unike komunikimi me opinionin publik. Seancat parlamentare, të gjata, të mërzitshme dhe disa herë krejt të padobishme e antipatike, janë një podium i privilegjuar për një parti politike opozitare, për të komunikuar linjën dhe qëndrimet politike ndaj çeshtjeve konkrete. Së dyti, rikthimi eventual i opozitës tek bojkoti, do të zgjonte tek partnerët ndërkombëtarë shijen e keqe të një kohe tjetër. Çka do të dëmtonte, në mënyrë të paevitueshme, më së pari, vetë autorët e bojkotit. Së treti, duke ikur nga institucionet, opozita do t’ja bënte realisht më të lehtë lojën politike qeverisë, që do të ndjehej e plotfuqishme dhe e pakontrolluar në pozitën e saj dominuese.

 Rikthimi në logjikën e opozitës së vjetër

Pas iluzioneve që ngjallën zgjedhjet e vitit të shkuar, pas shpresave se klasa politike shqiptare po hynte në një stinë të re marrëdhëniesh të brendshme, kur shumëkush kujtoi se tranzicioni i zgjatur i sherreve po niste të jepte shpirt, papritur politika shqiptare është rikthyer në një qerthull konflikti që duket sikur e ka kthyer rrotën e historisë në tymin, flakët dhe të vrarët e 21 janarit. Për fat të mirë virtualisht, jo konkretisht.

Pas një sezoni të shkurtër hutimi, opozita duket se po vendos të tentojë një rikthim të sforcuar në skenë. I cili, sipas konceptit të saj, kalon mesa duket, përmes tensionimit me të gjitha mënyrat e imagjinueshme, të raporteve me maxhorancën. Nuk është e nevojshme të lodhesh shumë, për të parë sesi, në muajt e fundit, opozita është bërë gjithnjë e më refraktare, kundërshtuese dhe e ashpër ndaj çdo hapi të kundërshtarëve politikë. Por edhe ndaj çdo procesi që në kushte normale, do të kërkonte votat dhe konsensusin e të gjitha palëve. Një shembull i qartë i këtij radikalizimi janë reformat e mëdha, të cilat deri më tani, kanë marrë gishtin e përmbysur nga ana e PD. Reforma territoriale, ajo elektorale (që lidhet me të parën), reforma në drejtësi, ndryshimet e pritshme kushtetuese dhe hapa të tjerë në kuadrin e procesit të integrimit europian – janë që të gjitha të rrezikuara nga klima politike e papërshtatshme. Në krijimin e së cilës, duket se ka një rol të dorës së parë strategjia e opozitës për krijimin e një situate të skajshme në skenën politike.

Ky rikthim në logjikën dhe veprimin e opozitës së vjetër, shënon një regres të dukshëm për vetë procesin e normalizimit të demokracisë shqiptare. Seancat e përjavshme të parlamentit, me gjuhën e tyre të paklasifikueshme nga asnjë kod a procedurë, janë megjithatë më të mira sesa një stinë e mundshme bojkoti, që do ta kthente politikën shqiptare në acarin e tranzicionit të 20 vjetëve të fundit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi