Për shtetin që na mungon
Nga Artur Ajazi, botuar në Telegraf, 18 mars 2014
Shqipëria ka kohë që ndodhet në krizë të thellë institucionale, një krizë e cila ka sjellë çdo ditë probleme serioze të kthyera në shqetësim për jetën tonë. Kriza ka përfshirë shtetin, në krizë gjendet e tashmja dhe e ardhmja jonë. Asnjë strukturë e shtetit nuk ka mbetur jashtë kësaj krize, e cila ka shtrirje shumëdimensionale, ekonomike, politike, institucionale, morale, kulturore, identitare, fetare shoqërore etj. Në krizë ndodhet gjyqësori, legjislativi, media, familja, arsimi, shëndetësia, shoqëria civile duke u futur në një rreth vicioz zinxhir që mund të paralizojnë shtetin. Shqiptarëve shteti u mungon sot në rrugë, në sportele, në institucione, në vendin e punës, në familjet e tyre, jashtë kufijve gjeografikë. Reputacioni dhe kredibiliteti i institucioneve të shtetit ka kohë që është vënë në pikëpyetje. Shteti shqiptarëve ka lindur para 100 vitesh, ka vazhduar me kongrese, kryengritje, më tej me Ahmet Zogun, i cili pas largimit nga Shqipëria erdhi sërish me një forcë ushtarake jugosllave për të shijuar ambicien e tij për të bërë shtetin. Konferenca e Ambasadorëve i njohu Shqipërisë kufijtë e vitit 1913, dhe ne u bëmë anëtarë të Lidhjes së Kombeve. Shteti i shqiptarëve vazhdoi me Enver Hoxhën, për 45 vjet, pastaj vendi përjetoi ndryshimin e sistemit politik, dhe shteti sërish përjetoi rënie dhe ngritje të shpeshta.
Kanë kaluar mbi 100 vjet, por shqiptarët ende edhe sot nuk kanë mësuar asgjë nga historia, ata ende edhe sot nuk dinë, dhe nuk duan ta bëjnë shtetin e tyre. Kriza globale, dhe sidomos kriza, ku gjenden sot institucionet e këtij vendi, rrezikojnë paralizimin e shtetit ligjor, dhe po zbeh aspiratën e shumicës së shqiptarëve për të hyrë në Europë. Kjo situatë, ka rrënuar ekonomikisht shumicën e shqiptarëve, dhe ulur kredibilitetin e vendit tonë tek partnerët ndërkombëtarë. Kjo ka shkaktuar tek shqiptarët, humbjen e besimit tek klasa politike, e cila sot është e damkosur si e korruptuar. Kjo klasë politike, e mbërthyer nga injoranca, mungesa e vizionit politik, moral, dhe e zhytur në korrupsion, ka shkatërruar zinxhirin e funksionimit të shtetit. Ka dy dekada që politika shqiptare, po ndrydh dhe shkatërron ëndrrat e shqiptarëve, dhe me paturpësi, me dogma dhe fjalime demagogjike, mundohet të mbijetojë. Çdonjëri nga ne, ka sot nevojë më shumë se kurrë për shtetin, për ndihmën e tij, për t’u ndjerë mirë në vendin e punës, në sigurinë e jetës, në të ardhmen e fëmijëve, për të besuar dhe jetuar më mirë.
Ka mbi 20 vjet, që shqiptarët kanë pasur rastin të provojnë politikanë, liderë, kryetarë partish e kryetarë shteti, kryeministra dhe ministra, deputetë e kryetarë bashkish, qeveritarë dhe opozitarë, të cilët u kanë shkaktuar zhgënjime të mëdha. Për afro 45 vjet, ne të mësuar me “partinë- shtet” dhe liderin e përjetshëm, me ndërgjegje lejuam, e krijuam modelin e një klase politike arrogante, fuqiplotë, të pakontrollueshme në metodat për të marrë e për të mbajtur pushtet me çdo çmim, e duke mos bërë kurrë shtet. Një parti politike, që nuk është demokratike brenda saj, nuk është e aftë për qytetarët e saj, dhe për të bërë shtetin. Fakti është se, shtetin nuk mund ta bëjnë ata që krijuan partinë-shtet, e duke krijuar një piramidë mendimi e veprimi, pa asnjë parim, aspiratë, e moral. Në Shqipëri, politika ka mbi 20 vjet që sillet keq, pa vizion, pa ide, por duke sunduar gjoja “në emër të qytetarëve” e duke mos bërë kurrë shtet. Shoqëria shqiptare duhet të gjejë forcë e aftësi të dalë mbi amullinë e tranzicionit dhe të shohë përpara, të flakë modelet e dështuara, dhe të krijojë qasje drejt atyre që premtojnë një politikë europiste, për të ngritur dhe forcuar shtetin e munguar.