Stimuli financiar i FMN

Nga Koço Broka, botuar në Shqip, 17 mars 2014

Transparenca e borxhit për biznesin dhe vendosja e mënyrës së pagesës si një stimul për zhvillimin ekonomik. Radhën e ka biznesi dhe aktorët e tregut për të rikthyer ekonominë në rritje

Lajmi  se FMN firmosi kredinë 330.9 milionë euro për Shqipërinë është ogur shumë i mirë, shpresëdhënës, për ecurinë në drejtimin e duhur të ekonomisë sonë, gjatë vitit 2014 e më pas, sidomos në këtë situatë të vështirë që ndodhet ekonomia dhe biznesi, si me borxhin e fshehtë të qeverisë, por dhe kreditë e këqija apo të humbura. Ndërkohë është mjaft inkurajues, fakti se do mundësohet disbursimi i menjëhershëm i 26.4 milionë eurove, ose rreth 36.4 milionë dollarë. Zv/drejtori administrativ, David Lipton, duke folur mbi perspektivën ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2014 e nënvizoj se më tepër sesa paratë e FMN-së, të dobishme janë këshillat dhe sugjerimet e saj. Në fund të fundit, paratë e FMN-së, pavarësisht kushteve lehtësuese janë kredi që duhen shlyer. Populli ynë thotë më mirë të dish sesa të kesh. Natyrisht është akoma më mirë të kesh dhe të dish. Por kur s’ke, personalisht mendoj se kryesorja është të dish dhe kur as nuk ke as nuk di, kryesorja është të dëgjosh e të mësosh nga ai që di.

Mungesa e reformave dhe rritja me borxh

Në Nëntor 2012, Banka Botërore do të ngrinte shqetësimin se borxhi publik kish arritur në fund të tremujorit të tretë pikën kritike 59% të PBB-së dhe se detyrimet e fshehura të buxhetit ndaj privatëve mund të jenë 1.5 në 2 për qind të prodhimit bruto çka do të thotë edhe pse jo zyrtarisht “de facto” borxhi i qeverisë shqiptare e ka kapërcyer kufirin ligjor prej 60 për qind. Pra ishte një periudhë kur nuk dëgjoheshin as institucionet ndërkombëtare, por as dhe ish-ministri i Financave, z. Bode, që kish deklaruar në qershor 2012, se ekonomia ka hyrë në luginën e ferrit. Ndërsa mosveprimi i politikës, mosrealizimi dhe sfazimi i reformave strukturore, si ato në fushën e pensioneve, energjetikës kërcënuan seriozisht stabilitetin makroekonomik. Mjafton të përmend se në e-mail-et e pushtetarëve apo administratës prej vitesh vijnë e-mail-e nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për kryerjen e reformave në këtë sektor. Ato ishin dhe janë aq të qarta sa sikur duan të thonë “na o qorr sy”, por megjithatë me sa duket ne nuk duam sy. Është e njohur se rishikimi i ligjit për energjinë ishte programuar të ishte miratuar brenda qershorit 2012, por ndonëse u përgatit drafti i tij, ai u stopua në Shkurt 2012. E njëjta gjë është për reformën e pensioneve. Përvoja tregon se çdo stimul për pagesën e borxhit nëse zgjatet në kohë mund të krijojë iluzione, por është i domosdoshëm, pavarësisht se nuk është i mjaftueshëm për rritjen ekonomike.

Mjafton të thuhet se në gusht 2013 të ardhurat buxhetore rezultuan 210  miliardë e 679 milionë lekë kur shpenzimet korrente ishin 216 miliardë lekë 929 milionë ose 6 miliardë e 250 milionë lekë më shumë, të cilat janë mbuluar vetëm me borxh. Kjo do të thotë që të gjitha investimet prej 48.2 miliardë lekë të mbuloheshin të gjitha ose me borxh ose duke shitur pasuri me vlerë siç ishin hidrocentralet e Bistricës dhe Shkopetit. Ndërkohë përveç tyre duhej marrë dhe është marrë borxh për shlyerjen e 7.1 miliardë lekë të tjera, për shlyerjen e principalit të borxhit. Po t’i shtosh kësaj situate, kreditë e këqija të biznesit në masën e pothuaj ¼ të kredisë së marrë, dhe rënien e stokut të kredisë krahasuar me një vit me parë, nuk është e vështirë të shihet stabiliteti  makroekonomik ishte rrezikuar dhe rritja e tatim-taksave u bë gati e pashmangshme.

Të dhënat për borxhin e parashikuar për vitin 2013 ishin 898 miliardë lekë me një PBB 1 407 miliardë lekë, ndërkohë realizimi i borxhit ishte 956 miliardë lekë ku 72.6 miliardë lekë ishin borxh i fshehur. Pra rritja e borxhit i dedikohet transparencës dhe përgjegjshmërisë së qeverisë për të njohur detyrimet ndaj biznesit pavarësisht se ato ishin krijuar dhe akumuluar në një periudhë kur qeveriste tjetërkush.

Kthimi në normalitet si stimul për ekonominë

Mosnjohja e borxhit ndaj biznesit arriti deri në atë pikë sa ish-ministrat kërcënonin dhe ironizonin bizneset se nuk i kishin përfunduar punimet ndaj dhe qeveria s’ua njihte borxhin. E vërteta ishte krejt ndryshe, prej vitesh qeveria jo vetëm që e njihte detyrimin, por kishte lëshuar fatura tatimore për punimet apo shërbimet e kryera dhe radha në thesar sa vinte e shtohej. Kjo situatë pati dy implikime të forta në ekonomi, krizë likuiditeti dhe rritje të kredive me probleme duke zvogëluar ritmin e rritjes ekonomike, madje duke e rrudhur PBB në tremujorin e tretë të vitit. Qeveria aktuale po tenton ta kthejë në normalitet këtë situatë që për gjendjen ku ndodhet ekonomia përbën një stimul të fortë fiskal për rilindjen e saj. Qeveria aktuale, Ministria e Financave dhe sidomos ministri z. Shkëlqim Cani nëpërmjet strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ka bërë transparencën e borxheve të qeverisë ndaj biznesit dhe ç’është më e rëndësishmja grafikun e pagesave sipas parimit ‘kush ka faturuar i pari do të shlyhet i pari”. Me gjithë këtë stimul prej rreth 350 milionë dollarë të njëjtët biznesmenë që deri para zgjedhjeve nuk e ngrinin zërin për borxhet e fshehura, tashmë të deklarojnë se parashikimi i strategjisë për këtë vit dhe në total prej 725 milionë dollarësh për 2014-2016 janë shumë pak?! Dhe këtë e thonë ata që nuk ngritën zërin asnjëherë për borxhin e fshehur ku vetëm shtesa prej 72.57 miliardë lekë në vitin 2013 përbënte 5.3% e PBB. Me njohjen e borxhit dhe grafikun e shlyerjes qeveria ka demokratizuar edhe sjelljen e biznesit që nuk po vuan shantazhet e gjobave të tatimorëve siç ndodhi gjatë dhe pas fushatës elektorale, të cilat tashmë janë amnistuar.

Pyetja dhe shqetësimi se si do të priorizohej pagesa mori një përgjigje të shpejtë, transparente dhe të drejtë nga ministri i Financave z. Cani me publikimin e borxheve dhe vendosjen e grafikut të pagesave sipas datës më të hershme të faturës së pranuar në Thesar. Ministri i Financave, z. Cani, ka bërë takim me profesorë dhe ekspertët më të mirë të ekonomisë për këtë çështje. Por përtej ministrit të Financave i njëjti parim duhet t’ju vlejë dhe ministrive të linjës, të cilët konfirmojnë pagesat ku sigurisht pjesën kryesore e kanë punët publike dhe transporti. Besoj se zërat e biznesit për eliminimin e përzgjedhjes selektive të kompanive do të dëgjohen. FMN apo BB po e monitorojnë me lente të madhe këtë proces.

Roli i shtetit dhe i biznesit

Adam Smithi ka pasur dhe ka të drejtë kur shkruante se tregtia dhe manifaktura nuk mund të lulëzojnë gjatë, nëse shteti nuk ka një administrim të rregullt drejtësie, në të cilin mirëbesimi në kontratat nuk është mbështetur nga ligji dhe ku autoriteti i shtetit nuk është angazhuar në detyrimin e pagimit të borxhit ndaj atyre që duhet të paguajnë. Pra shteti nuk duhet t’i kthehet si pengesë zhvillimit ekonomik dhe ta vendosë biznesin në kalvarin e borxheve, por duhet të luajë rolin rrezullator pa ushtruar pushtet eksesiv për të krijuar klimën e favorshme për biznes dhe rritje ekonomike.

Praktika e viteve 2008-2013, në vendin tonë dëshmon se edhe në kushtet e uljes së ngarkesës fiskale siç ndodhi në vitet 2007-2008, ky avantazh për biznesin mund të zhbëhet dhe u zhbë në se nuk realizohet zbatimi i kontratave e detyrimeve si midis firmave njëra me tjetrën, por sidomos të shtetit ndaj firmave.

Është e njohur se BE, vitin e kaluar vuri në dispozicion të ekonomisë shqiptare, fermerëve – agrobiznesit,  fondet e IPARD-LIKE. Në vazhdimësi me germa të mëdha në media është publikuar mbështetja angazhimi i BE-s, për x milion euro, ndërsa me germa të vogla mezi është publikuar përthithja e tyre, që ka qenë vetëm sa ¼ e fondit në dispozicion. Ndryshe nga FMN ato ishin grant. Pra logjika është e thjeshtë, nuk mjafton vetëm të kesh para, në dispozicion… Ky mësim mendoj se ia vlen të mbahet parasysh dhe pas disbursimit të kredisë nga FMN. Interesi sado i vogël qoftë duhet paguar së bashku me principalin. Rrugëzgjidhja nuk mund të jetë automatike, apo aq më tepër duke u ankuar për rritjen e tatim-taksave, apo duke menduar se mjafton kredia e FMN-së dhe ndërrimi i qeverisë dhe të ardhurat buxhetore prej 360 miliardë lekë do të realizohen. Në fakt, nuk është  qeveria ajo që do ta shpjerë ekonominë në destinacion e rivitalizimin e ritmeve të rritjes të ekonomisë 4% apo në uljen e nivelit të borxhit nga 70.5% në vitin 2013, në 65.6 në vitin 2017, në periudhë afatmesme. Ajo ka për detyrë të realizojë reformat për të cilat folëm e këshillojnë edhe ndërkombëtarët. Por gjithçka do të varet nga aftësia konkurruese e biznesit. Nëse një pjesë e tij do të vazhdojë të bëjë presion duke pretenduar se do të zhvendosë kapitalin, në shtete të tjera, në vend të mendojë dhe të angazhohet realisht për rritjen e aftësive të veta konkurruese zor se mund të frenohet rënia ekonomike dhe jo më të realizohet rivitalizimi i ekonomisë dhe kthimi në ritme rritje të kënaqshme. Nëse qeveria e Koresë së Jugut shpalli strategjinë proeksport, ishte aftësia e biznesit për t’iu përgjigjur kësaj strategjie për të prodhuar Samsungun në atë cilësi dhe çmim që të bëhej konkurrues në tregun ndërkombëtar. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe në vendin tonë që të mbështesë zhvillimin ekonomik në shërbimet dhe produktet konkurruese të prodhimit për konsum vendas dhe/ose eksport.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi